More
    KreuLetërsiShënime mbi libraI natyrshmi dhe i natyralizuari

    I natyrshmi dhe i natyralizuari

    Fatbardh Amursi (Rustemi)

    Teksa bëja fërc-fërc me pultin, edhe si një shkarkim nervash ky huq, në një stacion grek, mu shfaq Gazmend Kapllani, i ftuar në një debat televiziv. Ndala kërkimin, por jo kërshërinë. Përpiqesha të merrja me mend se çfarë thuhej dhe e ndoqa emisionin deri në fund, pavarësisht mosnjohjes së gjuhës. Më kapi vetvetiu një si ndjenjë detyre, si e si të mos e lija vetëm bashkëqytetarin tim. Mos po i ngjaja personazhit të tij provincial, Frederikut, e patë çunin e lagjes tek greku mbrëmë opo orator i mbaruar, dhe ai: mos po më dukej si personazhi tjetër i tij, Karli kozmopolit, indiferent ndaj impenjimit të të vetëve? Frederiku dhe Karli janë vëllezër, por pa vëllazëri. Në mos përligjin shprehjen: “Vëllai është “armiku”, që ta bën nëna.” Frederiku, mjek në morgun e qytetit, i qendron linjës së babait, mësues marksizmi ky, i cili nuk e tradhëton vendlindjen, ndërsa Karli, poliglot, i linjës së nënës, mësuese gjeografie kjo: i cili vuan nga sëmundja e ikjes. Si të quheshin ndryshe: njeri “bërthamë e atomit” dhe tjetri “elektron i lirë”. Karli dhe nëna e vetvrarë ishte kundër regjimit, ndërsa Frederiku me babanë e mbronin atë. (Një situatë groteske, po ta mendosh që Marksi të mos e honepste Engëlsin?!) Frederiku: i tabanit, mëmëdhetar i afishuar, ndërsa Karli, ku rafsha mos u vrafsha, me një atdhetarizëm në zbehje. Gjithsesi, një kozmopolit i lindur me dilema tribale, duke më kujtuar një poliglot tjetër, Eqerem bej Vlorën, ikanak edhe ky, i cili shkruan në kujtimet e veta: “Kushuriri im qeshte dhe bënte shaka me mua duke më thënë se habitej gjithmonë se sa shumë shpirt primitiv shqiptar ruaja unë nën lëkurë aq të kultivuar evropiane.” Kozmopoliti Karli boton në blogun personal një histori anonime të masakrimit të çamëve nga Napoleon Zerva. Kërcënohet me vrasje, linçime në parlament, thirrje nga neofashistët për dëbim të shqiptarëve. E lë Greqinë i përzënë, sepse kishte cënuar “tabutë kombëtare”. Në këtë rast, ai shfaqet më patriot nga i vëllai provincial. Në dy shembujt e dhënë, provo të gjesh se cili është i natyrshmi dhe cili i natyralizuari?

    Më ndodh shpesh të përshëndetem me babanë e Gazmendit, Zaken, i cili u tregua i gatshëm të më sillte dy romanet e të birit, për t`i lexuar, ngaqë kopjet e para në librari ishin shitur. Përherë uroj, që librat të më pëlqejnë, sepse, vetëm kështu: mund të lavdërosh pa gënjyer, sikurse e thotë Salman Ruzhdie. Zakoni i të lavdëruarit duke gënjyer, kush me furçë e kush me pompë, qoftë dhe lajka facebook-u, e ka mbushur tempullin e letërsisë me statuja prej dylli, ku ndotja e atmosferës letrare prej hipokrizisë është përtej normave të lejuara. “Karli e shpërdoron mënçurinë e tij në iluzione”-thoshte babai i Karlit, i cili u predikoi fëmijëve idealet e Marksit dhe të Engëlsit.

    Meqë ishin dy romane, respektova moshën e librave: në fillim “Ditar i shkurtër kufijsh” dhe më pas “I keqi i vetes”. Mosha e librave ecën në të kundërtën e autorëve. Libri më i ri përkon me moshën më të rritur. Tek mediokrit ky proces nuk funksionon, ngaqë nuk regjistrohet rritja. Shkurret sado që të shtohen, nuk u ndrit fati i pemës. Për shkak të ngjashmërisë tematike dhe të rrëfimtarit, nga libri i parë tek i dyti: kemi të njëjtën lëndë, por jo të njëjtin produkt. “Librat e mi nuk janë autobiografikë, por pa dyshim kanë të bëjnë me disa nga fantazmat apo obsesionet, apo pyetjet torturuese që unë strehoj brenda vetes sime.”-shprehet autori në një promovim, duke na paraprirë, që, dëshmimtari i ngjarjeve nuk duhet identifikuar, si protagonist i unit të autorit. Por, a duhet ta marrim të mirëqenë, kur personazhi i tij kryesor është i gjithi, sikurse ai pohon për veten  e tij: “Unë nuk jam shumë patriot, në kuptimin ballkanik të fjalës. Mendoj se jam më shumë ballkanas apo kozmopolit.” I tillë është dhe personazhi i tij, Karli, që vuan nga sidroma e kufijve. Por, pyetjet torturuese, që strehohen brenda autorit, a marrin përgjigje? Hygoi thotë se miti i Sizifit: nuk është gjë tjetër veçse grindja e njeriut me veten. Nuk pashë që personazhet e tij të kenë dilema brenda vetes, secili është i qartë në çka përfaqëson, por “pyetjet torturuese mbeten” më së shumti tek lexuesi se sa tek autori. Kombi, shoqëria, familja kanë më shumë dilema nga individi i quajtur Karli, i cili, sa më shumë kufijë kapërcen, aq më shumë mbyllet në vetvete, i çliruar nga detyrimet ndaj familjes, shoqërisë dhe kombit. Gjithsesi, Karli nuk bie në nivelin “O Mete për vete”, pavarësisht se bën shumëçka për t`u ngritur nga hiçi. Ndoshta këtu është e gjithë dilema e tij: të bëhet njësh duke zerosur të shkuarën, e cila depërton tek ai me fuqinë e zakonit. Kufijtë e shteteve kapërcehen lehtësisht, ndërsa kufizimet brenda vetes, duket sikur e rrisin lartësinë e mureve, qoftë dhe midis dy vëllezërve. E panjohura ka uri për të gëlltitur sfidantin e radhës, i cili arrin të kthehet në një aset. Por për kë? I vëllai, Frederiku, mjek në morgun e qytetit, ka një merak: mos i vëllai vret vetën, sikurse kishte ndodhur me nënë e tyre.

    Karlit dhe Frederiku, nuk u bënë marksist, sikurse qe përpjekur i jati i tyre, profesor i marksizmit. Emrat e klasikëve për ta: kanë vlerën e një tatuazhi, sikurse portreti i Mao Ce Donit i vizatuar në krahun e boksierit amerikan, Mike Tyson. Edhe profesori i marksizmit, shfaqet më së shumti si leninist dhe, si adhurues i një fuqie absolute, pas përmbysjes së regjimit: islamizohet duke ndërruar klasikët me profetin. Gjithsesi, vëllezërit akuzojnë njëri-tjetrin për ngjashmëri ndaj babait. “Karli e gjen kuptimin e jetës tek ngjyra e zezë. Kështu që ai ngjan me tim atë më shumë se unë. Se edhe im atë besonte se do ta ndryshonte botën. Por bota e ndryshoi atë. Kështu ka për të ndodhur dhe me Karlin.” Ndryshimet e Karlit shkojnë drejt tjetërsimit, thuajse i fiksuar t`i shpëtojë racës prej nga vjen. Ndërkohë, e dashura greke, Ana, dhjetë vjet më e re nga Karli, nuk e fsheh gëzimin e sulmit terrorist mbi kullat binjake me motivin: “Sa njerëz të pafajshëm kanë vrarë dhe vrasin amerikanët.” E denjë për të qenë vajza e profesorit të marksizmit, tashmë i islamizuar. Si ndodhin këto përkime, të të ngjajë një vajzë bote dhe ai që i ke bërë kokën, ta çon dëm edukimin? Sepse shqiptarët refuzuan të natyralizoheshin kundrejt një ideologjie, të cilën e braktisën të parët, ata që e predikuan. Kjo artificë ia shumëfishoi vlerën pozimit, kundrejt aktit të kryer. Kurimi i imazhit u kthye në industri kibernetike.

     Dallimi midis dy romaneve është i një diference të tillë, si të krahasosh një gurëgdhendës me një skulptor. “I keqi i vetes” nuk ngrihet, si një kat mbi të parin, por e zhyt romanin paraardhës “Ditar i shkurtër kufijsh” në një bodrum të tijin. Kjo që po them, mund të duket si një e keqe, në fakt, të hash nga vetja për hir të kualitetit, në letërsi: merret për mirë. Meqë publicisti ia lë vendin romancierit, valixhia e kurbetliut “kutisë së zezë” së avionit, fatmirësisht tejekalimi i vetes bën që: hapi të kthehet në hop. Kush nuk do t`ia uronte vetes këtë kapërcim? Nuk jam duke folur me plus minuse, kjo bën dhe ajo s`bën, por duke pranuar suksesin atje ku ai shfaqet i plotë, aty ku autori ridimensionohet si shkrimtar i dorës së parë, duke më lejuar: ta lavdëroj pa gënjyer. Nëse ti vjen rrotull si kali në lëmë, nuk mund ta pretendosh kalorsin. Mund të rrëfesh sa të duash peripecira dhe, nëse mua më shfaqet Odiseja, kënaqësitë që të jep arti, i kam marrë tek Homeri, kështu që keqardhje për vuajtjen, por më ke borxh mërzinë.

    Aventurat e Odisesë mbahen gjallë nga një ndjenjë e madhe, ai i rikthimit në Itakë, që përkon me dashurinë për vendlindjen, atdheun, ndjenjë kjo që Karlit, sa vjen dhe i zbehet, por që shfaqet si kompesim tek i vëllai, me doza të shtuara provincializmi. Fëmijët e një babai ekstremist, nuk mund t`i shpëtonin skajimit të vetes. Ata humbasin natyrshmërinë duke u natyralizuar, ngaqë përshtatshmëria është vetia që u ka duk më shumë, si banorë të denjë të qyetit: Tersi. “Nga sindroma e kufijve nuk vuajnë ata që nuk u përvëluan kurrë nga dëshira për të kaluar kufijtë apo nuk janë ndier të refuzuar nga ndonjë kufi, do ta kenë të vështira të na kuptojnë.”-shprehet autori në vend të Karlit, e cila shkon e gjitha si kundërvënie ndaj vëllait, Frederikut. Ai nuk bëhet më i mirë duke ikur. Kufijtë janë shkaku që vëllezërit me kalimin e viteve, bëhen të huaj mes tyre, duke ngritur një mur mes vedi. E ç`u kuptua, që ra muri i Berlinit?

    Përkundër Odisesë, që rikthehet në Itakë, kemi dhe Enean e Virgjilit, që vihet në kërkim të një atdheu të ri, fill pas rrënimit të Trojës. Përherë ndodh një gjëmë, kur merren rrugët e kurbetit. Ata që e kuptojnë më mirë këtë janë arberëshët. Ndryshe, kur ta shkakton i huaji dhe, ndryshe, kur ia shkakton vetes. Nëse i referohemi epokës antike, me fise që dynden, me aventurierë dhe piratë, Enea i përgjigjet së vërtetës më shumë nga Odiseja, por ky i fundit adhurohet, ngaqë shenjtëroi atdheun. “Por ne të huaj s`jemi. Se shtatë breza një pas një kemi qenë amerikanë, dhe më thellë akoma, irlandezë, skocezë, anglezë, gjermanë.”-shkruan nobelisti Xhon Stajnbek ne romanin “Vilet e zemërimit” i përkthyer nga Petro Zheji, i botuar në 20 000 kopje. Raportet e Eneas me Odisenë janë në miniaturë, si ato të Karlit me të Frederikut, si refleks dhe i aktualitetit tonë: për shqiptarë që duan të ikin dhe ata, që besojnë se ky vend bëhet. Çifutët i lanë pa atdhe, duke i detyruar të provojnë të gjithë si komb fatin e Eneas në kërkim të atdheut të humbur, por, erdhi dita që, hebrenjtë, të përngjanin me Odisenë dhe të riktheheshin në Izrael. Kujtoni fjalët që u drejtohen kozmanautëve, kur futën në orbitën e tokës: “Mirëseerdhët në shtëpinë tonë!” Dhe një meteor kur bie në tokë, një masë shkëmbore e hekurt, përkundër mijëra të tjerëve që shuhen në hapsirë, të ngjallë habi vetëm e vetëm se lënda e tij përngjason me lëndën tokësore, duke u kthyer: nga imazh në fakt konkret. Sepse e huaja, sado e largët qoftë, vlerën ia masim me të qënit si ne. Kështu që kozmopoliti nëse do t`u ngjajë vetëm atyre, duke u larguar prej të vetëve, do humbas natyrshmërinë, duke u natyralizuar.

    Sipas Aristidh Kolës: fjala “pellazg” vjen nga “Pelargë”, që do të thotë “lejlek”, zog shtegtarë, i cili ka për veti kryesore: emigrimin dhe kthimin në atdhe. (Për shqiptarët ngjarje është kthimi i Skënderbeut në Krujë dhe jo ikja e Moisi Golemit.) Rilindasit të malluar për atdheun i kushtuan shumë poezi “shpendit udhëtar”. Tani avionëve po u vënë emrat e poetëve. Gjithë jetën shqiptari ka qenë ikanak, mercenar, nizam, refugjatë, por atdheu mbijetoi, jo prej të ikurve, por, falë atyre që rezistuan, qoftë ky një Vrana Konti në kështjellën e rrethuar të Krujës apo Oso Kuka i mbyllur në kullë. Izolimi komunist nuk ishte rezistencë, ai ishte një ngujim, ku kalimi i kufirit paguhej me jetë, por kostoja më e madhe do ishte degradimi i vendit. Kështu që as Karli dhe as Fredriku nuk vlejnë si model.

    ***

    Duke kapërcyer kufijë, Karli ndërton raporte të reja me botën, por nuk i vidhet dot vetes, mjedisit prej nga vjen. “Unë mundohem t`i marrë me të mirë (kufijtë), t`i bind se nuk rrezikojnë prej meje, po ata sajojnë ndonjë pretekst për të më përzënë ose për t`iu shmangur një marrëdhënie të pabarabartë me mua.” Dhe për pasojë vjen dëshpërimi i të atit, i cili kishte këmbëngulur që i biri të bëhej poliglot: “Nuk u lodhe, Karl, që e kalove jetën duke folur gjithë gjuhët e të tjerëve?” Karli iku që të ndëshkonte babanë tonë, dëshmon vëllai tjetër, duke u ankuar se vëllai ka ngritur një mur, materiali i parë me të cilin është ndërtuar është nënvleftësimi për të vëllanë, duke e quajtur provincial.

    “Tiranovskaja biblioteka” ishte një lojë fjalësh nga rusishtja, ku pofesori i marksizmit, i cili kishte studjuar në Moskë, shpresonte të indoktrinonte djemtë e tij, por plangprishësi do quhej Karli, i cili do ia kursente të atit edhe lotin. “Do të vras, nëse tallesh.”-i qe hakërruar ai të birit, i dalëduarësh. Luksin për t`u tallur me etrit e kishin veçse pinjollët e Bllokut. Helena Kadare në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme shkruan: “Is (Ismail Kadare) nuk i kishte duruar dot kurrë ato që i quante “poza intelektuale”, të fëmijëve të nomenklaturës. Të sigurt se ishin të mbrojtur nga baballarët (ndonëse jo aq sa ç`kujtonin ata), disa prej tyre i lejonin vetes luksin e të bërit humor me gjëra që të tjerët nuk do të guxonin. Kjo pinte ujë, sepse bënte efekt dhe shumë njerëz i mahniste. Is më kishte shpjeguar se të tillë në perëndim kishin një emërtim: quheshin “majtist luksi” ose të “havjarit”.

    Nëse babai i Karlit nuk jetonte pa një fuqi madhore, Karli do ndjehej i çliruar teksa shihte rrëzimin e shtatores së diktatorit. Ishte koha kur kishte më shumë gjëra që vdisnin, se të tilla, që lindnin. I ndodhur mes turmës që e tërhiqte zvarr shtatoren duke e përgërur, Karli, përngjan më shumë me ata që e merr turma, se sa pjesë aktive e rebeluesëve. “Procesi i copëtimit të shtatores me frikën se mos ringjallej kufoma. Karlit nuk i shkoi ndërmend të merrte si suvenir ndonjë copë nga kufoma e shqyer.” Ky coptim i shtatores përjetohet, si një shfaqje groteske, nëse krahasohet me zhvarrimin e Skënderbeut nga ushtarët turq, të cilët i përdornin kockat për hajmali. Karli u çudit kur pa se jo pak prej liderëve të protestës ishin fëmijë të përkëdhelur të regjimit, që befas kishin zbuluar magjinë e rebelimit kundër etërve. Mesa duket ata nuk i mundonte asnjë lloj ndjenje faji apo turpi për baballarët e tyre. Fundi i fundit ata s`po rebelonin kundër baballarëve të tyre, por kundër sistemit që po jepte shpirt. Një nga arsyet që Karli vinte rrallë në Ters ishte frika se mos ndeshte në rrugë, Idajetin, mësuesin e muzikës. I arrestuar në shkollën, ku i jati i tij ishte drejtor dhe i detyronte nxënësit ta pështynin, kur mësuesi i muzikës kaloi mes tyre me pranga. E quajti të birin dezertor, frikacak se nuk bëri si të tjerët.

    Përkundër personazhit të tij, Karlit, i cili tallej me “Tiranovskaja biblioteka”, si publicist, autorit i ndodh të intervistojë pasuesin e Enver Hoxhës, Ramiz Alinë, në shtëpinë e tij, ku i tërheq vëmendje biblioteka me libra në gjuhën frënge. Nuk ngurron ta pyesë: “A e dini që në epokën, kur ju kishit pushtet absolut mbi Shqiptarët, nëse dikush kapej me një libër të tillë mund t’i shkatërrohej jeta një herë e përgjithmonë? Përse i ndalonit librat?”

    “Po ja Gazmend, e bënim për t’ju mbrojtur. Si prindi që duhet të mbrojë fëmijën nga gjërat e rrezikshme”-i përgjigjet ideatori i “Tiranovskaja biblioteka”. Shihni sa interesante është kjo situatë, nëse i referohemi librit të Guen Robyns “Geraldina e shqiptarëve”: “Kurrë mos lexoni Frojdin, Niçen dhe Shopenhaurin apo filozof të tillë! Janë të dëmshëm për ju!”-janë fjalët që prindërit ia këshillonin Geraldinës. A është atërore përgjigjja e shefit të propagandës? “Do të vras, nëse tallesh.”-të vjen si jehonë hakërrimi i babait të Karlit. Realisht, kundrejt pinjollëve ata u treguan pedantë, ndërsa ndaj të tjerëve: gardian. Sepse në diktaturë të vrisnin duar që brohorasin, dhëmbë që kafshojnë dorën që i ushqen, buzë që përbuzin të vyerin, gjuhë që demaskon krenarin për hir të krekosjes, vështrimet vëngër eprorësh debilë, dhe në gjithë këtë barbari gjymtyrësh, ngrihen apologjira për gjoksin, që i kthehej erës dhe armikut, duke të vrarë pas shpine. “E dua gjoksin tim. Sepse me të nuk mund të vrasësh askënd. Ndërsa duart, këmbët, dhëmbët dhe gjuha, edhe shikimi madje, janë armë, të afta për të vrarë apo dëmtuar.”-shprehet personazhja e romanit “Vegjeteriania” e shkrimtares Han Kang, përkthyer tani në shqip. Ajo refuzon mishin për të hequr mizorinë nga vetja. Një katarsisë pa mëkatuar. Si është e mundur, pikërisht “kanceri i gjirit” shfaqet në këtë paqësi hyjnore? Sepse dhuna nuk ikën bashkë me diktaturën, ku stresi po e shkatërron qënien njerëzore.

    Ngjarjet e romanit zhvillohen në një qytet i quajtur “Tersi”, ku duhet nënkuptuar dhe qytet-shteti me emrin Shqipëri. I prishur me tërë botën, ku flitet shumë për ty, por asnjëherë mirë për ty. E dashura e Karlit, Klodi, kishte të njëjtën dashuri si për njerëzit dhe për qytetet. Por, Karli nuk e do qytetin e tij Tersi. (Nolit i kishin ngjitur nofkën “Tersi”.) “Banorët e këtij qyteti katërcipërisht të panjohur duket sikur zotëronjë një ves tronditës: ata kanë dështuar atje ku shumica në Evropë ia kanë dalë mbanë dhe ia kanë dalë mbanë atje ku shumica në Evropë kanë dështuar.” Një qytet i përshkruar më shumë pas viteve `90-të se sa në kohën e diktaturës, duke mos u bërë më i mirë nga ç`ishte. “Bosit të Betonit” i bëheshin homazhe në hollin e bashkisë, ndërsa femra që u gjet e vrarë në makinën e tij, e përfolur si lavire: shoqërohej në varreza vetëm me familjarët, ku i bashkohet Karli dhe Pandi i Krisur, sepse qyteti kërcënohej nga banda e bosit. Është po ajo skenë varrimi e survejuar, sikurse u ndodhte atyre me “njollë në biografi” dikur. Qyteti i Tersit fle si thashethemaxhi dhe zgjohet si poet. “Unë e dua Tersin, Karl,-tha Pandi i Krisur pas pak.-E di pse e dua, Karl? Se nuk i ka bërë kurrë keq askujt. Vetëm vetes.” Karlit i pëlqen ky konstatim, por refuzon të jetë banor i Tresit, ngaqë e tërheqin qytete, ku e përzënë. Të qënit i keq ndaj vetes, mund ta përligjim dhe me fatin e Frederikut, në këtë rast është fjala për poetin Reshpja për të cilin Kadare në librin “Mëngjeset në Kafe Rostand”, shkruan: “Ato pyetje ishin të rënda dhe kërkonin përgjigje nga të gjithë: pse u braktis aq çnjerëzisht dhe si u la të vdiste në atë vetmi të frikshme? Ishin vetëm dy shtete që duhet ta mbanin fajin: ai komunist në fillim dhe shteti “kapitalist” më pas, apo faji do të kërkohej gjithkund, më thellë, më gjerë, gati-gati te të gjithë?”- Nuk është njësoj, kur të lënë vetëm dhe kur ti, veçohesh për të bërë dallimin me të tjerët. Dhuntitë nuk deklarohen, ato ushtrohen. “Bota është e vogël dhe ajo nuk mund të pranojë në gjirin e saj një njeri të madh, si Majakovski.”-do shkruaj Llunaçarski ditën kur poeti komunist vret veten. Mos harroni, poeti i përket vendit me sipërfaqe më të madhe në botë dhe ku vetvrasja dënohej. Këto fjalë u thanë për poetin komunist në kohën e diktaturës staliniste. A kemi ne shembuj të tillë adhurimi? Veç Çajupit, “Vdiq Naimi, moj e mjera Shqipëri! Si Naimi s`ka të tjerë!”, nuk kam hasur një rast të dytë. Gjithandej veçse histori denigruese. Nisur nga emrat e personazhëve, Karli, do më kujtonte Karl Topinë: i përzjer ky me gjak francezi për shkak të aventurës së babit të tij me Helenën, e cila ishte nisur të martohej me një grek dhe e rrëmbeu shqiptari, si të përsëritej kështu historia e Trojës. Nuk është problemi të bësh përshtypje, e gjithë çështja është të lësh gjurmë. Në Hënë shkuan dhe të tjerë, mbase vjen një kohë dhe popullohet, por gjurmët e Amstrongut do i mbetën historisë. Një i tillë që lë gjurmë është dhe poeti shkodran, Reshpja: “Të jesh i braktisur në letërsi, pa dyshim, një fatkeqësi. Po ta dish këtë, të jesh i ndërgjegjshëm për të, është dyfish e tillë. “Më duhet të pranoj se unë kam qenë gjithmonë i braktisur”, ka pohuar ai vetë në vitin 1998. Dhe më pas: “Kam kaluar nga një braktisje te tjetra.” (Kadare “Një prill për Fredin”) Kundrej Karlit, që e bën dallimin duke u veçuar, ai që ka nevojë për vëmendjen tonë është i braktisuri, Frederiku. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË