More
    KreuLetërsiBibliotekë"Gruaja moderne" nga Tajar Zavalani

    “Gruaja moderne” nga Tajar Zavalani

    Meqenëse “Sonata e Kreutzer-i” i dha njëfarë aktualiteti çështjes së gruas, sot në këto shtylla do të merremi me një libër që flet mi gruan moderne, gruan e re. Thamë se Tolstoi kish të drejtë në esencë kur analizonte krizën e marrëdhënieve seksuale. Këtë krizë ay e shihte në prishjen e traditave mi shenjtërinë e martesës, mi besnikërinë e të martuarve kundrejt njëri-tjetrit. Pas Tolstoit arsyeja e vërtetë e kësaj krize vjen ngaqë burrat e shikojnë gruan vetëm si një mjet dëfrimi, martohen ashtu sikur blejnë një plaçkë dhe nuk çajnë kokën të hyjnë në shpirtin e gruas që të kënaqin nevojat e saj spirituale. Kështu që burrin e gruan i lith vetëm dashuria e senseve, nevoja fiziologjike, kurse në shpirt, në ndjenjat, në mendimet ata mbeten të huaj njëri për tjetrin. Edhe si zgjidhje të krizës seksuale Tolstoi propozonte një utopi reaksionare, e cila është mohimi i jetës dhe i çdo përparimi. Rryma historike me fuqinë e saj të papërkulshme shkoi përpara pa marrë parasysh theoritë e fillosofëve ëndërronjës se zhvillimi i shoqërisë njerëzore nuk është bërë, të paktën gjer më sot, pas planeve të paramenduara të utopistëve që ndërtojnë sisteme pa dalë nga shtëpia. Kriza seksuale u zhvillua, u thellua, u ashpërsua, arriu kulmin, sidomos nga lufta e këtej. Me gjithë këtë, format e vjetra nuk u çduknë: njerëzia vazhdojnë të martohen, të rrojnë pa lidhje morale, t’i vënë brirë njëri-tjetrit, të farmakosen, të vriten. Asnjë theori, asnjë thirrje, asnjë sistem i moralistëve të skandalizuar nuk qe në gjendje të ndalonte këtë rrymë të fuqishme të evolucionit social. Mirëpo: nga e keqia del e mira. Fjala e thellë e urtësisë popullore gjeti këtu një vërtetim të shkëlqyer. Kriza vetë krijoi tipin e ri të gruas. Atë që s’e bënë dot filozofët me sistemet e tyre, e bënë fuqitë e verbra të jetës. E shtytur nga nevoja ekonomike gruaja la vatrën e familjes dhe dolli të kërkonte punë për të rrojtur; u përpoq ballë për ballë me realitetin ku mbretëron principi “struggle for life”, domethënë i konkurrencës së pamëshirshme, i luftës së të gjithëve kundër të gjithëve. Përpara gruas u çelën dyert e shkollave, e universiteteve, e magazinave, e zyrave, e spitaleve, e laboratorëve etj. Kështu që sot, numri i stenografisteve, daktilografeve, kasiereve, modisteve, doktoreshave, avukateshave, me një fjalë i grave që punojnë, nuk bëhet hesap. Gjer die ishim mësuar të shihnim në këto detyra ca plaka të fishkura, të krrusura me syzat mi hundë, me leshra të bardha e me shkop në dorë. Sot shohim vajza të këndshme, gra në lulen e moshës, të bukura, të qeshura e plot jetë e gjallëri.
    E dobët, pa pështetje, naive, e mitur, sentimentale, plot iluzione e paragjykime, gruaja në fillim u shtyp nga kontakti i parë me realitetin e ashpër. Shumë prej tyre nuk qenë të zonjat t’i bëjnë ballë situatës së re dhe u mundnë – prandaj rrëketë me lot, tragjeditë shpirtërore, vetëvrasjet nuk kanë hesap. Por, dalë nga dalë eksperienca u shtua, gratë që kaluan me sukses këtë provë zjarri u treguan rrugën të tjerave. Kështu u krijua tipi i ri i gruas moderne, i gruas beqare, si thotë Z-a Kollontai.
    Edhe gjëja më interesante në librin e saj është studimi paralel në mes gruas së gjertanishme, gruas së vjetër dhe gruas së re, gruas që punon.
    Gruaja e vjetër, domethënë gruaja e edukuar, pas sistemit të vjetër, është skllave e ndjenjave të saj. Kurse e re, e cila është shtrënguar të punojë për të rrojtur, duhet t’i dominojë ndjenjat, të stërvitë vullnetin e saj që t’u bëjë ballë me sukses vështirësive të panumërta të jetës. Puna nuk pyet në je i brengosur, në e ke zemrën të thyer, po lyp që të jesh në krye të detyrës në orën e caktuar. Prandaj gruaja që punon duhet t’i fshehë ndjenjat e vuajtjet e saj morale prapa një muri gjakftohtësie dhe t’i jepet më tërë fuqinë punës që bën.
    Gruaja e vjetër ish e mësuar të çfaqej gjithmonë e bindur, e përulur përpara burrit, zotit fuqiplotë; të fshihte ndjenjat, mendimet, me një fjalë shpirtin e saj, dhe të bëhej si një hije e burrit. Gruaja e re duke mësuar, duke punuar, duke u përpjekur ballë për ballë me jetën, u bë një personalitet, filloi të ketë një pikëpamje të sajën mi këto çështje. Prandaj gruaja moderne kërkon që burri të mos buzëqeshë me ironi kur ajo çfaq një mendim, po të përpiqet ta kuptojë, të mundohet ta bindë me argumente të logjikshme dhe të respektojë mendimet e saj. Gruaja e vjetër nuk dinte ta çmonte indipendencën personale. Edhe s’kish se ç’ta bënte indipendencë kurse po të mos kish përkrahjen e burrit nuk ish e zonja t’i bënte ballë jetës asnjë ditë. Gruaja e re duke filluar të rrojë me punën e saj, duke u bërë materialisht indipendente nga burri, nisi të çmonte edhe indipendencën morale. Për gruan e vjetër tërë kuptimi i jetës përmblidhet në ndjenjat e dashurisë, kaqë sa po të kish zemrën të zbrazët, tërë jeta i dukej e zbrazët. Burri i dashur ishte gjithçka për të; ajo nuk ish e kënaqur kur burri nuk merrej tërë kohën me të. Kurse duke marrë pjesë aktive në jetën sociale, duke u bërë një vitull e dobishme në maqinën e jetës ekonomike, gruaja zgjeroi horizontin e saj. Për gruan e re dashuria nuk është më tërë kuptimi, tërë përmbajtja e jetës. Kjo nuk do me thënë se ajo nuk është e zonja të dojë. Përkundrazi, duke mësuar, duke punuar, duke vuajtur, duke zgjeruar horizontin, gruaja e re pasuron natyrën e saj dhe dashuria e saj bëhet më e hollë, më e komplikuar, më e thellë. Vetëm në periudha kur nuk është rrëmbyer nga vala e pasionit, gruaja moderne ka me se të merret dhe nuk vuan nga zbrazëtia e jetës. Këto janë me pak fjalë karakteristikat më kryesore që e çquajnë gruan moderne nga e vjetra. Tani, na pëlqen neve a s’na pëlqen ky tip i ri i gruas, ajo është tjetër punë. Ne këtu duam të kuptojmë atë që është, të kuptojmë gruan e shekullit XX. Sot për sot, gruaja moderne është në pakicë, edhe shumica e burrave nuk janë pajtuar me këtë realitet, domethënë nuk e shikojnë këtë tip gruaje si një gjë normale, prandaj kriza seksuale vazhdon në një kaos të plotë. Se, fundi i fundit, ajo është lidhur me krizën e madhe ekonomike dhe morale që po kalon njerëzia dhe njëra nuk të zgjidhet pa tjetrën. Sidoqoftë, zgjidhja do të vijë duke shkuar përpara e jo duke u kthyer prapa.
    “Minerva”, 1933

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË