Libri i parë që kam lexuar
Ka shumë gjasa të jetë një nga librat e serisë së librave Nodi të Enid Blyton-it. Besoja me të vërtetë realitetin e Toilendit dhe doja të ngisja një makinë si ajo e Nodit (edhe pse ishte taksi).
Libri im i parapëlqyer ndërsa rritesha
Makina Spid Siks e Bruce Carter-it, e një kompanie prodhimi makinash të paraluftës, e lyer me ngjyrë të gjelbër garash britanike, e cila ua kalon shumë makinave të huaja të pasluftës të markës Maserati e kështu me radhë, ideale një anglez të vogël.
Libri që më ndryshoi kur isha adoleshent
Isha veshur me uniformën e ushtrisë për një ditë stërvitjeje në terren si pjesë e Forcave të Kombinuara të Kadetëve dhe në kohën e drekës nxora nga pakoja e librave botimin e shtëpisë botuese “Pinguin” të “Krim dhe ndëshkim” të Dostojevskit. Pavarësisht largësisë së kohës dhe vendit, gjuhës dhe mjedisit shoqëror, e dija se ngjante shumë më tepër me atë që ishte jeta sesa skenat që ndodhnin rreth meje.
Shkrimtari që më ndryshoi mendjen
Shekspiri, Floberi dhe hartuesit e Fjalorit anglisht të Oksfordit.
Libri që më ngjalli dëshirën të bëhesha shkrimtar
Sigurisht që nuk kishte asnjë libër të vetëm dhe kurrë nuk mendova se mund të “bëhesha shkrimtar” – vetëbesimin e kisha shumë të dobët për këtë. Shpresoja të shkruaja një libër të vetëm dhe ta botoja. Më pas, gjërat dolën pak jashtë kontrolli. Pa dyshim tani jam shkrimtar.
Libri apo autori të cilit i jam kthyer
EM Forster. Kur e lexova për herë të parë, në adoleshencën time dhe në të 20-at, mendova se ishte i denjë, por deri diku i dobët. Dyzet vjet më vonë, lexova përshkrimin e tij për një vakt mëngjesi të kobshëm anglez të servirur në trenin që shkonte drejt një porti herët në mëngjes nga Harwich dhe kuptova se ai mund të ishte ka shumë argëtues. Pastaj i provova përsëri romanet dhe kuptova se çfarë mjeshtëri ishte ai – thellësisht serioz, jashtëzakonisht liberal, zbavitës pa e kuptuar.
Libri që kam rilexuar
Përafërsisht në intervale prej pesë vjetësh, rilexoj Ushtari i mirë i Ford Madox Ford-it, Një hero i kohës sonë të Mikhail Lermontov-it dhe Fillimi i pranverës të Penelope Fitzgerald-it. Secili ka misterin dhe magjinë e vet, të cilën ende kërkoj ta gjej.
Libri që s’kam mundur ta lexoj më
Katër romanet “Aleksandria” të Lawrence Durrell-it, i cili 50 vjet më parë dukej i lezetshëm dhe joshës, plot me njerëz dhe vepra të cilat nuk i njohja për shkak të mungesës së përvojës dhe kisha frikë se nuk do t’i njihja kurrë. Tani më duket thjesht ekstravagant dhe provokues.
Libri që zbulova më vonë në jetë
Jane Eyre, padyshim një nga tre romanet më të mëdhenj të shekullit të 19-të, së bashku me Bindja dhe Middlemarch.
Librat që jam duke lexuar ndërkohë
Memuarin e dhumbshëm të David Storey-t, Ngazëllim therës dhe Dëshmitarët e fundit të Svetlana Alexievich.
Leximet për qejf
Vështirë të quhen lexime për qejf, sepse pikëpamja e autorit për jetën dhe motivimin njerëzor është shumë pesimist, por unë e kam gjithmonë pranë vetes një nga qindra romanet e George Simenon-it. Lexoj romanet e tij dhe historitë e dekektitvit Maigrets. Dhe ka kaq shumë, nuk mbarojnë kurrë!
Përktheu: Granit Zela