Myneveri ka lindur në Gjirokastër më 1924. I ati i saj, nëpunës pyjesh, kishte botëkuptim liberal; rridhte nga një familje e mesme. Ai vetë e kishte kaluar rininë në kurbet, në Amerikë dhe atje ishte shkolluar. Ishte kthyer më 1919 bashkë me fanolistët kur Noli pati vendosur të vinte në Shqipëri.
Vitet e fëmijërisë Myneveri i kaloi në Delvinë, ku u transferua i ati. Pasi mbaroi shkollën fillore me nota të larta, ai e regjistroi në Institutin Femëror në Tiranë. Myneveri sapo kishte mbushur të njëmbëdhjetat. Për herë të parë bënte një rrugë aq të gjatë nëpër Shqipëri. Mbresat e saj për atë udhëtim janë të pashlyeshme.
Duke qenë e zellshme në mësime dhe shumë e hapur në shoqëri, Myneveri fitoi shumë shpejt adhurimin e shoqeve. Mes porosive që i pati dhënë e ëma kur u nis për Tiranë, ishte edhe se “duhej të tregohej e sinqertë dhe e dashur me shoqet, se tash e tutje ato do të ishin familja e saj”. Dhe ashtu ndodhi: konvikti; shoqëria; jeta klandestine; jeta në mal; puna në Elbasanin e çliruar; pastaj bashkëjetesa me Dhimitër S. Shuteriqin, një fenomen i rrallë i asaj kohe; jeta shoqërore; Librazhdi; Tirana; familja e re; Fakulteti Gjuhë dhe Letërsi shqipe; Pogradeci; Durrësi; Vlora; Përmeti; Shkodra; miqësitë e panumërta; Moska; Beogradi; Pekini; Rubiku… Një udhëtim i gjatë, tërësisht romanesk që flet për hapësirat e pafundme të jetës shoqërore.
Shkolla ka qenë një vend i dashur për Myneverin si për të gjithë nxënësit që u ecën mbarë mësimi. Përveç notave të larta në lëndët bazë, më 1938 ajo u shpall edhe kampione e shkollës në ping-pong. Ishte ndër të parat edhe në të dyja kurset e gjuhëve të huaja italisht dhe frëngjisht, të cilat iu deshën disa vite më vonë në bazën e shtypit illegal, që nxirrte buletinin kryesisht nga lajmet e radios në gjuhë të huaja për Luftën e Dytë botërore dhe fillimisht kur punoi në Agjensinë Telegrafike shqiptare pas Çlirimit. Ajo fliste rrjedhshëm italisht dhe frëngjisht deri edhe në vitin e fundit të jetës së saj. Kjo është diçka e jashtëzakoshme. Një grua stoike që nuk u dha deri në çastet kur jeta po zbatonte ligjin e saj të pashmangshëm. Madje ajo ishte e vetëdijshme për këtë fund, sepse në vitin e saj të nëntëdhjetë e nëntë në një kafe pranë shtëpisë, njëherë midis mikeshave të saj, tha: “Unë po jetoj fundin e jetës”. Nuk kishte as trishtim dhe as keqardhje, por një natyrshmëri filozofike që e kanë dhuratë ata njerëz që kanë jetuar me vetëdije dhe kanë kapërcyer me trimëri greminat që i shfaqen në jetë pothuajse çdo njeriu. Shprehja, kuptimi i jetës tregon për origjinën, natyrën dhe finalitetin e jetës, ose përgjithësisht të ekzistencës dhe në mënyrë të veçantë të ekzistencës njerëzore. Kjo pikëpyetje metafizike shpesh gjendet në formën e një serie pyetjesh, nga të cilat e para “Cilët jemi ne? », lidhet edhe me kulturat fetare, intelektuale, filozofike dhe kanë sjellë përgjigje të ndryshme, madje kontradiktore. Myneveri u përkiste atyre njerëve që e shohin jetën në sy me guxim dhe me përgjegjësi. Ajo kurrë nuk kërkoi nga të tjerët atë që duhej ta kryente vetë. Dhe nuk tha në shtratin e vdekjes “Ç’po bëhet me mua?”, por “Kam qenë një grua me fat”, madje, deri disa ditë para se të mbyllte sytë.
*
Vitet që kaloi në Institutin e vajzave i dhanë Myneverit një kulturë të përgjithshme të qëndrueshme. Asaj i pëlqente shumë letërsia dhe jeta letrare në përgjithësi. Lexonte autorë të përkthyer, por edhe në italisht, si Dante Alighieri, Tolstoi, Dostoyevski, Dumas e të tjerë. Lexonte edhe autorë shqiptarë, sidomos ata të Rilindjes Kombëtare. Në prag të pushtimit dhe pas pushtimit në shkollë u kryen mjaft manifestime antifashiste. “Në krye të tyre ishte Margarita Tutulani, Ramize Gjebrea, Nexhmije Xhuglini, Fiqret Sanxhaktari, Naxhije Dume, Liri Lubonja e të tjera” Idetë e reja e tërhiqnin vajzën gjirokastrite dhe u bënë të kuptueshme kur erdhi t’i vazhdonte dy vitet e fundit në Normalen e Elbasanit ku edhe kishte ardhur të banonte familja e saj.
Qyteti i Elbasanit i solli risi në jetë. Ajo kishte lidhur miqësi me të rinj e të reja antifashistë, si Llambi Peçini, Aleksandra Shuteriqi, Thoma Kalefi (dëshmor i atdheut), e të tjerë që bisedonin për një botë të re që do të vinte edhe në Shqipëri. Ajo shkonte rregullisht në bibliotekën e qytetit, gjë që nuk ishte e zakonshme për vajzat e asaj kohe. Në një koleksion të revistës Bota e re e vitit 1938, ajo lexoi edhe botimet e një shkrimtari të panjohur për të, Dhimitër S. Shuteriqi. I bëri përshtypje sidomos poezia Vdekja e peshkatarit. Lexoi edhe ndonjë tregim. E pëlqeu mënyrën si shkruante, por imazhi që krijoi për autorin, është i çuditshëm. Nga temat që trajtonte, ai iu duk i moshuar.
Më 1943, kur Myneveri ishte në maturë, shkolla Normale u mbyll. Diplomën e mori pas Çlirimit si shumë të tjerë. Kështu ajo filloi veprimtarinë ilegale me rininë që kishte përqafuar idealet për një botë të re. Shpërndante trakte dhe komunikata komuniste, në të cilat bëhej thirrje për luftë deri në fitore kundër nazifashistëve. Dhe erdhi kështu arrestimi i parë. Pastaj edhe arrestimi i dytë.
Veprimtaria ilegale sa vinte dhe shtohej, por ajo nuk mendonte fare për vdekjen. Ishte kohë idealesh. Liria e vendit ishte çështja më sublime në jetën e rinisë së asaj kohe. Myneveri u bë gati për të dalë partizane gjithë verën e vitit 1944. Ajo e pati shprehur këtë dëshirë më herët, por i thanë se duhej të priste sa të shprehnin vullnetin edhe vajza të tjera. Dhe ja, shtatori që do ta rreshtonte bashkë me vajza të tjera në radhët e Brigadës XVII Sulmuese, e cila do të përurohej në Gjinar, në vendin e quajtur Fushëkuqe (Fusha e Kuqe), erdhi. Familja e saj ishte e lidhur me Luftën antifashiste. Nga ajo shtëpi u bënë tre luftëtarë të ushtrisë partizane, sepse motra doli partizane fill pas saj dhe vëllai kishte dalë në mal një vit më parë. Ajo u nis nga qyteti me një grup të rinjsh e të rejash një mbrëmje të vonë gushti. Ata e kaluan lumin Shkumbin të kapur dorë për dore mes valëve të ujit që edhe mund t’i merrte me vete.
Fillimisht u vendosën në fshatin Lleshan dhe punuan në terren duke bërë propagandë për fitoren mbi pushtuesit. E mësuar në kushte të një jete qytetare, ajo njohu skamjen dhe jetën e mjerë të fshatit. Njerëzit flinin mbi rrogoza dhe si nënkresë përdornim një trung prej druri. Hanin bukë tërshëre që mezi kapërdihej se kishte brenda fije kashte që të mbysnin etj.
Ditën e përurimit të Brigadës, ajo ka marrë pamjen e luftëtares së re. Ka shkurtuar flokët dhe ka vënë në kokë kapelen partizane. Veshur edhe me një palë pantallona angleze, me çorape deri në gju, me çantë në shpinë, ajo dhe shoqet e saj shndërrohen në një model të ri ri për fshataret dhe fshatarët që jetonin në një prapambetje shekullore.
Ndërsa shokëve të tjerë iu komunikua sesi do të shpërndaheshin nëpër kompani dhe skuadra, atë e thërret sekretari politik i qarkorit, Zihni Muço e i komunikon punën në bazën ilegale të shtypit. Ajo e pret disi ftohtë këtë vendim dhe ngurron, sepse kishte dalë „për të luftuar me armë“, por kur i thonë se në grupin e punës do të jetë edhe Dhimitër Shuteriqi, ajo kundërshton hapur, sepse i duket e vështirë të punojë me një shkrimtar. Por vendimi ishte urdhër. Komunistët duhej të shkonin atje ku u thuhej. Ajo pas disa minutash ndodhet ballë për ballë me „shkrimtarin“, ish-mësues në Normale për disa muaj para mbylljes së saj, por që nuk i ka dhënë mësim. Të nesërmen grupi merr rrugën për në bazën e shtypit. „Zyra“ ishte një kasolle e ulët, e veçuar, vend që e dinin vetëm dy a tre njerëz. Një gardh i ndante nga blegërimat e bagëtive.
Qysh atë ditë në mbrëmje ata fillojnë punën. Në mes të ”dhomës“ kanë improvizuar një „tryezë“ me dërrasa. Normalistja regjistron lajmet si ndihmëse e „shkrimtarit“, duke dëgjuar me vëmendje italisht dhe frëngjisht. Kurse „shkrimtari“ përveç frëngjishtes që tashmë i ishte bërë si gjuhë e nënës, sepse ka bërë nëntë vjet liceun e Korçës dhe gjashtë vjet në Francë, dëgjon edhe anglisht, italisht dhe portugalisht. Transmetimet jepeshin në orë të ndryshme dhe ata rrinin zgjuar gjer pas mesnate. Buletini dilte në kushte primitive, por mbarohej në kohë dhe me cilësi nga Guri Lubonja, një ish-liceist që e mësoi shtypshkrimin nga pasioni që kishte për librat kur shkonte në shtypshkronjën Dhori Kote në Korçë. Ngaqë kishte përvojë në botime, Dhimitri ua bën të lehtë punën edhe të tjerëve, duke punuar vetë në çdo proces. Ajo nisi ta shihte atë si njeriun që di gjithçka. Kurse ai aty e mori vesh se kishte të bënte me një trimëreshë të re që si ilegale ka shpëtuar dy herë nga kthetrat e Gestapo-s.
*
E vërteta është se ajo vjeshtë e vitit ‘44 qe si pranverë për Mynever Ficon. Krahas punës për të regjistruar lajmet që vinin nga Fronti i luftës, ajo po gjen edhe dashurinë e jetës. Sigurisht, duke punuar për të njëjtin ideal, Myneverin e Dhimitrin i bashkon edhe një ideal tjetër, njëlloj harmonie shpirtërore që rrallë haset në jetë. Dhimitri vjen nga lufta, nga beteja të përgjakshme. Varfëria e kasolles është një gjë e dorës së fundit për të. Ai ka parë beteja fitimtare, por edhe humbje të rënda. Ka parë si vdesin trimat. Ka përjetuar Betejën e Pojskës, në të cilën u vranë vranë trimat Reshit Çollaku, Siri Kodra, Spiro Gjiknuri dhe shoku i tij i ngushtë Ptoleme Xhuvani.Për fatin e njohjes së tyre ai i ka shpëtuar edhe vetë për një fije peri vdekjes. Vajza e re është e qeshur, gati e lumtur. E bukur si mosha e rinisë që ka mbi supe. Ajo është e shpenguar, e natyrshme, e zgjuar. I pranon duke buzëqeshur lulet e malit që shpesh herë „shkrimtari“ ia lë në duar me sloganin „si e vetmja shoqe e grupit“. Dhimitri i mbledh zakonisht në agim, në një korije aty pranë, ku shkon për t’u çlodhur pasi mbaron punë me Buletinin. Në këtë mes kumti ishte i fshehtë, atë e dinë dy zemrat e dashuruara, por asnjëri nuk linte vend për dyshime. Ligjet e luftduheshin respektuar. Para disa muajsh ishte pushkatuar Ramize Gjebrea, një veprim kriminal i kryer nga disa partizanë, komunistë ekstremistë.
Kështu ikin ditët me punë dhe me peshën e një ndjenje të re. Dhe vjen mbrëmja e paharruar e 11 nëntorit kur çlirohej qyteti i Elbasanit dhe ata të dy kanë mbetur rastësisht vetëm në odën e një fshatari. Tani misioni i tyre ka përfunduar. Zjarri i jep intimitet atij vendi të thjeshtë. Sendet mbulohen me një dritë të mistershme. Dëgjohen të shtëna të forta, gjëmime topash që vijnë së largu nga lufta për çlirimin e Tiranës. Ata ndihen të gëzuar, por edhe të trishtuar njëkohësisht. U vjen keq që do të ndahen nga ata njerëz me miqësi të çiltër, nga ai mjedis… Janë shumë gjëra, por kryesorja është se mund të ndaheshin edhe nga njëri-tjetri. Ata vështrojnë lojën e flakëve. Vajza e re është vërtet simpatike, por nën ndikimin e ndjenjës së zjarrtë të dashurisë, fytyra e saj zbukurohet. Pas pak ajo dëgjon një zë që i flet fare me të vogël e i thotë se ai nuk dëshironte të ndaheshin, por „të vazhdojnë miqësinë e të jenë përsëri bashkë“. Shikimet e tyre, i atij i përmalluar dhe i asaj disi i çuditur, por që kishte brenda një pohim, në çast kryqëzohen. Nuk pati mes tyre fjalë të mëdha e as premtime. Të nesërmen e asaj dite në fotografinë e fundit me grupin, ata duken të tjerë njerëz. Lumturinë e kanë të shkruar në fytyra. Myneveri kthehet në Elbasan me lirinë dhe me dashurinë, dy thesare të vërteta.
Tërë jetën Mynever e Dhimitër S. Shuteriqi punuan për një shoqëri të emancipuar dhe u ndien të gëzuar bashkë me fëmijë, nipër dhe mbesa.
Pas vdekjes së Dhimitrit, Myneveri botoi librin me kujtime Një jetë në dashuri (Dituria, 2007), në të cilin jepen episodet e veçanta të një jete të përbashkët që brof nga e kaluara me romantizmin e dashurisë së tyre që zbret nga malet dhe i përkushtohet jetës në liri me vetëdije, vullnet e pasion, duke skicuar në të njëjtën kohë portretin e pazakontë të Shuteriqit të dashuruar me gjithçka të bukur e të shtrenjtë dhe të Shuteriqit punëtor të palodhur të kulturës shqipe.
Ajo, gjithashtu, ka punuar pareshtur me vajzat, Mirën dhe Zanën për të nxjerrë edhe më në dritë veprën e tij me kujdesin e Akademisë së Shkencave, sepse ai ishte njëri ndër të parët akademikë të Shqipërisë. Me punën e saj të palodhur dhe me mendjen e kthjellët që e ruajti si dhuratë të natyrës deri sa u shua, ajo ka ndihmuar në botimin e teksteve që i kishte lënë Shuteriqi gati për botim, me përgatitjen e atyre që la në dorëshkrim, me zbulimin e teksteve të reja dhe me sistemimin e ditareve e të shkrimeve të panjohura të tij, disa prej të cilave edhe i dërgoi në shtypin e përditshëm.
Tiranë, 21 nëntor 2024