More
    KreuLetërsiBibliotekëMircea Cartarescu: Solenoid (Fragment nga romani)

    Mircea Cartarescu: Solenoid (Fragment nga romani)

    Përktheu nga rumanishtja: Luan Topçiu

    Kam zënë përsëri morra, as që më çudit ky fakt, as që më frikëson, as që më shkakton krupë. Vetëm se më kruhen. Thërrija kam pothuajse gjatë gjithë kohës, i shukund përherë kur krihem në banjë: vezëza me ngjyrë sedefi, që ndrijnë errët mbi fajancën e lavamanit. Mbeten mjaft syresh mes dhëmbëve të krëhërit, të cilat i pastroj më pas me një furçë të vjetër dhëmbësh, që bishti i ka zënë myk. Nuk ka si të mos zë morra – jam mësues në një shkollë periferie. Gjysma e fëmijëve kanë morra, i kontrollojnë në fillim të vitit shkollor, gjatë vizitës mjekësore, kur infermierja ua kontrollon flokët me lëvizjet e sakta si të shimpanzeve – vetëm se nuk i thërrmojnë me dhëmbë krustat prej kitine të insekteve të kapura. Në vend të kësaj, u rekomandojnë prindërve një tretësirë të bardhë-të hirnosur, që kundërmon erë kimikatesh, të njëjtin që përdorin në fund të fundit edhe mësuesit. E gjithë shkolla fillon të mbajë erë tretësirë për morra për ditë të tëra.

    Nuk është edhe aq keq, të paktën nuk kemi tartabiqë, nuk i kemi parë prej kohësh. I mbaj mend edhe ata, i kam parë me sytë e mi kur isha rreth tre vjeç, në vilën e vogël në lagjen Floreasca, ku kemi banuar rreth viteve ‘59-’60. M’i tregonte babai, kur ngrinte papritur dyshekun e shtratit. Ishin si kokrra të kuqe të errëta, të forta dhe të shkëlqyeshme si frutat e pyllit, ose si ato kokrrat e zeza të bimës zvarranike që e dija se nuk duhet t’i fusja në gojë. Veçse se kokrrat midis dyshekut dhe skeletit të shtratit vraponin shpejt drejt qosheve të errëta, aq të alarmuara saqë filloja të qeshja. E prisja me padurim të ngrinte përsëri babai cepin e rëndë të dyshekut (kur ndërroheshin çarçafët), për të parë përsëri ato krijesat e vogla të majmura. Qeshja me të madhe, saqë mamaja, që ma mbante flokun të gjatë e me kaçurrela, më merrte gjithmonë në krahë, duke më pështyrë lehtë për të mos më marrë mësysh. Babai sillte më pas pompën me analcid dhe u bënte tartabiqëve, të strukur nëpër nyjet e drurit, nga një dush me erë të keqe, saqë nuk dinin nga të shkonin. Më pëlqente era që lëshonte druri i shtratit prej bredhi që ende ruante erën e rrëshirës, më pëlqente edhe era e analcidit. Pastaj babai lëshonte dyshekun dhe mamaja vinte me çarçafët në krahë. Kur shtronte çarçafin mbi shtrat, ai fryhej si një petull e madhe mbi të cilin kisha një kënaqësi të pazakontë të futesha në të. Prisja që çarçafi të binte lehtas mbi mua, duke u ngjitur pas trupin tim të vogël, por jo mbi çdo pjesë të tij, duke krijuar rrudha dhe pala të ndërlikuara. Dhomat atëherë ishin të mëdha si hangarë, dhe në to vërtiteshin dy njerëz të stërmëdhenj, të cilët, nuk e mora vesh përse, kujdeseshin për mua: mamaja dhe babai.

    Por nuk më kujtohen pickimet e tartabiqëve. Nëna më thoshte se ishin si rrathë të vegjël të kuq mbi lëkurë, me një pikë të bardhë në mes. Dhe më shumë se  kruheshin të digjnin. Nuk e di, por e vërteta është se gjithmonë i marr morrat nga fëmijët kur përkulem mbi fletoret e tyre. Është si një sëmundje profesionale. I mbaj flokët e gjatë që nga koha kur mund të bëhesha shkrimtar. Kaq gjë më ka mbetur nga karriera ime si mësues, flokët e gjatë. Dhe golfet, siç i mbante shkrimtari i parë që kisha parë ndonjeherë dhe që më ka mbetur si një imazh i lavdishëm dhe i paarritshëm, ai i autorit: të Mic dejun la Tiffany. [1]

    Flokët e mi gjithmonë prekin ato të vajzave, të rregulluara dhe plot me fjongo. Në këto gërsheta të forta, gjysmëtransparente, ngjiten insektet. Kthetrat e tyre kanë lakimin e fijes së flokut, të cilin e kapin në mënyrë të përkryer. Ecin pastaj mbi lëkurën e kokës, lënë aty jashtëqitjet dhe vezët e tyre. Pickojnë lëkurën, që s’ka parë kurrë dritën e diellit, me ngjyrë të bardhë si pergamenë, dhe ky është ushqimi i tyre. Kur kruarjet bëhen tmerrësisht të padurueshme, hap ujin e nxehtë në vaskë dhe përgatitem t’i asgjësoj.

    Më pëlqen si tingëllon uji në vaskë, ajo valë e furishme, rrjedha e rrëmbyeshme e miliarda bulëzave dhe fijet që mbështillen në spirale, vrumbullima e rrjedhës vertikale në xhelatinën e gjelbërt të ujit që ngrihet gati pa u ndjerë, duke pushtuar muret e vaskës përmes fryrjesh dhe ngjitje të befta, sikur të ishin milingona të panumurta të tejdukshme që vërshojnë në xhunglën amazoniane. Mbyll rubinetin dhe bëhet qetësi, milingonat shkrihen njëra me tjetrën dhe safiri i butë si një pelte bëhet i qetë, më sheh si një sy i kthjellët dhe më pret. Lakuriq, hyj në ujë plot dëshirë. E zhys menjëherë kokën, ndiej se si muret e ujit më mbulojnë simetrikisht faqet dhe ballin. Uji më mbërthen, është i rëndë rreth meje, më bën të lëvitoj në mes të tij. Jam bërthama e një fruti me mish të gjelbërt-blu. Flokët e mi shtrihen deri në skajet e vaskës, si të hapte një zog i zi flatrat. Fijet e flokëve largohen nga njëra-tjetra, secila është e pavarur, secila lundron, e lagur njëkohësisht, mes të tjerave, pa i prekur, si tentakulat e disa zëmbakëve të detit. Lëviz kokën papritur nga një anë në tjetrën për të ndjerë se si fijet tendosen, shtrihen nëpër ujin e dendur, marrin peshë, një peshë të papritur. Është e vështirë t’i shkëpusësh nga alveolet e ujit. Morrat qëndrojnë fort pas trungjeve të trasha, bëhen njësh me to. Fytyrat e tyre jo-njerëzore shprehin një lloj hutimi. Mbulesat e tyre janë prej të njëjtit material si fijet e flokëve. Zbuten dhe ato në ujin e nxehtë, por nuk treten. Tubat e vegjël të frymëmarrjes, të vendosur simetrikisht në skajet e barkut të tyre të rrudhur, janë mbyllur mirë, si vrimat e ngjitura të fokave. Lundrojnë të qetë në vaskë, të çlirët si një preparat anatomik, lëkura e gishtave të mi fryhet dhe rrudhet. Edhe unë jam i butë, si të isha i mbuluar me një shtresë kitine të tejdukshme. Duart e mia, të lëshuara në mënyrë të lirë, lundrojnë në sipërfaqe. Organet e mia intime tentojnë të ngrihen, si një tapë prej druri. Është kaq e çuditshme që kam një trup, që jam në një trup.

    Ngrihem në bisht dhe filloj të sapunoj flokët dhe trupin. Ndërsa kisha veshët nën ujë, dëgjoja qartë biseda dhe zhurma nga apartamentet fqinje, por si në ëndërr. Tani kisha tapa xhelatine në veshë. I kaloj duart plot me sapun mbi trup. Trupi im nuk është erotik për mua. Sikur jo mbi trupin tim, por mbi mendjen time kalojnë gishtat. Mendja ime e veshur me mish, mishi im i veshur me kozmos.

    Ashtu si me rastin e morrave, nuk është një befasoi e madhe kur gishtat e mbushur me sapun mbërrijnë tek kërthiza. Prej disa vitesh më ndodh kjo gjë. Fillimish u frikësova, sigurisht, sepse kisha dëgjuar se mund të ndodhë që kërthiza të çahet. Por kurrë nuk isha shqetësuar për timen, sepse kërthiza ime ishte thjesht një gropëz në barkun tim “ngjitur me shtyllën kurrizore”, siç thoshte mamaja. Në fund të kësaj gropëze ishte diçka e pakëndshme në prekje, që kurrë nuk më kishte tërhequr vëmendjen. Kërthiza nuk ishte gjë tjetër përveç vendi i gërryer i mollës, nga del bishti. Edhe ne jemi rritur si fruta mbi një kërcell të përshkuar nga vena dhe arterie. Por para disa muajsh, ndërsa i kaloja gishtat me nxitim mbi këtë anomali të trupit tim, vetëm për të mos e lënë të papastër, ndjeva diçka të pazakontë, diçka që nuk duhej të ishte aty: një lloj mase të ngritur që më gërvishti majën e gishtit, diçka jo organike, që nuk bënte pjesë në trupin tim. Ishte ngulitur në nyjen e zbehtë të mishit që vështronte që andej, si një sy mes dy qepallave. Për herë të parë e vështrova më nga afër, nën ujë, duke hapur me gishta skajet e çarjes. Ngaqë nuk po shihja mirë, u ngrita nga vaska dhe lentja e ujit në kërthizë  rrodhi ngadalë. Zot i madh, thashë me vete duke buzëqeshur, kam arritur të sodis kërthizën time… Po, ishte një lloj nyje e zbehtë, që kishte marrë më shumë reliev se zakonisht kohët e fundit, sepse në moshën gati tridhjetëvjeçare muskujt e barkut më ishin relaksuar më shumë.

    Një gdhendje, si thoi i një fëmije, në njërën prej sperdredhjeve të nyjës, rezultoi të ishte thjesht një papastërti. Por nga ana tjetër, e fortë dhe e dhimbshme, dilte si një bluashkëzë e vockël me ngjyrë zi-jeshil që e kisha ndier me majën e gishtit. Nuk e kuptoja se çfarë mund të ishte. U përpoqa ta kap me thonj, por, kur tërhoqa, ndjeva një dhembje të lehtë që më frikësoi: mund të ishte një lloj lythi që nuk ishte e udhës ta ngacmoja. U përpoqa ta harroj dhe ta lija aty ku kishte mbirë. Gjatë jetës na dalin mjaft nishane, lytha, eshtra të vdekur dhe gjëra të tjera që i mbartim me durim me vete, për të mos përmendur thonjtë dhe flokët, dhëmbët që na bien: copa të vetes që nuk na përkasin më dhe që fitojnë një jetë të tyren. I kam ende sot, falë kujdesit të nënës, në një kuti të vogël, të gjithë dhëmbët e mi të qumështit, dhe po ashtu, falë saj, kam dhe bishtat e mi të flokëve që nga mosha trevjeçare. Fotot tona me smalt të plasaritur dhe me dhëmbëza si të pullave postare nëpër skaje janë gjithashtu dëshmi për këtë gjë: trupi ynë dikur me të vërtetë u ndodh mes diellit dhe lentes së aparatit fotografik, duke lënë hijen e tij mbi pelikulën, ashtu siç hëna, gjatë eklipsit, shtron hijen e saj mbi diskun diellor.

    Por pas një jave, përsëri në vaskë, ndjeva sërish kërthizën time të çuditshme dhe të irrituar: copa e paidentifikuar ishte zgjatur pak dhe ndihej ndryshe, më shumë shqetësuese sesa e dhimbshme. Kur na dhemb dhëmbi, e prekem me gjuhë, edhe duke rrezikuar që në fund të ndiejmë një dhimbje më të mprehtë e më të gjallë. Çdo gjë që del jashtë normales në hartën e ndjeshme të trupit tonë na trazon dhe na shqetëson: duhet me çdo kusht të heqim atë ndjesi shqetësuese që nuk na lë rehat. Ndonjëherë, në mbrëmje, kur shtrihem për të fjetur dhe heq çorapet, ndiej se lëkura e trashë dhe e verdhë në anën e gishtit të madh është trashur tepër. E kap atë fryrje të fortë me gishtat e mi, e tërheq për gjysmë ore derisa arrij të shqyej një copë, dhe e tërheq më tej me mollëzat e gishtërinjve të dhimbshme, gjithnjë e më shumë i irrituar dhe i shqetësuar, derisa të shkëput një copë lëkure të trashë, të qelqtë, me vijëzime si të papilave digjitale, një centimetër të tërë lëkurë të vdekur, që tani varet shëmtuar nga gishti. Nuk mund ta tërheq më shumë, sepse tashmë kam arritur në pjesën e ndjeshme të lëkurës poshtë saj, tek unë që ndiej dhimbjen, por duhet gjithsesi të zgjidh atë kruarje, atë shqetësim. Marr gërshërët dhe e pres, pastaj e shikoj gjatë: një copë lëkurë të bardhë, që e kam prodhuar unë, pa e ditur se si, ashtu si nuk mbaj mend se si kam prodhuar kockat e mia. E përkul midis gishtave, e nuhas, vjen një erë të vagët amoniaku: një copëz organike, por e vdekur, e vdekur që kur ishte pjesë e imja dhe më shtonte disa gramë në peshë, më trazonte ende. Nuk më vjen ta hedh, fik dritën dhe shtrihem, duke e pasur ende midis gishtave, që të nesërmen ta harroj krejtësisht. Megjithatë, për disa kohë çaloj lehtë: më dhemb vendi ku e kam këputur.

    Kështu që fillova ta tërhiqja lehtë atë si gurth të fortë që më dilte nga kërthiza, derisa, papritmas, mbeta me të në dorë. Ishte një cilindër i vogël, rreth gjysmë centimetri i gjatë dhe afërsisht sa trashësia e një fije shkrepëseje. Dukej i nxirosur nga koha, i mykur dhe i llangosur nga kalimi i kohës. Ishte diçka e lashtë, e mumifikuar, e sapunizuar, një dreq e di se çfarë. E vendosa nën rrymën e ujit të lavamanit dhe shtresa e yndyrës filloi të zhdukej, duke lënë të kuptohej se, ndoshta, dikur ajo gjë e vockël kishte pasur ngjyrë të verdhë-të tejpashme. E vendosa në fund të një kutie bosh shkrepësesh. Dukej si maja e djegur e një fijeje. 

    Pas disa javësh nxora sërish nga kërthiza ime e zbutur nga uji i nxehtë edhe një fragment tjetër, këtë herë dyfish më të gjatë, nga e njëjta substancë e fortë dhe e pëzgjatur. Tani kuptova se ishte një fund i lakuar i një spangoje, madje mund të vëreja morinë e fijeve të spërdredhura që e përbënin. Ishte spango, spango e zakonshme, si ajo që përdoret për të paketuar. Ajo që, njëzet e shtatë vjet më parë, ma kishin lidhur kërthizën në maternitetin e fëlliqur, punëtorësh, ku kisha lindur. Tani, kërthiza ime po e nxirrte jashtë, ngadalë, një copë çdo dy javë, një copë çdo muaj, pastaj një tjetër pas tre muajsh të tjerë. Kjo e sotmja është e pesta dhe e nxjerr me kujdes dhe kënaqësi. E drejtoj, e pastroj me thonj, e laj në ujin e vaskës. Është copa e fundit, më e gjata deri më tani dhe, shpresoj, të jetë e fundit. E vendos në kutinë e shkrepëseve, pranë të tjerave: qëndrojnë të qeta, të verdha-të tejpashme-të zeza, të shtrembra, me skajet lehtësisht të shthurura. Kërp, i njëjti nga ai me të cilin nikoqiret bëjnë trastat, që të presin duart kur janë të mbushura plot me patate, i njëjti me të cilin lidhen paketat. Kur ishte dita e Shën Mërisë, merrnim një paketë nga të afërmit e babait nga Banati: ëmbëlsira me lulekuqe dhe me mjaltë. Spangoja e zgjidhur, ngjyrë kafe-e tejpashme, ishte gëzimi im: lidhja me të dorezat e dyerve, që nëna të mos bënte më një fëmijë tjetër. Në çdo dorezë bëja dhjetëra, qindra nyje. 

    Shpëtoj nga meraku i spangos së kërthizës dhe dal nga vaska, bashkë me ujin që rridhte prej meje. Marr shishen me tretësirën kundër morrave që ishte pas WC-së dhe hedh një dorë të vogël nga shishja e saj me aromë të rëndë mbi kokën time. Pyes veten nga cila klasë i kam marrë këtë herë, sikur të kishte ndonjë rëndësi. Kush e di, ndoshta ka. Ndoshta në rrugë të ndryshme të lagjes dhe në klasa të ndryshme të shkollës, morrat janë të një lloji tjetër, me madhësi të ndryshme.

    Shpëlaj trupin nga ajo lëngesë e neveritshme dhe pastaj filloj të krihem mbi lavamanin prej porcelani që shkëlqen nga pastërtia. Dhe papritur parazitët fillojnë të bien, dy, pesë, tetë, pesëmbëdhjetë… Janë jashtëzakonisht të vegjël, secili i ngjyer me bulëzën e vet të ujit. Me shumë vështirësi arrij të dalloj trupat e tyre me barkun e zgjeruar dhe nga tre këmbë që ende lëvizin në secilën anë. Trupi i tyre dhe trupi im, teksa qëndroj lakuriq dhe i lagur, përkulur mbi lavaman, janë të ndërtuar nga të njëjtat inde organike. Kanë organe dhe funksione analoge. Kanë sy që shohin të njëjtin realitet, kanë këmbë që i çojnë nëpër të njëjtën botë të pafundme dhe të pakuptueshme. Duan të jetojnë, ashtu si dua edhe unë. I fshij nga muret e lavamanit me një rrymë uji. Zhyten në sifonin e poshtëm, përfundojnë në kanalet e nëndheshme.

    Shkoj të fle me flokët ende të lagura pranë thesareve të mia të gjora: kutia e vogël e tic-tac-ut me dhëmbët e fëmijërisë, fotografitë kur isha i vogël dhe prindërit e mi që ishin në kulmin e moshës së tyre, kutia e shkrepëseve me spangon e dalë nga kërthiza ime, ditari. Si gjithmonë në mbrëmje, i derdh dhëmbët në pëllëmbë: gurë të lëmuar, ende shumë të bardhë, që dikur kanë qenë në gojën time, me të cilët dikur kam ngrënë, kam shqiptuar fjalë dhe kam kafshuar si një këlysh qeni. Sa herë më ka shkuar ndër mend si do të ishte të kisha diku edhe një qese letre me rruazat e mia të shtyllës kurrizore të moshës dyvjeçare ose me falangjet e gishtave të mi nga mosha shtatë vjeç…

    I vendos dhëmbët në vend. Do të më pëlqente të shihja edhe disa fotografi, por nuk kam më fuqi. E tërheq sirtarin e komodinës dhe i vendos të gjitha aty, në kutinë time të vjetër prej “lëkure gjarpri” të zverdhur, që dikur kishte strehuar një makinë rroje, një furçë rroje dhe një kuti me brisqe Astor. Tani i mbaj këtu thesaret e mia të gjora. Tërheq batanijen dhe mbuloj kokën dhe përpiqem të fle sa më shpejt, ndoshta përfundimisht. Lëkura e kokës nuk më kruhet më. Për më tepër, meqë më ka ndodhur kohët e fundit, shpresoj që të mos ndodhë më as sonte.

    _________________

    *  Mircea Cărtărescu (lindur më 1 qershor 1956, Bukuresht, Rumani) është një poet, prozator, eseist, kritik letrar dhe gazetar rumun. Ai është një nga shkrimtarët më të çmuar dhe më të përkthyer të periudhës post-komuniste, duke botuar mbi 30 vëllime, të përkthyera në 25 gjuhë. Ai është një nga emrat e nominuar për Çmimin Nobel për Letërsi. Fitues i shumë çmimeve prestigjioze letrare në gjithë botën. Është profesor në Universitetin e Bukureshtit.

    **  Fjala “solenoid është termi standard teknik që përdoret për të përshkruar një komponent elektrik, zakonisht një spiralë me një bërthame metalike, që krijon një fushë magnetike kur kalon një rrymë elektrike. Në kontekste të caktuara, mund të shfaqet edhe si “sistem solenoidal” ose “bobinë solenoide”, në varësi të përdorimit.


    [1]Breakfast at Tiffany’s, Truman Capote

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË