TË KAM PA ANDËRR
Të kam pa andërr
tue u mërzitë për mue,
tue më dashtë mue,
tue qeshë me mue dashunisht.
Të kam pa andërr tue heshtë,
ulun në bankën e nji vjeshte tjetër
e malet me thinja
e drita mbushte sytë e tu me ar.
Të kam pa andërr tue të harrue,
si vdisnin në mue ngadalë
ata sy me ar
e thaheshin ata lisa e shterrej ai lum
e qanin zanat për atë burrë
që n’kambë s’do të çohej mbrenda meje kurr.
T‘bâj bê
Andrrat e mija tash
nuk përkunden lehtë;
Flejnë – thëngjij n‘rrathë të drunit.
Më mungon ti,
T‘bâj bê.
ME KËND FOLA
Ka shumë kohë që jetoj n‘dhomën e tij.
Bisedoj me ajrin që e ka lanë
Ndigjoj muzikën që e ka shkrue.
Perdet valviten si flamur prej timit t‘cigares t‘mbramë.
I mbledh skicat mureve që i ka shkrue,
Ndërtoj fantazi ;
Ulem afër tavolinës
Ia puth‘ dorën.
Ai më përkëdhel,
Hesht!
Pastaj pyes vedin:
Me kënd fola?
Fjalët zgjojnë agimet me shi
Ai kërrkund hiç…
Due me u kthye e s‘mundem.
Ai rrin n’mue tash si statujë;
As flet,
As kjan,
As dashunon,
As ikë…
Unë prap e thërras.
MALL I VJETER M`PASKA DJEG
Nji e zezë m‘ka kaplue,
Mall i hanës magjistare,
Si m‘harrove, ditë e kobshme,
Trendafil i vyshkun n‘vjeshtën tande.
Kujtim i trembun
Ajo puthje,
Qaj e lkundem si fatzezë,
Siluetë ulem n‘letër,
Mall i vjetër m‘paska djegë.
Nisi e shkruej ca fjalë gjergjefi,
Fjalë që s‘më kthejnë te ti kurrë,
N‘tjetrën botë kam me le flutur,
As e bardhë por,
Pikla, pikla,
Dashuni me mbledh..
KAM ME T`DASHTË
Unë kam me t‘dashtê n‘sy t‘yjeve
Botën ke me e harru
Luftat
Robninë
Injorancën
Krejt dashni kam me t‘i ba
ata sy që m‘kqyrin mue
N‘lule t‘ballit
Dëshirat me t‘i zbulue
I jemi je
N‘daq si dashuni
N‘daq si mallkim
MOSHË E TRETË
Gëzuar për buzëqeshjen tënde
Për fatin e bardhë
Për lotin e kthjelltë dashurie
Për diellin me xixa
Gëzuar për dhëmbët e tretë
Për flokët e thinjura
Për rrudhat plotë dritë
E vethët me xhevahir
Gëzuar e gëzofsh çdo sekond
Jetë i thonë edhe kur fillon të plakesh
Edhe kur plakesh
Edhe …
Vdis bukur, por më parë jeto bukur
N‘PRISHTINË
N‘andërr m‘erdh Ali Podrimja
Në nji rol pej fryme.
Shpërndau fleta t‘bardha.
Pa asnji cent, pa asnji shkronjë.
Në t‘parën fletë e vendosa dashuninë
T‘bardhë si pllumbi.
Në të dytën Atdheun t‘amblin, t‘bukurin.
Vazhdova kështu me radhë
Tue përshkrue gjana e shejtni të buta t‘Kosovës,
Derisa erdh Azem Shkreli,
I mjeri, fatlumi e poeti.
U banën bashkë me Ali Podrimen
E vend askund nuk m‘lanë.
As te poezia,
As n’atdhe
As te lumi…
U bekova me dhimbën e t’humbunës.
E kjajta shumë…
se nana m‘ka dekë!
KËPUCËT E MIA
Kur nuk do të jem më këtu
Ku do të shkojnë këpucat e mia?
Këpucët e fëmijëris si qumështi i nënës
Këpucët e pubertetit pa lidhse të nxehta dhe gjysëm të egra
Këpucët e rinisë me lule si lulet në memorie
Këpucët e ditës së bardhë të martesës
Të lidhura me zemër dhe unazë
Këpucët e shkollës të plota të ngushta të zivilizuara
Këpucët e femijës tim
Të rritur në mua
Këpucët e moshës së tretë
Gjysëm dashuri gjysëm mërzi
Këpucët, ah kepucët e mia
Sillen në mua
Asnjëherë nuk i le para dere
Gjithmonë i marr me vete
Një ditë do të fluturojnë
Nga trupi im me magji
Dikush do t`ju thurë lavde
Në ndonjë poezi…
Dora jote
dritë e ngrime
n‘gjeth dashnie…
RRI QETË ZEMRA JEME
Rri qetë zemra jeme, rri qetë
Edhe helmin e vdekjes nëse ta jepin
Ti prap rri qetë
Edhe nëse shkelmin e fundit ta jepin
Ti prap rri qetë
Edhe nëse grushtin e fundit ta jepin
Ti prap rri qetë
Nënshkruaje gurin e zemrës
Mos qaj e as mos vajto
Mos lëviz dore as kambe
As sy as vetull
Rri qetë kur bota nuk t’kupton…
KAM MBETË E RE
Kam mbetë e re;
Te nji kukull e kam pafajsinë
Te nji fëmi lufte i kam duert
Te nji e moshueme e kam dhimtën
Te nji luftëtare e kam plagën
Te nji dashuni dërgoj lule
Te nji diell i dektë jam diell
Te nji hanë e verbët jam hanë
Te nji lule jam shi e rreze
Te zogjt jam fluturim
I ndihmoj Ajkunës me vajtue
Rri me Rozamën n’gurë
Jam grue e mbajë gjarpnin rreth qafe
Jam poezi për ty që s’e din se për mue shkruen
Për diken jam harrim
Këtu bjen mallkimi…
ZJERMI JEM ASHT I SHEJTË
Unë jam lind n’erë para mija vjetëve.
Zog qiellit kam fluturue.
N’gurë kam mbjell zemër
N’mal kam mbjell dëshira.
N’fusha
Lule kam lulue
Zog kam cicërue.
Gjuha jeme asht ma e lashtë se unë
Zjermi jem asht i shejtë.
Flaka dhe tymi i bardhë janë udhërrëfyesit e mi.
Ditën derdhi gjak shkronjash
Natën ngjallem n’dashuni.
Flas me ujkun netëve me hanë
Ujkonjën e kam motër.
N’mue rrin’ t’vdekunit e mi
Jam stuhi e gëzimit
Elegji e vatanit.
N’tel t’lahutes jam pikëllim
N’libra jam lumtuni.
As vdes as lindem ma.
ULQIN
N`pasqyrën e pasme
Zhdukej atdheu
U tremba
MORINË
Kufini
Shkrim i verbët
I gjakut