More
    KreuLetërsiBibliotekëMilan Kundera: Festa e kotësisë

    Milan Kundera: Festa e kotësisë

    Aleni mediton për kërthizën

    Ishte muaji qershor, dielli i mëngjesit po dilte nga retë dhe Aleni po ecte ngadalë nëpër një rrugë të Parisit. Vështronte vajzat e reja, që të gjitha tregonin kërthizën e zhveshur midis pantallonave me bel shumë të ulët dhe tishërteve shumë të shkurtra. Ishte i magjepsur; i magjepsur dhe madje i turbulluar: sikur pushteti i tyre joshës të mos përqendrohej më te kofshët, as te vithet e as te gjinjtë, por tek ajo vrimëz e rrumbullt, e vendosur në mes të trupit.

    Kjo e nxiti të mendonte: Nëse një burrë (ose një epokë) e sheh qendrën e joshjes femërore te kofshët, si ta përshkruajë dhe përkufizojë veçantinë e këtij orientimi erotik? Aty për aty sajoi një përgjigje: gjatësia e kofshëve është imazhi metaforik i rrugës së gjatë dhe magjepsëse (prandaj kofshët duhet të jenë të gjata), që çon drejt përmbushjes erotike; në fakt, tha me vete Aleni, edhe në mes të aktit seksual, gjatësia e kofshëve i jep gruas magjinë romantike të së paarritshmes.

    Nëse një burrë (ose një epokë) e sheh qendrën e joshjes femërore në vithe, si ta përshkruajë apo përkufizojë veçantinë e këtij orientimi erotik? Aty për aty sajoi një përgjigje: brutalitet dhe hare, rruga më e shkurtër drejt qëllimit; qëllim edhe më eksitues, ngaqë është i dyfishtë.

    Nëse një burrë (ose një epokë) e sheh joshjen femërore te gjinjtë, si ta përshkruajë dhe përkufizojë këtë orientim erotik? Aty për aty sajoi një përgjigje: shenjtërim i gruas; Virgjëresha Mari duke i dhënë gji Jezuit; seksi mashkullor i gjunjëzuar përpara misionit fisnik të seksit femëror.

    Por si ta përkufizosh erotizmin e një burri (ose të një epoke), që sheh joshjen femërore të përqendruar në mes të trupit, te kërthiza?

    Ramoni shëtit në kopshtin e Luksemburgut

    Afërsisht në të njëjtë kohë kur Aleni ishte duke vrarë mendjen rreth burimeve të ndryshme të joshjes femërore, Ramoni ishte para muzeut që gjendet fare pranë kopshtit të Luksemburgut, ku po ekspozonin qysh prej një muaji tashmë tablo të Shagallit. Donte t’i shikonte, por e dinte se nuk do të gjente forcën të shndërrohej vullnetarisht në pjesë të asaj radhe të pambarueshme që zvarritej ngadalë drejt arkës; vëzhgoi njerëzit, fytyrat e ngrira nga mërzia, i përfytyroi aq mirë sallat ku trupat dhe dërdëllitjet e tyre do t’i mbulonin tablotë, saqë në krye të një minute u kthye mbrapsht dhe mori rruginën përmes parkut.

    Këtu atmosfera ishte më e këndshme; njerëzia dukej si më e rrallë dhe më e lirshme: kishte nga ata që vraponin, jo se e kishin me ngut por sepse u pëlqente të vraponin; kishte syresh që shëtisnin duke ngrënë akullore; në lëndinë ishin ndjekësit e një shkolle aziatike që bënin lëvizje të çuditshme dhe të ngadalta; më tej, në një rreth të madh, ishin statujat e mëdha të bardha të mbretëreshave dhe zonjave të tjera fisnike të Francës dhe ende më tej, në lëndinën përmes pemëve, në të gjitha drejtimet e parkut, skulptura poetësh, piktorësh, dijetarësh; ai mbajti këmbët përpara një adoleshenti në bronz që, joshës, lakuriq, vetëm në të mbathura të shkurtra, i ofroi maskat që paraqisnin fytyrat e Balzakut, Berliozit, Hygoit, Dumasë. Ramoni nuk e mbajti dot buzëqeshjen dhe vazhdoi endjen nëpër atë kopsht gjenish të cilët, modestë, të rrethuar nga shpërfillja e sjellshme e kalimtarëve, duhej të ndiheshin këndshëm të lirë; kurrkush nuk ndalej për të vështruar fytyrat e tyre apo për të lexuar mbishkrimet në piedestale. Këtë shpërfillje, Ramoni e përthithte si një qetësi ngushëlluese. Pak nga pak, një buzëqeshje e gjatë, pothuaj e lumtur, iu shfaq në fytyrë.

    Nuk ishte kancer

    Pothuaj në të njëjtën kohë që Ramoni hiqte dorë nga ekspozita e Shagallit dhe vendoste të shëtiste në park, D’Ardelo ngjiste shkallët që të çonin në studion e mjekut të tij. Atë ditë, i binte të ishte fiks tri javë para ditëlindjes. Që prej shumë vitesh, tashmë, kishte filluar t’i urrente ditëlindjet. Për shkak të numrave që mbartnin me vete. Megjithatë, nuk arrinte t’i shmangte, sepse lumturia që ia festonin fitonte mbi turpin se po plakej. Aq më tepër që, kësaj radhe, vizita te mjeku i shtonte festës një ngjyrim të ri. Ngaqë sot ai duhej të mësonte rezultatet e analizave që do t’i thoshin nëse simptomat e dyshimta, të zbuluara në trupin e tij, shkaktoheshin nga kanceri ose jo.

     Hyri në sallën e pritjes duke i përsëritur vetes së brendshmi, me zë të drithëruar, se për tri javë do të festonte lindjen e tij aq të largët dhe njëherësh vdekjen kaq të afërt; do të kremtonte një festë të dyfishtë.

    Por sapo pa fytyrën e qeshur të mjekut, e kuptoi se vdekja nuk e kishte pranuar ftesën. Mjeku i shtrëngoi dorën vëllazërisht. Me lot në sy, D’Ardelo nuk mundi të shqiptonte as edhe një fjalë të vetme.

    Studioja e mjekut ndodhej në bulevardin e Observatorit, nja njëqind metra larg nga kopshti i Luksemburgut. Meqë d’Ardelo banonte në një rrugë të vogël në anën tjetër, provoi t’i binte parkut mes përmes. Shëtitja në gjelbërim ia ktheu humorin e mirë gati në hare, kur kaloi anash rrethit të madh me statujat e mbretëreshave të dikurshme të Francës, të gjitha të gdhendura në mermer të bardhë, sa një bojë njeriu, në poza solemne që iu dukën qesharake, në mos gazmore, sikur ato zonja të donin të brohorisnin kësisoj lajmin e mirë që sapo kishte marrë. Nuk e mbajti dot veten dhe i përshëndeti dy apo tri herë duke ngritur dorën dhe shpërtheu në të qeshura.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË