More
    KreuLetërsiBotime të rejaLazër Radi zbret n’Prishtinë!

    Lazër Radi zbret n’Prishtinë!

    Nga Agron Gashi

    Në edicionin e 21-të të Panairit të Librit në Prishtinë është promovuar publicistika dhe eseistika, me prozë autobiografike e dokumentare, si trilogji e jetës së Lazër Radit: Prizreni (“Mjegullnaja e nji kohe të largët), trilogjia e jetës – Shkodra (“Gjurmat t’nji ditari të djegun”), trilogjia e jetës – Roma (“Vorbulla t’jetës universitare”), “Një verë me Migjenin”, “Shqipnia e viteve tridhjetë” (kujtimet dhe shënime), “Ministri i hekurt, Mirash Ivanaj”.

    Lazër Radi, nji kosovar n’rrethin kulturor ma t’mirë të brezit të viteve ’30-të, nji model kulturor n’mesin e artikuluesve ma t’mdhaj dhe ma profesionistë t’shqiptarizmës, t’shkencës e t’letërsisë, t’eseistikës e t’publicistikës shqiptare, krah Branko Merxhanit, Vangjel Koçës, Tajar Zavalanit, tri figura t’publicistikës, t’historisë e t’koncepteve të neoshqiptarizmës për nji Shqipni të reformueme. T’najtën kohë krah sensibilitetit e majave letrare, si Koliqi e Migjeni, krah interpretimeve filozofike dhe edukimit arsimor të Arshi Pipës, mik e njohës i jetës dhe i veprës së Musine Kokalarit, për të cilët ka shkrue kujtime, portrete, po edhe shkrime kritike. Dhe jo vetëm kaq, për t’qenë her’ në skaj, e hër’ në qendër të tyre dhe të bashkëkohanikëve të tjerë, si: Karl Gurakuqi e Ismet Toto, Anton Logoreci e Stefan Shundi, Lazar Shantoja e Et’hem Haxhiademi etj. Pra, të gjithë i njihte prej afër dhe bashkëpunonte me ta, i kishte miq n’jetë e n’literaturë, n’arsimim e kulturë.

    Lazër Radi, herë ish qendra, herë periferia e këtij mendimi kulturor e politik, ish meditanti që thuri himne për Prizrenin e tij dhe tonin, por edhe militanti që njohu mirë guximin dhe burrninë e Qemal Stafës.

    Lazër Radi, nji kosovar i madh që u ba nyje e mendimit e kulturës në mes Veriut dhe Jugut, në mes të Kosovës dhe Shqipnisë, por ajme, të parën e pati n’zemër përjetësisht për t’dytën, e dyta u ba ngritja dhe ‘rania’ e tij.

    Lazër Radi, nji ideolog të cilit i mungoi aq shumë Kosova, Prizreni, së fundmi po i kthehet Itakës së tij me nji testament letrar e artistik, me shkrime publicistike e eseistike, me prozën autobiografike e dokumentare, si trilogjia e jetës – Prizreni (“Mjegullnaja e nji kohe të largët), trilogjia e jetës – Shkodra (“Gjurmat t’ni ditari të djegun”), Trilogjia e jetës – Roma (“ Vorbulla t’jetës universitare”), “Një verë me Migjenin” (kujtimet dhe shënime), “Ministri i hekurt, Mirash Ivanaj”, si dhe librin e përkthyer “Sekreti i Anglisë” i Leo Ferrero-s.

    Po i kthehet Itakës së tij, Kosovës, djali i saj i harruem për nji jetë të tanë, studenti kosovar i Romës, atje ku studioi Budi e Bogdani, nji kosovar që ishte i admiruem dhe gjeti përkrahje të madhe nga Musine Kokalari. Radi ish i përqëndruem dhe i doktoruem në filozofinë e së drejtës, e prej andej tuj e njohun edhe t’drejtën romake, deri te filozofia politike shqiptare.

    Rol dhe mision i dyfishtë ky, krijues dhe filozof, njashtu si bashkëkohanikët e tij, si Musineja, që bani në letërsi e në kulturën politike, në frymën socialdemokrate, ashtu siç bani mocaniku i tij, Arshi Pipa, me krijimtari, studime letrare e filozofike, deri te filozofia e moralit dhe e fesë, sipas Bergsonit.

    Mbi të gjitha, Radi ish në të njajtën udhë të t’menduemi me Koliqin, andrroi dhe admiroi Kosovën, kontribuoi për arsimin kosovar. Natyrshëm, për me qenë vetja, Lazër Radi i Prizrenit, Lazër Radi i Shkodrës.

    Lazër Radi, studenti e studiuesi nga Prizreni, që i takoi këtij rrethi mendimtarësh e që, po ashtu, si nji pjesë e tyne, në mos ma shumë, mësoi dhe pësoi nga diktatura. Mësoi se si duhet çá para me dije e kulturë; pësoi burgun, terrorin për nji jetë, si Musineja, Pipa; provoi heshtjen e madhe po si Koliqi, Shantoja, Toto, po edhe si Merxhani e Koça.

    Lazër Radi, vuajtjet e tij i bani apologji, apologji për të tjerët, për Petro Markon, Jusuf Vrionin dhe Andrea Varfin, me t’cilët ndau qelinë, bukën dhe vuajtjen. Më t’parin shestonte dashuninë për rezistencën, solidaritetin, heroizmin në luftë, mendimet për brezin e humbun.

    Me t’dytin për pjesën tjetër të letërsisë frankofone, për përkthimet, ndaj edhe përktheu fshehurazi vepra autorësh të ndryshëm, në mesin e tyne ato të poetit malazias, Jevrem Bërkoviq: “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina”, por edhe veprën e ushtarakut malazez, Mark Milanit: “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve”, e deri te vepra e Platonit.  Lazër Radi, sot po i kthehet Kosovës, Prishtinës, Prizrenit, pas nji shekulli në kërkim të fëmijënisë së humbun. Jo rastësisht tha: “Kosova leu intelektualët që i duheshin, Shqipnia i shkatërroi ata që i kish.”

    Ky asht’ kthimi i vonë, po i fuqishëm, i intelektualit-filozof, shkrimtarit, disidentit që kurrë nuk u thye.

    Lazër Radin pak e njohëm n’jetë, por rinjohja po ndodh nëpërmjet literature. E, rinjohja pas dekës nëpërmjet literature, thonë se asht’ pakti ma i fortë i autorit me lëçitësin e tij, të cilit Lazër Radi, i la vepra t’kullueta dhe artistikisht të realizueme, gjithë kohën tuj marrë parasysh kohën kur ai nisi me shkru e me botu.

    Sot, gjysma e veprës së Lazër Radit, (gjysma tjetër në dorëshkrim), merr trajtën e nji testamenti, që hyn në dialog të gjithëhershëm me të tjerët, tuj mbetun shenjë jete, shenjë pasioni, shenjë përkushtimi e përvujtnie.

    N’tanësi, vepra e Lazër Radit asht’ shpirti i tij i gjallë i mbetun n’jetë, asht’ zani i tij prej poeti e prozatori, eseisti e filozofi, përkthyesi e studiuesi, asht’ zani i thellë i medituesit të madh.

    Në fund, po citoj një fragment interviste, të dhanë më 1992: “Kosova, Prizreni është ëndrra ime më e madhe, dëshira ime më e flaktë. Zoti deri tani m’i ka plotësuar të gjitha dëshirat. Duket se do të ma realizojë ëndrrën time të madhe, të shoh edhe një herë Prizrenin tim. Ditën e kthimit në vendlindje e përfytyroj si kthimin e Uliksit në Itakë. Me një ndryshim, a pas shumë peripecish dhe aventurash udhtimore, në fund, pas njëzet vjetësh, mundi t’i hedhë çengelat në Itakë. Po, unë po m’u dha mundësia e bëj pas 62 e vjetësh, prandaj dhe malli dhe dëshira janë dyfish më të mëdha.”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË