More
    KreuArte pamoreLuran Osmani, autori i grafikës: Në një çast meditimi te shtatorja e...

    Luran Osmani, autori i grafikës: Në një çast meditimi te shtatorja e Skënderbeut në Shkup, lindi kjo grafikë

    Bisedoi Nurie Emrullai

    Artisti ka rol kyç në shoqëri sepse atij i duhet të mbajë gjallë kujtesën historike. Përcjellja e vlerave kombëtare duhet të jetë dhe interesi kryesor në ditët e sotme. Ndonëse arti merr suaza të ndryshme, në varësi të vendit që krijohet, ne si shqiptarë duhet të jemi me këmbë në tokë, të vetëdijshëm për historinë që përfaqësojmë. Për këtë biseduam me Luran Osmanin, njërin nga këta artistë, i cili ka mbetur deri më tani, fytyra anonime që fshihet pas realizimit të grafikës së Skënderbeut.


    N.E: Duke qenë se ne në Maqedoni jemi rritur me “atdhe të munguar”, a mendoni se kjo na ka bërë që Shqipërinë ta shohim gjithmonë me një lloj idealizmi?

    L.O.: Mund ta hidhni si raport për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë nga situata e qasjes historike, por çka keni në përmbajte të konceptit të ideales?! Apo çka shohin ideale shqiptarët brenda kufijve të Shqipërisë?

    N.E: Sigurisht, kur fillojmë të krijojmë ne nuk e dimë se çfarë rrjedhe do të marrë vepra që po zhvillojmë, por më pas është përgjegjësia që na jepet për atë kemi krijuar. Në rastin tuaj, pesha e kësaj vepre është ditur që momentin e krijimit të saj. Por, a e mban mend çastin kur ju lindi ideja e krijimit të kësaj grafike?

    L.O.: Koha kur e kam krijuar këtë grafikë, nuk ka qenë aspak e lehtë. E them aspak e lehtë, duke përfshirë këtu shumë rrethana në të cilat ndodheshim atëherë. Pra, ishte koha e protestave në Kosovë, viti 2012. Pastaj, në atë kohë z. Albin Kurti kishte takim me intelektualët shqiptarë në Maqedoni. Kaluam nëpër sheshin e qytetit të Shkupit, ndaj u ndalëm te shtatorja e Skënderbeut. Ishte momenti kur ajo shtatore dha një reflektim ideal për një artist kur sheh kuadro të ndryshme nga ajo që e rrethon dhe fotografia ta jep shumë qartë faktin në heshtje. Nga ajo shkrepje e momentit të figurës së Skënderbeut në Shkup lindi koncepti për ta trajtuar edhe në grafikë e dizajn. Më pas filloi të marrë rrugën e vet gjatë trajtimit me kohën.

    N.E: Veprën në fjalë a e prezentuat menjëherë në publik, apo i dhatë kohë përpara se ta shfaqni?

    L.O.: Jo, sigurisht që nuk e prezentova menjëherë. Madje mendoj se vepra e puna e bërë me trajtesën e sinqeritetin e duhur e tregon vetë momentin e kohës së shfaqjes sepse është si moment çlirimi,  ekspozimi dhe ai moment ndodhi në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Për mua një rishikim në trajtesë historike dhe gjesti im modest për respektimin e vlerave tona historike nga fusha ime si artist.

    N.E: Thonë që artistët vijnë me vonesë. Pra, nuk i takojnë kohës ku jetojnë. As nuk i marrin lavdet në kohën që veprojnë. Artisti ndonëse shikon realitetin e kohës, koha nuk e lejon që t’i pranohet kjo e vërtetë. Ju, Luran, si e ndjeni veten si artist në vendin ku jetoni e veproni?

    L.O.: Të jetosh si artist kur e sheh se has në shumë forma të okupimit në vendin tënd, ke përplasje, domosdo je i distancuar prej institucioneve, të mungon përkrahja që duhet ta kesh. Por, të jesh i shtypur, nuk do të thotë që duhet të jesh edhe i nënshtruar. Pa i marrë parasysh rrethanat, artisti ia del në jetë sepse ai jeton me vërtetësinë e jetës. Artisti i mirëfilltë e do punën dhe e krijon, pavarsisht të gjitha barrierave të cilat shpesh herë dhe nuk janë aspak të lehta.

    N.E: Me sa e di unë, vepra në fjalë është shpërndarë shumë, është shumëfishuar, madje shumë njerëz edhe e bëjnë tatuazh. Ndaj, po pyes, sa përkrahje emocionale keni nga njerëzit e vlerësojnë punën tuaj?

    L.O.: Kjo është magjia e artit, vepra është pëlqyer, është shpërndarë shumë edhe është kopjuar nga institucione komunale pa lejen apo dijeninë time dhe kjo nuk ka qenë aspak e hijshme dhe profesionale nga ana e tyre, aq më keq kur je institucion. Por, Skënderbeu nuk është i imi, është i yni dhe qëllimi është të mos harrohet, të mbahet gjallë në një formë a një tjetër. Ndërsa, sa i takon kthimit të grafikës në tatuazh, nuk mund të jem i sigurt se sa njerëz e kanë përjetësuar në trup, por nuk janë të paktë ata që më dërgojnë fotografi çasti të tatuazhit të tyre dhe kjo më bën që ta rikujtoj faktin se fusha e artit në këto kohëra ku humb kuptimi i vlerave dhe zëvendësimi i saj me jo vlera, duhet ta mbajë qëndrimin  e duhur sepse arti na ka treguar në histori të njerëzimit se është ushqimi më se i nevojshëm.

    N.E: Për këtë dizajn a mund të thuash se është më i miri që ke realizuar deri tani?

    L.O.: Nuk mund të them nëse është më i miri në realizim, por mund të them që është dizajni më me vlerë që kam bërë duke u nisur nga shumë aspekte, si historike, kulturore dhe kohore por, mendoj se gjurmët do të mbesin, se e tillë është vetë historia që mban.

    N.E: Ndoshta është një pyetje jo shumë e preferuar për artistët, por çfarë pret një artist nga arti që krijon?

    L.O.: Nuk mund as nuk dua të pres gjë. Nuk do të bëja art asnjëherë nëse do të kisha menduar për përfitimet që mund t’i kem, por çka bëjmë ne për artin apo në emër të artit? Këtu kemi shumë gabime. Ne duhet ta kuptojmë si artistë, se fusha e artit duhet të jetë reflektim i realitetit, e jo instrument i fushave tjera. Të kontribojë në ngritje të vlerave, gjërat duhen të jenë të definuara në funksionin e rolit që kanë apo që duhet të kenë, e jo në qasje të interesave grupore personale. Mënyra si funksionojnë ministritë e kulturës në raport me fushat e artit e kanë polarizuar politikisht gjendjen artistike dhe kështu arti humb rolin dhe kuptimin, e kjo e bën që rrethet artistike të mos jënë në lidhshmëri funksionale… Me fajësime nuk arrihet në ndonjë zgjidhje, por mendoj që të gjithë të jemi së pari vetëkritikë në raport me shumë probleme dhe të paktën mos të mohojmë e arsyetojmë gabimet. Arti për mua është thjeshtë dëshirë dhe sakrificë, sidomos në një vend ku nuk vlerësohet arti e ku mungon avangarda. Artisti  nuk duhet t’i takojë asnjë partie politike, duhet të jetë i lirë…

    N.E: Çfarë do kishit dashur ju të jetë ndryshe në shoqërinë tonë?

    L.O.: Për mua ndryshimi është proces. Gjërat nuk mund të ndryshojnë brenda një gjenerate, sepse çdo ndyshim është proces i cili kalon jetët njerëzore. I rëndë është fakti se ne kemi tri Akademi Shkencore, por kemi mungesë të librave profesional. Këto janë mangësi që duhet zhbërë sa më parë. Por nëse duam të dimë ku është çelsi i suksesit, sigurisht që vetëm puna dhe përkushtimi janë ata që bëjnë dallimin. Nuk duhet gënjyer veten në forma të tjera.

    Tetovë, ditën e 555 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut

    17 janar 2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË