Japin shfaqje trishtilat e mi të puthjes
Me gjethe si sqepa zarigogash ,gjakosur
Ketrat e mjegullave ngjyejnë gëzofët..
Pa ty, brenda meje,në trekëndësh të brinjëve,
janë varur gjithë dhimbjet e botës.
Në trojet e zemrës,si grumbuj thënjijsh
japin shfaqje trishtilat e mi të puthjes.
Si nuk mësova tu bie fyejve te shirave,
të tremb zarigogat e humbjes.
Për ty e shkul zemrekun e tokës
Sa herë mbjell imazhin tend,
në fushë të padurimit,
zëri yt, bëhet
aroma e këtij dimri.
Kur Ti, harron,
të bujtësh, në haurin e kokës,
gati jam,të shkul
zembrekun e tokës.
Rrotullohen zjarret
në futën e ditës,
ku fshehur rri Ti.
Në turrë të abetares,
thëngjijtë e shkronjave,
kthejnë mëzat e tymit,
në Xhordano Bruno të ri.
Unë, humb fillin
S’bind dot gishtat
të qep currilat
e fëshfërimës tënde
si një bisht loti,
me vetminë e një rime.
Fatmirësisht
kjo fantazi
kullot ,në psherëtimën time.
Ftesë për koncertin Jazz të Zotit
Të panjohura janë retë, në këtë ditë pa njerëz
të huaja, pa atdhe,dhe kumbullat e kuqe.
100 vjet vetmi, që ia bleva dikur verës,
Dhjetori i ktheu shollë i ngrënë këpuce.
Një zog prej loti ,bëhet Kopernik
në sytë e një gjyshi,mat orbita jugu.
Si Dreri i dimrit,përzënë nga përrallat
barit truri im, në çairet e muzgut.
Të panjohura janë retë, në këtë ditë pa njerëz
Askujt si shkon ndër mend, Koperniku i lotit.
Veç gjethet si ftesa të çuditshme vjeshte
ftojnë gjyshërit në koncertin jaz të Zotit.
Një ëndërr, në gjendjen civile
Aromën tënde
gergujt e durimit, kthejnë në nuskë.
Si fatsjellëse,
me gjilpërën e shirave,
ma qepin në trup.
Ditët janë të shkurtra.
Të mbarsura me ikje
nën frikën e abortit.
Pa Ty,
jam një endërr,
në gjendjen civile të
mot motit!
Dy pëllëmbë dimër.
Dy pëllëmbë i gjatë dimri,
përhumbur qytetit,
ndjek shkollën e erës,
mes kangjellash ngjyrë zverdhur.
Me kembët e mpira,
Vitesh pa palëvizur
si kafe makiato,
pinë zili njërëzish, pemët.
Nëpër shpresë, bri tyre,
nën kangjella përralle,
disa të moshuar,
përzënë nga mundësitë,
Si para bilardos,
ku mbyllur është qepeni,
në karrike mjegulle,
tymosin përditë.
Dy pëllëmbë Dimri,
ca urdheresa të shenjta,
profeci të lashta,
si prift, lexon nën zë.
Bëj kryq e mërmëris:-
Ndodhtë një mrekulli!
Dy pëllëmbë ngeltë dimri,
mos u rrittë më!
Dimërojnë puthjet në trëndafila
Kur fluturat trëndafilat
I veshin si fustanë,
Bishtalecat e gjëmbave,
kthehen në shandanë.
Të çuditshëm, trëndafilat
më ngjajnë si kokë çupe.
Në bishtalecat e gjëmbave
I dimërojnë puthjet.
Një fener gjaku, më ndez guguftuja në zemër.
Bletët kthejnë në hoje,pagjumin e embël
Një fener gjaku, ndez guguftuja në zemër.
Nga t’ja mbaj,se di,këtë natë të panatë,
braktisën pemët dherat,ikën qiejve të verbër.
Ca kuaj ekzistence,prej frerësh, si t’i kap,
hingëllin nata e lidhur pas pemës.
Mëngjesi më godet me bishtrat e vesës,
dherave kthehen pemët,për njerez të përgjumur.
Po shuhet ngadalë gjaku, në fenerin e zemrës
Iu hedh tërshërë fjalësh, kuajve të zbutur.
Vellëzërit e erës
Si një përrua tretur në Vjosë
me ujë dhe shira mbështjellë,
U tret dhe kjo verë,(se kuptoi askush
Si iku dhe këtë herë.)
Ikën shqiptarët,vëllezërit e erës
përqafimet i ngarkuan patjetër.
Në molin e lotëve,ankoruan hijet,
në radë, deri Gushtin tjetër.
Kuturu…vetmie.
Se di, unë a vera, iku kuturu,
me ide të çuditshme, i vetëm rri në lagje
Një guguftu, kthen sqepin në ekspres
Dhe “gu gu”- në e saj, ma servir si kafe
Kafen e çuditshme,sdi me kë ta ndaj
As miqtë nuk i kam, ti qeras të paktën.
Një flutur shiu, me veshje kamariere,
më fton të paguaj dhe tvsh e natës…
Në supermarketin e erërave,ka mbaruar puhiza
dhe çmimet e vetmisë,rritur janë dyfish.
Lëviz nëpër rrugë, marr për dore veten
dhe një askush si unë,duhet të shëtis.
Në vendet ku vera harroi gjurmët e saj
si kurthe që vjeshtrat ti zënë në lak,
ca njerëz më ngjajnë kishëza të rrënuara
dhe nesër besoj, kështu do më ngjajnë prapë…
Astar shtatori, i qepur qiejve
Kaq ishte shtatori.Iku.
Unë, nuk di çtë bëj tani.
Me pak ngjyrosje depresive,
koha duarkryq rri.
Flladet,astarë të qepur qiejve,
të shqepen, duan lejen tënde.
Pa rrebeshin e një të qeshure
dhe truri im, pret të çmendet.
Unë gjerb rrëfenja për çka ndodh,
përgjatë ditënetëve, në këtë qytet.
Këtu dhe humori ndryshon si moti
dhe dashuria nuk ka adresë.
Njerëzit, si varka në det të hapur.
Kur ecin, prapë në vend rrijnë.
Pa ditur gjë për njëri tjetrin,
iu mburren rrugëve, se gjithçka dijnë.
Ta shpall të ikur, apo ende jo?
Për ikjen tënde, nuk thashë atëherë…
Veç di, tetorët tani i pi,
si kafe të forta pa sheqer.
Mos m’i zgjo shirat
Nën qiejt veshur me rroba murgu
mbaj gjallë një kujtim që mbyt.
Retë si gërshet, lidhje pas belit
violinçel shirash floku yt.
E diela ime ishte e hëna jote.
S’duhemi më,ta marrin vesh.
Mos mi zgjo shirat,se violinçeli,
luan veç simfoni prej resh.
Nën qiejt e Vjeshtës,si rroba murgu,
jam kasafortë,asnjë dryn se hap.
Kur zgjuhen shirat, Ti kthehesh çelës,
hap zemrën dhe më freskon pak.
Të tillë vjeshtë dhe fluturat se mbajnë mend.
Ditëve nuk ka lajme, ka vetëm erë.
Të tillë vjeshtë,as fluturat s’mbajnë mend
Një dardhë e vetmuar,dremit nëpër degë,
me trungun prerë cung, mbetur si një mëngë.
Mbi hije shtëpish,çapitet erë e vjetër
kur ike Ti e kyçe ndër avlli.
“përdore,- i the vjeshtës, -mua,nuk më duhet,
supeve ta hedh,kam frikë se mbërdhij”.
Nën dihatje muzgu,strukur rri një dardhë
Erërat fut në trung,ta mbaj frymën gjallë.
Pa ty, jam si kjo dardhë,pemë e mbetur cung
me një këmbë në tokë e një mëngë në mall.
Kur gënjejnë mjellmat e mjegullave.
Pemë kumbulle, u bë pritja për ty.
Si vathë varur degëve,zogjtë e dimrit.
mund të ishim takuar të dy
te i njëjti alfabet i shpirtit.
Ngelëm as në qiej dhe as në tokë.
Vjeshtra na janë kthyer dhe emrat.
Çdo gërmë, është shndërruar në zog,
me sqepin në sy, kthetrat,te zemrat.
54 vjeshtra e një pranverë pa një dimër
Dua të jem, 54 vjeshtra e një pranverë,pa një dimër.
Një thëngjill i vdekshëm,
varur në gjethet e Panjës.
Sa herë gergujt më qepin kostumin e dimrit,
trëndafilat e ankthit,
mbajnë aromë karafili perëndimesh.
Ende nuk mësova,
të qep dhe shqep,një zemër shtesë
për kafkën e vetmisë time.
Ti jap besë gurgullimës së lumit,
ta kurdis,të përmbyt pyllin,që Ti,
e shpike për lejlekët e syve të mi.
Tani, Ti je dhimbja ime ,
kolla nga refluksi i gjërave të bukura,
mallëngjimi i pyllit
që e harrove si karficë,
kur ike prej meje .
Duhet të shpik, një tokë dhe një hënë tjetër
të mos humb më asnjë ikje,
qoftë dhe e zbutur,
e bukur, si një instrument muzikor
ende i pashpikur.
Dua të jem
54 vjeshtra e një pranverë,pa një dimër.
thëngjill i vdekshëm,
varur në gjethet e Panjës.
Kronikë Nëntori
Po ikën dhe Nëntori,larg vrasësve të vet.
Bie erë dherash dhe ditët janë ndryshe.
As era smë do më, një krah të saj s’ma fal,
“Kam merak për ty- thotë, si stina mos ndryshkesh “
Mërzitur me veten, skam kohë të di më shumë.
Më merr mendtë fati i dimrave,lavditë.
“Shtëngomë në grushtin tënd”-,më dih në vesh era
“Të mos humbësh fitoret, si kokrrat ullinjtë…
Po ikën dhe Nëntori, larg vrasësve të vet
Unë, var në diell, si hudhër, emrin tënd.
Një njerk prej dimri je kthyer, o zot,
stë dhemb vrasja e vjeshtës, ikja e Asaj stë dhemb?
Etyd
Kur trëndafilat,fluturat
i veshin si fustanë,
bishtrat e dënesjeve
kthehen në shandanë.
Thëngjij të çuditshëm,
faniten si kokë çupe.
Në bishtalecat e gjëmbave
më dimërojnë puthjet.
Tango dimri
Hingëllin i çartur
një mëz i hazdisur mërzie.
Në patkonjtë e ajrit,
ngecën lidhëset e këpucës time.
Ska këmbë njëriu në rrugë.
Koha kalon,nuk ndalet.
Nën këmbanore të bredhit,
një mëllenjë ulet,të falet.
Mijra gjurmë këmbësh,
mbetur në tokë nga njëriu.
I piu dhe s’u deh dimri,
me shoje këpucësh prej shiu…
Mbledh veten brenda vetes,
nën minaretë e pemëve.
O Mëllenja të dimrit,
faleni,Asgjenë e njerëzve!
Lojë dimri
Me litar ngricash,
nga koha e erës,
kërcen e enjtja
e një dimri, pa njerëz.
Sa mirë ishte atëherë
kur qemë bashkë.
Çmalljet,
kthenim në sythe drurësh,
mbjellë buzë kalldrëmëve të hënës.
Si shoje të gjelbër, i qepnin pemët,
për nallanet e verës.
Patkoj kuajsh janë tani gjethet,
për postierët e vëllezërve Grim,
vërtiten rruzullit,
të na gjejnë adresat.
Poshtë,dhera të kaftë,
lart qielli.
Nga torba e Dantes
i rënë në det dielli.
Dëshira,
që falin namazin.
të pathënat e mia
të ditëve.
Të luaj me kujtimet,
e Enjtja
shpik litarin e ngricave…
Pa asnjë Hënë kjo mbrëmje
Pa asnjë Hënë kjo mbrëmje
astar errësirash i shqep,
qiejve të jugut.
Ngeli pa komça
uniforma e
muzgut.
Një i dehur e rrëmben.
Së prapthi e vesh
sa shumë
piu me xhindet
në lokalin e lagjes.
I ngritën dolli,
të ardhmes së përrallës.
Në koshat me mbetje urbane,
varfanjakët rrëmojnë
të gjejnë domethënien e gjërave
Luajnë dopiogjashtën e vdekjes Pensionistët
I ndezën edhe sot pensionistët
llullat me duhan elegjish.
Në shtigjet e rrudhave ende presin
puthjet e braktisura,
nga e bukura e vjetër.
Korijes së bardhë
të filxhanit të kafesë,
Qan e spushon fëminia
e hënës së prillit.
Teksa vetmia.
luan me ata
që para erës së shkuar,
këngë zogjsh iu premton
kjo ditë e mrekullive.
Te bastunët në duar
këmbanore të çuditshme,
falen mungesat
e mbesave dhe nipërve.
Kapelet ngjeshur mbi koka
si ngastra malli vendlindjeje.
Domino bëjnë
dopio fushën,
bosh
nga përqafimet.
Derisa të rrëzohet
gjethja e fundit e dritës
luajnë dopiogjashtën e vdekjes
në stola përrallash,
Pensionistët