More
    KreuLetërsiBibliotekë“Kosova, lumbardhë hirplote”, poezi nga Ndue Dedaj

    “Kosova, lumbardhë hirplote”, poezi nga Ndue Dedaj

    TOKAT E LIRUEME

    Tokat e Lirueme
    S’qenë kurrë të lira,
    Vetëm atëherë…
    Në Luftën e Dytë.


    LUMBARDHË

    Drini i Bardhë rrjedh nëpër Drilonin antik
    Nën ura guri me harqe, ndër vorbulla resh,
    Lojë mirazhesh e shkabash mbi Pashtrik.

    Peja lumbardhë – vashat i lënë djemtë pa fjalë,
    Prizreni i gurrave – Sharri pikon musht dëbore
    Qeleshja e odave rrëzohet mbi valle.

    Kosova, lumbardhë hirplote.


    TREPÇA

    Miniera lëviz brenda meje
    si një qenie e gjallë,
    nuk është ari, zinku, platini
    jam unë minerali i saj…


    GJAKOVË

    Një kafe rinjohje me Martin poetin,
    Gjakova dëgjon fjalët tona treqindvjeçe:
    Psalme të trojeve, antropologji e rrënjëve…

    S’jemi Muaj e Halili krojeve e çetinave
    Zanat s’na ngrijnë e s’na shkrijnë.
    Kuajt tanë rendin kah çinari ilir.

    Kishim një shekull pa u ndie e pa,
    Do të shiheshim patjetër një ditë
    A je, si je, i hirshmi vëlla?


    MILLOSH KOPILIQ KRYEPREMI

    Ia mora pushkën e gjatë nga dora
    Boll me këtë “teshën” e çmendur krahaqafë.
    Bëj paqe me veten… Për tën’Zonë!

    Tash je pa krye e s’të ka më kuptim lufta,
    S’ban me qenë prap’ dashnor i pushkës!
    Por Kryepremi s’bësonte në mua…


    HERO I GJALLË

    U rrita me namin e heronjve të vdekur
    Sa u bëra vetë një ditë hero i gjallë…

    Burri vdes prej pushkës, vdekja për Atmé asht nder!
    Kishte shkrue stërgjyshi në portën e kullës me daltë.
    Por… ah, dhe një dorë kryqesh gdhendur në derë,
    Gjaqesh që na kishin falë, gjaqesh që kishim falë!…

    Pata rënë në luftën e Krimésë me princ Bib Dodën,
    Rapsodët thonë nga gjaku im Danubi qe skuq,
    Zogjtë kishin nxituar të bëheshin fjalëtorë të zisë,
    Po askush nuk ma kishte gjetur varrin në muzg.

    Hero mbeta në Vraninë, në Vlorë rashë dëshmor
    Vdekja ime nuk ishte si çdo vdekje, ishte tjetërsoj.
    Vdekje si me le!? Mblidheshin te kryet orë e zana
    Kurrë s’e kuptova – qanin a këndonin?

    U rrita me kultin e heronjve të vdekur
    Sa u bëra vetë një ditë hero i gjallë…


    PËRROI I THATË

    U tha prej lotëve të gjyshës sime
    kur mbuloi nën dhé fëmijën e nëntë
    të barkut të saj.


    DEÇAN

    Sy kosovarë që dikur ishin ne…
    Shohin nga udha, jo për piedestal!

    Duart me lule, ku t’i vëmë?!…
    Qielli mbi krye lot i vrarë…

    Europa si pikëpyetje atje tej
    Shekulli njëzet memec.


    ZHURI

    E zhuritur n’et
    rrezja e hanës e thanë
    pika e vesës e mban gjallë,
    toka e t’Et.


    URA MBI GJARPËN

    Ura mbi Gjarpën
    Nën një bjeshkë, mbi një verrì.

    Shkoj atje mbetëm pa mend:
    As urë, as gjarpën!

    Veç hija e shekullit kutullaç
    Si bolla nën gurë.

    Ura mbi Gjarpën ishe ti…


    METAMORFOZË

    Burrat e shtetit kanë vdekun tash pesëqind vjet
    Pasardhësit e tyne luajnë sheshit tallava,
    Gjithë natën shohin andrra me Skanderbeg
    E në mëngjes zgjohen Hamza!…


    FILLIM BALADE

    Si t’i ç’nguros gjuhët e ngrira të rruzullit?
    Kronikat e Euro Njuzit, valixhet diplomatike,
    Pretencat e Hagës, si t’i ç’nguros?

    Vajtojcat e Kosovës hepuar mbi murana,
    Si t’i ngre?

    Në përshpirtje të foshnjës njomëzake
    Që nga gjiri i s’amës e ndanë
    Pa filluar ende që qante…


    RRËZIMI I TOKËS

    U rrëzova në lisnajë
    Rashë sa gjatë – gjanë,
    Toka m’u rrotullua…

    Nuk isha rrëzuar unë,
    Ishte rrëzuar toka
    E kishte rënë mbi mua…


    KITARA

    E dëgjoni?
    Po bie… Sa bukur po bie.
    Atje në tokën e largët,
    Atje në tokën e lagët
    Po bie!

    Këndej, nëpër rrugët e Prishtinës
    Këndej, nëpër brigjet e Drinit
    Po bie!

    Pezull ka mbetur malli
    Pezull ka mbetur ideali…

    E dëgjoni?
    Po bie…
    Sa dhimbshëm po bie
    Kitara e Jusuf Gërvallës,
    Me gishtat e mi
    E t’Ali Podrimjes po bie,
    Nëpër këngët e djepit
    E lisat e gjakut,
    Kullat e vërrinit
    E kullat e Anton Pashkut.

    Muzgjeve që varen si hej
    Mbi vargmale
    Po bie.


    IDENTITET

    Mos më pyesni sa është ora,
    Ora ime nuk e bën ciklin e diellit,
    Harrohet në ca kohë të pamatshme
    Që u dëgjoj vetëm tingujt…


    TEUTA

    I avitëm me një unazë argjendi në dorë
    Gati t’i bie në gjunjë, të lidh me të kurorë…
    Po sovranja s’ka kohë për mëtues të rinj,
    Valse, ndezullime shpirti, gota me verë,
    Hedh përkrenaren mbi krye si amazonë
    I zmbraps romakët deri te Koloseu.

    Për mbretëreshën time bie dëshmor!

    Ditën që rashë në betejë fytyrëpërgjakur
    Mbretëresha ma mbante kryet në prehrin e saj
    Si të një foshnje të sapo-ri-lindur…
    Flatron shekujve kaluar mbi epoka –
    Qeverisi si gjithë mbretërit me skepter,
    Jo me zemër.

    Atëbotë miti i Ajkunës u zhbë.


    SHQIPONJA

    Asgja nuk duhet me ba shqiponjën
    As gjilpana e Marigosë ngulur n’flamur
    As mermer i kuq nga rrezet latuar
    As mëndafsh i butë qendisur me ar,
    As shkronjat shqip në t’bukrin Evetar,
    As kupa mistike e gralit të shenjtë
    As ditë me diell, as natë me hënë
    As firmë e vulë mbi pasaporta
    Mjafton thurja e dy duarve tona!…


    SHQIP FRYMONTE ERA

    Bubrrova në dheun e trandur nga gjamët
    Duart m’u banë gjak prej murrizave të historisë.
    Gurët zunë të flisnin shqip…

    Udhës kah Presheva – shqip frymonte era.
    Këndova si të moçmit e mi majëkrahu:
    Guri i Shpue, me shtatë zemra…

    Nish 2016


    KULLA E HAXHI ZEKËS

    Shkova e bujta në kullën e Haxhi Zekës,
    Sa të shkruaja emrin në Lidhjen e Pejës,
    Isha bashkë me tim gjysh, me tim atë.
    Haxhi Zeka në odë priste e përcillte kohën,
    Koha e tij e barutit vraga-vraga…
    Koha e korbave të zinj krrau-krrau…
    Kurrë njëherë koha nuk erdhi si ai e deshi
    Me re bukurushe mbi kreshtat pingule.
    Kulla e tij e përgjakur ishte plakur!
    Ishte plakur im gjysh te porta e saj,
    Im atë duke u muruar në atë mur,
    Po plakesha dhe unë duke e mbajtur
    Në pëllëmbë si ikonë kullën-flamur.


    ADRESË

    Një pikë e rruzullit pa tabela si në metropole
    Adriatiku përpara, mbrapa Pashtriku…
    Këtu m’i nisni letrat që më vijnë nga larg
    Si Formula Pagëzimi me shkrim dore.

    Mbi pullën e postës, zarfin e thjeshtë
    Në mos qoftë pikturuar Padova a Vjena,
    Si murgj të ngrirë krye për krye
    Mistikët e mi: Gurët Rresht.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË