Në librin “Kohë e pamjaftueshme”, Helena Kadare rrëfen një episod domethënës nga procesi krijues i Ismail Kadaresë. Një muaj pas botimit të romanit “Piramida” në Francë, shkrimtari, duke e shfletuar librin, zbuloi atë që e konsideronte një defekt serioz në strukturën e veprës. Sipas tij, diçka kishte prishur harmoninë e brendshme të romanit. Për disa ditë me radhë ai u mor me problemin me përkushtimin e një inxhinieri që kontrollon qëndrueshmërinë e një ndërtese. Flinte keq, zgjohej natën dhe rikthehej vazhdimisht te teksti. Më në fund shpalli se e kishte gjetur shkakun: “Njëri nga krahët kishte lëshuar bark.” Të nesërmen shkoi te botuesi francez dhe i shpjegoi problemin. Edhe pse libri ishte botuar tashmë në një tirazh të madh, pas korrigjimit u ribotua nga e para.
Ky episod ngre një pyetje interesante: nëse ndërtimi i një godine mbështetet mbi llogaritje matematikore dhe parime gjeometrike, në ç’mënyrë mund të flitet për matematikë në letërsi?
Në shikim të parë, letërsia dhe matematika duken fusha të largëta nga njëra-tjetra. Njëra merret me emocionet, imagjinatën dhe gjuhën; tjetra me numrat, formulat dhe abstraksionin logjik. Megjithatë, në thelb ato ndajnë një tipar të përbashkët: të dyja ndërtojnë struktura. Matematika krijon sisteme aksiomash dhe marrëdhëniesh logjike për të shpjeguar universin.Letërsia krijon modele të simuluara të jetës njerëzore për të kërkuar dhe zbuluar të vërteta mbi natyrën e njeriut, konfliktet morale dhe kuptimin e ekzistencës.
Ashtu si matematika, edhe letërsia kërkon abstraksion. Një ekuacion matematikor nuk përshkruan një objekt konkret, por një marrëdhënie universale. Po kështu, një personazh letrar nuk është vetëm një individ i veçantë, por një model përmes të cilit shqyrtohen sjellje, konflikte dhe ide që tejkalojnë kufijtë e një historie të vetme. Të dyja disiplinat i kërkojnë mendjes njerëzore të imagjinojë atë që nuk mund të preket drejtpërdrejt.
Të dyja testojnë kufijtë e mendimit. Të dyja kërkojnë intuitë, imagjinatë dhe aftësi për të zbuluar modele të fshehura. Jo rastësisht, Albert Ajnshtajni shprehej se: “Logjika do t’ju çojë nga A në B; imagjinata do t’ju çojë kudo.” Pikërisht imagjinata është ura që bashkon matematikën dhe letërsinë. E çliruar nga kufijtë e së zakonshmes, ajo e çoi veprën e Ismail Kadare drejt horizonteve të pafundme të krijimit artistik. Përmes veprës letrare, Kadare emancipoi rrënjësisht vetëdijen kulturore të shoqërisë shqiptare. Mbështetësit e kësaj pikëpamjeje janë të paktë në Shqipëri. Përballë një shumice kundërshtuese që shpesh e imponon debatin me ashpërsi, ata mjaftohen ta përmbledhin rëndësinë emancipuese të veprës së tij me një pohim të vetëm: “Të paktën, Kadareja na mësoi si të lexojmë.” Por sa të vërtetë ka ky pohim, në të vërtetë? Emancipim do të thotë, akti ose proçesi i çlirimit të dikujt nga kontrolli, pushteti ose autoriteti i një tjetri. E kundërta e emancipimit – indoktrinimi, trushplarja ose proçesi i skllavërimit.
Kur flitet për rol çlirimi nga kontrolli i një autoriteti (emancipues) të letërsisë së Kadaresë, pyetja themelore është: cilat ishin “armët” që ai përdori? Shumë lexues e studjues e konsiderojnë Kadarenë një shkrimtar të vërtetëqë në pasqyrimin e përvojës njerëzore, duke i dhënë asaj një vlerë universale. Si për çdo shkrimtar është një mënyrë për të hetuar natyrën njerëzore, fatin, të keqen, dashurinë, kujtesën dhe misteret e historisë njerëzore.
Mendoj se një faktor i rëndësishëm në formimin e këtij vizioni ishte përvoja e tij në Moskë. Atje ai u përball me tradita të fuqishme letrare, por edhe me mekanizmat e çensurës shtetërore. Për një shkrimtar të ri, ky ishte një mësim i dyfishtë. Nga njëra anë njihte letërsinë e madhe ruse; nga ana tjetër shihte sesi pushteti përpiqej të kontrollonte krijimtarinë. Veprat e rëndësishme të letërsisë ruse kishin kaluar përmes përplasjeve të ashpra me çensurën. “Shpirtrat e vdekur” të Gogolit ishte penguar disa herë nga çensura cariste, ndërsa “Mjeshtri dhe Margarita” i Bulgakovit mbeti i pabotuar për dekada në Bashkimin Sovjetik. Këto përvoja i treguan Kadaresë se si pushteti përpiqet të kufizojë imagjinatën dhe se si letërsia zhvillon strategji për t’i mbijetuar këtij kufizimi. Paradoksalisht, shumë prej çensorëve që vepronin në Tiranë ishin formuar në të njëjtën kulturë politike dhe intelektuale lindore. Ata njihnin të njëjtat metoda kontrolli dhe mbështeteshin në të njëjtën logjikë ideologjike. Për këtë arsye, marrëdhënia midis shkrimtarit dhe çensurës u shndërrua në një lojë komplekse inteligjence, ku secila palë përpiqej të parashikonte lëvizjet e tjetrës.

Armët e tij nuk ishin armë politike në kuptimin e zakonshëm të fjalës. Ishin krijesa të imagjinatës së tij të pakufishme, instrumente letrare me preçizion të jashtëzakonshëm, të ndërtuara për të depërtuar aty ku gjuha e drejtpërdrejtë nuk mund të mbërrinte. Përmes tyre ai krijoi hapësira lirie brenda një sistemi që synonte kontrollin e mendimit. Vetë Kadare ka pohuar se në Moskë kuptoi më mirë se si nuk duhej të shkruante. Kjo mund të tingëllojë paradoksale, por pikërisht përballja me kufijtë e imponuar nga çensura e ndihmoi të zhvillonte mënyrat e tij të tërthorta të shprehjes. Alegoria, simboli, miti dhe nënteksti u bënë instrumentet-armët, përmes të cilave ai mund të komunikonte me lexuesin pa ju nënshtruar plotësisht gjuhës zyrtare të regjimit.
Ato nuk ofrojnë gjithmonë përgjigje të gatshme; përkundrazi, kërkojnë interpretim, krahasim, deshifrim dhe reflektim. Kjo bën që të funksionojnë su ushtrime të inteligjencës.
Nëse matematika mëson si të arsyetohet, letërsia e madhe mëson si të kuptohet njeriu. Kur këto dy cilësi bashkohen, lind ajo formë e kulturës që nuk prodhon thjesht informacion, por vetëdije.
Kur “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u botua në Francë në vitin 1970, ai u shndërrua në një ngjarje të rëndësishme letrare. Vepra depërtoi përmes perdes së hekurt dhe dëshmoi se letërsia autentike mund të lindte edhe në kushtet e izolimit më të skajshëm politik. Lexuesit dhe intelektualët francezë u habitën, që një autor i ri nga Shqipëria e mbyllur e Enver Hoxhës të kishte krijuar një roman me vlera universale, krejtësisht të dallueshëm nga modelet propagandistike, që zakonisht identifikoheshin me vendet komuniste.
Në Shqipëri, pritshmëria zyrtare ishte krejt tjetër. Sipas normave të realizmit socialist, lufta duhej të paraqitej si një epope triumfi, heroizmi dhe fitoreje ideologjike. Partizanët duhej të ishin figura të idealizuara, ndërsa historia duhej të rrëfehej sipas një skeme të qartë morale dhe politike. Kadare zgjodhi një rrugë krejt të ndryshme. Në vend të një heroi shqiptar triumfues, ai vendosi në qendër një gjeneral italian, të ngarkuar me detyrën absurde të mbledhjes së eshtrave të ushtarëve të rënë. Në vend të lavdisë së luftës, ai ofroi atmosferën e zymtë të varrezave, baltës, shiut dhe kujtimeve të kalbura nga koha.
Në roman nuk ka beteja heroike. Lufta nuk paraqitet si aksion ushtarak, por si një makth burokratik dhe ekzistencial. Gjenerali përfaqëson njeriun e formuar nga propaganda, krenaria kombëtare dhe mitet romantike të luftës. Ai nuk është domosdoshmërisht fajtor; është produkt i kulturës dhe ideologjisë që e ka formësuar. Mirëpo, ndërsa përballet me realitetin grotesk të misionit të tij – me kufoma të dekompozuara, me kujtime mizorish dhe me armiqësinë e heshtur të vendasve – bindjet e tij fillojnë të shëmben njëra pas tjetrës. Romani e çmonton gradualisht iluzionin e lavdisë ushtarake, duke zbuluar pas saj vetëm shkatërrim, absurditet dhe degradim moral.
Një nga arritjet më të mëdha të veprës është arkitektura e saj e brendshme. Kadare ndërton një ekuilibër të rrallë midis realizmit të zymtë dhe një poetike moderne, ku peizazhi, atmosfera dhe simbolika fitojnë po aq rëndësi sa vetë ngjarjet. Lexuesit më të vëmendshëm dalluan se romani funksiononte në dy nivele njëkohësisht. Në sipërfaqe ishte historia e kthimit të të vdekurve në atdheun e tyre. Por nën të shtrihej një rrjet alegorish politike, refleksionesh mbi fajin historik dhe kritikash ndaj mënyrës se si pushtetet manipulojnë kujtesën kolektive.
Pikërisht këtu qëndronte forca subversive e romanit. Kadare nuk e sulmonte drejtpërdrejt sistemin. Ai ndërtonte një ekuacion letrar me disa të panjohura, i hapur për interpretime të ndryshme. Lexuesi mund ta lexonte si një roman për luftën, por mund ta lexonte edhe si një reflektim mbi pushtetin, propagandën dhe raportin e individit me shtetin. Kjo shumëkuptimësi e largonte veprën nga dogma ideologjike dhe e afronte me letërsinë moderne europiane.
Shumë lexues mbetën të habitur nga fakti se po lexonin një roman për luftën, por nuk gjenin luftë në kuptimin tradicional të fjalës. Shkrimtari e zhvendoste vëmendjen nga fituesit te viktimat, nga heronjtë te të vdekurit, nga triumfi te dështimi. Përmes letrave, kujtimeve dhe rrëfimeve individuale, ai shqyrtonte pasojat njerëzore të konfliktit. Tragjedia mishërohej te viktimat, ndërsa humori i zi shënjestronte pompozitetin e gjeneralit dhe iluzionet që ai përfaqësonte.
Ndërsa misioni përparon, gjenerali transformohet. Përballë pafundësisë së varreve, krenaria e tij fillon të zbehet dhe zëvendësohet nga dëshpërimi. Po jetonte një realitet të përmbysur. Ai kupton se lufta nuk prodhon lavdi, por plagë që vazhdojnë të ekzistojnë shumë kohë pas përfundimit të saj. Në këtë mënyrë, Kadare me nëntekst dëshmon se luftërat nuk mbarojnë kur nënshkruhen traktatet; ato vazhdojnë të jetojnë në kujtesën individuale dhe kolektive të brezave. Si meditim universal mbi fatin njerëzor.
Përmes një lenteje ekzistencialiste dhe alegorike mes rreshtave, romani shpreh gjithashtu një kritikë të fshehur ndaj çdo sistemi që e redukton njeriun në funksion të shtetit. Jeta individuale shndërrohet në material të konsumueshëm për makinerinë politike. Hierarkitë ushtarake, gradat dhe dekoratat humbin kuptimin përballë faktit universal të vdekjes. Në fund mbetet vetëm një “ushtri e vdekur”, një masë anonime njerëzish të shndërruar në statistika.
Një element veçanërisht i rëndësishëm është fakti se Kadare shmang vështrimin e drejtpërdrejtë mbi Shqipërinë komuniste. Ai e filtron të gjithë historinë përmes syve të një të huaji, një gjenerali italian. Nuk mund të thoshte se jetojmë në diktaturë, lexuesve u tregonte se si funksiononin diktaturat e tjera europiane, sillte paralele me fashizmin e Musolinit dhe nazizmin hitlertian dhe i linte ata të nxirrnin vetë përfundimet.
Në thelb, Kadare e vendoste lexuesin përballë një dileme ekzistenciale: të mbetej një subjekt pasiv, i nënshtruar ndaj sistemit dhe logjikës së tij, apo të përpiqej të afirmohej si individ i lirë, me dinjitet, ndërgjegje, të drejta dhe përgjegjësi në shoqëri. Kjo zgjedhje nuk shpallej drejtpërdrejt, por buronte natyrshëm nga alegoritë, simbolet dhe nëntekstet që përshkojnë veprën e tij.
Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e lexuesve arriti t’i përthithte plotësisht këto shtresime filozofike. Për këta lexues, veprat e Kadaresë nuk ishin thjesht romane, por ushtrime të lirisë së mendimit, zbulesa të mundimshme për të vënë në dyshim realitetin e imponuar nga pushteti.
Me romanin “Përbindëshi”, intensiteti i kritikës së Kadaresë ndaj sistemit totalitar rritet ndjeshëm. Gjuha alegorike bëhet më e mprehtë, simbolika më e dendur dhe nënteksti politik më sfidues. Nëse në “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” kritika fshihej kryesisht pas reflektimit mbi luftën, kujtesën dhe absurditetin e historisë, te “Përbindëshi” fokusohet më qartë te mekanizmat e frikës dhe kontrollit politik.
Përmes personazhit Gent Ruvina, Kadare ndërton një nga metaforat e tij më të fuqishme për natyrën e pushtetit. Kur Ruvina pohon se kishte krijuar “diçka midis realitetit dhe ëndrrës, midis së përkohshmes dhe të përjetshmes”, ai nuk përshkruan thjesht një objekt të jashtëzakonshëm, por një mekanizëm simbolik që tejkalon kufijtë e një epoke të caktuar historike. Kali prej druri, i frymëzuar nga miti i Trojës, transformohet në një makinë universale të frikës. Me këmbët të mbështetura në mit dhe me kokën të kthyer nga moderniteti, ai mishëron aftësinë e pushtetit për të ricikluar të njëjtat metoda kontrolli në forma të ndryshme historike.
Përbindëshi ushqehet nga ankthi kolektiv. Ai nuk ka nevojë të përdorë gjithmonë dhunë të hapur; mjafton prania e tij e paqartë dhe kërcënuese në periferi të qytetit,për të paralizuar mendimin kritik. Në këtë kuptim, kali prej druri bëhet metaforë e çdo sistemi që prodhon vazhdimisht frikë, pasiguri dhe armiq imagjinarë për të justifikuar zgjerimin e kontrollit mbi individin. Të mos harrojmë se “Zeusi” në Tiranë përgatitej për luftën kundër burokratizmit, të fshirjes së burokratve me fshesë të hekurt, nënkupto intelektualët. Po shkohej drejt një bote gjithnjë e më të mbyllur dhe autoritare.
Vepra u lexua si mbrojtje e individualitetit kundër projektit ideologjik të krijimit të “njeriut të ri”.
Në sfond dallohej pamja ciklike e historisë. Kadare sugjeron se koha nuk zhvillohet gjithmonë si një vijë e drejtë progresi. Përkundrazi, ajo ngjan me një rrotë që rikthen vazhdimisht motive, modele dhe përvoja të ngjashme.
Fryma subversive ishte e rëndë. Pas pak ditësh erdhi bllokimi. Mendoj është me vlerë të theksohet se gjurmët e studimeve të Kadaresë në Moskë sugjerojnë një njohje të mirë prej tij të parimeve të psikologjisë së Carl Jung-ut. Koncepte si “arketipet”, “subkoshienca kolektive”, apo figurat simbolike që përsëriten në mite dhe histori, mund ta ndihmojnë lexuesin t’i kuptojë më thellë disa shtresa të tekstit. Nëse lexuesi zotëron këto baza jungiane, alegorisë Kadareane i shton një shtresë interpretimi më shumë, leximi pasurohet si përjetim i thellë emocional. Sa më shumë interpretime lejon një simbol, aq më gjatë jeton ai në kulturë. Kali i Trojës te Kadareja nuk jep një përgjigje; ai shumëfishon pyetjet.
Në vazhdim pa dritën e botimit “Kronikë në gur”, “Eskili ky humbës i madh” etj, etj,. Me veprën letrare të Kadaresë, kultura shqiptare po përjetonte një betejë njëherazi imagjinare dhe reale, një konflikt sa simbolik aq edhe konkret, një përplasje titanësh në fushën e ideve dhe të përfytyrimit.
Me romanin “Pallati i Ëndrrave”, Ismail Kadare ndërtoi një nga alegoritë më të fuqishme të mbikëqyrjes totale në letërsinë moderne shqiptare. Mesazhi i tij është se tirania arrin formën e saj më ekstreme kur shteti nuk kontrollon më vetëm veprimet e qytetarëve, por depërton deri në territorin e fundit të privatësisë njerëzore: nënndërgjegjen. Në këtë univers, ëndrrat nuk i përkasin më individit; ato trajtohen si dëshmi të mundshme kundër shtetit. Përmes kësaj metafore, Kadare paralajmëron dhe lexuesi nënkupton terrorin totalitar, absurditetin e pushtetit absolut dhe dhunën psikologjike që ushtrojnë diktaturat mbi mendjen njerëzore.
Romani shpalos gjithashtu mekanizmat me të cilët perandoritë dhe regjimet autoritare ruajnë pushtetin e tyre. Ato synojnë të kontrollojnë kujtesën kolektive, të deformojnë të vërtetën dhe t’i shkëpusin individët nga identiteti i tyre historik. Kadare tregon se sa lehtë një njeri i zakonshëm mund të korruptohet nga një sistem tiranik dhe të shndërrohet gradualisht në një instrument të shtypjes. Burokracia mbikëqyrëse e shtetit paraqitet si një labirint i pafund dhe i padepërtueshëm, ku askush nuk arrin të kuptojë plotësisht qendrën e pushtetit, por të gjithë i nënshtrohen asaj.
Kadare e fragmenton forcën politike të diktaturës në mekanizma abstraktë, pothuajse matematikorë. Ashtu si një matematikan që ndërton një formulë të re, ai organizon rrëfimin me logjikë të rreptë, simbolikë të saktë dhe arkitekturë narrative të kontrolluar. Për pasojë, shtypja nuk shfaqet kryesisht si shpërthim emocionesh apo konfliktesh individuale, por si funksionim mekanik i një sistemi që zbaton rregullat e veta me saktësi të pamëshirshme.
Kështu ndodh dehumanizimi i dyfishtë: humbet humaniteti si i shtypësit, ashtu edhe i të shtypurit. E keqja banalizohet dhe shndërrohet në rutinë administrative. Sistemi vepron si një makinë logjike që teston vazhdimisht kufijtë e moralit, qëndrueshmërisë dhe besnikërisë njerëzore.
Kadare i zhvesh ngjarjet nga teoritë e ndërlikuara politike dhe i redukton ato në marrëdhënie të pastra shtypjeje. Nën presionin e vazhdueshëm, individët fillojnë të humbasin orientimin ndaj së vërtetës. Ata deformojnë realitetin, krijojnë rrëfime të rreme dhe fundosen në paranojë. Vetë nënvetëdija kolektive bëhet objekt monitorimi. Aparati shtetëror i përkul personazhet derisa ata të dorëzohen, të bëjnë kompromise ose të përfundojnë në izolim ekzistencial. Revista “Letërsia Botërore sot” (WLT) e nominoi për “Çmimi Neustadt” (Nobeli amerikan) me këtë motivacion: “Askush që nga Kafka nuk është thelluar në mekanizmin infernal të pushtetit totalitar dhe ndikimin e tij në shpirtin njerëzor në një thellësi aq hipnotike sa Kadare”.
Nuk mendoj se një lexues “gabon”, sepse nuk i pëlqen letërsia e Kadaresë. Mendoj se gabon ai që anashkalon subjektivitetin e artit. Subjektiviteti i shijes letrare formohet nga ndërthurja e tri elementeve: aftësia e tekstit për të ngjallur emocione të forta, sfondi kulturor dhe përvojat unike të jetës së individit. ,Në rastin e letërsisë së Kadaresë pas termit “subjektivitet” mendoj se fshihet edhe një shkallë pamundësie për të kuptuar nëntekstet e stilit kadarean. Nuk është e lehtë t’i thuhet një “lexuesi entuziast” se nuk e ka kapur thelbin e një krijimi letrar. Pse?, sepse i vë në dyshim aftësitë abstraguese- imagjinative me pasoja kuptimore të dyshimta. Sepse truri i njeriut përpunon vetëm atë që është i përgatitur të deshifrojë; po nuk e kuptoi truri, syri mbetet i verbër. Shikon mëndja, jo syri, thotë populli. Për rrjedhojë, reagimi i vërtetë emocional shpërthen instinktivisht vetëm atëherë kur teksti kuptohet plotësisht. Kjo përbën edhe “aksiomën” e parë të letërsisë: Një nga aksiomat e pashkruara të letërsisë është se jetëgjatësia estetike e një vepre nuk mund të reduktohet në suksesin e saj tregtar. Një libër mund të pushtojë vitrinat pa pushtuar mëndjet. Realiste është të thuash se, reagimi i fortë zbulon aspektet më personale dhe unike të lexuesit, vlerat, kujtimet, traumat, dëshirat, frikërat dhe përvojat e tij. Prandaj, shpërfillja e një vepre klasike thjesht sepse “nuk më pëlqen”, shpesh tregon një dështim për të rrokur mjetet stilistike, kontekstin historik, dimensionet filozofike, simbolike dhe psikologjike. Kultivimi i shijes së mirë është një proçes aktiv që kërkon angazhim dhe mësim. Librat klasikë i mbijetojnë kohës sepse tejkalojnë prirjet individuale dhe prekin të vërtetat universale, duke e kthyer vlerësimin në një ndërthurje të përjetimit personal me meritën objektive. Kadareja është përfaqësuesi tipik i kësaj letërsie: ai të lodh, të sfidon dhe kërkon një involvim të lartë intelektual, duke përjashtuar plotësisht argëtimin pasiv. Një nga tiparet që kritika i ka vënë re shpesh te vepra e Ismail Kadare është prania e “fundeve të hapura”, të paqarta ose që lënë fije të qëllimshme të pazgjidhura. Fundet e palidhura përbëjnë “kurthin” e magjepjes që autori ngre për lexuesin. Personazhet, ngjarjet dhe simbolet nuk përfundojnë gjithmonë në një përfundim të qartë, sepse synimi nuk është qetësimi i lexuesit, por vazhdimi i shqetësimit të tij. Fundet e palidhura te Kadareja pasqyrojnë një botë ku historia, pushteti dhe fati njerëzor rrallë japin përgjigje përfundimtare. Vepra si Pallati i Ëndrrave, Prilli i Thyer, Kronikë në Gur, Piramida, Doruntina, etj, nuk mbarojnë në faqen e fundit, mbarojnë kur lexuesi ndalon së interpretuari. Këtu qëndron Enigma dhe Mrekullia e veprës së Kadaresë.
Ashtu si në matematikë, edhe në letërsi, sa më e lartë të jetë shkalla e kompleksitetit, aq më i kufizuar priret të jetë publiku që e ndjek. Duhet mbajtur parasysh se ajo që na prek thellë në një libër, flet po aq për ne, sa edhe për librin. Shitësit e rrallë që në jetë janë marrë vetëm me shitjen e librit, një prej tyre nënqeshte kur binte fjala për shitjen thoshte:”Kur dikush thotë: ‘Kam shitur mijëra kopje, unë pyes veten…sa prej tyre janë kthyer si dhuratë e padëshiruar për Krishtlindje?” Ka një vlerësim të pranuarnë nivels studjuesish të letërsisë se, letërsia elitare në Perëndim vlerësohet jo më shumë se sa midis 2-4 përqind të shitjeve të përgjithëshme të librave. Arsyeja gjëndet te aksioma:”Vlera e një vepre nuk matet nga numri i lexuesve, por nga thellësia e gjurmës që lë tek ata”. Shumë lexues ndjekin autorët siç ndjekin modën: sot i adhurojnë, nesër i harrojnë. Nuk është për një stinë. Na pëlqen apo jo, letërsia e Kadaresë mbetet një ekuacion kompleks. Ajo tërheq ata që duan të eksplorojnë anën gri dhe të errët të njeriut, e jo thjesht ndarjet bardhezi. Që të hysh në botën e tij sureale, të duhet një “hartë” e përbërë nga gjuha ezopike, historia ballkanike dhe mitologjia klasike. Vetëm kështu mund të ecësh në territorin ku historia shkrihet me legjendën. Sa më shumë e lexon Kadarenë, aq më shumë shtohen të panjohurat e ekuacionit. Koha tregoi se betejën me çensurën e fitoi shkrimtari.


