Kreu Histori Gustav Floberi në gjyq

Gustav Floberi në gjyq

Romani “Zonja Bovari”, një përkthim i ri, botuar nga Ombra GVG

Fjala e prokurorit të mbretit, zotit Ernest Pinar

Zotërinj! Duke filluar këtë debat, Ministria e Arsimit Publik paraqet para jush një faj që nuk mund të mbulohet lehtë. Ky nuk është një paragjykim, por një ofendim i moralit shoqëror dhe i fesë, të cilat, pa dyshim, spikasin në këtë vepër. Janë shprehje pak të dyshimta dhe të turbullta, që mund të përcaktojnë moralin, që përçon tej e tej romani i zotit Gustav Flober.

Por, tekefundit, kur bëhet fjalë për mendime të drejta dhe praktike, është e lehtë të gjykosh në këtë këndvështrim, të dallosh nëse kjo ose ajo faqe e një libri prek fenë apo moralin publik. Vështirësia nuk qëndron te paragjykimi ynë por, para së gjithash, është sidomos në shtrirjen e veprës që kemi përpara për ta gjykuar. Këtu është fjala për një roman të tërë. Kur një artikull gazete i nënshtrohet analizës dhe vlerësimit tuaj se, ku fillon dhe ku mbaron shkelja e ligjit, Ministria e Arsimit Publik e lexon atë dhe ia nënshtron vlerësimit tuaj. Këtu nuk bëhet fjalë për një artikull gazete, por për një roman të tërë, i cili fillon të shkruhet më 1 tetor dhe mbaron më 15 dhjetor dhe që përbëhet nga gjashtë fashikuj të botuar në “Revistën e Parisit”, në vitin 1856.

… Ofendimi i moralit publik jepet në skenat epshndjellëse, që do t’jua sjell para syve, ndërsa ofendimi i moralit fetar është në imazhet plot epsh të përziera me gjëra të shenjta.

… Do të kufizohem duke ju cituar katër skena, ose, më mirë të themi, katër tablo.

E para, do të jetë ajo e dashurive dhe konkretisht e Emës me Rodolfin. E dyta, koha e ndërmjetme fetare mes dy tradhtive të saj bashkëshortore. E treta, mëkati i saj me Leonin, që është shkelja e kurorës bashkëshortore për të dytën herë. Dhe në fund, e katërta, të cilën duhet ta citoj, është vdekja e zonjës Bovari.

… Pra, qysh në gabimin e parë, qysh në mëkatin e parë, ajo i thur lavdi tradhtisë bashkëshortore. I këndon himnin kishtar kësaj tradhtie, i thur poezi dhe përjeton epshet e saj.

… Zotërinj! Keni para jush tre fajtorë: zotin Flober, autorin e librit, zotin Pisha, redaktorin dhe zotin Pije, botuesin. Në këtë këndvështrim nuk ka shkelje të normave të moralit pa publicitet dhe të gjithë ata janë po aq fajtorë. Veçse ne nxitojmë të themi se kryeredaktori i gazetës “Artisti” dhe botuesi i veprës janë fajtorë të rangut të dytë. Fajtori i parë, i akuzuar është autori i veprës, zoti Flober, ai, që me dijeninë dhe miratimin e redaktorit, proteston ndaj refuzimit të botimit të veprës së tij. Pas tij, në radhë të dytë vjen zoti Loran Pisha, të cilit ju do t’ju duhet t’i kërkoni llogari, jo për refuzimin e botimit të kësaj vepre, por për të gjitha ato që duhet të kishte bërë. Dhe në fund vjen botuesi, i cili është një roje vigjilente ndaj këtij skandali… nëse lejojnë të shkelet ligji, është njësoj sikur të lënë të kalojë armiku… Por sa për Floberin, fajtorin kryesor, pikërisht ndaj tij, duhet të jemi shumë të ashpër.

… Po e supozojmë se vepra është morale, por një konkluzion moral nuk mund të ketë në brendinë e tij detaje e çaste epshndjellëse që ndodhen në vepër. Dhe, së dyti, unë them se vepra në themel nuk ka moral.

Zotërinj! Unë them se detaje dhe momente epshndjellëse nuk mund të mbulohen me një përfundim të moralshëm, kur në të tregohen gjithë orgjitë e paimagjinueshme, kur përshkruhen tërë turpet dhe poshtërsitë e një femre publike, duke e bërë të vdesë mbi një shtrat të ndonjë spitali.

A do të ishte e lejuar të analizoheshin dhe të tregoheshin të gjitha pozat e saj epshndjellëse? Kjo gjë do të ishte sikur të shkoje kundër të gjitha rregullave të gjykimit të shëndoshë. Kjo do të ishte sikur t’ia vije në dorë helmin të gjithëve dhe ilaçin në dorën e një pakice të vogël njerëzish, nëse do të gjendej një ilaç i tillë.

Kush janë ata që e lexojnë romanin e zotit Flober?

… Skenat epshndjellëse të pikturuara me penelin e zotit Flober, në përgjithësi, kanë më shumë ndikim sesa arsyetimet me mendje të ftohtë.

… Kush mund ta dënojë këtë grua në libër?

I tillë është përfundimi. Në libër nuk gjendet një personazh që mund ta dënojë atë. Nëse ju do të gjenit aty një personazh me arsye të shëndoshë, nëse do të gjenit në të një vlerë të vetme të virtytit, i cili do ta dënonte rëndë tradhtinë bashkëshortore, atëherë unë do të isha gabuar në vlerësimin tim. Pra, nëse në të gjithë veprën e zotit Flober nuk gjeni dot një personazh që do ta bënte atë të ulte kokën nga turpi, nëse nuk ka një mendim a ide, një linjë virtyti që ta damkosë me mëkat tradhtinë bashkëshortore, atëherë unë kam të drejtë të them se romani i zotit Flober “Zonja Bovari”, është i pamoralshëm.

A do të dënohej kjo vepër në emër të nderit bashkëshortor? 

Por nderi bashkëshortor është paraqitur me një bashkëshort të padjallëzuar, i cili pas vdekjes së gruas, kur takon Rodolfin, kërkon të gjejë te fytyra e dashnorit të saj tiparet e gruas që dashuronte me gjithë shpirt.

Po ju pyes, vallë a do ta demaskoni me turp këtë grua, në emër të nderit bashkëshortor, kur në vepër s’gjendet asnjë fjalë e vetme, ku burri i saj të dorëzohet para shkeljes së kurorës martesore?

FJALA E MBROJTJES NGA AVOKATI, ZOTI ANTUAN ZHYL-SENAR

… Po vij këtu në këtë sallë gjyqi, për të përmbushur një detyrim ndërgjegjeje, pasi e kam lexuar veprën, pasi kam ndier e shijuar gjithçka që për mua është e ndershme dhe fetare.

…Zoti Gustav Flober është njeri me karakter serioz, i prirë nga natyra e tij për çështje të rëndësishme, për gjëra të trishtuara. Nuk është ai tip njeriu që ministri i Arsimit Publik me ato pesëmbëdhjetë apo njëzet rreshtat e qëmtuara aty-këtu në roman, ka dashur t’jua paraqesë si krijues të skenave epshndjellëse.

… Ajo që zoti Flober ka dashur mbi të gjitha ka qenë subjekti i studimit të jetës reale. Të krijojë dhe paraqesë tipa të vërtetë të klasës së mesme të shoqërisë aktuale, që jetojnë në kushtet e jetës së përditshme dhe që paraqesin para syve të lexuesit tablonë reale, e cila haset më shpesh në botë… Na përshkruan një grua që shkon drejt vesit, për shkak të një martese të papërshtatshme për të dhe nga vesi i shkallës së fundit të poshtërimit dhe fatkeqësisë… Zhgënjimi, dhimbja, brejtja e ndërgjegjes e kaplojnë atë menjëherë.

… Te vepra e tij, në çdo faqe të saj, pasqyrohen tërë rrugët e mëdha ku kalon shoqëria jonë.

…Kjo vepër është shkruar me një fuqi të madhe vëzhguese deri në detajet më të imta, të cilën e vlerëson edhe zoti prokuror. Këtu duhet të përqendrohet vëmendja juaj, sepse, nëse akuza s’ka baza, ajo duhet të bjerë.

… Por ata që e kanë lexuar librin deri në fund, ashtu si unë, do të thonë: Ai është diçka për t’u vlerësuar, për t’u lexuar me dëshirë që, jo vetëm e shfajëson autorin, por ju detyron të largoheni nga përndjekja që i bëni, sepse kur ai arrin të shkruajë pjesët më të vështira dhe pikërisht ato të shthurjes së Ema Bovarisë, në vend që të bëjë si disa shkrimtarë klasikë, të cilët Ministria e Arsimit Publik i njeh mirë, harron se, duke shkruar këtë roman po përgatiste aktakuzën e tij.

… Për të ky roman nuk ka qenë objekt i një kënaqësie, por është një punë hulumtuese e pandërprerë prej dy a tre vitesh.

… Klienti im shkoi te Lamartini dhe tek ai gjeti, jo vetëm një njeri që i ka dhënë kurajë, por një person që i ka thënë: “Më keni dhënë në dorë veprën më të mirë letrare që kam lexuar qysh prej njëzet vitesh… Besoj se në tërë jetën time kam njohur njeriun që në veprat e tij letrare, si dhe në këtë të fundit, e ka kuptuar më së miri se ç’është morali publik dhe ai fetar, i dashur miku im, nuk ka mundësi që në Francë të gjendet një gjykatës që t’ju ndëshkojë. Është për të ardhur keq që kanë hedhur baltë mbi karakterin që ka vepra juaj dhe që kanë dhënë urdhër për ta përndjekur atë, por s’është e mundur që në nderin e vendit dhe të epokës sonë, të gjendet një gjykatë për t’ju dënuar.” Me një fjalë, këto ishin lëvdata të tilla, të cilat klienti im me thjeshtësinë që e karakterizon, mezi merrte guximin të m’i përsëriste.

Pra, mos e harroni këtë zoti prokuror i mbretit se, kur doni të gjykoni mendimet e autorit të romanit, kur doni të gjeni në të ngjyrimin epshndjellës, unë e konsideroj dhe e vlerësoj si një libër të shkëlqyer.

“Dhe befas Leoni iu duk po aq i largët ndaj saj, si të tjerët. ‘Megjithatë, e dua,’ thoshte me vete. S’ishte e lumtur, nuk pati qenë kurrë e tillë. Nga i vinte kjo, pra, kjo mungesë e të përjetuarit të dashurisë, kjo përdhosje e gjërave, ku ajo mbështetej?” A ka ndonjë gjë epshndjellëse këtu, te këta rreshta?

Botimi i parë origjinal i romanit “Madamë Bovari”, Botues: Michel Lévy frères, Paris, 1857, 12×18,5cm, 2 volume, lidhje e thjeshtë.

… Libri i tij nuk do të lexohej po të ishte shkruar ndryshe, nëse, për të treguar një edukim të tillë të rrezikshëm si ai i zonjës Bovari, ai nuk do të derdhte në vepër si lumë imazhe mjaft të këndshme dhe s’do të pikturonte me penën e tij tablotë e vrullshme e sentimentale, për të cilat po qortohet… Dhe po deklaroj se nuk ka gjë më të kotë se ç’është thënë deri më tani, për ngjyrën dhe natyrën epshndjellëse të veprës… Zoti Flober është autori i një libri të mirë, i një libri që është ngacmim i virtyteve nga tmerri i vesit.

E mbroj një njeri që, nëse do të kishte takuar një kritik letrar, ai do ta kritikonte për formën e librit të tij për disa shprehje, për shumë detaje në këtë pikë, dhe ai do ta kishte pranuar këtë kritikë letrare me gjithë zemër. Por kur sheh se akuzohet për fyerje të moralit publik dhe të fesë, zoti Flober nuk përmbahet dhe proteston para jush mjaft i habitur dhe me tërë energjitë që ka në dispozicion kundër kësaj akuze të pabazë. 

Ju, zotërinj gjyqtarë, nuk jeni nga ata që i ndëshkojnë librat vetëm duke lexuar disa rreshta, por jeni nga ata që, para së gjithash, gjykoni mendimet, sesi ato ndërthuren në vepër dhe që do t’i bëni vetes atë pyetje, me të cilën e kam nisur fjalën e mbrojtjes dhe me të cilën po e mbyll:

A të bën ta duash vesin leximi i një libri të tillë, a të frymëzon tmerri ndaj vesit?

Po kjo pendesë kaq e tmerrshme për gabimin, a nuk e shtyn atë, a nuk ngacmon virtytin tek ajo? 

Leximi i këtij libri nuk mund të shkaktojë te ju ndonjë përshtypje ndryshe nga ajo që na ka bërë neve dhe duhet ta dini: Në tërësinë e tij ky libër është i shkëlqyer dhe se në të detajet janë të paqortueshme.

E gjithë letërsia klasike na dhuron tablo dhe skena mjaft të ndryshme nga ato që na janë lejuar.

Përktheu nga origjinali Çlirim Gega

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Durs Grünbein: Fjalët, çfarë janë ato, miq apo armiq?

Intervistoi Arno Widmann(botuar më 30.10.2020, në Frankfurter Rundschau) Përktheu nga gjermanishtja Valon Veliqi Z. Grünbein, cila...

“E verdhë mbi të zezë”, cikël poetik nga Nafije Zogaj

GJETHE TË GJELBËRTA FILLUAN TË BININ dielli u shkëput nga yjetqë i rrinin larg zërit të zi të natësu...

“Kush ma gjen lisin e moçëm?” tregim nga Mehmet elezi

1. Qyteti dhe vetë kalaja mbi lumë u mpakën prej tute. Çka po u shihnin sytë, nuk ishte parë...

“Paris mon amour”, tregim nga Roland Gjoza

Nuk e di a beson në Krisht e, nëse beson në Krisht, beson dhe te Viktor Hygoi, i cili ta dëgjon fjalën...

KATEGORITË