More
    KreuLetërsiBibliotekë"Kafe 'Adulter' (The Spy)", tregim nga Ylli Pango

    “Kafe ‘Adulter’ (The Spy)”, tregim nga Ylli Pango

    Moderatori i njohur Bit Mjalta, ay i TV të Madh Kombetar-TMK, rrasi më thellë kasketën për të mos u njohur nga fansat e panumert. Eshtë bezdi tek ecën me të shpejtë, jogging rrotull e rrotull liqenit, të rrish e të përshëndesësh një e dy admiruesit, tu kthesh buzëqeshjet, ndonjë batutë pak më të njohurve…”Ohuuu”

    E rrasi kasketën vërtet, por jo aq shpejt sa për të mos e kapur në atë moment fluturak, syri vigjilent i spiunit të lashtë P. Prasi…Kryente edhe ai në sens të kundërt xhiron e freskët të mëngjesit krah për krah së shoqes, G. Grenxa….

    …Por ja tek vinte kundruall nja 100 m më pas, edhe moderatorja aq e dashur për publikun e ngeshëm, Bi Bleta e Televizionit Gjigand Kombëtar-TGJK…Kish vënë syze të mëdha, kasketë lepurushi rrasur thellë dhe xhogonte edhe ajo me shpresën se nuk do njihej nga fanset pa numër. Duhet thënë se nuk pati aq “fat”. E njohën nja dy goca,( e kujt do ja hidhte ajo. Ato mbanin vetë nga ato syzet e mëdha e kasketë të butë lepurushi). E ndaluan, i kërkuan selfie së bashku…u a plotësoi dëshirën shpejt…, rrasi më thellë kasketën e rendi të kapte kohën e humbur…

    ..Por nuk mendoi kështu për kohën e saj “të humbur” spiuni i hershëm P. Prasi, tashmë analist e kritik i njohur në disa media offff e online…” Pa shih, pa shih” mendoi,” mos ka lënë takim me moderatorin Mjalta që xhogonte pak para saj…kjo Bi Bleta punëtore e Televizionit Gjigand Kombëtar?”

    Edhe titulli i asaj çka do shkruante ju shkrua vetëtimthi në krye:” Kasketat e fshehta (buta) të moderatorëve”…Ecën edhe ca me gruan dhe pastaj Prasi nuk mundi të përmbante më instinktet…

    “Vazhdo ti” po i thotë Grenxës, ik e më prit te kafja…ose pije vetë se më doli diçka…” dhe u kthye e ja mbathi në krah të kundërt duke e lënë Grenxën pilaf..

    “ Ku shkon idiot…” i zukati e xhindosur nga pas, gruaja idhnake…”si do e pi kafen vetëm…pastaj e kemi lënë me orar të shkojmë edhe te ai mjeku, të më vizitojë  pak thumbin, …”( cilin thumb syresh, renditi ndër mend nja katër ai…).

    …Por sakaq e harroi gruan xanxare e gëzueshëm fluturoi. Në vrap e sipër tek i frushullonin gjethet e vjeshtës ndër këmbë e në veshë…sikur iu rikthye tërë jeta e shkuar, e bukur para syve…kujtoi vitet e vegjëlisë kur vinte e përgjonte çiftet që bënin dashni nga liqeni, rininë kur mori pagesën e parë për një spiunllëk të vogël…Pastaj atë burrin që e kish ndjekur nga liqeni me të dashurën e që edhe tek rënkonin e bënin dashuri, lëshonin parulla kundër partisë. I spiunoi dyfish: agjitacion e propagandë dhe adulter, e e kallën në burg atë burrin e atë gruan , që në hetuesi kallxuan njeri tjetrin, e menduan spiunë shoshoqin…pa e marrë vesh nga u pat ardhur si fillim…

    …Spiuni i regjur P. Prasi ngadalësoi hapat dhe mbeti në vend me sy të çakarritur: Ç’po shihte…!!

    …Mu tek ajo kafja platformë që sheh mbi liqen e ka poshtë një fushë tenisi, përjetësisht të pa inauguruar, ja mu në mes të asaj tarrace verore, quajtur ndryshe edhe Kafe “Adulter”, na ishin ulur e po pinin kafe, moderatori Bit Mjaltia, moderatorja Bi Bleta dhe…o sy të regjur përgjimesh prej vitesh…kjo ishte e pabesueshme…të ishte ajo…po, po, Matka, vetë Matka, gruaja e rreptë me biografi qelibar aso kohe, bashkëshortja e moderatorit fatlum Bit Mjalta…

    …Ja me atë rast, edhe monologu-dual, i sëkëlldisur, i P. Prasit:

    “Të kishin lënë takim që më parë, këta të tre për kafe? Jo ore…po ç’lidhje kanë…gruaja e Mjaltës me Bletën…pastaj pse nuk ishte që në fillim me gruan Mjalti? Po ato kasketat e rrasura, vërtet për fansat ishin? Pastaj ca si shumë seriozë duken…të tre…as gaz e as gallatë si mes moderatorësh…duhet t’i ketë kapur në flagrancë gruaja e Mjaltit… sapo janë ulur…dhe tani po flasin qetë gjoja…për të mos bërë ndonjë skandal…se të tërë i njohin…he he…po kujt ja hedhin se…mua…hidhjani ndonjë tjetri ato…apo ka ndonjë miqësi familjare…jo ore jo… nuk ma hedhin dot…”

    …gjithsesi nuk e botoj dot pa ndonjë foto Bi Bleta- Bit Mjalta, në flagrancë…qoftë edhe një krah qafe…U pa puna…rikthim në fëmini…ndofta do më duhet të dal ca herë andej nga Gjiri i Kurvave…andej nga strehoeshin dashnorët dikur…sot e mot…nuk kanë ku përplasen tjetër këta…nëpër hotel kush nuk i njeh”…

    …Analisti P.Prasi i telefonon së fundmi gruas-insekt: ”Hej Grenxe, te Kafe Llumi je? Prit se erdha”

    “Ik more qelbësirë” zukat egër nga ana tjetër e liqenit Grenxa. “Pije me atë kurvën… helm t’u bëhet…Me kë u takove plehrë…Mua do ma hedhësh ti? “…

    …Gjithmonë e pat akuzuar për tradhëti të shoqin. Dhe nuk arriti kurre t’ja njohë as me emër e as me fytyrë…dashnoren, dashurinë e tij të vërtetë. Atë pasion, extra-femër, “femër” mbi femër, që atij nuk ju shterr shpirtit, që fëmijë, në ato kohra të bukura kur ajo lulëzonte e në këto kohra…kinse të reja…e me gjasë si dhe ai… lodhun, fyshkun a dalë jashtë mode edhe “ajo”…asssesi…gjithmonë e freskët, e re, intriguese për të…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË