More
    KreuLetërsiBibliotekë"Flamujt e bardhë", tregim nga Astrit Bishqemi (kushtuar piktorit Ali Oseku)

    “Flamujt e bardhë”, tregim nga Astrit Bishqemi (kushtuar piktorit Ali Oseku)

    Dita e punës filloi me një qortim. Ma bëri Rudolfi, shefi i kuadrit të ndërmarrjes. U afrua si rastësisht dhe, pa përshëndetur, më tha me zë të ulët, intim:

    – Kujtim, ti je familje e mirë… Të kam parë disa herë të shoqërohesh me atë piktorin tiranas. Kujdes, djalë i mbarë, kujdes! Mos harro përse e kanë sjellë këtu!

    U largua duke më lënë të topitur.

    Piktori tiranas ishte Sali Sekuj. Shkurt ne e thirrnim Eses. Nuk më kujtohet kush ia vuri këtë nofkë dhe përse. Ndoshta ngaqë ishte flokëverdhë si gjermanët. Ndoshta prej inicialeve të emrit të tij. Nga pamja mund ta merrje për gjerman, kurse nga karakteri jo. Ishte ca melankolik. Shpesh përhumbej. Se nga i fluturonte mendja. Befasohej para diskut të zjarrtë të diellit, që ulej në Perëndim, tej kapriatave të kantjerit tonë të ndërtimit. Po kështu ia ngulte vështrimin një fluture tërë ngjyra, që rastësisht ndalte aty pranë. S’ke ç›i thua, teka artisti! Madje, ai ishte artist i shquar. Skenograf i Teatrit të Operas dhe Baletit në kryeqytet. Tek ne nuk kishte shumë kohë si punëtor. E kishin sjellë me dënim të stilit kinez, riedukim në gjirin e klasës punëtore. Faji i tij? “Ka shfaqje të huaja në artin e pikturës,- na tha Rudolfi këtu e tre muaj më parë, kur na e solli në brigadë.– Është molepsur nga “izmat”, që duan ta përdhosin artin tonë të realizmit socialist.”

    Ditët e para filluam ta shikonim vëngër Saliun. “…Është molepsur nga…”. Këto fjalë përdoreshin për ndonjë të sëmurë nga zgjebja ose kolera. Prandaj sa më larg tij. Edhe piktori rrinte si i veçuar, i mbledhur në fatin e vet të rëndë. Me punën fizike nuk e pati lehtë të mësohej. Pëllëmbët e njoma iu mbushën tërë fllucka, që i plasën dhe i digjnin. Megjithatë, nuk mungoi as edhe një ditë të vetme. Duart i fashoi dhe kazmën nuk e lëshoi.

    Nuk u desh shumë kohë që ta njihnim zemrën e artë të shokut tonë të ri. Na bëri për vete me fjalën e drojtur, me sjelljen e çiltër, me drejtësinë. Pasditet i kalonte më tepër shtrirë. Rimerrte energji për të nesërmen. Ishte interesant kur tregonte. E mbanim vesh gojëhapur. Kishte parë botë me sy. Studimet i pati kryer jashtë. Pastaj, për 13 vjet rresht, në kryeqytet. Ja, edhe tani, nuk ndryshonte fare nga punëtorët e tjerë: po ajo veshje me rroba doku, po ato ‚‘opinga‘‘. E pra, kështu më hyri në zemër dhe, pa kuptuar, u miqësova me të.

    Javët e fundit Saliu sikur qe zgjuar nga gjumi. Qe gjallëruar. Qeshte e bënte shaka. Pëllëmbët i qenë mbuluar me kallo dhe nuk donte t`ia dinte për kazmën. Edhe lodhjen tani sikur nuk e ndjente më aq shumë. Pasdite nuk rrinte shtrirë si dikur, por vinte me ne. Herë-herë ndihmonte në agjitacionin figurativ të ndërmarrjes. Kudo dora e tij: pllakate të mëdha e parulla në pëlhurë, në llamarinë e në mure.

    Rishtazi njeriu po merrte frymë i lirë, po jetonte si ne, mes dashurisë sonë. Por ja që Rudolfi… vinte e na kujtonte se tjetri ishte i huaj, i molepsur…

    Dita m`u duk e gjatë, puna – e lodhshme. Mërzitja më kishte pushtuar të tërin. More, po ç`dreq qenkan ato „izmat“ e Saliut, nga të cilat duhet të ruhesha?!

    Rasti e solli që me to të njihesha më mirë qysh atë mbrëmje.

    Pasdite vura re Saliun që po lahej e po rruhej me kujdes. Kur veshi edhe rrobat „e mira“, e kuptova se do të dilte në qytet. Kjo ishte gjë e rrallë për të, ndaj u bëra kureshtar.

    – Ku kështu, Eses?

    – Në teatër. Bëhen provat e përgjithshme të festivalit të këngës për pionierë.

    – Po ti ç‘hyn aty?

    – Kam punuar skenografinë… Po të duash…- Ai bëri shenjë kuptimplote.

    – I lirë jam. Fundja, po vij.

    Në çast m’u kujtua porosia e shefit të kuadrit, por tanimë ishte vonë. Nuk mund të tërhiqesha.

    U vesha dhe e shoqërova.

    Thashë se salla e teatrit do të ishte mbushur plot e përplot me spaktatorë, kurse ajo ishte pothuajse bosh. Vetëm nja dy-tri radhë të zëna nga këshilli artistik. Përfaqësues të komitetit të partisë, të komitetit ekzekutiv, të frontit demokratik, të organizatës së gruas etj. Ata do të vlerësonin dhe do të miratonin veprimtarinë kulturore.

    Shfaqja më pëlqeu. Zërat e ngrohtë e të çiltër të fëmijëve më futën në shpirt gëzim e gjallëri, më përtërinë, ma hoqën ankthin që më pati kaplluar tërë ditën. Duartrokita fort. Por Saliu që kisha në anë, më goditi me majën e këpucës që të heshtja.

    Pasi u larguan fëmijët, në sallë filloi diskutimi.

    Regjisori vuri në dukje se spektakli i asaj nate nuk ishte i plotë. I mungonin disa komponentë. Për shembull, dritat nuk funksionuan fare, meqë nuk ishin në gatishmëri. Uniformat e fëmijëve…

    Mua nuk më hynin në punë këta “komponentë”, ndaj nuk ua vura veshin. Mezi po prisja të mbaronte mbledhja që “ta lagnim” së bashku me Saliun suksesin e tij.

    Diskutuan nja dy-tre vetë për përmbajtjen e këngëve, për ritmin muzikor të tyre e ku ta di unë. Pashë të ngrihej shoku Baki, përfaqësuesi i organizatës së Frontit.

    – Shokë, mendoj se shfaqja vuan nga “izmat”!        

    Këto fjalë qenë si gjëmimi në një ditë të kthjellët vere. Të gjithë lëvizën tërë sy e veshë. U bëra i vëmendshëm edhe unë. Pa t’i shikoja ç’ishin ato “izmat”, që i kishte kapur shoku Baki. Megjithëse i kishte kaluar koha për të dalë në pension, ai vazhdonte ende të jepte ndihmesën e vet të çmuar për shoqërinë.

    – Te muzika s’para marr vesh shumë e nuk di t’i zbuloj shfaqjet e huaja, veç te skenografia ndryshon puna. Aty ato janë të dukshme, të prekshme, të kapshme, bëjnë “muu”!

    Kur dëgjoi këtë bulurimë, Saliu lëvizi përkrah meje, sikur ta shponte briri i demit.

    – Ka “izma” në skenografi?!- hapi sytë instruktori i kulturës pranë komitetit të partisë.

    – “Izma” posi. Nuk mund të them të ç’lloji janë: impresionizëm, kubizëm, surrealizëm a djall me brirë. Por një gjë e kam të qartë: me këtë skenografi nuk edukojmë te brezi i ri veti të moralit komunist, si guximin e qëndresën. Përkundrazi, edukojmë kapitullimin. Ngrejmë duart lart para armikut.

    – Xha Baki, shprehu më qartë ju lutem!- u hodh përgjegjësja e organizatës së gruas.– Skena më duket e gjetur, e thjeshtë, e bukur, domethënëse.        

    Edhe unë i atij mendimi isha. Ia ngula edhe një herë sytë me vëmendje skenografisë. Ja, disa lulëkuqe të lidhura me shallin e pionierit. Më tej flamurë të shpalosur, që valëviteshin krenarë në ajër. Ku ishin këtu shfaqjet e huaja, apo “izmat”, siç i quanin?              

    – Ëhë! Pa shiko njëherë ç›ngjyrë kanë lulet! Të bardha. Pa shikoje shallin e pionierit: ç`ngjyrë ka! Të bardhë. Pa shiko flamujt, të lutem shumë! Ç›ngjyrë kanë? Të bardhë.              

    Të gjithë hapën sytë të habitur. Diskutuesi kishte të drejtë. Si nuk e kisha vënë re?! Ja pra, ku na u fshehka lepuri!              

    – E de,- vazhdoi me zjarr shoku Baki,– e bardhë, e bardhë, e bardhë! Edhe lulëkuqet, edhe shalli i pionierit, edhe flamuri. Po ngjyra e bardhë s’është komuniste, o t’u mbylltë! Flamuri i bardhë simbolizon kapitullimin para armikut!                 

    Mbi sallë rëndoi heshtja.

    Regjisori u ngrit menjëherë të sqaronte se, siç e kishte vënë në dukje qysh në fillim, fajin e kishin dritat. Po binte në dorë xha Bakiu?

    – Ç›punë kanë dritat këtu! Unë shoh fare mirë, nuk më kanë lënë llambatinat! Faji është i shokëve që ia ngarkuan skenografinë e shfaqjes një piktori të tillë si Sali Sekuj. Ai ka studiuar jashtë, në një vend revizionist, ku shfaqjet e huaja në letërsi e në arte të gllabërojnë të tërin pa e kuptuar. Në Tiranë ky piktor i manifestoi këto “izma”, ndaj i vunë drunë. E sollën këtu për riedukim. Kurse ai ç›po bën? Po infekton skenat tona, spektatorin tonë, fëmijët tanë. Po ëhë, këtë nuk duhet ta lejojmë!

    – Me leje!- ndjeva shokun tim të kërkonte fjalën. Zëri i dridhej. Jo vetëm zëri, por edhe dora që kishte ngritur. Në fytyrë nuk i kishte ngelur pikë gjaku.      

    – Pa ta dëgjojmë piktorin njëherë, – tha sekretari për çështjet ideologjike i komitetit të partisë. Dukej i revoltuar, se ia kishin futur ujin nën rrogoz.        

    Saliu u ngrit i dërrmuar.

    – E dini si është puna, more shokë? U nisa nga estetikja, nga e bukura. I kam punuar në kompensatë të spërkatur me allçi maketet e flamujve, të luleve e të shallit të pionierit. Ndaj janë të bardha. Nuk i leva me bojë të kuqe që të dukeshin më fine. Ngjyrën do t‘ua japin projektorët e ndezur me filtra të kuq. Atëherë shalli e flamujt do të duken si prej mëndafshi. Madje jo vetëm ata, po edhe gjithë skena do të marrë një purpuri agimi.

    Ëhë, kështu thuaj, mendova me vete zemërlehtësuar. Gjaku m›u shkri. Saliu kishte të drejtë.

    Vura re se mbi të gjithë ende rëndonte heshtja e parë.

    Akullin e theu sekretari i komitetit të partisë, i cili dukej qartë që ishte personi më i rëndësishëm aty.

    – Jo, jo, nuk mund të pranojmë ekuivoke. Jemi kundër formalizmit estetik. Flamujt e shalli janë simbole të nderuara që nuk duhet të rrinë asnjë minutë pa ngjyrën e kuqe karakteristike. Qysh sonte të lyhen me bojë të kuqe!

    Pas këtij urdhëri të prerë, diskutimi nuk vazhdoi gjatë. U dhanë edhe dy-tri udhëzime të tjera dhe mbledhja u mbyll.

    Tek dilnim jashtë, shoku im nxitoi të largohej.     

    – Eses… Sali! – i thirra.

    Qëndroi një grimë sa iu afrova dhe më pëshpëriti pa kthyer kokën:

    – Jo, jo, nuk është mirë të të shohin me mua. Nuk dua ta pësosh edhe ti!

    Pas dy ditësh e arrestuan. E kishte mbushur kupën e „izmave“. Gjyqi e dënoi me 16 vjet heqje lirie…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË