More
    KreuLetërsiBotime të rejaGëzim Puka: Një roman metonimik ku nderi bëhet pluhur

    Gëzim Puka: Një roman metonimik ku nderi bëhet pluhur

    Romani “Dhjetë gramë nder” i Namik Dokles

    “Dhjetë gramë nder” është romani më i fundit i autorit Namik Dokle, tek i cili rreh zemreku i orës së kohës që jetojmë, që aq shpesh sa është kurdisur, po aq herë edhe ka ngecur përgjatë këtij tranzicioni. Shkruar me një frymë realiste kronikore, në të dallohet vendosja në qendër të ngjarjes e një personazhi kryesor rrëfimtar. Është një “unë epik” që kallëzon me një stil disi folklorik copëza historish të shkuara dhe të tashme.

    Hyrja e romanit paralajmëron se ai do të ketë një shtrirje brenda një tematike sociale e morale, përmes një rrethimi kohor relativisht të gjatë. Tek uni “epik” (ndonjëherë edhe “lirik”) janë pranëvënë e shkuara jo shumë e largët e një sistemi politik hipokrit, që luante me drejtësinë dhe barazinë e njerëzve, përballë një sistemi më të ri, që vlerë të vetme ka atë monetare.

    Në dukje kemi një strukturë romani që krijon tension me lexuesin. Leximi fillon me një “prolog për epilog” dhe mbaron me një “epilog për prolog”, si për të treguar se fillimi dhe fundi takohen në një pikë. Zakonisht ky është tipari i historive që përsëriten.

    “Çdo qytet ka duhmën e vet të vuajtjes.

    Por pak nga banorët e Meslumasit e njohën kutërbimin e asaj pasditeje të vakët shtatori. Disave iu duk si aromë vjeshte që vinte nga kazanët e pijeve alkoolike. Të tjerë menduan se është duhma e djegies së ndonjë prej magazinave të periferisë, apo të plehrave të qytetit, hedhur stomeve afër varrezave. Të tjerëve u kujtoi thartimën e pleqve të braktisur…”   

    Ky pikëtakim mes prologesh dhe epilogësh duket se ndez tek lexuesi i stërvitur një lloj dëshire për t’ju shtruar një këqyrjeje të kujdesshme, siç ndodh me romanet e realizmit magjik, ku edhe pse të tregohet fundi që në fillim, përsëri nuk i lëshon nga dora. Ka diçka prej Markezi dhe frymës romanore kronikore të tij, në faqet e këtij libri. Ka një lloj realizmi magjik kjo thurje e romanit.

    Lexuesi cilësor e di mirë se qëllimshmëria e realizmit magjik nuk është që t’i shmanget realitetit. Kjo prirje duket edhe në këtë tekst letrar, ku nxirren në pah përmes intuitës artistike ato aspekte të njëmendësisë që në dukje janë të parëndësishme dhe që në përditshmërinë tonë i lëmë jashtë vëmendjes. Në këtë roman zgjidhet përmasa imagjinare, paradoksale dhe ëndërrimtare. Për të mos harruar pastaj përzierjen dhe shtrembërimin i koordinatave kohore, referimin ndaj elementeve mitike apo folklorike, ngulmimin tek detajet ndijore apo në përshkrime. Ky “paragjykim” na u krijua që në faqet e para të leximit të kësaj “pëlhure” historish.

    Qysh në fillim të romanit, na zbulohet vlera e paçmuar e nderit.

    “E shikoni? Asgjëkund nuk mund të gjesh nder për ta blerë. I flamosuri, as shitet dhe as blihet… Për të qenë njeri të duhet krejt jeta, për zagar boll është edhe një ditë.”

    Këto janë fjalë me tone fabulash të vjetra dhe të njohura, të cilave i bashkëngjitet morali. Zëri që i nyjëton është i atit (babait) qëndrestar dhe kujdestar i fisit. Ai ushtron dhe ngulit në mendjen e djalit një nocion abstrakt, por themelor e jetik. Nderi nuk është mall! Por për historitë e rëndomtësisë së mbijetesës, idetë abstrakte mund të devijohen fare mirë e mund të materializohen me tone parodie. Shenja më e qëlluar e këtij parodizimi të moralit është vetë aliteracioni që krijohet mes fjalëve “nder” dhe “Nderim”.

    Personazhit tonë, Nderimit, i është besuar rrëfimi kryesor në vepër. Ai ka mendjeshkrepjen që nderin ta shndërrojë në slogan komercial.

    “Këtu shitet nder. Tabelën e shitores sime të vogël ma bëri me peçikllas një miku im i vjetër, piktor peizazhesh malore, por që në kohë fushatash zgjedhore merrej me shkrimin e parullave, posterave etj.”

    Nderi mund të shitet në klubin e Nderimit. Shumë shpejt rrjedh një galeri e tërë personazhesh që kanë koordinata të matshme për nderin, pasi i kanë jetuar të dyja kohët. Disa nga këta, ferri i diktaturës i ka përlyer me shumë turpe e mëkate, prandaj vijnë në biznesin me frymë purgatori, që të gëlltitin ose spërkaten me pluhurin e nderit me shije bananeje për të gjetur shpëtim. Janë personazhe që artistikisht konceptohen nën peshën e figurës letrare kryesore që e ngjiz këtë roman. Bëhet fjalë për figurën që siguron ndërrimin e emrave abstraktë me emra konkretë, siç është rasti i metonimisë, gjithmonë kur midis këtyre fjalëve ka një lidhje varësie. Në të njëjtën kohë mund të ndërmendet edhe figura që shpreh një bartje kuptimi, siç është ajo e metaforës, kur midis fjalëve ka një lidhje ngjashmërie. Këtë fazë kalimtare, midis ndërrimit të fjalëve apo bartjes së kuptimit të tyre, e gërsheton teksti i këtij romani. Është historia e shitjes së një pluhuri frutash tropikale, për të mbushur boshllëqet shpirtërore të krijuara nga nderi i humbur. Ky është biznesi i protagonistit, një ish-funksionar i shtetit monist, i cili në agun e sistemit të ri gjendet mes katër rrugëve duke shitur banane.

    Tek kjo përplasje e metaforës me metoniminë, apo e bartjes me këmbimin, qëndron gjithë poetika e romanit. Disa histori zhvillohen në një vend, disa vijnë nga e shkuara. Personazhe thuajse rezultativë, me një ecuri ose tipar, që nuk skicohen për t’u bërë tipikë, siç është karakteristika e realizmit në përgjithësi. Janë personazhe që bartin thelbin e konfliktive, janë të pakohë e të paanë, që jetojnë midis qenies dhe dukjes. Përmes fragmentesh dhe historish të vjetra dhe të reja që këmbehen, krijohet “pazëlli” i romanit.

    Vjen blerësi i parë që e rrufit menjëherë pluhurin e dozës së nderit; dy kurva që blejnë nder dhe tregojnë historitë e tyre; çunat e lagjes që vëzhgojnë dyqanin; shitja e një kilogrami nder për të vdekurin Hasan Haruni dhe historitë e poshtërsive e tij; Xha Veroja veteran i luftës me ankesat e tij për çunat e lagjes; grafitet si pllakate të teatrit epik; kujtimi për vajzën;takimi me sicarion – vrasësin; Bajro Jella – daja i Nderimit, që fuste shishe nëpër mure, në të cilat kishte copëza të vogla kronikash të jetës nën diktaturë; Jasmir Buka që i tregon historitë e dajës dhe shisheve të tij; personazhi i Sheh Prushit dhe dialogu i tij me kryetarin e kooperativës; kujtesa për këngët e Adriano Celentano-s në kohën e shkollës; grafitet njëfjalëshe dhe njërrokëshe; çaste lirizmi të Bajro Jellës me vajzën e Doktor Zhakos – Hannan-in; Maks Langoni dhe aventurat e tij për transferim; Varfëria e Xha Veros dhe çunat që i dhurojnë gjak; kujtimet e viteve të luftës së xha Veros; Beci i Kikes; doktori në burg – histori aktualiteti; historia e Hashmeti që prishi minaren e xhamisë dhe mallkimi i plakës së Bungurve për Hashmetin të cilit do t’i mbinin bretkosat në bark; sulmi i organizuar nga Tosun Brinja, vjehrri i Nderimi, kundër “biznesit të nderit”; rënia e biznesit; përplasja  në të kaluarën e Jasmir Bukës me Tosun Brinjën; historia e  Tosun Brinjës që kishte përdhunuar të bijën Ermirën (gruan e Nderimit); vetëvrasja e bashkëshortes së Tosun Brinjës; rrëfimi i Ermirës për Nderimin; burgosja e Nderimit për 72 orë; interesimi i klaneve të të burgosurve për nderin që shet Nderimi; grafitët për lirinë; rënia e biznesit; ringritja e tij prej porosive që vinin nga klanet e të burgosurve; rrëfimi i historisë së shefit të çimkave; blerja finale e pluhurit të nderit për llogari të një klani kriminelësh prej vjehrrit të Nderimi; fundi i biznesit.

    Këto histori kallëzohen ndërmjet fundit dhe fillimit në këtë roman. Strategjia autoriale e ka kujdesin më të madh për ta mbajtur të gjallë vëmendjen e lexuesit, prandaj bën të mundur që ngjarjet të ndodhin njëra pas tjetrës pa i motivuar ato. Qëllimi i rrëfimit është që të ruhet edhe ritmi, prandaj rrëfehet më shumë së jashtmi përmes një zëri që nuk i di të gjitha, por që rri në mes të ngjarjeve duke gërmuar pak brenda shpirtit të personazheve. Sipërfaqësia e rrëfimit është në funksion të kronikës së përzier. Vetë kohët e ndryshme mbartin “personazhe” që ndryshojnë. Nderi i bërë pluhur mbledh me një natyrshmëri të përsosur subjekte të së kaluarës dhe të së tashmes, që mishërojnë mëkate të përbindëshme danteske: përdhunime, vrasje, spiunime, vjedhje, kurvëri, shpifje, blasfemi, mosmirënjohje e plot e plot të tjera. Ata vijnë të gjithë tek Nderimi (drejtori i dikurshëm që shpërndante fletë kampi për pushues), për të blerë nderin si ideal abstrakt, përmes një pluhuri ekzotik konkret. Ky këmbim nocionesh konkrete dhe abstrakte është vetë shtresa kuptimore ironike e romanit. Fjalët e mirëpeshuara të babait janë bërë slogan publiciteti: “Nderi shitet e blihet”. Nderi, kjo izotopi e romanit, është veçse një ndjeshmëri komerciale.

    Të gjitha këto ngjarje ndodhin në një qytet me emër të paqartë, Meslumas apo Anëdeti. Edhe kjo toponimi kompozitë qëndron në të njëjtën gjatësi vale ironike me fjalë të tjera të përbëra apo të reja, që autori i krijon në funksion të fuqizimit të stilemave leksikore, si: gacëfshehur, ajkamë, trunguar, grimëherë etj.

    Vetëmbushja e honeve të theqafjeve të ndërgjegjes me pluhurin e dukjes është një “sipërmarrje” e pështirë, që e ka një fund. Rikurdisja e orës së tranzicionit, edhe përmes këtij teksti narrativ, i jep një lloj shprese lexuesit të vëmendshëm për ta emancipuar dhe për ta shkëputur vetveten nga tirania e kohës së dukjes, si dhe për ta shprehur atë përmes një jetë sipas vlerave ideale.

    Kur mbërrita në faqet e fundit të këtij romani, autorin e të cilit, për hir të së vërtetës, e paragjykova, duke e ditur që ka mbajtur për shumë kohë kostumin e politikanit dhe “zilen” e parlamentit (kostume këto që në vetëdijen tonë popullore nuk shquhen përsa i përket tiparit të ndershmërisë), pata një dëshirë që të bashkëndaj një mendim shumë të thellë që na vjen nga libri studimor “Aspekte të romanit” të Forsterit. Ai ndër të tjera shkruan: “Ja pse romanet mund të na ngushëllojnë edhe kur trajtojnë njerëz të këqij, sepse na bëjnë të mendojmë se ekziston një racë njerëzore më e kuptueshme dhe e përdorshme se e jona, sepse na krijojnë iluzionin e mendjemprehtësisë dhe të fuqisë”.*

    Personazhe dhe krijime të tilla letrare, nëse nuk e rrisin mëndjemrehtësinë, më së paku e rifreskojnë estetikisht mendjen e lexuesit. Metonimia ose këmbimi ironik është çelësi interpretativ i romanit. Metafora, e cila karakterizohet nga tipari i ngjashmërisë midis kuptimeve të fjalëve, nuk ka forcë të zëvendësojë “nderin” me “pluhurin”. Në këtë vepër letrare nuk mbërrihet tek kjo figurë. Ajo mbetet si një simptomë ose një dëshirë e shtypur e një shoqërie të sëmurë.  

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË