More
    KreuLetërsiBibliotekëLuljeta Dano: Gjuha e simboleve te xhubleta (Xhubleta në UNESCO!)

    Luljeta Dano: Gjuha e simboleve te xhubleta (Xhubleta në UNESCO!)

    Xhubleta në UNESCO – MIRËNJOHJA IME

    Së pari falenderoj Ministrinë e Kulturës dhe Ministren, Znj. Elva Margariti që projektoi dhe realizoi dosjen përkatëse, me mbështetjen financiare të Fondit Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit, AADF, punë falë së cilës kemi sot realitetin e shumëpritur: Xhubleta në UNESCO! Dijebërja e Xhubletës si teknologji artizanale dhe në format e përdorimit të saj do të ndikojë nëpërmjet politikave promovuese të turizmit kulturor të kemi sa më shumë zjarre ndezur në vatrën malësore, ku plaga sociale e shkretimit nga emigrimi i popullatës vendase është e rëndë. Pasqyrim i simbolikës së Qëndresës dhe Lirisë, Xhubleta Shqiptare me firmën e Tij, si Ministër i Kulturës, Z. Visar Zhiti, fitoi statusin e lartë, si KRYEVEPËR e Trashëgimisë Kombëtare Kulturore, në 12 qershor 2013. Falemnderit gjithmonë, Visar Zhiti! Duke qenë tanimë pjesë e trashëgimisë kulturore të qytetërimit njerëzor, paraqitja e Xhubletës nis si Kryevepër e trashëgimisë Kombëtare. MIRËNJOHJE të thellë, për këdo, me të cilin në rrugëtimin tim shtatëmbëdhjetëvjeçar me xhubletën, kam bashkëpunuar: studiuesit e etnologjisë dhe bartësit kulturorë, bijtë e Xhubletës, gazetarët e kulturës, koleksionistët privatë dhe tregtarët e antikuaratit! Falenderoj me gjithë zemër miqtë e mi, emra të nderuar të letërsisë bashkëkohore shqipe që më përkrahën të parët dhe gjithmonë në atë që kisha për të thënë, si besimtarë të gjuhës dhe tekstit, e që mbështetën punën time ndër vite, për këtë gjuhë piktogramash të qëndisura mbi xhubletë, e cila mund të lexohet duke “u përkthyer” në fragmente të caktuara, madje hera – herës edhe si tekste më të plota, sipas fjalorëve të simboleve e miteve kozmogonike. Përulem me nderimin më të lartë për koleksionistët privatë shqiptarë, ata janë shpëtimtarët e vërtetë të xhubletës së vjetër me artin e tyre të koleksionimit dhe atdhetarinë, ka shumë sublimim dhe sakrifica individuale dhe familjare në çfarë kanë arritur! Kudo ku ndodhen këto koleksione etnografike në Tiranë, Shkodër, Kosovë, Mali i Zi, në thelb, ai është një: Koleksioni i shpëtuar i Xhubletës Shqiptare. Mendoj se, koleksioni tërësor i Xhubletës Shqiptare ndër koleksionet private numëron afro 1100 – 1200 xhubleta, pjesë e të cilit janë edhe gjashtëdhjetë xhubleta të koleksionit tim. Njerëz të kulturës, artistë, koleksionistë me interesa të ndryshme kanë koleksionuar nga njëzetë, dyzetë a njëqind e pesëdhjetë e gjer në gjashtëqind xhubleta. Në këtë inventar prej afërsisht 1200 xhubletash, nuk po numëroj xhubletat e trashëguara që ndodhen në familjet malësore. Në mjaft familje shqiptare sidomos në Mal të Zi, kam parë që ruhen në gjendje shumë të mirë në arkat e vjetra të pajave të nuseve gjer në tetë a dhjetë xhubleta të familjes. Edhe një kërkesë për Kuvendin e Shqipërisë në emër të Qendra Antropologjike XHUBLETA, të ligjësojë një ditë të caktuar, që të kemi: Dita Ndërkombëtare e Xhubletës.
    Luljeta Dano


    Padija ime sa vjen dhe rritet, sa më shumë shtrohen pyetjet që i bëj vetes ndërsa bashkëjetoj prej gjashtëmbëdhjetë vitesh me “tekstet” magjepsëse të Xhubletës Shqiptare. Si një kumt ogurbardhë, matriarka e studimeve etnologjike shqiptare, Prof. Dr. Andromaqi Gjergji, e çel një ligjëratë të mbajtur më 1995, se kultura popullore shqiptare është një fushë hulumtimi, poaq arkaike sa gjuha shqipe, në mos më shumë… e që mbas kthesave të forta shoqërore, ato ripërtërihen. … dhe do të gjejnë shprehje në shumë drejtime, ndoshta edhe me një shkëlqim të ri(1).

    Objektet etnografike fotografuar për ilustrimin e kësaj kumtese kanë një vjetërsi fizike 100-250 vjeçare, por tipologjia e tyre, gjuha e simboleve të qëndisura në to, një farë shkrimi dore shkruar mbi shajak me spik, fije metalike apo rruaza shumëngjyrëshe, unë besoj se, vjen nga parahistoria ende e pamatur me kohë, gjuhë që fatmirësisht na vjen e gjallë ndër shqiptarët e sotëm.

    Janë objekte nga koleksioni i jashtëzakonshëm i Xhubletës Shqiptare me stolitë e saj, që përbëhet nga arkiva etnografike shtetërore, koleksionet etnografike private, si edhe fototeka e pasur shqiptare dhe e huaj.

    Si tipologji e veshjeve të lashta të kulturës minoike, xhubleta që vjen në kohën tonë ka disa pasqyrime në veshjet e vendeve mesdhetare, fort e ngjashme me veshjen popullore të Malësisë së Avrës në Francë, disa guna shajaku në treva të tjera etnologjike shqiptare dhe ballkanike, ku paradigma e Xhubletës me Gunën Myzeqare me Rrëkè, i bën këto të dyja të duken si negativ i filmit me fotografinë. Guna Myzeqare me Rrëkè(2), del me gajtanë të kuq, të bardhë dhe blu. Gajtanët tek xhubleta quhen spik dhe janë gjithmonë në ngjyrë të zezë. Spiku ka teknologjinë e vet të prodhimit dhe ndërtimit në veshjen me xhubletë. Një model tejet interesant dhe pikturik është kombinimi rreshtave të spikut me ivat e shajakta në kambanoren e fundit të xhubletës, në disa raste të rralla me ngjyra që fillojnë nga më të errëtat dhe vijnë duke u çelur, e zezë mbi të zezë dhe kjo larmishmëri e të zezës quhet Ylber i Zi.

    Simotra e xhubletës në brigjet e largëta të Norvegjisë është veshja popullore norvergjeze e quajtur Bunad(3), përkatësisht një model i veçantë që rrethohet në fund me një ose disa shirita të kuq ose jeshil, për të cilën shkroi së pari Prof. Dr. Agim Bido. Kjo veshje është e pranishme fizikisht që nga viti 1700. Janë pothuaj 55. 000 variante të Bunad – it në mbarë Norvegjinë, duket një rekord marramendës, por Norvegjia ka gjithashtu Policinë e Bunad – it e cila monitorin çdo bartës dhe prodhues të saj që të mos shtojë asnjë element joautentik. Elementë të tjerë dekorues në filigramën e bunad – it norvegjez, janë afërsisht të ngjashëm në trajtë dhe funksion, si te xhubleta, me veti mbrojtëse të shëndetit atribuar ikonave kultike në stolitë prej ari dhe argjendi që shoqërojnë këtë veshje, çantat e dorës me dekoracionin metalik që të kujton kreun e kolonës zbukuruese prej filigramë te masha e xhubletës, vathët, manshetat e veçuara dhe të lidhura me lidhëse, madje shquhen edhe të njëjtat simbole të rozetës diellore, hënzës, yllit, Lules së Jetës me gjashtë petale, Lotusi Mistik, etj.

    Sistemin e simboleve në piktograma, Manly Palmer Hall e quan gjuhë të mistereve të të gjitha natyrave: Një simbol mund të zbulojë ose të fshehë, sepse për të diturit objekti i simbolit është i lexueshëm, kurse për të paditurit simboli mbetet i padepërtueshëm.

    Pikëtakimi me këto figura – simbole që dekorojnë xhubletën shqiptare, para se të jetë etnicitet, apo mbishtresë antropologjike, pra, pikëtakimi sot me këto simbole është fundekrye transhendencial. Ashtu siç është numri φ, fi greke, raporti i artë, konstantja matematikore irracionale përafërsisht e barabartë me 1,6180339887. (Φ është përpjestimi hyjnor me të cilën besohet se Zoti krijoi botërat, natyrën dhe jetën, është sekreti i përmasave të përkryera në arkitekturë dhe arte). Ashtu siç është dhe π, pi greke, konstante matematikore irracionale, e ashtuquajtur konstantja e Arkimedit, raporti i perimetrit të rrethit me diametrin e tij, përafërsisht e barabartë me 3,14159 26535… (π është një numër real duke mos qënë algjebrik, por konsiderohet ekuacion transhendencial).

    Edhe natyra e simboleve potenciale të xhubletës për të cilat po flasim, mendoj që janë mirfilli të tilla.

    Begatia e piktogramave në objekte të ndryshme, si në veshje, dru, gur, metal, shkëmbinj, shpella, ikonografi dhe mblata që shoqërojnë ritet zakonore, në lëkurën njerëzore si tatuazhe, ngado në trevat etnologjike shqiptare brenda dhe përreth kufijve të Shqipërisë ku banojnë shqiptarët, por edhe tek popujt e tjerë të Ballkanit, i përket një estetike transhendentale të arketipeve(4), thënë me fjalët e Jungut, i mbart pavetëdija kolektive dhe bëhen një lloj altari për jetën e vetëdijshme, “përbëjnë gjuhën e psikikës së lindur”.

    Xhubleta është trashëgimi kulturore kombëtare e popullit shqiptar, materiale dhe shpirtërore, në vetëdijën e të cilit Xhubleta simbolizon personazhe të rëndësishëm mitologjikë dhe historikë, Rozafën legjendare, zanat e maleve, heroinat e luftës kundër pushtuesit, Nora e Kelmendit dhe Tringë Smajla, madje artistikisht përfaqëson vetë Mëmëdheun, Nënën Shqipëri, në luftërat e saj shekullore për liri dhe pavarësi.

    Antropologjikisht Xhubleta konsiderohet njëzëri nga studiuesit shqiptarë dhe të huaj me një bibliografi të pasur, një veshje me vijimësi modelesh të lashta të kulturës së popujve mesdhetarë, ende e gjallë tek shqiptarët e Alpeve, duke filluar me teknologjitë e prodhimit të pjesëve të ndryshme të saj, si veshje, si stoli, modelet e flokëve dhe ngjyra e sanksionuar e tyre, si dhe gjuha e simbolikës së përdorur në dekorimin e kësaj veshjeje, me funksion të lartë kultik dhe është bartëse piktogramash që tregojnë mite antike dhe parahistorike, si Perëndesha Athina, krejt siç e përshkroi H. Shlimman kur zbuloi Trojën, si dhe mitin kozmogonik të Hermiopolisit, etj. (5)

    Në simbolikën gjetur në një brez xhublete, është vetë Athinaja me të gjithë parametrat që shënoi H. SCHLIEMANN nga gjetjet e Trojës: Ajo ka fytyrë në trajtë kukuvajke, sy të mëdhenj e të kërcyer, pa këmbët dhe pa krahët, me gjatësinë e bustit që në të gjitha rastet e paraqitjes së Athina Paladës shkon gjer te kërthiza. Kërthiza e Paladiumit Legjendar, me një rreth dhjetë herë më të madh se gjiri, dhe kordoni ombikal shoqërohen me simbolet e Zeusit, shoqërohen me një Zvastika që ka diellin në qendër, si dhe me një shembëlltyrë mburoje(6).

    Doktrina e krijimit të botës në qytetin Hermopolis, në Egjyptin e Mesëm hymnizon daljen e Pesë Perëndive nga Qyteti i Shenjtë i të Tetëve; një kryeperëndi dhe katër perëndi meshkuj që sollën secili dhe përbërësin e vet femër, domethënë katër femra si gjarpërinj: “Ishin katër elementë meshkuj dhe një prijës I Paemër që më vonë u quajt Thoti. Çdo njeri nga të katërt solli me vete përbërësin e tij femër… të katër meshkujt vizatoheshin si bretkosa dhe femrat si gjarpërinj që notonin nëpër baltën dhe llumin e kaosit, hiçit zanafillor, nga i cili u ngrit përpjetë gjithçka. Në “Tekstet e piramidës” thuhet se: Ujërat folën me Pafundësinë, Hiçin, Askundin dhe Errësirën, që do të thotë se Nuni u foli katër shokëve të tij meshkuj dhe kështu nisi procesi i krijimit. Ka të ngjarë që të katër elementët të kenë ardhur së bashku dhe jashtë bashkimit të tyre, erdhi veza zanafillore, e cila nuk mund të shihej, pasi ka ekzistuar para se të vinte drita. Jashtë vezës erdhi drita e diellit, të cilën të tetë elementët krijues të gjithësisë e ngritën lart në qiell” (7).

    Fenomeni i dekorimit me këto simbole në Kostumin Kombëtar Shqiptar me Xhubletë të grave të Veriut, pas një soditjeje të ngulitur pa ia shqitur sytë, në përpjekjen për t’i lexuar ato tekste, ka epërsinë të tejkalojë kështu vetveten. Ajo shkëlqen si dielli. Ornamentikën e qëndisjeve mbi këtë veshje mund ta familjarizojmë me shkrimin piktografik hitit e egjyptian, ose me petroglifet, tatuazhet, hajmalitë, mitet botëkrijuese dhe shkrime të tjera nga fise që ende dëshmojnë traditë dhe parahistori nga tërë kontinentet.

    A është simboli i qëndisur në xhubletë mbrojtës për fatin e mirë të gruas që e mban? A është transformues në një ngjarje që në varësi të rrethanave duhet të përfundojë doemos mirë?

    Çfarë duan të na kumtojnë këto simbole të pranëvendosura si tekste?

    Parimi i kompozimit të ornamenteve në këto objekte etnografike është simetria majtas – djathtas ndaj një figure të vetme në qendër, e ngjashme me simbolikën e Kultit Solar, ose me Katër Ungjillorët dhe Krishtin Pantokrator në mes; diku kemi ndoshta zinxhirët e ADN – së; spektrin e ngjyrave të ylberit; yjësi; fetusin, uterusin; gërma S që më së shumti del e shtrirë horizontalisht në simbolikë do të thotë gjysëm diell – gjysëm gjarpër, në optikë S përfaqëson udhën e realizimit të të parit nga syri, kurse në ornamentikën e veshjes së grave veriore shqiptare shumë e pranishme është edhe shenja e infinitit, 8 horizontale; etj. etj. Kurse numërimi i shenjëzave është gjithmonë numër kultik: nga 1deri tek 10, 12, 13, 16, 24, … etj. P.sh: Një simbol, i cili gjendet m’u në qendër të një përparëseje xhublete e cila veç të tjerave ka tre radhë horizontale me numrin e simboleve duke filluar nga poshtë rreshti i fundit në raportin 13:7:5, raport i cili mbart kode të rëndësishme piramidale ende të panjohura për ne(3).

    Së pari këtë figurëz, e përafrojmë me përhapjen e valës zanore, por më pas e gjendet e qartë dhe e njëjtë: 1. Si paraqitje grafike të magnitudës gravitacionale të planetit Tokë. 2. Si strukturë të krahëve spiralë të galaktikës së Udhës së Qumështit. 3. Si foto konceptuale të NASA – s, po të shihnim jashtë shtëpisë tonë galaktike, Galaktikën tonë të Udhës së Qumështit, strukturën e vëzhguar dhe ekstrapolare të krahëve spiralë të Udhës së Qumështit me Galaktikën fqinjë spirale NGC 7331, e cila referohet si binjake me Udhën e Qumështit, mosha e së cilës konsiderohet “which is nearly as old as the Universe itself”.

    Pra, simbolin tonë të vogël etnografik e vendosim në pasqyrë me dy të tjerë përngjasues makroskopikë nga fushat e fizikës dhe astronomisë. Mundësirat që ofron sot interneti për praktika të tilla ballafaqimi dhe afërie midis simboleve janë në infinit.

    Mund të themi, se milionat e faqeve që mbushin internetin SOT me titujt e Dragoit Briartë të Gjenezës; Gjarpri Ktonik, Gjarpri me pendë; Feniksi; Shqiponja Dykrenore; Veza Kozmike; Pema Mistike (E Jetës); Lulja Mistike (E Jetës); Kyçi Egjyptian i Jetës; Merimanga, Akrepi dhe Kacabujtë – Brumbujt Mistikë; Teta e Shenjtë, (Infiniti); Fallusi Delfik; Simbolet Zeusiane: Gjethja treshe e Lisit të Shenjtë dhe Dy Gjethet Kryq të Lisit Të Shenjtë, Rrufeja; simbolet e kulturës minoane: meandrat lumore e detare, erosi mbi delfin, brirët e demit kretan, si dhe një shumicë simbolesh të tjera në planetin tonë që lidhen kryesisht me Kozmogoninë dhe atributet e Krijuesint të Gjithësisë, pranëvënia e këtyre simboleve qëndisur në veshjen tradicionale të malësores shqiptare, leximi sipas këtyre rreshtave, më bën të besoj, se interneti nuk është një i ri 31-vjeçar, por “Është aq i vjetër saç është vetë Universi”!

    BIBLIOGRAFI

    Andromaqi GJERGJI: Probleme dhe detyra në fushën e studimeve mbi kulturën popullore, ligjëratë e mbajtur në Seminarine 17 – të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Tiranë, 24 gusht 1995. Botuar në librin: Ligjërata mbi etnologjinë shqiptare, Tiranë, 2004. ISBN 99927-35-94-5.

    Llambrini MITRUSHI: Veshje myzeqare të shekullit XIX dhe të shekullit XX, Etnografia shqiptare, nr. VII, Tiranë, 1976.

    The Norwegian Bunad, lifeinnorwegian.net

    Luljeta DANO: Perëndesha Athina dhe simbole të tjera Kozmogonike, simbolikë, Tiranë,2007, ISBN 99927 – 691 – 3 – 0.

    Luljeta DANO, Po aty.

    JACQUES, E. Shqiptarët, fq. 17 – 18, Tiranë, 2001.

    ARMOUR, R. Zotat dhe mite të Egjiptit të lashtë, fq. 174 – 176, Tiranë, 2006.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË