Kreu Letërsi Bibliotekë "I kemi harruar perëndimet", poezi nga Renaldo Salianji

“I kemi harruar perëndimet”, poezi nga Renaldo Salianji

Një poezi socialiste

Punoj në periferi të qytetit.
Dy blloqe më tej, është lagjia e pasanikëve.
E ndërtuar rrëzë një kodre,
dielli e sheh nga mëngjesi në darkë
pa asnjë pengesë.

Jo si lagjia ku jetoj unë.
Që diellin e shoh vetën 15 minuta në ditë.
Në getot tona pallatet janë aq ngjitur me njëri-tjetrin
E banjot pa dritare.
Aromat e gjihë pallati vijnë në apartamentin tim nga tubi i aspirimit.
Komshies poshtë i pëlqen të gatuajë peshk.
3 herë në javë.
E komshiu në katin sipër ka dy djem, që ju pëlqen të bëhen futbollistë.
Ai anash ka një vajzë të vogël, që qan gjithë natën.
Ndërsa në të djathtë rri një çift i ri, që i zë gjumi vonë.

Por pasanikët e kodrës së kapitalistëve nuk kanë nga këto halle.
Ata jetojnë në vila,
larg njëri tjetrit.
Me oborr dhe pishinë.
Në vila të bardha,
si ëndërrat e fëmijëve
që punojnë në minierat e kromit.
Për ta!

Me çati të zeza,
si duart e naftëtarëve
në mbrëmje kur kthehen për në shtëpi

Rruga që të çon tek lagjia e pasanikëve, është e shtruar
Jo si ajo e lagjes sime, në periferi, në anën tjetër të qytetit.

Çdo mëngjes shoh makinat që dalin nga lagjia kapitaliste.
Një xhirim gomash i tyre harxhon sa paga ime ditore.

Në atë lagje jetojnë të majtë e të djathtë.
Socialistë e demokratë,
që na rrokanisin kokën gjithë ditën me broçkulla demokracie

Bashkë me mua, në autobus, vjen një vajzë tajlandeze
që punon si dado në shtëpinë e një oligarku.

Edhe drejtuesit e sindikateve të punëtorëve atje jetojnë.
Edhe deputetët e majtë
Edhe ata që janë në opozitë.

Gjyqtarët kanë komshinj trafikantë droge.
Deputetët- biznesmenë evazorë
Ministrat -ndërtues.
E të gjithë jetojnë të lumtur
N Ë D E M O K R A C I

Rroftë Kapitalizmi!
Poshtë Kapitalizmi!


Lutje Zotit të Oligarkëve

Zoti i Oligarkëve që je në qiell.
Na fal edhe ne perëndime si të tyret,
të shohim edhe ne qiellin që përflaket,
dhe jo komshien që nden rrobat e zeza në ballkon.

Na fal edhe ne qetësinë e natës si në lagjen e pasanikëve,
Të dëgjojmë edhe ne një natë të nxehtë gushti
gjinkallën dhe bulkthin kur këndon,
Dhe jo betonieren

Një dritare na fal, ku të shohim pikat e shiut që përplasen në vjeshtë,
si ata.
E jo pas çdo shiu të përzier me baltë,
të na duhet të lajmë xhamat.

Zoti i Oligarkëve që je në qiell.
Na fal edhe ne ajrin e pastër si të lagjes së pasanikëve.
Të na mbushen edhe ne mushkritë me oksigjen,
dhe jo me tymin e kamionëve që punojnë për ta.

Na fal edhe ne lulet e kumbullës në pranverë.
Të bëjnë edhe fëmijët tanë kurora me luledele,
dhe jo pompat për astmën.

Ujin e pastër, dhe pa orar, na i fal edhe ne.
Dhe jo atë lëngun me klor, si çaj ushtarësh, që del nga rubineti ynë.

Zoti i ologarkëve, që nuk e di në je në qiell.
Na i fal mëkatet tona të pa dëmshme,
ashtu siç bën me ta.

Amen!


I kemi harruar perëndimet

I kemi harruar perëndimet!
Jetojmë brenda qendrave tregtare
Të mëdha sa një qytet
Mbytëse sa një qytet
Të zhurmshme sa një qytet.
Hamë në qendra tregtare
Bukën e blejmë në një furrë brenda një qendre tregtare.
Çojmë fëmijët të luajnë në qendra tregtare
Tek doktori shkojmë në qendra tregtare
Bëjmë pazar në qendra tregtare
Blejmë brekë dhe oriz në të njëjtin vend
Dhe, pas pune, çlodhemi duke pirë kafe,
në qendra tregtare.
Dhe çdo ditë,
i humbasim perëndimet.


Poezi për njerëzit e orës tetë pa një çerek

Prej kohësh,
dua të shkruaj një poezi për ndershmërinë
por nuk di ç’të them

Në rastin më të mirë do të dukesha
patetik,
e në rastim më të keq
medjelehtë

Deri sot në mëngjes.
Në tetë pa një çerek.
Ku i ulur në kafenenë në cep të rrugës
Pashë njerëzit që vraponin për në punë

Duke shoqëruar me sy çdonjërin,
Aludoja mbi arsyet e vonesës së tyre.
Prindër që kanë çuar fëmijët
në kopësht a çerdhe.
E studentë që i kanë prindërit larg,
për t’i zgjuar në mëngjes.

Të gjithë janë vonë, e vrapojnë të kapin orën tetë

Tani dua të shkruaj një poezi për
njerëzit e orës tetë pa një çerek.
Për njerëzit e ndershëm,
që vrapojnë për diku
në tetë pa një çerek

Por një herë tjetër, se sot jam vonë!


Dallëndyshet nuk vijnë

Është data 8 qershor
dhe unë ende nuk e kam hequr veroren!
Sipas traditës, andej nga unë vij,
verorja hiqet kur sheh dallëndyshen e parë
Kjo, kur ishim fëmijë, ndodhte në rastin më të keq
në javën e parë të majit,
kur dallëndyshet ktheheshin në ballkonin e shtëpisë sonë
për të riparuar folenë e dëmtuar nga ngricat.
Unë dhe motra i varnim veroret
në degën e hardhisë në oborr.
Ky ishte edhe një lloj justifikimi,
që mami të na lejonte të vishim
bluzë me mëngë të shkurtra.
“Ohuu o maa, po ne kemi një javë që i kemi hequr veroret”

Por sot data shënon 8 qershor,
dhe unë ende nuk e kam parë
dallëndyshen e parë.
Kështu, të dielën time të pushimit
vendosa ta kaloj në ballkon
vigjilent, për të parë ndonjë dallëndyshe.
Një, sa për be!
Sa për të hequr veroren.
S’pata fat!
Ndoshta dallëndyshet nuk fluturojnë aq lart,
sa unë ti shoh nga ballkoni i katit të 6.
Zbrita, dhe shkova në anën tjetër të rrugës,
në një kafe përdhese.
Edhe aty, pashë vetëm komshien
që nderte rrobat e zeza në ballkon.
Vërtet ato ngjajnë, por nuk janë
dallëndyshe.

Duke pritur që sipër kokës sime të kalonin zogjtë
dhe unë të hiqja veroren,
e ta varja në një degë peme
me shpresën se dallëndyshet do ta merrnin
dhe me të, të ngrinin një fole
mu kujtuan fjalët e gjyshes.
-”Tek ata përballë nuk shkojnë dallëndyshet. Janë njerëz të ligj”
-Po ku e di ti nëna?
-”Dallëndyshet i njohin
shpirtrat e njerëzve të keqen, kështu thonë.”

Dhe teksa thoshte këto fjalë,
ajo përpiqej të më mbushte mendjen.
-”Ata nuk shkojnë me njeri,
kurse ata të tjerët, janë jabanxhinj,
por i kanë harruar prindërit,
nuk ju shkojnë për ditë vere, prandaj nuk ju venë dallëndyshet”
-Po ata të tjerët o nëna?
-Ata janë tahmaqarë të keqen,
shiko sa kate e kanë shtëpinë,
as zogjtë nuk ikin dot aq lart.”

-Po tek ne kur nuk do vijnë?
-Mos, e dhëntë zoti biro.
Nuk i kemi hyrë në hak njeriu,
dhe vajzat vijnë çdo ditë vere më shohin”

Dhe duke menduar këto….
“Por tek ne pse nuk vijnë dallëndyshet?”,
-pyeta veten, me zë të ulët
Por nuk desha t’ja jap përgjigjen.
Pata frikë se gjyshja kishte të drejtë.
U ngrita e ika me sytë tek verorja,
dhe me shpresën se dallëndyshet
do të vijnë edhe tek ne.


Bisedë mes dy refugjatësh

Më dhimsesh sirian i vogël
S’pate fat
Jeta të hodhi emigrant,
në një vend emigrantësh
të përjetshëm
Ti sheh i habitur kullat dhe rrugët e Tiranës
I ulur buzë Lanës,
zgjat duart e tua drejt meje
e kërkon diçka
“Brother, I’m hungry”
Këtë formë merrnin duart e gjyshërve të ty
Kur i luteshin zotit
Por zoti i tyre ty të braktisi
E ti, jo atë
-”God bless you brother, help me”

Ti duhet të kesh pak a shumë moshën time,
Por vragat në fytyrën tënde
të bëjnë më të madh
Edhe brengat
Ti duhet të kesh pak a shumë
moshën e babait tim kur iku refugjat për herë të parë
Unë jam bir refugjati sirian i vogël.
E të dy ne, jemi refugjatë
në këtë qytet që nuk na përket ne
Të dy kemi ngecur këtu
Peng i një ëndrre më të mirë
Për tokën e premtuar

Ke kaptuar kufinj, shtete e dete, për të ardhur këtu
Me mendjen s’di se ku
Të dy braktisëm shtëpinë e fëmijërisë
shokët, varret e të parëve
E u nisëm rrugëve me kokën pas
ngarkuar në çantën e shpinës një krodhe bukë,
dhe ëndrrat

Me anglishten tënde të çalë,
më tregon në 1 minutë historinë e popullit tënd.
Në sytë e tu shoh ende shpërthimin e bombës
që të vrau familjen atë natë.
E në dridhjen e zërit dëgjoj të qarat
e vëllait të vogël që e le mes gërmadhash.

Me fatin tënd u bë tregti,
Vendi yt u kthye në një Pazar
më të madh se ai i Damaskut,
ku dikur gjyshërit e tu bënin tregti me ne.

Ty, ndryshe nga unë,
Nuk të habisin minaret e larta të xhamisë së re
Në minaret e larta të xhamive të Damaskut ti ke dëgjuar thirrjen e Zotit,
Kur bashkë me gjyshin tënd ngrinit duart drejt qiellit
e jepnit selam,
luteshit për paqe,
një paqe që ju tradhtoi

Në lëkurën tënde, kanë lënë gjurmë diejt e lindjes
E shkopinjtë e ushtarëve grekë në kufi
Im atë më ka treguar shpesh për ushtarët grekë të kufirit
edhe im gjysh

Më falenderon në gjuhën tënde, për qindarkat që të lëshova mbi pëllëmbë.
E vë dorën mbi zemër
Si burrat e anëve të mia kur ndezin duhanin
E unë ta kthej njësoj
Më ngjan e njohur kjo përshëndetje zemrash e burrash
Ne të dy vetëm zemrën kemi moshatari im sirian
Bashkëudhëtari im refugjat
Vetëm zemrën, dhe fatin.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Vladimir Majakovskij: Flauti i shtyllës kurrizore (poemë)

Përktheu nga origjinali: Agron Tufa Vladimir Vladimiroviç Majakovskij (1893 – 1930) gjithmonë është perceptuar në shoqëri si një...

Ai nuk rendi, por zor se ia kalon kush – Nga Fatbardh Amursi (Rustemi)

Poetit, Faslli Haliti, i qëlloi të ndahej nga jeta në 16 tetorin e ditëlindjes së diktatorit, i goditur për vdekje nga “armiku...

Poeti Laureat, një vlerësim i ri në Shqipëri

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli sivjet për të parën herë zgjedhjen e një poeti laureat duke treguar se si ai...

Blini tani në librari ose heshtni përgjithmonë!

Dëmet që shkaktoi pandemia e koronavirusit nuk kursyen as biznesin ku përfshihet edhe ai i librarive. Në shkrimin “Buy from your independent...

KATEGORITË