More
    KreuLetërsiBotime të rejaMallkimi letrar i çmendurisë që kërcënonte Pessoan

    Mallkimi letrar i çmendurisë që kërcënonte Pessoan

    Në shqip Fernardo Pessoa me librin “Edukimi i stoikut”, dorëshkrimi i vetëm i baronit të Teives, përgatitur nga Richard Zenith, përkthyer nga Esterina Celami, botimet “Pika pa sipërfaqe”

    Nga Richard Zenith

    Baroni i Teives u frikësua. Ose më mirë: një Pessoa i frikësuar krijoi baronin për të shpëtuar lëkurën e vet. Ia kaloi të gjithë kthjelltësinë e vet të paepur fisnikut të gjorë e ky s’mundej ta duronte, sepse kthjelltësia ishte e tepërt dhe ngaqë roli i tij nuk ishte të duronte. Baroni i Teivis kishte lindur me vdekë.
    Të tërë alteregot e krijuar nga Pessoa, të quajtur prej tij “heteronime”, ishin mjete ekzorcizmi dhe çlirimi. Lindën për ta shpëtuar krijuesin e tyre nga jeta që i dukej e padurueshme, që nuk i pëlqente, ose dukej se shkonte përtej aftësive të tij. Por Teive trashëgoi cilësinë më të rrezikshme të krijuesit të tij: arsyen e shfrenuar. “Kam qenë gjithnjë racional në lidhje me ndjeshmërinë time”, – na rrëfen fisniku dhe kur mbërrin në përfundimin se “ta jetosh jetën sipas arsyes është e pamundur”, vetëvrasja bëhet rrugëdalja që imponohet prej arsyes së tij. Ose, përndryshe është Pessoa ai që ia imponon, gjithnjë besnik ndaj letërsisë së vet.
    Nëse Bernardo Soares u klasifikua jo si heteronim, por si gjysmëheteronim, ndodhi pasi qe “thjesht një gjymtim” i personalitetit të Pessoas, i njëjti emërtim i takon edhe Baronit të Teives, i cili u gjymtua deri edhe në mish, kur i prenë këmbën e majtë. Kjo përvojë e dhimbshme shërbeu thelbësisht në edukimin e këtij personazhi fisnik dhe stoik, i cili e duroi kirurgjinë pa mpirje të përgjithshme. Megjithatë, është e pamundur që gjymtyra e prerë të mos kishte gjithashtu një funksion simbolik. “Gjithçka është simbolike” (nga një poemë e Alvaro de Campos), mund të mos jetë një parim i vlefshëm në botën ku ne jetojmë, por e karakterizon gjerësisht universin sipas Pessoas. Pessoa i krahasoi “gjymtimet” e tij në një tekst që do të shërbente si parathënie për Ficçoes do Interludio:

    Ndihmësllogaritari Bernardo Suarez dhe Baroni i Teivis – janë dy personazhe të huaj për mua, – shkruajnë thelbësisht me të njëjtin stil, të njëjtën gramatikë dhe të njëjtin lloj apo formë të shprehuri: ata të dy shkruajnë me stilin që, i mirë apo i keq qoftë, është i imi. I krahasoj mes tyre sepse janë raste të së njëjtës dukuri – paaftësia me iu përshtatë realitetit të jetës – dhe për më tepër, të motivuar nga të njëjtat shkaqe. Por edhe pse portugalishtja është e njëjta te Baroni i Teivis dhe te Bernardo Soares, stili ndryshon sepse ai aristokrati është intelektual, pa figura, pak – si ta them? – i ngurtë dhe i kufizuar, ndërsa stili i borgjezit është i rrjedhshëm, muzikor dhe piktural, edhe pse pak arkitektural. Fisniku mendon qartë, shkruan qartë dhe i kontrollon emocionet e veta, edhe pse jo ndjenjat; llogaritari nuk i kontrollon as emocionet e as ndjenjat e veta, dhe në të menduar është i varur prej ndjeshmërisë së vet.

    Ishte paaftësia për të kontrolluar ndjenjat e tij dhe madje, në fund të fundit, edhe emocionet e tij, çka e shtyu baronin t’i jepte fund jetës. “I fuqishëm sa është mendimi, – shkruan në të vetmin tekst të datuar prej tij, – dhe prapë nuk bën dot asgjë kundër mosbindjes së emocionit”. Ai mundej ta duronte dhimbjen, të cilën madje e përçmonte, por nuk mundej të duronte poshtërimin e të qenët subjekt i tekave të tjetërkujt dhe për të, ashtu si për Pessoan, vetja e tij intime, me gjithçka ndiente dhe ëndërronte, kishte qenë gjithnjë diçka e huaj, një tjetër. Arsyeja që e vrau baronin nuk ishte vetëm arsyeja e kuptuar si aftësi e intelektit, por arsyeja e kujt nuk e pranon, që nuk e ka arsyen, pra krenaria. Nga të gjithë shkrimtarët-aktorë që u shpërfaqën në teatrin pessoan, Teive ishte ai që më së miri mishëronte kthjelltësinë dhe krenarinë, cilësi që te vetë regjisori ishin të lidhura fatalisht.
    Bernardo Soares, jo më pak se Teive, ishte i paaftë t’i përshtatej aspektit praktik të ekzistencës, por nuk u dëshpërua nga kjo. Si borgjez i mirë, ai u përpoq të përfitonte çfarë të mundej nga jeta e përulët që i ishte caktuar. Dhe kështu thotë ai në fillim të një pasazhi nga Libri i shqetësimit: “Gjithçka m’u bë e padurueshme, me përjashtim të jetës”, e cila në kompleksitetin e ngjarjeve të saj të rëndomta – si një rreze drite që hyn në zyrën e tij, ose një thirrje që mbërrin deri te dritarja e dhomës së marrë me qira – vazhdon ende t’i japë njëfarë çlirimi ndihmësllogaritarit. Ai ndien një kënaqësi të madhe teksa vëzhgon apo rrëfen, ndonjëherë me një simpati të trishtë, të tjera herë me një entuziazëm të përmbajtur, gjërat e vogla që mbushin dhe rrethojnë përditshmërinë e tij. Ai shënon ndryshimet e stinëve dhe të motit, përshkruan dritat, sheshet dhe fasadat e Lisbonës, flet për berberin, për djemtë e shpërndarjes së mallrave, për bakallin e përkulur mbi një thes me patate, për shitësin e bananeve në Rua da Prata. Ndërsa baroni, i thatë, pak i “ngurtë”, siç thoshte Pessoa, thuajse nuk di t’i shijojë gjërat e vogla. I zë njëherë në gojë “emocionet e vogla” të jetës në fshat, ato që mbeteshin mbasi ai kishte hequr dorë nga ambicia për t’u bërë shkrimtar serioz, por ato nuk ia lehtësonin dhimbjen.
    Baroni e duron stoikisht dhimbjen e tij, por pa transhendencë, vetëm me sedrën qesharake (“të ankohesh është punë grash”) të një mashkulli të dështuar, që duket të ketë vuajtur nga impotenca. Bernardo Soares, më shumë epikurian se stoik (kultivon një “epikurianizëm të rafinuar” thotë pasazhi hapës i Librit të tij), jo vetëm që e duron dhimbjen, por e eksploron atë. Në fakt, i ndërlidh dhe i tejkalon dy filozofitë greke: “Meqenëse stoicizmi nuk është gjë tjetër veçse një formë e rreptë e epikurianizmit, dëshiroj, me aq sa është e mundur, të bëj që fatkeqësia ime të më argëtojë.” Teive vëren, me një hidhërim të thjeshtë, se e gjithë jeta e tij “ka qenë një betejë e humbur në hartë”; Soares vëren saktësisht të njëjtën gjë, por – i vetëdijshëm që do të humbasë – merr kënaqësi nga ajo skemë e tërheqjeve të tij, të cilën dhe e skicon në letër.
    Edukimi i ndjenjave i Soares (i shkruar në vitet ’10 e që i është atribuuar atij vetëm më vonë) bën kontrast të fortë me Edukimin e stoikut. Eseja e Soares-it, e përfshirë në Librin e shqetësimit, na mëson se një ëndërrimtar i mirë duhet ta shmangë vuajtjen, por jo “si stoikët apo epikurianët e hershëm”. Përkundrazi, ai duhet “të kërkojë kënaqësinë te vuajtja”, objektiv që mund të mbërrihet me tri metoda: 1) analiza akute e vuajtjes derisa kjo praktikë të përthithë gjithçka, derisa “të mos mbetet asgjë nga dhimbja përveç një substance të papërcaktueshme për analizë”; 2) krijimi i “një Uni tjetër, të ngarkuar të vuajë brenda nesh dhe të vuajë atë që vuajmë”; dhe 3) një “zbatim i përqendruar i vëmendjes” në vuajtjet tona, që të intensifikuara kësisoj sjellin kënaqësinë e teprisë”.
    Edukimi i stoikut larg të qenët një manual që premton udhëzime teorike, ose këshilla praktike, është një rrëfim shumë intim, një lloj “historie e vërtetë jete”, e ndërtuar me mësime negative që na rikujtojnë Bernardo Soaresin, Rikardo Reisin, postfuturistin Alvaro de Campos dhe vetë Pessoan. Edhe pse secila nga këto forma të vetëparaqitjes, nga ana e Pessoas, është individualizuar me shumë kujdes në tonalitetin, stilin dhe shijen përkatëse, gjendet megjithatë një lloj përzierjeje midis fisnikut dhe llogaritarit (ashtu siç ka ngjashmëri midis këtij të fundit dhe Campos-it prozator). Kur Teive shkruan “Unë i përkas një brezi (…) që e ka humbur njësoj besimin si te zotat e feve antike ashtu dhe në zotat e moderniteteve të pafe”, ai huazon një formulë të përdorur në shumë raste nga Bernardo Soares. Apo është Soares-i ai që ia ka marrë shprehjen kolegut të tij aristokrat?
    Në fakt, formula të çon te shënimet autobiografike të Pessoas që datojnë prej vitit 1910, por si Soares ashtu edhe Teive do t’i përdorin këto e të tjera shprehje specifike deri në vitin 1928, viti kur Teive “lindi” në letër (tashmë si një zotëri fisnik që banonte në një periferi) dhe Soares, me shumë mundësi, kaloi te Rua dos Douradores dhe fitoi autorësinë e Librit të shqetësimit.
    Të gjitha provat tregojnë se shkrimet më të hershme të baronit zënë gjithsej njëzet e nëntë faqet e para të një fletoreje të vogël të zezë ku përfshihen, gjithashtu, në dy faqet e përparme, një poemë e përfunduar (e paredaktuar) dhe një fragment i një poeme, që të dy datojnë në 6/8/1928. Në pjesën e pasme të faqes së fundit të Teives gjendet një plan skematik i veprës që do të titullohej Mesazhi, e ndjekur nga një skicë e strofës së dytë të “Bandarra”, poemë e Pjesës së Tretë që Pessoa e konsideroi të shkruar – në ekzemplarin e botimit të parë të librit – 28/3/1930.
    Pikërisht në këtë fletore, Pessoa skicon njëfarësoj biografinë e baronit: një fëmijëri e shënjuar nga vetmia, që sugjeronte se ai ishte djalë i vetëm; me studime universitare të kryera mirë; me lidhje shumë të ngushtë me të ëmën, e cila vdiq kur baroni ishte plotësisht i rritur; me jetë të kamur e të shkuar në një pronë në rrethinat e Lisbonës; me udhëtime në vende të huaja, së paku deri në Paris, ku frekuentoi fisnikërinë franceze; me vështirësi me hy në raporte seksuale me gratë; dhe me atë prerje të këmbës së tij të majtë pak kohë para vetëvrasjes së tij, e cila ngjau më 11 korrik 1920 (meqenëse lajmi i shkurtër te “Diario de Noticias” është shkruar të nesërmen). Po te kjo fletore ai skicon, ose përpiqet të skicojë, “dorëshkrimin e vetëm të Baronit të Teives”, kur Pessoa ende dyshonte (siç tregon një shenjë grafike) nëse do ta quante kështu.
    E dimë thuajse me siguri që Teive fitoi fjalën (meqë të thuash “fitoi trupin”, qoftë edhe thjesht si metaforë, duket e tepruar në kozmosin pessoan) në fletoren me kapak të zi në verën e vitit 1928. Megjithatë, skenari dramatik i ekzistencës së këtij personazhi duket të jetë konceptuar shumë më herët në kohë. Mes fletoreve të shumta, mijëra fletëve të shkëputura dhe copa letrash të bashkuara që përbëjnë arkivin e Pessoas, gjendjet një zarf, i vulosur më 1912, në të cilin autori ka shënuar: “Dorëshkrim i gjetur në sirtarin e një dhome hoteli.” Këto ishin pikërisht rrethanat në të cilat Pessoa zbuloi dorëshkrimin e fundit të Teives, që ishte njëkohësisht i vetmi që kishte mbijetuar, sipas asaj që rrëfehet në një fletë (e njëjta që mban titullin Edukimi i stoikut), përmbajtja e së cilës është paraqitur në fillim të këtij vëllimi. Dhe gjendet tashmë te fletorja e zezë, një shënim i izoluar që thotë: “Dorëshkrim i gjetur në një sirtar”, i ndjekur nga një shprehje intriguese e vendosur në parantezë: “Joshja e Maria Adelaidës.” A mund të ketë ndodhur që baroni – sipas fiksionit të cilin Pessoa asnjëherë nuk e përmbylli krejtësisht – të ketë mbaruar së shkruari (ose ta ketë lënë të pambaruar) Edukimin e stoikut në një dhomë hoteli, ku më në fund kishte arritur të joshte një vajzë me emrin Maria, përpara se të kthehej në pronën e tij në Macieira për të bërë vetëvrasje? A mund ta ketë marrë atë kënaqësi të vogël përpara fundit të tij tragjik?
    Nuk është për t’u habitur fiksimi i baronit me problemin e tij seksual, të cilit i referohet në faqen e parë të fletores së sipërpërmendur: “Kapitulli i dytë. Pse baroni nuk joshi më shumë vajza.” Është një problem që u shfaq shpesh në shënimet personale të Pessoas në vitet e mëparshme, sidomos përmes një “frater rosae crucis” i quajtur Henry More, kaligrafia shumë e veçantë, pseudo-fëminore (bëhet fjalë për shkrim automatik), e të cilit shfaqet në dhjetëra faqe për t’i thënë Pessoas që, më në fund, do të gjente një grua, një vajzë të bukur që do të ndryshonte jetën e tij, njërën që madje “joshej mbas meshkujve me natyrë prej murgu”.
    Gjithashtu, domethënës në këtë drejtim është një tregim, protagonisti i të cilit, Marvos Alves, është kaq i ndrydhur seksualisht, sa t’ia mbathë me të katra nga hoteli kur një shërbyese provon ta joshë. Përtej vështirësive të tij me gratë, Marcos bashkëndante me Teivin një vullnet vetëvrasës, të cilin e konkretizon vetëm në përpjekjen e tretë, në moshën njëzetekatërvjeçare. Por sidoqoftë, arsyet nuk ishin të njëjtat. I riu u çmend jo prej një teprie nacionaliteti, por sepse ishte i mbindjeshëm dhe “i prekur nga ide fetare”, duke u regjistruar si rast klinik në një Traktat të sëmundjeve mendore që i përket Dr. Florencio Gomes-it (ndoshta, vëllai i rrëfyesit Antonio Gomes, i kataloguar në listën tashmë të famshme të heteronimeve te Pessoa por Conhercer). “Tregoi pastërtisht evolucionin e paranojës së përndjekjes”, – shkruhet te relacioni i doktorit dhe nuk habitemi kur zbulojmë se gjyshja nga ana e babait kishte qenë viktimë e “tjetërsimit mendor”, njësoj siç kishte ngjarë me gjyshen Dionisia të Pessoas, gjë që e bënte t’i frikësohej përshkallëzimeve të mundshme të trashëguara.
    Mallkimi letrar i çmendurisë që kërcënonte Pessoan, Marcos Alves ishte protagonist i një tregimi, por jo një unë tjetër dhe as, rrjedhimisht, si mjet i vetëzbulimit psikologjik, të paktën nuk u mendua i tillë…
    (fragment nga “Postmortem”)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË