More
    KreuLetërsiBibliotekë"Libri i artit", tregim nga Artur Spanjolli

    “Libri i artit”, tregim nga Artur Spanjolli

    “E din shtëpinë e piktorit Z.!” me pyeti prof Nikoleti. E pashë për një çast me vërejtje. “Po” i thashë unë por nuk isha i sigurtë. Atje sipër, tek shtëpia e piktorit Z. fantazia kishte shkuar shumë herë. Kishte diçka shumë tërheqëse atje sipër. Atëherë ai tërhoqi nga biblioteka e tij një libër të madh rus arti, (në atë kohë për artistët librat e artit ishin shumë të çmuar) dhe më tha: “Do të lutesha t’ia dërgoje pak në shtëpi!” Isha vetëm 15 vjeç atëherë. Dola jashtë nga studjoja e prof Nikoletit, i cili e kishte studjon ngjitur me prof Gavrilin. Që të dy mjeshtra të nderuar të artit të asaj kohe. I rashë bulevardit në drejtim të shkollës së atëhershme Nako Spiru. Frynte një erë aq e fortë atë fillim vjeshte sa gjethet e plepave shushurinin me zhurmë të llahtarshme, por nuk binte shi edhe qielli ishte pa re. Vazhdova drejt rrugës që të dërgonte drejt pallatit me tulla të bardha. Një udhëtim i gjatë por i këndëshëm. Kur arrita tek pallati, poshtë hyrjes përshëndeta Bikun i cili diskutonte me Ledin me zë të ulët. Dy djem të cilët i njihja, që verës në plazh. “Ku shkon ti?!” më pyeti Biku me një vështrim kërcënues. “Do dërgoj këtë porosinë!” i thashë dhe i tregova librin e artit. Iu ngjita shkallëve të cilat nga njëri krah kishin murin me tulla të hapura, nga ku futej drita me vrull dhe e mbajta frymën në kat të fundit. Aty heshtja më bëri pak të ndruhem. Pashë të shkruar emrin dhe i rashë derës. I rashë disa herë me një ndrojë të çuditshme, derisa e hapi derën një vajzë nja 13 vjeçe, me sytë e zinj sterrë dhe flokët e verdha mbi supe. Kishte një vështrim mes kuriozitetit dhe habisë. Buzeqeshi këndëshëm dhe më tha:”Kë kerkoni ju?!” Nuk e di, po diçka ndodhi, sepse me zor u gëlltita dhe gjunjët m’u prenë dhe ndjeva zemrën të më rrihte si kurrë më parë. I thashë emrin e piktorit që kërkoja. “Më duhet t’i jap këtë porosinë!” Pastaj i skuqur flakë filloi të më mekej goja nga emocioni, siç më ndodhte shpesh. “MMa kkka dhene ppprof Nikoleti!” Atëherë ajo buzeqeshi akoma. Ishte një buzëqeshje e cila kishte aq shumë dritë brenda, me faqet buçko dhe me balluket mbi ballë sa fillova të dridhesha krejt. E pashë të futej brenda në shtepi dhe pas pak, nën heshtjen e një muzike e cila nuk e kuptova nga vinte, si nëpër gjumë, pashë të vinte drejt meje një burrë i gjatë. Kishte një fizik të bëshëm dhe mustaqe. “Mirdita djalosh!” më tha. “Nga prof Nikoleti!” i thashë dhe i dhashë librin. Ishte viti 1985. Mbasi u përshëndeta fillova të zbres shkallët, por ndjehesha si në ëndërr. Nuk arrija ta perceptoja mirë rrugën. Dukej sikur diçka kishte ndodhur. Zbrisja shkallët një e nga një duke u mbajtur tek parmakët e shkallëve dhe krejtësisht i hutuar fillova të kujtoja si copëza drite atë që sapo kishte ndodhur. Ç kish ndodhur? Asgjë e veçantë. Veç i dhashë një libër arti një piktori të njohur në qytet. Si nëpër mjergull vazhdoja të zbrisja shkallët dhe ajo që kisha zbuluar, ajo që kisha parë, ajo që kisha ndjerë, nuk më shqitej më nga mendja. Kur dola jashtë, u gjënda në një botë  imagjinare. Gjëja e parë, e cila më habiti, ishte forca e dritës. Pallatet kishin një vezullim xhami të errët ku reflektoheshin grimca drite si yllësi të panjohura. Ajri ishte një substancë e lëngëzuar e cila sapo të lëvizje gishtin tregues me dorën e shtrirë në ajër, ajo lëvizte, tundej i tërë imazhi përpara syve. Si në një botë përralle. Por, aq sa e pavërtetë ishte, shembellente gjithashtu më e vërtetë se gjithçka njohim. Qielli kishte një ngjyrë kobalti dhe turkeze, dhe vezullonte gjithkund. Si një lëndë e shndritshme. Por nuk kishte diell. Dielli ishte zhdukur edhe pse gjithçka ishte e ndriçuar nga vetë lënda përbërëse në një gjëndje lumturie të paparë. Në çast m’u shfaq gjethnaja plot jeshile dhe të gjelbëra e një peme, e cila vezullonte me një bukuri të paparë. Dhe në këtë gjëndje mahnie pa fund, nga asgjëja filluan të krijoheshin spirale fluturake dritash. Ishin flutura pa fund. Me krahë të gjera, plot drita të shumëllojshme nga ku ngjyrat me gjeometri fantastike të lenin vërtet me gojë hapur. Shkonin drejt pafundesive të dritës si një lum i mrekullueshëm. I mahnitur krejt, ngrita kokën dhe kisha në shpirt një gjëndje drite. Një vezullim të tejshkuar nga mahnia më e madhe. “Ku jam këtu?” Pyesja veten. “ Dhe përgjigja nuk më vinte në vesh në formë materiale, por dukej, sikur buronte nga vetë kozmosi dhe si me magji futej gjithkund në qënjen time. Unë vetë isha  tashmë pjesë e kozmosit. Ndjehesha si i shkrirë me gjithçka.  Me rrugën, me pemët, me qiellin, me heshtjen e kristaltë. Gjithçka kishte mrekullinë e padiskutueshme të lumturisë, dhe thellë ndërgjegjes time e dija se kisha qenë gjithmonë aty. Përherë kisha qenë pjesë përbërëse e saj. “Jam aty! mendoja. Aty ku gjithmonë kam qenë.” Nuk kuptoja nëse gjendjet shpirterore përbënin universin, në atë çast, apo universi ishte i përbërë nga këto gjendje të lumtura shpirtërore. Një parfum i mrekullueshëm lulesh të padukshme, jasemin o manjola, nuk e kuptoja mirë, shpërhapej në ajër, dhe ndjeja atë kënaqësi verore sikur të isha në plazh. Ku gjithçka ishte plot diell, dritë, bukuri dhe paqje pushimesh, dhe ku jeta duket sikur nuk ka asnjë problem dhe stres, por gjithçka ishte shlodhëse. Një nga ato momentet kur në zemër, lind një emocion violet, plot nostalgji të ëmbël. Një nostalgji që veç të gudulis ndjenjat dhe nuk të mundon.  “Ku jam?!” mendoja përsëri. E dija se isha diku, por nuk e kisha menduar kurrë që gjendja e lumturisë të ishte kaq e thellë. Kaq fluturake dhe me dritë. “Po, e di ku jam” mendova në çast. “Ky është qytetin tim?” Por nuk shihja as mjerimin e atëhershëm, as dyqanet bosh të 1985, as fytyrat e përzhitura dhe të thara të kalimtarëve, as edhe heshtjen e madhe të mesditës. Por në të njëjtën kohë, provoja një gjëndje hareje. Një entusiazëm marramendës, sikur gjithçka të kishte një përbërje drite të përjetshme. “Ç’m’u desh që e mora përsipër këtë porosi!” Kisha një emocion të dyfishtë. Nga njëra anë më pëlqente të rrija aty, rob i asaj bukurie magjepsëse, por nga ana tjetër, nuk gjeja rrugën të kthehesha në shtëpi. Doja të kthehesha, por kujtesa e kishte humbur aftësinë racionale të të gjykuarit. Më në fund e gjeta rrugën e duhur dhe u ktheva.

    Kalova në këmbë shkollën fillore me plepat vjeshtorë. Kryqëzimin e atëhershëm pa trafik dhe me ajrin e pastër nga mushkeritë e pemëve të cilat filtronin gjithçka në natyrë dhe u ktheva tek studio e prof Nikoletit. I rashë xhamit të derës me çelsat e shtëpisë. Xhamat ishin të ngjyer me bojë të bardhë nga brenda, si në të gjithë studiot e piktorëve, për të mos u dalluar nga jashtë ç’bëhej brënda. Sapo dera u hap, pashë sytë e fortë me zgavrat kockore të prof Nikoletit. Një nga profesorat më ekzigjent të shkollës sonë. “ Ia dhe porosinë? “ më pyeti tek më ftonte brënda. Pohova me kokë. Brënda era e fortë e terpentinës dhe e ngjyrave të vajit kundërmonte hundët. Dëgjohej muzika e huaj, e cila vinte nga radio Iliria. Isha aq shumë i emocionuar sa nuk gjeja prehje. “ Ç’ishte ajo që më kishte ndodhur? Ishte e mundur pra, një botë e tillë hareje? Pastaj u ngrita. “Prof, më duhet të iki!” i thashë.  Më presin”. Ai më hapi derën dhe më përshëndeti me përzemërsi, siç dinte veç ai. Nuk i thashë asgjë edhe as nuk e pikasi turbullimin tim, besoj. Jashtë u ndjeva më mirë. Ajri i freskët, hija e vjeshtës, njerëzit të cilët rendnin gjithkund, as nuk i shihja fare. “Ç’ish ajo që kisha parë? Ëndërr apo zhgjëndërr?” Nuk dija ç përgjigje t’i jepja vetes. Por më kishte ndodhur. Isha më se i sigurtë për atë që pashë. Përkundrazi, besimi tek një lumturi e tillë është vetë arsyja e ecjes time këtu. Bota e përjetësisë?!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË