Kreu Intervista Mira Meksi: Jam shërbestare e gjuhës shqipe, të cilën e konsideroj të...

Mira Meksi: Jam shërbestare e gjuhës shqipe, të cilën e konsideroj të shenjtë

Intervistë dhënë ExLibris

Zonja Meksi, krijimtaria juaj është e mbrujtur me elemente magjie, të mbinatyrshme, shpesh që vijnë dhe integrohen natyrshëm brenda realiteteve të njëmendta, njëlloj si letërsia e autorëve që shqipëroni, siç është García Márquez-i, me të cilin lexuesi ju ka identifikuar që prej tri dekadave tanimë. Cilat janë fillimet e krijimit tuaj të mirëfilltë? Po ato të shqipërimit? Si kanë ecur përkrah të dyja këto krijimtari letrare? 

E vërteta është se nuk e kam ndarë dot përkthimin letrar si krijim, nga krijimi im letrar. Ka nisur shumë herët si një proces i pandarë që, mendoj, zanafillën e ka pasur te leximi im i pandalshëm që “përpinte” gjithçka që më dilte përpara, pa asnjë lloj kriteri, që kur lexova vetë në moshën pesëvjeçare “Xinxifillon” e Kutelit, dhe dëshira po aq e madhe për t’i ndarë me të tjerët mrekullitë e leximit. Me siguri, kjo më zhvilloi imagjinatën, sepse edhe përrallat që kisha dëgjuar apo kisha lexuar, i shndërroja në të tjera përralla të pafundme që ua rrëfeja shoqeve të mia të vogla mbrëmjeve të stërgjata të verës në bregdetin e Vlorës, ku shkonim për pushime te gjyshërit dhe ku unë u ktheva në “heroinën” e tyre për shumë vera me radhë. Dashuria për shqipen m’u ngulit nga ime ëmë, mësuese e gjuhës shqipe, e cila e kishte traditë në familje nga gjyshi i saj, Papa Isaia, i cili kish hapur shkolla shqipe në krahinën e Myzeqesë dhe ishte po ashtu përkthyes në shqip i Shkrimeve të Shenjta. Ajo kujdesej shumë që unë t’i përzgjidhja fjalët dhe sidomos, t’i rendisja bukur në ndërtimin e fjalive. Në klasën e dytë të fillores, një vjershë për pranverën u ekspozua në stendën e klasës, ndërsa në moshën 12-vjeçare, në revistën “Yllkat” u botua tregimi im i parë “Érida dhe lulet”. Përkthimi im i parë që mund të quhet i tillë është “Princi i vogël” i Exupery-së, të cilin e bëra me një mijë mundime në vitin e dytë të shkollës së mesme, nga origjinali, sepse kisha nisur të mësoja frëngjisht shumë herët me mësues privat. Ky përkthim i parë nuk e pa kurrë dritën e botimit, por ama u bë “libri kult” i gjimnazistëve të Qemal Stafës për disa vjet. Sa për ndikimet në formimin tim kulturor dhe sidomos, në shkrimësinë time, janë disa llojesh: së pari, sidomos Kuteli dhe Kadareja, në gjuhën tonë, por edhe Petro Marko, pak më vonë klasikët francezë, pastaj Faulkner-i, Stevenson-i dhe gjatë studimeve të fakultetit, kur kisha nisur të lexoja në spanjisht, ndërkohë që studioja për filologji frënge, u hapën për mua portat e qiellit – letërsia hispano-amerikane, nga e cila nuk do të ndahesha më kurrë, si lexuese dhe shqipëruese, dhe që mendoj është letërsia që më shkon më shumë së brendshmi.

Ka shkrimtarë cilët kanë pohuar në shkrimet e tyre se si kanë humbur vite të tëra duke imituar një tjetër, p.sh. Borges-i, Márquez-i apo edhe Buzzat-i përmendin se si kanë ndjekur Kafkën, dhe në fund kanë gjetur shtigjet e veta. Pse ndodh kjo? A mund të dyshojmë se është një shterim motivesh, lënde letrare? Pse ky kërkim, kjo formë?

Nuk mendoj se bëhet fjalë për imitime, por për ndikime. Të arrish të imitosh një shkrimtar të madh, do të thotë të jesh në po atë nivel me të. Të gjithë krijuesit kanë mjeshtërit e tyre, ndodhen nën “magjinë” e artit të një shkrimtari të madh për ta. Fjala vjen, bota nuk e njihte Macedonio Fernandez-in, shkrimtar argjentinas, përpara se Borges-i i madh të deklaronte se ai ishte mjeshtri i tij. Vetë Márquez-i ka pohuar se është ndikuar shumë nga Juan Rulfo. Sigurisht që bëhet fjalë për prosedetë letrare, sepse, në fund të fundit, letërsia është produkt i shpirtit dhe si e tillë, sado ndikime të ketë, ndryshon nga njëri shkrimtar tek tjetri. Njëlloj si shpirti. Siç e thatë edhe ju, letërsia ime është e mbrujtur me magjinë e shkrimtarëve të mëdhenj të Amerikës Latine. E kam thënë dhe e përsëris, sidomos sjellja në shqip e këtyre mjeshtërve, më ka mësuar shkrimësinë. Kam qenë çirakja e tyre që kur përktheva për së pari në vitin 1984 për gazetën “Drita” një tregim të shkurtër të Julio Cortázar-it. Proza ime e shkurtër ka ndikime nga letërsia e Borges-it, por edhe shumë ndryshime, madje studiuesi i veprës sime Shpëtim Doda ka marrë përsipër ta evidentojë në një studim të gjatë pikëpjekjen dhe ndarjen e tregimit tim me atë të Borges-it. Një pjesë e mirë e saj i përket strukturalisht tregimit “neofantastik” që lëvroi Julio Cortázar-i. Sa për pyetjen tuaj nëse “ndikimi” lind dyshime për një shterje të lëndës letrare, më lejoni të shpjegoj diçka të rëndësishme. Ndikimet nuk kanë të bëjnë shumë as me tematikën dhe as me lëndën që ngjiz letërsinë, por me mënyrën si organizohet kjo lëndë, me rrymat, stilet estetike, gjinitë dhe lëvizjet letrare. Realizmi magjik, për shembull, gjatë tërë zhvillimeve të tij ka njohur një morí të tilla. Fjala vjen, realizmi magjik i Márquez-it ndryshon nga ai i Alejo Carpentier-it apo i Carlos-Fuentes-it, por sigurisht që kanë edhe tipare të përbashkëta. Do të doja të perifrazoja thëniet e Borges-it, të cilat e ilustrojnë më së miri çka thashë më sipër: shkrimtarët nuk shpikin gjësend, por vetëm zbulojnë ato që dikur i kanë zbuluar të tjerët, apo, jetojmë në një botë të përjetshme, ai që po i lexon fjalët e mia, po i shpik ato.

Përktheni nga frëngjishtja dhe nga spanjishtja. Dua të kujtoj se më 2019 keni shënuar, mendoj, kulmin në karrierën tuaj si përkthyese me sjelljen në shqip të romanit “Njëqind vjet vetmi”, që i dha Nobelin Márquez-it. Ky roman është përkthyer edhe më parë nga një përkthyes i njohur. Jeni shprehur për arsyet gjuhësore që ju shtynë t’i futeshit një pune kaq të madhe, si dhe nevojën e ripërkthimeve. Gjithsesi, shihet një lidhje shumë e madhe që keni me këtë shkrimtar, të cilin e keni takuar në fillim të viteve ’90, çka pati një jehonë të madhe në Shqipëri, ju “lulja pirate”, siç ju quajti Márquez-i. A mund të na thoni diçka që nuk e keni thënë nga ai takim? A është e nevojshme për përkthyesin të njohë tërë veprën e një shkrimtari për të përkthyer kryeveprën e tij? 

Është, besoj, e qartë se “Njëqind vjet vetmi” është romani më i madh i shekullit që lamë pas. Por edhe në këta njëzet vjet të shekullit të ri nuk është shkruar ndonjë vepër e tillë. E pra, mendoni se sa e vështirë ishte, qoftë edhe për një përkthyese me eksperiencën time, që ta merrje përsipër shqipërimin e tij. Për fat të mirë, ishte një projekt në grup, që nga marrja e së drejtës së autorit nga Onufri për këtë roman (çka personalisht më çliroi nga “barra e lules pirate”) dhe deri te redaktimi i pazakontë që redaksia i bëri përkthimit në shqip, duke e krahasuar tekstin e shqipëruar me pesë gjuhë të huaja, për të verifikuar qasjen e tyre ndaj romanit, çka solli edhe një studim të tijin mbi procesin në fjalë. Një punë e jashtëzakonshme, një eksperiencë magjike, për një vepër të jashtëzakonshme. Po, e vërtetë, takimi im me Márquez-in, përkthyesen e tij pirate në shqip (pse asokohe bëheshin botime pa të drejta autori te ne) bëri bujë të madhe në Shqipërinë e kohës. Ende nuk ishte hapur vendi. Por mendoj se edhe sot do të kishte jehonë. Lexuesi ynë e adhuron Márquez-in, ashtu si tërë bota. U përpoqa shumë për ta takuar Márquez-in që ndodhej në Barcelonë, rrugës për në Tokio, ku do të takohej me Kurosavën. Unë përktheja në shqip novelën  e tij “Gjurmët e gjakut tënd mbi dëborë” në Shtëpinë e Përkthyesve në Tarazona të Spanjës. Kisha përkthyer ndërkohë “Dashuria në kohërat e kolerës”, që priste të dilte në Tiranë, dhe asokohe mendoja se takimi me shkrimtarin e madh do të më mësonte diçka më shumë për veprën e tij. Sigurisht që nuk e kam më atë mendim. Biseda jonë përmbi një orë ishte e larmishme, disa kujtime për të shoqëruan në formën e pasthënies botimin e parë në shqip të “Dashuria në kohërat e kolerës”, por edhe sot e kësaj dite mbresa më kanë lënë më tepër këshillat e tij për mua si përkthyese (nuk guxova t’i thosha që edhe unë shkruaja) e letërsisë së tij dhe kënaqësia kur mësoi që gjuha shqipe nuk kishte alfabet cirilik dhe ishte nga gjuhët më të lashta të Europës.

Kam bindjen e ngulët se duhet njohur tërë vepra e një shkrimtari të madh, siç është Márquez-i, për të shqipëruar kryeveprën e tij. Pa e njohur atë, pa njohur nuancat leksikore të prozës së tij, mund të gabohej lehtësisht, nuk mund të përkthehej assesi lavdërueshëm “Njëqind vjet vetmi”.

Përveç mjeshtërisë së shkrimit që ju ka dhënë shqipërimi i autorëve të mëdhenj të botës, a ka ndikuar ky proces në pasurimin e gjuhës shqipe që ju përdorni?

Pa asnjë dyshim, është një nga instrumentet më efikase për të pasuruar gjuhën shqipe. Gjuhët nga përkthej janë gjuhë të mëdha dhe shumë të pasura, madje Kritika thotë që Márquez-i e ka pasuruar spanjishten. E pra, për ta sjellë në shqip prozën e tij, për të gjetur ekuivalentin e fjalëve në tërë ngarkesën e tyre leksikore, magjinë dhe drithërimin që ato bartin, më është dashur jo vetëm të kërkoj me shumë këmbëngulje për të gjetur variantin e duhur, por edhe të ngre nga fondi i pluhurosur i gjuhës fjalë të harruara, apo edhe të krijoj neologjizma. Kjo e pasuron gjuhën shqipe. Kam kohë që jam shuguruar shërbestare e gjuhës shqipe, të cilën e konsideroj të shenjtë.

Romanet Frosina e Janinës, Porfida – Ballo në Versailles, E kuqja e demave, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, e kanë gjetur idenë ngjizëse, idenë fillestare rreth së cilës është mbështjellë lënda e tyre, në fëmijërinë tuaj. Përpos kësaj, këto romane janë të mbushura me informacion të detajuar gjithfarësh, çfarë kanë tjetër të përbashkët?

Mendoj temën e dashurisë së penguar, pushtetin gati joshës të vdekjes, e cila shfaqet edhe si personazh, kohën labirintike, kohën e mëvetësishme të personazheve dhe kujtesën si identitet të njeriut, përpos kujtesës Universale si mozaik, ku secili prej nesh ka nga një gur kujtese në të.

Novelat dhe tregimet tuaja rrokin kozmosin, një gjeografi nga më të larmishmet, personazhe nga më të shumëllojtat, deri vetë Borges-i Márquez-i, George Sand-i apo De Musse-ja. Ato janë tekste që përmbajnë tekste të tjera, janë tekste shumëqelizore me mite, legjenda, detaje enciklopedike, shënime udhëtimesh, tipare të esesë etj., në një shtrojë fantastike apo neofantastike. Është një prozë me tipare të theksuara postmoderniste. Më ka bërë përshtypje sidomos tregimi “La gringa” (E huaja), pak fjalë për të, si është krijuar?

Udhëtimet janë shumë të rëndësishme për të ushqyer shkrimësinë time. I kam vënë përherë në funksion të letërsisë sime. Ka udhëtime që i kam bërë enkas për një temë të caktuar, siç ka qenë novela e Kazanovës apo e Dashnorët e Venetikut. “La gringa” bart atmosferën mitike dhe mistike të Meksikës, bukurinë halucinante të xhunglës Yucatan, rrënojat e madhërishme të tempullit të mayave Chichen-Itza, ashtu si novela “Pa zemër në kraharor”. Ende nuk kam mundur të çlirohem, nëpërmjet shkrimit, nga magjia që përjetova gjatë qëndrimit në Meksikë. “La gringa” është një zgjatim krejt i natyrshëm i romanit të Márquez-it “100 vjet vetmi”, ndërkohë që ky i fundit është i pambaruar, siç e ka deklaruar vetë autori, i cili kish menduar edhe për një brez më shumë të Buendiave. Është një lloj stafete letrare mes dy shkrimtarëve, që realizohet nëpërmjet një riti të lashtë të fiseve Maya, që vazhdon edhe në kohën e sotme sipas studiuesve – mishërimi, ku antropologia ballkanase, shtatzënë, merr pjesë. Ky tregim është edhe një paralelizëm midis vetmisë legjendare të Macondo-s te “Njëqind vjet vetmi” dhe Shqipërisë, vendit të vogël në askundin e botës, të mbërthyer nga një diktaturë e egër, e paparë ndonjëherë në jetën e njeriut. “La gringa” është shkruar në kohën kur shqipëroja “Njëqind vjet vetmi” dhe isha krejtësisht e mbushur me prozën baroke të Márquez-it, por për çudi tregimi ka një strukturë të pastër borgesiane, fraza të shkurtra, të prera, rrëfim i thjeshtë, fjalëkursyer, i mprehtë, me një fund halucinant.

Së fundmi, ka ardhur romani Diktatori në kryq. Cila ka qenë ideja zanafillore e tij? Si është procesi i të shkruarit te ju? Si lindin historitë, personazhet?

Përherë ka një fillesë në themel të çdo ngrehine letrare. Është e ndryshme gjithsaherë kjo fillesë. Mund të jetë kujtim, përjetim, një aromë parfumi, apo edhe një ëndërr. Krijojnë ide dhe gjendje fillimisht, të cilat (shkrimtari e kupton lehtësisht) janë të afta të mbrujnë baltën në magjen e krijimit. Personazhet lindin vetë, nuk kërkohen, dhe e vendosin vetë fatin e tyre. Vërtet shkrimtarët e konsiderojnë veten si demiurgë që krijojnë botë, dhe kjo deri diku ka një të vërtetë, por nga praktika tanimë e gjatë që kam, personazhet, por edhe ngjarjet në një masë jo të vogël, u shpëtojnë vendimeve të shkrimtarit dhe krijojnë jetën e tyre. Më ka ndodhur shpesh që kam menduar një fund apo një fat të caktuar për personazhet e mia, dhe ka dalë tjetër gjë. Vjen një kohë kur shkrimtari është i ndërgjegjshëm për fillimin e shkruar (sa shumë kohë dhe mund merr incipiti i veprës) dhe fundin e imagjinuar, janë si dy ishuj që ai i sheh. Në mes ka vetëm ujë. Ky mesi mbushet me ngjarje dhe popullohet me personazhe gjatë kohës së shkrimit. Është një lloj alkimie, apo magjie, që i shpëton shpjegimit me fjalë.

E kam thënë dhe e përsëris, fëmijëria ka qenë për mua “hambari” i idengjizjeve të veprave të mia. Ndodhi ndryshe me “Diktatori në Kryq”. Një kronikë televizive më nxori para syve Kishën me lashtësi drithëruese njëmijepesëqindvjeçare të Lindjes së Shën Mërisë në Labovë. Më goditi kur pashë pamjet e saj. S’kaloi pak kohë dhe shkova në Labovë për ta vizituar. Ishte kishë perandorake e ndërtuar nga Justiniani I. Brendësia e saj më la pa frymë nga pasuria e dekorit, e arkitekturës, dhe u magjepsa përpara një ikone madhështore me Krishtin Pantokrator në mes dhe Via Crucis përreth, ku ndenja mbi një orë duke e vështruar. Jam e rishtuar në soditjen e ikonës dhe adhurimin e saj në kohën kur shkruaja romanin “E kuqja e demave”, që fare mirë mund të quhet “E kuqja e Onufrit”. Ndjeva se një mister i madh për Krishterimin dhe fatin e njerëzimit ndodhej në atë ikonë me figura.

Ky mister ishte Graali i Shenjtë për të cilin flitet në roman?

Pikërisht. Magjia u bë më e plotë kur mësova për kryqin reliktmbajtës të Kishës së Hylindëses, që mbante në zemër të tij një Ashkël nga Druri i Shenjtë i kryqit, ku u kryqëzua Krishti në Golgotha. Një Kryq shëronjës. Labovitët më treguan që kryqin e tyre e kish rrëmbyer e bija e diktatorit Hoxha. Kjo ishte lidhja vetëtimë që ndodhi në mendjen e shkrimtarit – diktatori dhe Kryqi.

Strukturalisht, por jo vetëm, duken të jenë dy romane brenda romanit “Diktatori në Kryq”.

Është tamam kështu, janë dy romane brenda romanit, siç e sugjeron edhe vetë titulli, ai i diktatorit dhe romani i kryqit të Labovës. Zhvillimet e të dyve, të mëvetësishme, çojnë pashmangshmërisht në pikëpjekjen e tyre për t’i dhënë hov një trilleri, i cili ka edhe një suspens policesk.

Është një roman turbullues që të lejon të futesh në intimitetin e mendjes dhe shpirtit të një diktatori. Nuk ka gjer më sot në letërsinë shqipe një vepër letrare që të trajtojë figurën e diktatorit. Përse ju tërhoqi një figurë e tillë?

Letërsia ka kohën dhe ligjësitë e saj që nuk përkojnë me ato të shoqërisë njerëzore. Nuk është aspak çudi që edhe pse kanë kaluar tridhjetë vjet nga rënia e murit të Berlinit, nuk është kthyer në topos, në subjekt letrar, figura e diktatorit Hoxha. Përherë më ka interesuar marrëdhënia e një njeriu të fuqishëm, me një pushtet të madh, që e krahason veten me perënditë e qiellit, me vdekjen, pasvdekjen dhe përjetësinë e tij. E kam trajtuar te romani im i parë “Frosina e Janinës”. Ali Pashai dhe përjetësia e tij. Me këtë roman mëtova të ndërtoja stereotipinë e diktatorit të shekullit që lamë pas dhe që u karakterizua nga tipare që nuk i gjejmë te prijësit, udhëheqësit apo satrapët e dikurshëm. Këta të shekullit XX, përpos të tjerash, akaparuan edhe pushtetin e artit, shkruan vetë vepra letrare, shpikën një “model” letërsie, të cilin u përpoqën t’ua diktonin gjakësisht artistëve dhe shkrimtarëve…

“Diktatori në kryq”, në ditët e fundit të jetës së diktatorit, e çmitizon atë, deri hyn në intimitetin e tij romantik, në dashurinë e tij për infermieren Lumka. Ai kërkon një mundësi të dytë në jetë, një rikthim nga vdekja. A është penduar diktatori për gjithë çfarë u ka bërë shqiptarëve? A po kërkon të ndreqë gabimet e tij?

Kam zgjedhur ditët e fundit të jetës së tij, kur diktatori është i ndërgjegjshëm për vdekjen e afërt, pikërisht për të pasur një panoramë të plotë të përsiatjeve të tij mbi tërë jetën që tani është në fund, të përballjes së tij me vetveten, të njohjes së fajeve, krimeve, tmerreve që ka kryer. Jo, diktatori nuk është penduar. Por, duke krijuar një pushtet absolut, ka krijuar pashmangshëm edhe vetminë e tij të tmerrshme. Ndjenjën më të bukur për njeriun, siç është dashuria, e ka këmbyer me një ideologji që do t’i siguronte pushtetin. Nuk është më ai njeriu i fuqishëm që njeh bota, por një njeri i sëmurë, i pafuqishëm, i frikësuar për vdekje jo nga vdekja, por nga pabesia e njerëzve që ka pranë. Në fund të fundit, është njeri që ka edhe dobësitë e tij, që kërkon të rikthehet për t’i bërë gjërat ndryshe. Ky është edhe misteri më i madh i njeriut dhe jetës njerëzore. Dashuria që ai ndien për Lumkën, infermieren e re, e vetmja gjë e pastër në fëlliqësinë e botës ku jeton, është fijeza e hollë e shpresës, fija e barit ku kërkon të mbahet ai njeri që po mbytet në detin e së keqes dhe të tradhtisë, në detin e luftës së egër për pushtet.

Ironia, satira, humori i zi, janë tipare të rëndësishme të “Diktatori në Kryq”, duke treguar se kemi të bëjmë me tipare postmoderniste.

Janë në funksion të ideve që përçohen në roman. Diktatori shkërben vetë Krishtin në skenën e ekzekutimit të klerikut të gjorë, kur po kërkon të vërë në provë shenjtërinë e Kryqit dhe virtytin e tij të ringjalljes. Atij i duket vetja si Krishti. Është absurde dhe qesharake hipokrizia e diktatorit që bëri plojën më të madhe me fenë e shqiptarëve dhe kërkon shpëtimin e shpirtit pikërisht prej saj.

Në tiparet e tij postmoderniste ky roman ka ngjashmëri me romanin e García Márquez-it “Gjenerali në labirintin e tij”.

Bëhet fjalë për një metafiksion historiografik në gjuhën e kritikës letrare, që do të thotë një fiksionalizim apo trillëzim të historisë, të një figure apo ngjarjeje historike. Po, në romanin që përmendët, Marquez-i ka kthyer në fiksion, në trill, figurën e Simon Bolivarit. E njëjta gjë vlen edhe për figurën e Enver Hoxhës në “Diktatori në Kryq”.

Radhët e gjata janë bërë të zakonshme tanimë në Panairet e Librit për të marrë autografin tuaj. Po kështu ndodhi edhe këtë Panair me “Diktatori në Kryq”. Márquez-i është shprehur se i pëlqente një marrëdhënie private mes lexuesit dhe librit.

Marrëdhënia lexues-libër është përherë një marrëdhënie private, intime. Nuk ndodh ndryshe. Siç jam shprehur edhe më parë, lexuesi ka shumë rëndësi për jetën e librit pasi ai del nga dora e shkrimtarit në treg. Lexuesi i mirë, nëpërmjet leximit që nënkupton interpretim, e bën atë të gjallojë. Sa më shumë lexime-interpretime të ketë, aq më shumë jeton ai libër. Prania e shkrimtarit në Panair, autografi që ai vendos në librin e lexuesit të mundshëm, jo blerësit, është mendoj një lloj garancie, një lloj materializimi në sytë e lexuesit, e atij që po bëhet gati t’i tregojë një histori. Është një lloj garancie besimi edhe vendosja e një marrëdhënieje midis librit, lexuesit dhe autorit. Sepse pas marrjes së autografit, libri nuk është më mall për një lexues anonim, por për një lexues me emër dhe mbiemër. I dedikuar. Them se kjo e ndihmon leximin. Nga ana tjetër, ndonëse është e mundimshme për shkrimtarin, është një e dhënë për trendin e lexuesit të tij. Në këtë Panair Libri kishte shumë të rinj që morën “Diktatorin në Kryq”, çka më tregoi tendencën që krijon një tematikë e caktuar. Nga ana tjetër, duke parë numrin në rritje të lexuesve të mi vit pas viti, jam bërë më e kujdesshme, më kërkuese, në shkrimësinë time.

Dhe pyetja e fundit: si ndodhi që vendosët si fjalinë përmbyllëse të romanit tuaj, fjalinë e fundit të “Njëqind vjet vetmi”?

Ndoqa, në të vërtetë, një traditë që vetë Márquez-i e ka bërë dikur në nderim të Juan Rulfo-s, mjeshtrit të tij të letërsisë. Një nderim për librin që çmoj më shumë në letrat botërore gjer më sot, “Njëqind vjet vetmi”.

*Portreti nga Ina Lajthia

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

“Bukuria e turpit”, ese nga Rexhep Ferri

1. Na ka zënë  mallkimi i historisë së pashkruar. Askush s’ka gojë, s’ka sy, s’ka veshë.

Njëzet pyetje për Pajtim Statovcin

Mendimtarë dhe shkrimtarë u janë përgjigjur njëzet pyetjeve të suplementit letrar të gazetës Times, për librat e tyre të preferuar, zakonet...

Ardian Ndreca: Në 30-vjetorin e demonstratës së parë antikomuniste në Shkodër

Sot e 30 vjet ma parë në Shkodër ndodhte nji ngjarje e pazakontë për kohën, ishte 14 janari i vitit 1990 kur në bulevardin...

Poezi nga Akri Çipa

Rënia e pikës së parë Na mbulon një humbëtirë mendimesh, A thua se nuk ka...