More
    KreuLetërsiBibliotekë"Kufijtë e rruzullit", poezi nga Demir Gjergji

    “Kufijtë e rruzullit”, poezi nga Demir Gjergji

    Hija:
    U lodha, imzot,
    Më tej s’të ndjek dot!

    UNAZA

    Në shend, në sherr e në vaj,
    Sa udhë, sa net e sa vjet…
    U grisën qëndismat në pajë,
    Mjegull e vellos u tret.

    Pas ikjes së shpirtit prej mishit,
    Nga gjithë ç’ishin e ç’kishin,
    Si kryqi mbi shpinën e Krishtit,
    Ndrit ar i unazës rreth gishtit.

    LIRIA

    Zinxhirësh i zgjidhur,
    La muret e murrmë të qelisë,
    Muzgut, nën yj e mbi yj u nis…
    E prisnin krahë të kaltër dashurish,
    Sërish për ta lidhur.

    BISEDË ME SYZE TË ERRËTA

    -Hyrje për dramë-

    Kaceku i mushkërive frymon në farkë të fjalëve,
    Pejëzat e luajnë zërin në të shtatë notat
    Dhe veshët u bien daulleve për vete…
    Biseda kokolepset lesh-e-greth-e-nyje-nyje,

    Sytë nën syze, lart në yje,
    Për qejf të tyre…

    Ai-……..
    Ajo- ……

    PAS ZJARRIT

    Pylli i madh.
    Nën bore e hi…!
    Savan i bardhë,
    Mbi shkrumb të zi!

    QIELLI I QYETIT

    -Vizatim në pandemi-

    Qyteti i qetë nën qelq të qiellit,
    Merr frymë e çmallet me yje.
    Çliruar nga çmendjet, motorët, njerëzit,
    Sheh ëndrra me zota mbi krye.

    MEA CULPA

    Falmë, o nusepashkë, që të lashë jashtë,
    Mallkim mos më nis, ti lule narcis,
    Mos më bëj fajtor, o vjollcë vajtojcë,
    Që çele në borë, bonjake e gjorë,
    Ndjesë, udhë e gjatë, shkretuar ndajnatë,
    Mos më merr inat, që je fillikat,
    Tani që nuk jam,
    Si atëherë, kur s’isha…
    As Evë, as Adam.

    Ndjesë! Ndjesë! Ndjesë!
    Ikjen time në gjenezë,
    Shenjojeni festë!

    KTHIMI NË ISHULL

    -Merret gegnisht-

    Po na vjen nji barkë me rema…
    Krushq a gjamatarë ka mrena?
    S’po jan’ krushq, as gjamatarë,
    Qenkam un’, nji jetë ma parë!

    KANTIK +

    E ka dhe pak ndriçim kjo ditë,
    Sa për të lexuar Biblën.
    Një fjollë mall nga largësitë,
    Na zgjon kureshtjen për enigmën.

    Aq prush e mban në hi kjo vatër,
    Sa zjarrin të na sjellë ndërmend…
    Pa trup në qiell u ngrit një flatër,
    Mbi frymën tonë të hershme rend.

    Prej ikjes tënde atë mbrëmje,
    E fsheh një gjurmë gërmadhë e vjeshtës,
    Nga hënë e ngrënë e asaj ëndrre,
    E ka një rreze majë e heshtës.

    Ndaj ky ndriçim më shemb në gjunjë,
    Si murg të moçëm shpuar heshte.
    Nga “Këngë e këngëve” ajo gjurmë,
    Merr udhën prapë tek unë në heshtje.

    E ka dhe pak ndriçim kjo ditë,
    Sa për të të parë ty në shpirt.

    DASHURIA

    Deshën, duan e do të duan të gjithë;
    Të metë e të mençëm, të mirë e të ligj.
    Gjithnjë dashuria ka strehë e hapësirë,
    Për skllevër e mbretër, për miq e armiq.

    MOS IK, O MUZG!

    U duke në mug të muzgut,
    Ende siç ishe: e bukur,
    E lumtur, në shpirt e parrudhur,
    Siç mund të jetë një flutur,
    Në fund të flakës e futur.

    …Mos humb, o mug i muzgut!

    ORKESTËR NË “FÜR ELIZA”

    Fërgëllimë çeliku në fijëza,
    Rrëqethje e dikurshme lëkure,
    Drithërimë në pejëza e pipëza,
    Ndër shenja të heshtura partiture.

    Nga zjarret në qiell, rrufetë, stuhitë,
    Resh dritë e shi i butë në mesditë…

    Mungesa ngryset në shpirt me muzikë.

    SAGË E VOGËL

    E ç’je ti, o mik,
    Që vjen të mundësh malin?!
    Gjej një dashuri! Dashuro dhe ik!
    Mbushi mushkëritë me ajrin që të falin.

    E ç’je ti, o mik,
    Që rron mbi perënditë?!
    Shkrep në shpirt një xixë, ndiz një zjarr në ngricë,
    Që, pas shuarjes tënde, një grusht prush të ndritë!

    GJUETI PEIZAZHESH

    -Elegji-

    Nga kalendarët dimri u zhduk,
    Pa lënë gjurmë e urnë kund.
    Janarin e urtë dhe shkurtin e butë,
    S’i lanë ta çonin inatin në fund.

    Ndër kalendarë marsi po zbret,
    Po kush ta dëshmojë e kush do ta presë?
    Drurët pa shpendë, lulet pa bletë,
    Lumi në shtrat të lëngatës po vdes.

    DIMRI I POETIT

    “Ç’u zbardhë malet, ç’u zbardhë”*,
    Valle yjesh ngrirë në gjol.
    Shfaqen shpezë e shkojnë radhë,
    Varkë e vjetër fle në mol.

    … Ajo erdhi prej së largu,
    Dhe sërish u nis për larg.
    Jazi rrjedh e lë te pragu,
    Kur një rimë e kur një varg.

    Fat i ngratë në lëngatë,
    Pleqërisht përmbys mbi fron.
    Fund i fundeve si natë,
    Ndrin mbi majë e nxin në hon.

    Në bujtinë, te kthina iks…,
    Kotelja në kurth të gjumit,
    Dremit si një minisfinks,
    Në radhë me trofetë e fundit.


    *) E Lazgushit

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË