Vëllimi me 50 poezi të zgjedhura të Rita Petros është një puzzle që plotëson profilin poetik të një prej poeteve më të zëshme të dhjetëvjeçarëve të fundit në poezinë moderne shqipe. Rita Petro ka thyer barrierat konvencionale, duke krijuar një poezi neomoderne, përmes një ligjërimi që përmban një rrëfim lirik, pa u kujdesur për rimat, masat formale, duke ravijëzuar tiparet e një poezie avangardiste.
Poezia e saj, me visceralitetin e vargjeve, me dhimbjen e tyre, me shtjellime të një primitivizmi pothuajse trupor, arkaik, autentik, fiton përkatësi të qartë. Njihet fakti që, në historinë e artit modern, artistët kërkuan mjete gjuhësore dhe artistike parake, arketipale, tradicionale dhe patën një ndikim të fuqishëm përmes “artit që buron nga instinkti”, i cili u manifestua në mënyra të ndryshme te piktorë të ndryshëm. Secila poezi e Rita Petros është një rrëfenjë, një fragment jete, ku gjithçka merr frymë nga përjetimi intensiv i një përvoje, pothuajse sfilitëse. Poezia është e zhveshur nga shtresat kulturore, elemente të qytetërimeve, sepse ajo kthehet te ndjenjat parake që e sjellin më afër zanafillës së ndjenjave njerëzore. Në shumë syresh poetja heq pengesat morale, konvencionale, shoqërore, etike, duke u dhënë zë ndjenjave më të fshehta dhe përvëluese të qenies. Ajo jeton gjithçka të potencuar, ancestrale, kozmike dhe i jep gjithçkaje natyrshmëri e çiltërsi çarmatosëse. Natyrisht, ajo me siguri e ndien këtë, por asgjë nuk mund ta ndalë sinqeritetin e aktit të saj krijues. Duket se poetja merr qenien e saj dhe e vizaton në letër, gollashe, pa dashur të fshehë asgjë, pa dashur të shtiret për asgjë, pa u shqetësuar për reagimet e receptorit të vargjeve të saj. Në shumë raste vargjet e saj i ngjasojnë një klithme që buron së brendshmi nga përjetimi, emocioni, por edhe nga pamundësia, ndrydhja, pengesat…
Në numrin e madh të poetëve, ku gjithçka duket se përsëritet dhe gjithëpërsëritet, dhe bëhet i vështirë dallimi midis tyre, në parimin e non nova sed nove, Rita Petro identifikohet lehtë falë autenticitetit të krijimit, timbrit të pangatërrueshëm. Origjinaliteti është epërsia e poezisë së saj.
Shumë prej poezive ndërtohen në formë dialogu, një dialog më shumë i supozuar (si Fillimi i fundit, Kënga e natës), ku jo domosdoshmërisht dikush përgjigjet. Fushat tematike që ka prekur janë të ndjeshme, sepse ajo sjell zhgënjimin në shoqërinë shqiptare, shprishjen e sistemit të vlerave, defektet e natyrës njerëzore, humbjen e besimit dhe të shpresës në shoqëri etj. (Në vendin tim, Instinkti dhe politika etj.).
Rita Petro shpreh më së shumti mendime intime, për dashurinë dhe erosin, si ndjenja të shenjtëruara e deri tek ajo më eksplicite mishtore, mistike (si një dalje nga vetja e pastaj një kthim në vetvete), si diçka e qashtër në mëkat. Dhe besimi, emri dhe simboli i Krishtit, herë përdoret si një adhurim i epërm, herë në përçapje për ta përjetuar në marrëdhënie vetjake, në një përvojë të prekshme, herë të dhimbshme, të mbërritshme, duke e përkthyer dashurinë dhe adhurimin për të me manifestimet e erotizmit, siç manifestohet dhe mistika. Autorja merret me Erosin në mënyrën më të qartë të mundshme, duke e integruar shpesh në gjirin e natyrës apo në një sfond kozmik. Në këtë mënyrë, ajo tenton të zbulojë thelbin parësor të aktit erotik dhe seksual, rëndësinë e tij të pandryshuar deri në kohët moderne.
Disa poezi janë ndërtuar me lëndë onirike, me imazhe më të pasura dhe me metafora magjepsëse (Përçartje, Ëndrra për gjërat që kam braktisur, S’kam parë pemë që fluturojnë, E pranishme në të dyja botët). Atmosfera e ëndrrës e ndihmon të pikturojë obsesionet e saj, fantazmat e saj, ankthin e saj, seksualitetin e saj. Ankthi nga vetmia sjell erotizmin. Shumë pyetje nuk marrin përgjigje kurrë, dhimbja do të pulsojë gjithmonë si një shpirt, origjina e botës nuk do të zbulohet kurrë, ndjenjat nuk mund të teorizohen kurrë – dashuria, urrejtja, makthi, trishtimi, të gjitha këto përjetohen, nuk përkufizohen. Rita Petro i jeton ato në anën zanafillore të qenies, në humnerën e pafund të mishit, i jeton me patos, me zjarr. Vargjet e saj godasin, djegin, shkundin, çjerrin, gjakosin. Është e pamundur të jesh vetëm një soditës i tyre dhe jo një pjesëmarrës aktiv.
Ajo që e bën këtë përzgjedhje me poezi tejet të veçantë është ligjërimi, zëri i heroit lirik, i përcaktuar qartazi femëror. Zëri bën me kumt çastet më të rëndësishme të jetës: ato erotike në një gjendje lirike, kllapie, onirike, pse jo, në një gjendje jermi apo të një orgazme të zgjatur dhe atemporale.
Autorja e këtij libri nuk bën asgjë tjetër, veçse të sjellë në plan të parë seksin, në një peizazh njerëzor pothuajse kozmik, ku lind erotizëm dhe dashuri. Të befason shprehja artistike e shpenguar, pa komplekse dhe pa drojë. Prandaj kjo poezi ka zgjuar kërshëri dhe debate të forta publike, pikërisht për seksualitetin e hapur dhe për aluzione për të. Gjatë gjithë historisë botërore, ndoshta qysh nga Kënga e Këngëve të Solomonit, një përmbledhje poezish për dashurinë profane dhe një nga veprat më të bukura erotike krijuar me anë të fjalës poetike për më shumë se dy mijë vjet, tërheqja e njerëzve për të diskutuar pareshtur pro dhe kundra nuk ka pushuar, kur është fjala për erotizmin, seksualitetin në letërsi. Në fakt, erotizmi është ritëm, është imagjinatë, ëndërr, fantazi, ritual, vegim, improvizim, është akt krijues, është temperaturë, është drithërimë. Të gjitha gratë dhe burrat kanë jetuar këto momente, por njerëzit ruhen nga eksteriorizimi i këtyre momenteve, duke e konsideruar si botën që nuk duhet të ketë qasje askush. Ky është racioni ynë i parajsës, por një poete, një grua, falë guximit të saj, i bën të zëshme, iu jep formë, i jep zë këtij momenti, i jep shpirt tekstit. Ajo që intrigon lexuesin është përvoja e kthimit të poetes në një realitet parak, kozmik, stërgjyshor, në atë gjendje që të çon tek erotizmi.
Poemat e shkruara nga poetja Rita Petro të kujtojnë vizionin e poetit Octavio Paz për Erosin, një zot me funksion të trefishtë: perëndia e seksit, erotizmit dhe dashurisë: “Erotizmi është seksualiteti i transfiguruar – është metaforë. Agjenti që vë në lëvizje qoftë veprimin erotik, qoftë aktin poetik është imagjinata. Ajo është forca që transformon seksin në ceremoni dhe rit, ndërsa gjuhën në ritëm dhe metaforë. Imazhi poetik është përqafimi i disa realiteteve të kundërta, ndërsa rima është ndërzimi i tingujve; poezia erotizon gjuhën dhe botën sepse është vetë ajo, përmes mënyrës së saj të veprimit – erotizmit.” (Octavio Paz)
Rita Petro jeton shenjtërinë si një gjendje të pastër natyrore të qenies, të pandryshueshme nga ndërlikimet e rendit metafizik dhe social. E vërteta e dashurisë mistike, aq e komplikuar në pamje të parë, ka lindur po nga kjo hipostazë primordiale, që do të thotë gjendja parajsore e qashtërsisë dhe e pafajësisë së njeriut parësor (Eva dhe Adami), që krijohet nga instinkti, duke luajtur në një gjendje të pastër. Kthimi i saj është një përpjekje për të kuptuar gjuhën e dashurisë, për të kuptuar metaforën e erotizmit dhe për t’i integruar në një të tërë. Vargjet vishen me një kuptim jo mendor, me ndjeshmëri – përmes dijes së ndjenjave.
Orgazma e lartë…
Mendimi im për Ty
Zoti im
Është orgazëm e lartë
Një gjendje e zgjatur që më përshkon e mpin gjymtyrët
Ndez fundbarkun mes kofshëve të mia
Dhe përshkon çdo qelizë
Çdo pore trupi hapet dhe thith ajrin tënd eksitues
Valët e tua magnetike që i dërgon
Nga larg tek unë.
Na ndajnë miliarda e miliarda kilometra hapësirash
Dhe unë e ndiej këtë forcë
Që më vërtit e më vërtit
Mua planetin tënd të mishtë
(…)
(Orgazma e lartë)
Ka një qasje mes misticizmit dhe erotizmit dhe një ndryshim që i dallon. Akti që kulmon përvojën erotike, orgazma, është shkëputja nga çdo gjë që është tokësore, shoqëruar me humbjen e gravitetit, me drejtpeshim apo mjegullim të vetëdijes, është prekja e një hapësire tjetër, që ndodhet përtej nesh, që na çon në një përqendrim fiks, po aq edhe në harresën e vetvetes; është një fluturim me krahë të padukshëm, humbje e peshës fizike. Poetja transmeton ndjesinë që shkakton tensioni i skajshëm, deri në braktisjen tërësore të qenies, një ngjitje-rënie, nga bota pa gravitet në botën e këtushme, nga koha në pa kohë. Përvoja mistike është e njëjtë: tension dhe relaksim, pohim dhe mohim, dalja nga vetja dhe rikthimi te vetja, në kuadrin e një natyre të pajtuar me veten. Është e pritshme që poetët mistikë dhe ata erotikë të përdorin një gjuhë të ngjashme: nuk ka shumë mënyra për të shprehur të pashprehshmen. (Octavio Paz)
Rita Petro, nga njëra poezi te tjetra ruan këtë gjendje, e përzgjat përjetimin e saj me vullnet, si në një ëndërr të tejzgjatur dhe nuk do të dalë prej saj, në një shkrirje totale me natyrën dhe kozmosin, dhënë përmes një ligjërimi poetik të artikuluar dhe formuluar në jerm poetik.
Rita Petro është një poete me poezinë e të cilës bie në dashuri me “leximin e parë”. Nëpërmjet forcës krijuese që ajo dëshmon, përmes shprehshmërisë dhe çiltërsisë së poezisë së saj, poetja na kaplon qysh në krye të herës. Temat e zgjedhura prej saj kanë aftësinë për të kapërcyer vetminë ekzistenciale përmes dashurisë, erotizmit dhe krijimtarisë artistike. Befasohemi me forcën e metaforave, me gjallërinë e vizionit dhe me elegancën dhe thjeshtësinë e gjuhës së saj.
Erotizmi, seksi i transfiguruar në “metaforë”, siç e quan Octavio Paz, seksualiteti, i cili, ndonjëherë, kap edhe përmasë sociale, janë ilustruar në mënyrë tërësisht autentike në këto poezi antologjike të Rita Petros. Lëçitja e këtyre poezive është, në fakt, një ftesë për të udhëtuar në brendinë tonë dhe në atë botë të errët që Rita Petro na ndihmon ta shohim më mirë.