More
    KreuLetërsiBibliotekëMargret Harka: Pse parapëlqehet kaq shumë në rrjetet sociale shkrimtari i shekujve...

    Margret Harka: Pse parapëlqehet kaq shumë në rrjetet sociale shkrimtari i shekujve të kaluar?

    Vështrim i një qasjeje të re dhe unike, e cila po përfshin gjithnjë e më shumë të rinj, ndaj veprës së Dostojevskit

    “Net të bardha” është një nga novelat e Dostojevskit që është bërë virale dhe shumë e parapëlqyer te përdoruesit e dy platformave më të mëdha: Tik Tok-ut dhe Instagram-it. Madje edhe  shitjet e librave të klasikëve  kanë njohur rritje. Kjo dukuri është bërë tashmë një trend global.

    Rivitalizimi i një shkrimtari dhe narratori të shekullit të XIX duket diçka e pamundur, ose no sens në një botë që priret drejt informacionit shkaraz, atij gjerësisht të rastësishëm dhe shpeshherë sipërfaqësor, ku thellësia dhe thelbi janë shumë larg.

    Në fakt, Fjodor Dostojevski, është një nga shkrimtarët më depërtues të shpirtit njerëzor, ku narrativa  e tij  eksploron detyrimet psikologjike dhe morale të njeriut modern.  I famshëm për krijimin e “heroit të rrugës”, një protagonist i mohuar nga shoqëria dhe në kërkim të shpengimit, Dostojevski ka gjetur një “shtëpi të re” midis përdoruesve të rrjeteve sociale Tik – Tok dhe Instagram.

    “Net të bardha”, e shkruar më 1848 rikthehet në kohët e sotme. Një histori thellësisht introverse, që përmban vetminë, dashurinë dhe nostalgjinë.  Dikur për këtë novelë flitej vetëm në rrethe letrare, mes njerëzve të apasionuar pas leximit (këta të fundit kanë qenë sigurisht më të shumtë) apo kritikëve të rafinuar. Sot ka mbështjellë sërish fantazinë e një brezi të ri. Kjo vërteton më së miri se klasikët apo estetika e kahershme nuk njeh kohë dhe kufi, as sot në epokën e videove 15-minutëshe, që udhëhiqen nga algoritme. Pra klasikët mbeten aktualë në çdo epokë.

    Libraritë ishin  ato që e ndjenë këtë modë. Libraria historike “Hatchard” në Londër referon rritje të vrullshme të shitjeve të novelës “Net të bardha”, ndërkohë që botimi nga “Penguin Classics” u bë një nga veprat më të kërkuara të përkthyera në Mbretërinë e Bashkuar.

    BookTok dhe forca e vetmisë

    Dinamika dhe rivitalizimi i novelës “Net të bardha” mund të vërtetohet dhe nga hashtagu #BookTok, një “grupim letrar” në Tik Tok, ku përdoruesit e saj bashkëbisedojnë dhe sugjerojnë tituj dhe libra. Hashtag-u #Dostojevski ka miliona shikime, video të pafundme që kanë si mbulim zanor apo dhe të shkruar,  shprehje dhe sekuenca paragrafësh. Përdoruesit, ata më të ndjeshmit, i zgjedhin që t’u përngjajnë situatave apo shqetësimeve që grishin personazhin e netëve të bardha të Shën Peterburgut. Është në natyrën njerëzore që, kur ajo kaplohet nga emocione të forta (të gëzuara ose jo), gjen “mbështetje” në gjërat që e rrethojnë, apo i zgjedh ato brenda radhëve të një libri. Në përfundim  të këtyre  “diskutimeve” dhe “recesioneve virtuale” dalin postulate goditëse dhe më i preferuari ndër ta:

    “Mendoni se e njihni vetminë… derisa të lexoni “Net të bardha”.

    Vetmia estetike (Aesthetic loneliness) është një ide që kombinon vetminë dhe melankolinë romantike. Ky është pikërisht thelbi i kësaj novele që tashmë është bërë trend në rrjete sociale. Përdoruesit e tyre lidhin shprehje të librit me pamje melankolike, rrugë me mjegull, dhoma me qirinj, dritare me perde gjysmë të hapura ku duket se bie veç shi dhe tutje shikon dritat e zbehta të një qyteti, që nuk ka as anë e as fund…..

    Në të vërtetë, atmosfera fantastike e novelës e ndërlidhur mjeshtërisht me thellësinë e botës shpirtërore njerëzore, e bën këtë novelë një kandidate ideale për t’u shfrytëzuar nga romanticizmi melankolik apo i trishtë që lulëzon në platforma të tilla si Tik-tok-u dhe Instagram-i.

    Pse novela “Net të bardha” ka këtë qasje dhe pse tani…?

    “Net të bardha” është më e shkurtra në morinë e narrativave të Dostojevskit, por pavarësisht kësaj, përcjell një ndjeshmëri  emocionesh dinamike.

    Historia, thënë shkurt, ndjek një narrator anonim, një ëndërrimtar që humbet në mendimet e tij, ndërkohë që është duke përshkuar rrugët e Shën Peterburgut përgjatë netëve të bardha të këtij qyteti ku errësira nuk zbret kurrë e plotë.

    Jeta e vetmitarit të trishtë ndryshon kur takohet me Nastjenjkën, një grua e re që pret të dashurin e saj të munguar. Përgjatë katër netëve, këta dy njerëz ndajnë mes tyre mendimet më të thella, dëshirat dhe ndjenjat e tyre, duke krijuar kështu një lidhje të shkurtër, por të fortë për aq sa qe e tillë.

    Një dashuri e papërmbushur, përjashtimi shoqëror, pritshmëritë individuale, janë ato që rreket të zbulojë kjo novelë dhe janë pikërisht këto që kanë prekur lexuesin e sotëm. Lexues, që më së shumti i përkasin gjeneratës Z, gjejnë veten tek protagonisi i Dostojevskit, ku përplasjet e tij të brendshme janë të ngjashme dhe ndërlidhen me njerëzit e sotëm të epokës digjitale.

    Në fakt janë të shumtë faktorët, që e bëjnë novelën virale:

    -Vetmia e post-pandemise: Izolimi social që diktoi pandemia e COVID-19 ishte përvoja më drastike që e bëri njeriun e sotëm më vetmitar dhe, për më tepër, asocial.

    Studimet e zgjatura, perfeksionimi profesional (që kërkon paralelisht aftësim praktik), puna pa orar, trafiku i qyteteve të mëdha, janë pjesë e faktorëve që ndikojnë në formimin e një njeriu modern të vetmuar, por gjithnjë në një dialog të pafundëm me vetveten. Lexuesit e rinj, ata të gjeneratës Z, dhe protagonist i Dostojevskit gjejnë të përbashkëta me njëri – tjetrin.

    – E shkurtër, por e thellë si vepër. Në ndryshim nga “Krim dhe ndërshkim” apo “Vëllezërit Karamazov”, vepra voluminoze që kërkojnë shumë kohë për t’u lexuar, novela “Net të bardha” përpihet sa hap e mbyll sytë. Lexuesit e rinj depërtojnë tek thellësia e mendimit dostojevksian pa u hallakatur nëpër rreshta e faqe pafund, sepse kjo novelë është vërtet e shkurtër, por e përqëndruar në mesazhet që përcjell autori.

    – Nostalgjia e romantizmit të dikurshëm: Vërehet një lloj nostalgjie për romantizmin e dikurshëm, për romantizmin e një epoke të kaluar, për letrat e shkruara me dorë të mbyllura në zarf ku brenda tyre shkrihej gjithë bota e brendshme e letërshkruesit. Në kohën e sotme këto janë të pakonceptueshme ose tërësisht të rralla. Sot njerëzit “kuptohen” ose “nënkuptohen” me mesazhe konvencionale, pa fjalë ose me shumë pak, për të mos thënë që protagonisti i shprehjes mund të jetë dhe një emoji (thënë thjesht një figurë-simbol).

    Por mos të harrojmë dhe diçka shumë të rëndësishme. Libri, veç historisë, edukon estetikë.

    Dostojevski në epokën digjitale tingëllon sa bukur, aq dhe paradoksal. Duket e habitshme që autori rus është i pëlqyer te njeriu i shekullit XXI.

    Sigurisht që një bashkëkohësi të këtij shekulli, që thellohet më shumë, me të drejtë i ngacmohet kureshtja dhe më pas i lindin dhe pyetje të llojit:

    -Si vallë, një shkrimtar i njohur për hyrjen në thellësi të psikologjisë së personazheve, kërkimit filozofik të tyre, shprehur nëpërmjet  monologjeve të gjatë, arrin dhe gjen lexues në epokën digjitale, lexues që janë mësuar me gjëra të shpejta dhe që nuk kërkojnë përqëndrim?

    Kjo ndodh sepse rrjetet sociale marrin thelbin e një vepre, e ndajnë në citate të shkurtra, lehtësisht të kuptueshme dhe ky mesazh vjen tek përdoruesit e rrjetit vërtet shumë i thjeshtë, por edhe interesant.

    Për ta bërë atë një pasazh letrar viral mjaftojnë 2-3 fjali, ku flitet për dashurinë, për gëzimet apo hidhërimet e kësaj ndjenje, të ilustruara me pamje tërheqëse dhe muzikë interesante. Gjithashtu, natyra bashkëvepruese që ofrojnë disa  platforma, si p.sh Tik Tok etj., iu lejon lexuesve të ndajnë mbresat e tyre në kohë reale, duke e bërë kështu letërsinë të ngjajë si një “përvojë shoqërore” jo si një kërkim intim dhe vetjak.

    Dostojevski, i cili në jetën e tij kaloi vite në internim, provoi dhimbje dhe humbje të mëdha personale. Besoj se do t’i përkëdhelej sedra nga dashuria që po përjeton vepra e tij në epokën digjitale. Megjithëse ai shkroi për shoqërinë ruse të shekullit XIX, temat e tij si: vetmia, qenësia e individit, dashuritë e pamundura, janë dhe sot aktuale në shoqërinë e përbotshme moderne. Fjalët e tij, që dikur kufizoheshin në rafte bibliotekash apo mes librave të letërsisë në programet shkollore, sot janë pjesë e ekraneve të pajisjeve digjitale. Mendimet e tij janë përqafuar dhe vlerësuar nga një plejadë e re që gjen veten mes rreshtave të tij.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË