More
    KreuLetërsiBibliotekëMehmet Elezi: Kush i nemi “Bjeshkët e Nemuna”?

    Mehmet Elezi: Kush i nemi “Bjeshkët e Nemuna”?

    Emërvendi “Bjeshkët e Nemuna” vetvetiu të sjell ndërmend jehonën e gjamës së moçme të burrave, që studiuesit e krahasojnë me korin e tragjedive të Eskilit.  Ku gjinden këto bjeshkë që bartkan qysh nga fillesa një dramë pa fund e pa shpresë, një mallkim që e paskan pjesë të qenies, qysh në ngjizje? Ku fillojnë, ku mbarojnë? Dhe kryesorja, pse qenkan “të Nemuna”?

    Duket sikur gjithkush e di përgjigjen: në Veri, në Alpet shqiptare.  Por në ngulsh këmbë ku shtrihen saktësisht, me kë kufizohen në veri, në jug, në lindje, në perëndim, përgjigjja turbullohet, vendndodhja nëpërtymet e largohet si nëpër një ëndërr të ligë.

    Mbase ndihmojnë anasit, banorët e katundeve veriore? As ata nuk ftillojnë gjë. Japin ndonjë përgjigje të vakët me fjalët e librit të gjeografisë, të mësuar dikur në shkollë fillore. Ose flasin me fjalë të thata gazetash e televizioni.

    Ndryshe ndodh kur pyet për cilindo mal a bjeshkë të atyre viseve. Dinë me kallëzue ku është Rrethi i Bardhë, Qafa e Diellit a Shtegu i Dhenve, ku janë Thethi e Rupat, Syni i Skafkaçit ose i Zanës, Lkeni (Liqeni) i Dashit e Gjerovica, Lugu i Madh e Maja e Qytetit. Të thonë emrin e gurit, përroit, qafës, vorrit, që shenon në mënyrë të përpiktë kufirin ku mbaron njëri vend e ku nis tjetri. Ngjitu Grykës së Dragobisë përgjatë bregut të Valbonës, deri ku lumi buron duke rrahur krahët si pëllumb i egër, bashkudhëtari të dëfton me hollësi emërvende që lidhen me lashtësinë, me gjurmët e Romës së lashtë, me mugëtirat e mesjetës e me gojëdhanat, me Mujën e Halilin. Qe ku është Shpella e Imerit të Mujës (Omerit të Mujit) në Klysyrë [1]. Aty e kanë  shti në dhé djalin, aty ka vajtuar Ajkuna. Shtrati si prehër në derë të Shpellës është prore “i verdhë” (i gjelbër), bari aty nuk thahet kurrë. Ja edhe Lugjet e Verdha (të gjelbra), ku trimat dilnin me çetue e ku dhitë e egra këputin maja bari me vesë dhe lule.

    Po “Bjeshkët e Nemuna”? Kurrgjë e saktë.

    Pra ku ndodhen ato?

    2.

    Në FESH (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vepër e Akademisë së Shkencave), Tiranë 1985, “Bjeshkët e Namuna” njëjtësohen si “kurriz malor në Alpet Shqiptare, rrethi i Shkodrës…”. Në këtë botim flitet më gjerë për  “Bjeshkët e Namuna të Kosovës”. Për pjesën e tyre në Mal të Zi heshtet.

    Botimi i ri i FESH (2008), ka ndryshime të dukshme në këtë zë.

    Qysh në fillim bie në sy një saktësim fonetik. Nuk quhen më “Bjeshkë të Namuna”, por “Bjeshkë të Nemuna”. Më pas vijojnë shtjellime përmbajtësore të reja. “Bjeshkët e Nemuna” nuk përcaktohen më si “kurriz malor” në rrethin e Shkodrës, por si “trevë e madhe malore në Shqipërinë Veriore, që zë gjysmën perëndimore të Alpeve Shqiptare”. Flitet për “Bjeshkët e Nemuna” në Mal të Zi – Plava e Gucia. Dhe pastaj një koment i çuditshëm për zanafillën e emrit.

    Sipas FESH, 2008:

    “Relievi tepër i thyer, thuajse i pakalueshëm, klima shumë e ashpër, mungesa e theksuar e ujërave rrjedhëse në sipërfaqe për shkak të zhvillimit të madh të karstit, mungesa e rrugëve të komunikimit, vështirësitë e përballimit të jetës në ato vise, mund të shpjegojnë edhe cilësimin e tyre si “të Nemuna”. Emërtimi “Prokletie” i serbishtes është një përkthim i emërtimit shqip”!

    Më përmbledhtas, këtë shtjellim e ka pasur edhe botimi i parë i FESH, 1985.

    3.

    Pikëpamja e shprehur në FESH për prejardhjen e emrit “Bjeshkët e Nemuna” shfaqet plot kundërshti. Për të mos thënë le shijen e një folklorizmi akademik.

    FESH shkruan “Bjeshkët e Nemuna” shtrihen në tri shtete, në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në Kosovë. Ndalet te bukuritë dhe pasuritë e tyre të pafundme, me pyje, kullota, liqene, bimë, kafshë. “Bjeshkët e Nemuna” të Kosovës, shkruhet aty, “janë një nga zonat më të pasura të Ballkanit me bimësi, sidomos me pyje të larta, përbërja e të cilave ndryshon në përputhje me lartësinë”. Atje rriten “dushku dhe gështenja, më pas halorët, disa prej të cilëve janë endemikë e shumë të lashtë… Më lart shtrihet zona e livadheve alpine, me barëra e lule të shumëllojshme… Bota e kafshëve është gjithashtu e pasur dhe e shumëllojshme…”. “Bjeshkët e Nemuna” të Kosovës zotërojnë potenciale të mëdha turistike, pjesërisht të shfrytëzuara”. Edhe “Bjeshkët e Nemuna” të Malit të Zi, Plava e Gucia, janë nga më të bukurat në krejt trojet shqiptare, edhe ato kanë potenciale turistike të pakrahasueshme.

    Kjo do të thotë se s’kishte arsye që bjeshkët, të paktën në Plavë, Guci dhe Kosovë,  të merrnin cilësorin ndjellakeq “të Nemuna”. Por, sipas FESH, bash në Kosovë e në Mal të Zi, ku këto bjeshkë janë më të bukura e më të pasura se në Republikën e Shqipërisë, bash atje “emërtimi “Bjeshkët e Nemuna” përdoret gjerësisht… edhe nga banorët vendas”! Pohimi shkon kundër arsyes dhe lëkund çka vetë FESH shkruan për shkakun pse janë quajtur “të Nemuna”.

    Po vëzhgimet në vend? Takimet me banorët rrënjës, nuk japin dëshmi se ky emërtim u përdorka “gjerësisht… edhe nga banorët vendas”. Dëshmi për të kundërtën, po.

    FESH guxon edhe më shumë. Sipas tij,  “Emërtimi “Prokletie” i serbishtes është një përkthim i emërtimit shqip”.

    Nuk është e qartë ku mbështetet e si argumentohet kjo pikëpamje.

    Po ashtu nuk dihet sa i bën nder kombëtarizmit shqiptar ky pohim, nëse nuk mbështetet me argumente shkencore bindëse.

    Prejardhja e emrit jo domosdo dëshmon përkatësinë kombëtare ose shtetërore të një vendi. Përgjithësisht emërvendet kushtëzohen nga rrethana historike, diktohen prej tyre dhe ashtu mbesin. Emri Ballkan i siujdhesës sonë vjen prej turqishtes, por askush nuk thotë se, për këtë arsye, Ballkani është Turqi.

    Bjeshkët e quajtura “të Nemuna” prej mija vjetësh janë pjesë e trojeve iliro-shqiptare. Ndërsa emërtimi “Bjeshkët e Nemuna”, siç do të shtjellohet në vijim,  nuk duket së është shqiptar. Ndër shqiptarë del vetëm pas Luftës së 2-të Botërore!

    Me u shprehë butë, duket se kemi të bëjmë me një keqkuptim të madh.

    4.

    Dyshimin e parë të fortë – ky dyshim shndërrohet në argument – e mbjell koha kur në letrat shqipe nis me u dëshmue emërvendi “Bjeshkët e Nemuna”.

    Në letërsinë shqipe të katolikëve të Veriut dhe në krejt krijimtarinë e para Luftës së Dytë, me sa ka vënë re autori i këtyre shenimeve, ky emërvend nuk del kund.

    Tërë teatri i luftës i Lahutës së Malcisë zhvillohet në malsitë e Veriut e përreth. Nëse do të kishte pasur një emërvend “Bjeshkët e Nemuna”, ç’arsye kish me e shmangë Fishta, i vemendshëm në çdo imtësi të atjeshme? Nëpër vargjet e Lahutës përmenden me emra malet e luginat e krojet e lumenjtë, Hoti e Gruda, Vizitori e Limi, Plava e Gucia e Prizreni…; ndeshen e përflaken me vetimë e bubullimë figura të mitologjisë shqiptare, dragoi e kulshedra, lëvizin orë, zana e shtojzovalle. Për artin fishtian s’kishte rast më të bukur me i harmonizue artistikisht skenat epike të plojës me kumbimin tragjik të toponimit Bjeshkë të Nemuna, nëse ky toponim do të kish ekzistuar. Një emërvend i tillë, metaforë e gjallë, bart pafundësisht dramë. Vështirë do të gjindej një tjetër aq i përshtatshëm për një poemë epike si Lahuta.

    Nuk dalin “Bjeshkët e Nemuna” as te Liria e Mjedës, ku himnizohet kryengritja e Hotit dhe heroizmi i malsorëve për liri. As te Risto Siliqi, që i këndoi me frymëzim luftës së shalianëve me “Mehmet Shpendin trim si dre”. Te Gjeçovi, te V. Prenushi, B. Palaj e D. Kurti, Pater A. Harapi etj.  nuk di se vërehet kund. Te Visaret e Kombit e Hylli i Dritës, në këngët e Kreshnikëve, jo se jo. Fjalori i emërvendeve i Gazullit, i papërfunduar, pati fat të përbashkët me autorin e tij, por s’ka gjasë se do të kishte sjellë dëshmi për këtë ekzistencën e këtij emërtimi. 

               Në Hot e Grudë e në Plavë e Guci jo, në Kelmend, në Theth e në Dukagjin jo. Në bjeshkët e Malsisë së Gjakovës (Tropojës), në bjeshkët e Rugovës e të Pejës, përsëri jo. Del se vetë shqiptarët në këto anë  nuk njëjtësojnë (identifikojnë) bjeshkë që vetë ata i kanë quajtur “të Nemuna”. Atëherë  ku tjetër u shtrikan ato?

    Në qoftë se kurrkush prej atyre që i kanë banuar e u japin jetë atyre trojeve prej mija vjetësh nuk i njeh me këtë emërtim, kush i pagëzoi ashtu, si u regjistrua ky emër ndjellazi? 

    5.

    Studiuesi S. Ahmeti, bashkautor i Fjalorit të Plavës e Gusisë (Pavli Haxhillazi, Sylejman B. Ahmeti, Fjalor i Shqipes së Plavës dhe të Gusisë, Toena 2004) ngul këmbë se emri “Bjeshkët e Nemuna” është thjesht përkthim prej serbishtes. Serbët, për arsyet e veta, këtë pjesë të Alpeve shqiptare e quajnë “prokleti” (të nemur, të mallkuar). Vetë rrënjësit, shqiptarët vendas, kurrë.

    Ky kërkues është ndër njohësit më të mirë të atyre trevave. Lerë e rritur në Vuthaj të Gucisë, ku sipas FESH janë “Bjeshkët e Nemuna të Malit të Zi”, aty ka kaluar edhe rininë. Eshtë autor i një monografie të pasur të atyre viseve (Sulejman B. Ahmeti, Vuthajt dhe vuthjanët, Tiranë, 1996). Në këtë punim ka plotni të dhënash historike, gjeografike – përfshi emërvendet -, etnografike,  folklorike dhe gjuhësore.

    Ndoshta krejt pahiri, sepse s’ka qenë ky qëllimi i tij, edhe akademiku Luan Starova sjell dëshmi se kumbara i padëshiruar, që i pagëzoi “Bjeshkë të Nemuna”, është fqinji verior i shqiptarëve. Te romani Kurbani Ballkanik (Toena, Tiranë 2007) shkruan: “Në një moment helikopteri u gjend mbi Kurorën e bjeshkëve të Prokletisë”. Disa rreshta më pas, në të njëjtën faqe, këtë emërvend e jep të përkthyer shqip (vetëm një herë në atë libër): “Kanosej rreziku që Bjeshkët e Nemuna ta gëlltiste helikopterin dhe askush të mos kuptonte më asgjë për të”. Pas katër-pesë faqesh i kthehet burimit sllav: “U end me muaj nëpër bjeshkët e pakalueshme. Arriti madje edhe në majë të Prokletisë”. Dhe sërish më vonë: “…jemi në majën e bjeshkës Prokletia”.  Dhe përsëri vijon me këtë emër. 

    Një hollësi domethënëse. Togfjalëshin “Bjeshkët e Nemuna” Starova e përkap si një fjalë të vetme në numrin njëjës: “…që Bjeshkët e Nemuna ta gëlltiste”. Rregullat e gjuhës shqipe kërkojnë me shkrue “që Bjeshkët e Nemuna ta gëlltisnin”, duke e vënë kallëzuesin në shumës, në përshtatje me kryefjalën. Me gjasë autori e ka shkruar kallëzuesin në njëjës, sepse Prokletia, emri origjinal prej ku është bërë përkthimi, është në njëjës. Ndonëse e ka shkruar shqip, e ka menduar siç e ka origjinali. Domethënë serbishtja.

    Robert Elsie, në librin Fiset shqiptare (Botimet Artini, Prishtinë, 2017) ka një citim prej Zonjës Durham: “Në fund të luginës ngrihen malet e quajtura Prokletija (Bjeshkët e Nemuna)”. Shton (simbas gojëdhanës), se kështu quhen në Shalë e në Pultin e Poshtëm, “sepse përmbi to ishin dyndur turqit në Shqipërinë e Veriut”. Zonja Durham thjesht regjistron çka i ka thënë dikush, pa u marrë me saktësinë e thënies. Elsie po ashtu.

    Nuk ka asnjë të dhënë se turqit e kanë mësy Shqipërinë e Veriut  “përmbi” ato bjeshkë të pakalueshme, aq më pak se janë dyndur në përmasa të tilla, sa ato bjeshkë kanë marrë cilësorin të Nemuna. Historikisht dihet se ato male nuk janë shkelur kurrë prej turqve. Edhe në pastë kaluar ndonjë rremb i ushtrive të tyre asajt, e ka pësuar keq dhe s’ka qenë e mundshme me u ngulë aty.

    Dhe gjuhësisht: në qoftë se këtë epitet ua paskan vënë shqiptarët (!), për ç’arsye ua vunë Prokletiija, pse ua vunë serbisht? Shala e Shoshi janë ndër viset ku depërtimet e huaja, edhe në gjuhë, janë më të zbehta, atje ruhet një shqipe mjaft e pastër. Fjala  prokletiija nuk del kund midis sllavizmave që mund të kenë depërtuar në shqipen e atjeshme. Atëherë pse? 

    Duket qartazi, dikush ka sajuar një shpjegim në stilin e legjendave dhe ia ka thënë Zonjës Durham.

    6.

    Një burim i huaj, që prin me gjetë një çelës, vjen nga Zvicra. Janë shenimet e gazetares Noele Rozher (Noëlle Roger), e cila gjatë dhjetëvjetëshit të dytë e të tretë të qindvjetëshit të shkuar ka udhëtuar shumë herë nëpër Shqipëri (Noëlle Roger, Nëpër udhët e Shqipërisë, Tiranë, Pegi 2008). Në një reportazh me titull “Në malet e malsorëve” (“Dans les montagnes des malissores”), botuar me 09 qershor 1924 në gazetën e Gjenevës Journal de Genève, pasi flet për malet në brigjet e Liqenit të Shkodrës e të Drinit dhe për malet e Mirditës,  Rozher shkruan se këto mbështesin një “labirinth të pafund vargmalesh e luginash të egra, i cili në hartat e paraluftës mban emrin e Bjeshkëve të Nëmura” (në origjinalin frengjisht Monts Maudits). Rozher i vendos “Bjeshkët e Nëmura” në veri të Drinit. 

    Nga fjalia  e mësipërme bie në sy:

    – fjalën malsor, megjithëse nuk është emër i përveçëm, pra normalisht duhej të përkthehej në gjuhën e saj, ajo e ve shqip (malissori). Pse? Sepse ashtu e shqiptojnë shqiptarët, ajo ka dashtë me i qëndrue besnik origjinalit;

    – me emrin e bjeshkëve, që është emër i përveçëm, pra s’ka asnjë arsye me u përkthye, bën të kundërtën. E përkthen në frengjisht. Pse? Sepse emrin e bjeshkëve (ajo e shkruan  Monts Maudits – malet e mallkuara), nuk e ka marrë prej shqiptarëve. E ka marrë nga burim i huaj. Përndryshe do ta kishte shkruar shqip, siç bëri me fjalën malissori.

    7.

    Nga cili burim i huaj?

    Rozher thotë se kështu quhen “në harta”, madje saktëson:  “në hartat e paraluftës”. Domethënë në hartat e përdorura para Luftës së Parë Botërore, kur Shqipëria ende s’kishte shtet. Për shkolla shqipe e harta të studiuesve shqiptarë në atë kohë, as që mund të mendohet.

    Hartat  e “paraluftës” ishin punime topografësh ose dijetarësh të huaj, që bënin udhëtime hulumtuese në shërbim të kryeqyteteve të veta, më dendur për qëllime ushtarake dhe për pasuritë minerare. Siç u tha, harta shqiptare s’kishte. Emërvendet shqiptare në këto harta shenoheshin ashtu siç i përdornin fqinjët në hartat e burimet e tyre.

    Udhëtarët, hulumtuesit, priftërinjtë, që vinin më pas, mbështeteshin në të njëjtat harta e shenime të kolegëve të mëparshëm. Toponimet i shkruanin e ia përcillnin njëri-tjetrit siç i kishin lënë paraardhësit. Si diçka të ditur, déjà vue. Me këtë ftillohet pse edhe disa dijetarë të qindvjetëshit të 19-të, të njohur për seriozitetin shkencor e paanësinë dhe me ndihmesa të çmuara në albanologji, përdorin emrin “Bjeshkët e Nemuna”. [2]

    Njerëzit shqiptarë të letrave, ndërkaq, mbështeteshin në realitetin e drejtpërdrejtë, që e njihnin dhe e preknin vetë, pa ndërmjetësinë e të huajve. Ndaj te asnjë shkrimtar, mendimtar a publicist shqiptar para Luftës nuk del kund emërvendi Bjeshkët e Nemuna.

    Aq e zakonshme ishte  prirja e të huajve me përdorë emërtimet e fqinjëve, sa edhe sot, pas më se njëqind vjetësh shtet të pavarur shqiptar, nëpër në shkrime të tyre – nëpër hartat e tyre më shpesh –  gjejmë herë pas here Draç për Durrës, Skutar për Shkodër, Valona për Vlorë (pa folur për raste me prapavijë të caktuar politike, kur Shqipëria e Jugut quhet “Vorio-Epir”!). Për arsye të njohura, kjo dukuri është më e përhapur për emërvendet në Kosovë, në Maqedoni të Veriut e në Mal të Zi. Gjakovica e Peç për Gjakovë e Pejë, Bitola e Dobar për Manastir e Dibër, Bari për Tivar, Vusanjie për Vuthaj.

    Për fat të keq ndodh që edhe në shtypin e Tiranës, sidomos në përkthime, përdoren këta emra!

    8.

    Të dhënat që u përmendën deri tashti prijnë kah një përfundim: emërvendi “Bjeshkët e Nemuna”,  i përdorur “në hartat e paraluftës”, është pagëzim i bërë prej fqinjëve. Ata i quanin kështu edhe në të folurën e përditshme.

    Edhe dy arsye të tjera në të mirë të këtij përfundimi.

    Njëra lidhet me psiqikën kombëtare. Ndryshe prej shumëkujt, nuk është në natyrën e shqiptarit me  i mallkue vendet e veta, bukën e të mirën. Ka ndodhur nëpër balada a legjenda në një grimë vend, por jo si dëshirë. Ka qenë shfryrje dufi në kushte tjetërsimi prej fatkeqësisë rrenuese. Për shembull në Klysyrë, ku  besohet se është vorri i Imerit të Mujës, 8-9 km larg qytetit Bajram Curri,  në atë grykë bjeshke thuhet se s’këndojnë kurrë qyqja as turreci. Sepse Ajkuna, e mbytur prej dhimbjes për djalin e vrarë, i pati mallkuar, siç pati mallkuar edhe hënën (“T’u shkimtë drita ty mori hanë…”):

    Kurrë këtu qyqja mos këndoftë

               As turreci mos u ndieftë!

    Kjo nemë nuk përfshin krejt bjeshkën. Eshtë e pjesshme, e kufizuar vetëm te kënga e qyqes dhe e turtullit dhe vetëm në një grykë të ngushtë në luginë të Valbonës, në këmbë të Brijave të Gjarpnit. Kryesorja, ajo nuk ngjiti kund. Mbeti në trajtë hijeje, e shpërndarë  nëpër ajër si dhimbja. Si edhe në raste të ngjashme, ajo nuk prodhoi kurrë një emër vendi. Klysyra vazhdoi me u quejtë Klysyrë e Valbona Valbonë. Dhe hënës nuk iu shkim drita!

    Nuk mund të mallkonin shqiptarët çerekun a më shumë pjesë të Atdheut, aq sa, sipas FESH, është hapësira e “Bjeshkëve të Nemuna”!

    Arsyeja tjetër është gjuhësore, lidhet me drejtshkrimin. Në tekstet e ndryshme në gjuhën shqipe herë shkruhet “Bjeshkët e Nemuna”, herë “Bjeshkët e Namuna” e herë “Bjeshkët e Nëmura”. Këso luhatjesh ndodhin në emra vendesh të vogla, më pak të përmendura, si për shembull Shkambi i Drenit/ Shkëmbi i Drenit/ Shkëmbi i Drerit, Brija e Lisit/ Brinja e Lisit. Por nuk ndodhin në hapësira të mëdha, me emra të njohur gjerësisht. Krahina veriore e Lumës quhet Luma, askund nuk quhet  Lumi, megjithëse sipas rregullave të drejtshkrimit thuhet lumi (lumi Drin), jo luma. Edhe luhatjet në të shkruar dëshmojnë se emërvendi “Bjeshkët e Nemuna” nuk është i rrënjosur, është i pangulitur. Domethënë është i mbivendosur, është thjesht përkthim.

    9.

    Ç’ishte ky shndërrim vrastar, si ka ndodhur?

    Ato bjeshkë të rralla, plot diell e bar e borë e pyje e ujvara, me liqene e nëntokë me metale të çmueshme, ato maja madhështore plot mite e legjenda, plot murana e dendësi historie kombëtare, në një ditë të bukur njehën “të nemuna”. U errën të bekuara, u gdhinë të mallkuara! N. Malkolm (Malcolm) në veprën  “Kosova, një histori e shkurtë” (Kosovo, a short history, Macmillan, 1998), Eqrem Çabej e albanologë të mëdhenj gjermanikë, vlerësojnë se ato masive malesh kështjellore me banorët e panënshtruar patën shërbyer si bankë e genit shqiptar. Gjatë pushtimeve të gjata të qyteteve e ultësirave arbërore aty u ruajt e pacenuar fara e racës sonë, gjaku e gjuha e lashtë shqipe. Tashti bash ato u zgjuan të  mbuluara me një emër ndeshzi e ndjellazi: “Bjeshkët e Nemuna”!

    Pra qysh ka ndodhur?

    Qartazi: prej serbëve kaloi nëpër botime e harta europiane. Rusët, të cilët e kishin edhe në dosjet e hartat e veta, e përthithën dyfish.

    Në Shqipëri, fill pas ardhjes  së komunistëve në pushtet, konceptet dhe krejt përmbajtja e shkollës sovjetike u muarën verbërisht, pa kurrfarë vështrimi kritik. Edhe emërvendi Bjeshkët e Nemuna, përkthim i “Prokletisë” serbe, u muar i mirëqenë dhe u pajis zyrtarisht me pasaportë shqiptare. U përfshi në harta e tekste shkollore, u regjistrua gjithandej. Shqiptarët nuk ia njihnin prapavijën dhe e pranuan. Njerëzit e rretheve të larta kulturore nuk bëzanë, nuk u ndien.  Edhe në e pastë menduar dikush, çdo kundërvënie mund të kushtonte shtrenjtë. Personalitete si gjeografi i shquar Ahmet Gashi, autor i së parës hartë të trojeve shqiptare, nuk mund të hapnin gojë. Gashi kishte biografi me “njolla” dhe çdo mendim a fjalë i regjistrohej me keqdashje.

    Në fillim emri sllav u është ngjitur bjeshkëve artificialisht, si maskë. Maska filloi me iu ngjeshë fytyrës gjithnjë e më fort. Çdo ditë, pak nga pak, me këmbëngulje. Derisa nisi me u shkri e u bë një më mishin, duke i dhënë fytyrës trajtën e vet.

    Nuk është vetëm ky emërvend. Janë edhe të tjerë që u përhapën e u ngulitën në këtë rrugë. Nuk u përhapën duke u ngjitur nga banorët te librat, por ndoqën drejtimin e kundërt: nga librat zbritën te banorët.

    Për ngarkesën që përmbante, emërvendi “Bjeshkët e Nemuna” nisi me u ba joshës në krijimtarinë letrare. Aq sa në një farë kuptimi estetika e shkrimtarëve  dhe poetëve, përfshi autorin e këtyre rreshtave, mund të mos ndihet aq mirë nga zbulimi i përkatësisë joshqiptare të tij. 

    10.

    Në veprën  që përmendëm N. Malkolm rikujton se,  ndryshe nga emrat e përveçëm të njerëzve, të cilët mund të pasqyrojnë një ndikim kulturor, emrat e vendeve shpesh janë mbetje të një gjuhe më të hershme. “Emërvendet e pjesës veriore të Shqipërisë, thotë ai, ofrojnë një sërë provash të vlefshme gjuhësore për këtë çështje”. Çabej shkon përtej gjuhës. “Unë prej shumë vitesh kam formuar bindjen që toponomastika shqipare përbën mbase dokumentin më kryesor që vërteton autoktonitetin e popullit shqiptar në vendbanimin e tij të sotmë, thotë ai, d.m.th. faktin që Shqiptarët janë vendës në këto anë që nga kohët më të lashta të historisë, pa ndërpremje”.

    Bash për shkak të rëndësisë, M. Shuflaj pati mbledhur një tufë dokumentesh për  emërvendin Pult qysh në vitin 743 pas Krishtit deri në shekullin e 15-të, në forma të ndryshme, sipas disa gjuhëve (latinisht, italisht, sllavisht).

    Shërbimi më i vogël që mund t’i bëjmë vetes: të paktën të mos shqiptojmë çka të tjerët jodashamirës kanë shqiptuar për ne.

    Edhe në qoftë se të ashtuquajturat “Bjeshkë të Nemuna” nuk i quajmë “Bjeshkë të Bekueme”, siç shprehej hulumtuesi hollandez Jaap van’t Veer kah fundi i gushtit 2013, gjatë një takimi me kryeministrin Berisha, të paktën t’i quajmë me emrin e natyrshëm: Bjeshkët Shqiptare ose Bjeshkët e Veriut. 

    (nga libri Kush i nemi “Bjeshkët e Nemuna”, 2017)


    [1]  Emri Klysyrë, lagje në ish-komunën Margegaj,në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, vepër e Akademisë së Shkencave(Tiranë, 1985) nuk dihet mbi çfarë kriteresh akademike (!) është “përshtatur” në Këlcyrë! Këlcyra është në jug të Shqipërisë, në Përmet.

    [2]  Cilësime të ngjashme njiheshin edhe tjetërkund, një arsye më shumë kjo për të mos u bërë përshtypje të huajve. Hahni (Studime Shqiptare, Instituti i Dialogut & Komunikimit) i referohet Bues (A. Boué), i cili shkruan se “ky emën gjindet edhe te Pirenejt, që asht Maladetta, dhe maudites prapa në Savojë, prapa malit Salere (Montaignes maudites)”. Gjatë një emisioni për Malin e Bardhë (Mont Blanc),  në televizionin francez autori i këtyre shenimeve ka mësuar se dikur edhe Mon Blanc quhej “i mallkuar”, për shkak të rrungajave e rreziqeve të tjera që u sillte banorëve përreth. Ky cilësim ndryshoi pasi njerëzit nisën me u ngjitë deri në majë dhe e njohën për së afërmi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË