Shënime për vëllimin ‘Gruaja që endej hijeve” të Irena Dragotit
Kur isha nxënës merresha me gazetën e murit, ku afishoheshin poezitë e shokëve dhe shoqeve të shkollës. Vazhdova ta bëja këtë dhe kur u bëra mësues. Ende dhe sot sa herë më jepet rasti të lexoj poezi apo libër të ndonjë nxënësi, pavarësisht nderimit apo mosmirënjohjes, më thërret ndjenja e detyrës. Një gjë e ushtruar gjatë kthehet në shprehi. Edhe Irena është një ish nxënëse, të cilën e takova në Elbasan në promovimin e librit të Ben Blushit. Më tha se kishte botuar një libër me tregime. Ia kisha lexuar poezitë dhe kur u njoha me tregimet më shoqëroi ndjesia se ato i ka shkruar një autore që vjen nga poezia. Mjafton të përmend disa tituj: “Gruaja që endej hijeve”, “Askush nuk fliste për fatin”, “Atje ku fundosen mëkatet.”
Libri nis që nga shtëpia me pjergullë, kopshti i fqinjës ku degët e fikut kapërcejnë gardhin, lagjia ku ndodhin skena erotike të ndezura nga pasionet njëherësh dhe thashethemet, më tej fshati ku shfaqen personazhe mbresëlënës, edhe më tej qytete të mëdha ku fati i provincialit ndryshon rrjedhë deri tek botë e madhe ku një skulpturë apo plazh nudo shihen si normalitet në sytë e skulptorit. “Imagjinova për një çast gjithë plazhin nudo e të palëvizur, duke pozuar për mua në një skulpturë kolektive. Çfarë realiteti të larmishëm do të përmbante një fragment i vetëm. Zhveshjet e mia netëve dukeshin si fshehje nga bota, sikur përpiqesha t’u hedh hi syve të botës për atë pjesë të vetes që nuk do t’ia tregosh askujt. Fundja, kujt i bëhej vonë për mungesën e lirisë tënde të brendshme.” Raportet e zhveshjes së vetes si fshehje ndaj botës, jo vetëm në skenat erotike, por dhe aty ku personazhët rrëfejnë të vërteta tronditës, mbajnë gjallë vëmendjen e lexuesit. Rrëfimet janë të sinqerta, larg trukeve për të bërë përshtypje.
Më shumë nga mësuesja ata që kanë ndikim tek rrëfimtari janë: gjyshja, babai, nënë, fqinja, cilido që ngrihet mbi ambientin, duke u përballur me realitete poshtëruese. “E kujt i bëhej vonë se nuk do të prodhonim raki, kur atë e pinte veç babai e ndonjë mik i tij kur shkelte për vizitë?! E urreja rakinë, pasi më dukej se ajo ishte mollë sherri mes ne të gjithëve e babait.” Mospajtueshmëria me urrejtjen thellohet, kur: “Babi nuk e gjente gjuhën me asnjë prej fqinjëve, pasi mendonte se ata i shtynin kufijtë. Madje, mendoj se babai do të lumturohej, nëse ne do t’i urrenim të gjithë ata që urrente ai.” Edhe në një shoqëri moderne: pranohesh nëse urren dhe ti të gjithë ata që urren tutori apo prijësi yt. Urrejtja mbahet gjallë nga ata, që nuk e gjejnë gjuhën me të tjerët.
Kështu nis libri për t`i hapur rrugë temës së madhe të dashurisë, që nis pikërisht me gardhin e fqinjës, ku fiku i bardhë bëhet si urë lidhëse midis djalit dhe nuses së bukur. “Gjithë gushtin e shihja shpesh të vilte me mundim fikun e bardhë që kishin në kufi me ne, ndaj një ditë i ofrova ndihmë. S’di pse trembesha, se mos binte, pasi sipas nënës sime hija e fikut ishte e rëndë dhe rrëzimi prej andej sillte gjithmonë pasoja fatale për jetën.” Mos gruaja e bukur për shkak të kësaj lidhje të fshehtë do endej hijeve? “Megjithëse ishte grua shumë e bukur, ajo ishte martuar me Sandrin, një djalë ca i ngathët e i dobët si shtyllë elektrike, që kur e shihje dukej se e zinte gjumi në këmbë. Kaq vite komshi nuk ia kisha dëgjuar kurrë zërin, sa u binda se duhet të ishte memec.” Aq dede ishte Sandër mafishtja, sa nusen ia kishte zgjedhur nënë Sofia, e cila e kishte parë rastësisht nga një fotografi e mbesës së saj. Sofia qeshte pak, kundrejt nuses së bukur që po e kërkonte lumturinë hijeve. “Njerëzit që qeshin pak më kanë lënë përshtypjen se janë me zemër guri. Kur ia thashë këto, Egla u ndje e çliruar, aq sa më puthi e më shtrëngoi fort pas vetes. Ishte puthja ime e parë nga një femër, e për më tepër aq e bukur sa Egla.
-A dilni në pastiçeri me Sandrin, ndonjëherë?-e pyeta.
-Ndonjë të diel, kur kthehemi nga varri i të atit.” Nuk është i rastit ky kontrast, ku ëmbëlsira pas ardhjes nga varresa, të jepi shijen e hallvës. Lehtësisht e kuptueshme, që nusja e bukur ishte bërë qari i njeriut, që s`e meritonte. Kështu që fiku i bardhë do joshte të tjerët.
Në tregimin në vazhdim kujton fjalët e gjyshes se Zoti i vë shenjë së ligës. “Ligësia i ishte bërë tipar tek sytë e picërruara, buzët e holla e të përveshura dhe mjekra e kthyer si lugë…Mësuese Marjetën e zbutnin veç ditët e festave. E shihja në delir krah drejtuesve të rrethit.” Mësimet e gjyshet binin ndesh nga ata të mësueses së marksizmit. Një nga kuadrot e rrethit ishte dhe Tomorri, i cili favoret seksuale i përftonte për shkak të ofiqit. “Që kur ishte pranuar anëtar partie, Tomorrin e kishte frikë gjithë fshati. Ai ndante gjithçka; të drejtat e shkollimit, vendet e mira të punës e madje dhe ushqimet për dasma e vdekje. Pasditeve, i lyer me livando e me flokët lëpirë pas ballit, ai parakalonte nëpër rrugët e fshatit, dhe shpesh kthehej në shtëpitë e fshatarëve, për ndonjë gotë. Kalonte orë të tëra mbrëmjeve e ndonjëherë gjer në mesnatë, aty ku i pëlqente ndonjë nga femrat e familjes. Pa e shtënë në dorë, nuk shkulej, thoshin. Më së shumti kapardisej në vatrën e kulturës, kur ia behnin hallexhinjtë, për ndihmë…
-Sa herë të të vërshëllej,-foli ai,-do të dalësh tek ai sopi në të djathtë të lesës tënde, përndryshe tët atë e pret burgu.” Ky ishte njeriu që terrorizonte, pavarësisht se në drama e filma pasqyrohej si një babaxhan.
“-Rozë, qenka mbytur Tomorri te kanali kullues! Ç’t’i ketë ndodhur vallë?! – pyeti më tepër veten e ëma se të bijën.-Do jetë bërë pishman grua, për të këqijat që ka bërë.-ia priti me romuz i ati.-Ose ka qenë kaq i pirë e i ka rrëshqitur këmba duke rënë pa dashje. Kohët e fundit pinte shumë!”
Për të neutralizuar neverinë që të krijon i ligu, i cili përngjan me dimrin që i ha ditët pranverës, vjen tregimi “Ketrat”. “Kur ua hidhja me tepricë apo kur ngopeshin, i merrnin e hapnin gropa për t’i fshehur. U keqardha kur lexova se nuk e mbanin mend vendin ku fshihnin ushqimin, por kujtonin burimin ku e merrnin.
-Kjo ndoshta do t’ju humbasë instinktet e kërkimit të ushqimit e do të vuajnë urie, u përpoq të më bindë im shoq. Kurrë nuk do ta harroj ditën e parë pas vendimit për t’mos i ushqyer më!
Diku kisha lexuar se edhe dashuria e tepërt “vret”, kurse mirënjohja e tepërt bëhet barrë. Madje, mendoja se çdo gjë me tepricë është e dëmshme.”
Në tregime has personazhe, që urrehen për shkak të krenarisë, sikurse të vuajnë mëkatet e të tjerëve, ngaqë e kanë ndërtuar shtëpinë pranë rrënojave të një kishe, “pikërisht në një gropë të tillë, sa duket se nga çasti në çast do të fundoset nën të”. Kjo bën, që, aty ku fundosen mëkatet, gruaja të endet hijeve dhe të mos flitet më për fatin e saj.


