More
    KreuLetërsiBibliotekë"Eshtrat", tregime Uberi nga Muç Xhepa

    “Eshtrat”, tregime Uberi nga Muç Xhepa

    Krishtlindje. Dëbora e parë. Mielli i Perëndisë zbardh kishën në avenynë Nju-Jork. E vërteta që sjell Zoti në tokë, shkruajnë librat e shenjtë për të. Kisha ndodhet katër blloqe pranë Shtëpisë Bardhë. E presidentëve thonë. Abraham Linkolni me lot ndër sy i hapi zemrën Rev. Gurleit:

    “… kam humbur besimin në gjithçka veç në Zot jo…”.

    Otto, porositësi i Uberit, zbret shkallët me kujdes. Është tepër i moshuar. Shalli i leshtë, i trashë, në ngjyrë të zezë të thellë, i varet hijshëm mbi jakën e palltos madhe ngjyrë gri. Ajo prek çizmet e gjata, lëkure. Ato zhyten në dëborën e butë. Otto ecën i kërrusur. Rehatohet në sediljen prapa. Ndaloj kompakt diskun që po dëgjoj i përhumbur. Ma ka dhuruar një kolege në punë. E ka përgatitur vetë, e ka marrë nga YouTube. Është japoneze dhe ka simpati për shqiptarët.

    – Mos e shuaj, më pëlqen edhe mua ta dëgjoj.

     Shihemi në pasqyrë. Është duke liruar shallin.

    – Nga fillimi?

    – Jo, aty ku e ndërpretë.

    Sa herë dëgjoj “Concierto de Aranjuez”, të luajtur nga Hauser dhe virtuozi Çeku, më shfaqen skenat biblike–kulla dhe shtëpia e Adem Jasharit, luftëtarit legjendar, e djegur nga ushtria serbe…, dëbimi i dhunshëm i shqiptarëve…, nënat me foshnjet në gji… burrat me prindërit në shpinë…, varrezat masive… dergjen eshtrat e kombit në Dardaninë heroike. Petriti luan në kitarë, ajo më bëhet herë lahutë e herë çifteli. Skulpturë ilire pamja e tij. Dëgjojmë në heshtje. Otto vend zbritje ka vënë qytetitn e Frederikut, rreth një orë jashtë Uashingtonit.

    – Kthejeni ta dëgjoj përsëri, nëse nuk mërziteni!- flet i mallëngjyer.

    – Më pëlqen edhe mua shumë. Ka ditë që e dëgjoj pa ndërprerë.

    – E dini përse e ka kompozuar?

    – Dua të besoj gojdhënën popullore për të.

    – Cilën?- më vështron me sy kureshtarë.

    Pranverë. Verrazzano, ura e varur 1,298 metra e gjatë, e dyta pas asaj në Angli, ura Humber, është me trafik të rënduar. Lëvizim ngadalë. Në anën tjetër, nëpër mjergull duket Staten Island. Makensen Bungo ka blerë shtëpi të re. Po shkojmë ta urojmë. Jam me mikun tim të vjetër Uran Kostrecin. Makensenin e burgosën sapo u pushtua vendi.

    – Po i përgjigjesha në dërrasën e zezë mësuesit të gjeografisë mbi rrjedhën e dy degëve të lumit Drin. Pa mbaruar fjalinë, “Drini buron në tokat e robnueme…”, gardisti i kuq, Agim Popa, m’u lëshua me grushta duke thirrur si i marrë, “Reaksionar! Tradhtar! Kosova është e çliruar tani. Vëllezërit serbë quan ti pushtues”?- Më tregonte në prag Krishtlindjesh në Elbasan Makenseni, miku i babait tim. Kishin punuar bashkë në thellësitë e malësisë së Gjirokastrës, Kaparielë. Ishim ulur te pastiçeria e Shtëpisë Kulturës. Viti i stuhishëm 90. Uragani antikomunist kishte përfshirë vendin.

    – Mirëseardhët!- Makensenit i ndrisin sytë.

    – Ta gëzosh shtëpinë e re!- E uron pa u futur ende brenda Urani.

    – Eh, në pleqëri! Larg vendit.

    – Ka shumë të tjerë në kasollet e internimit ende.

    – Po, ke të drejtë, të falenderojmë Zotin që e arritëm këtë ditë.

    Makenseni sapo ka botuar librin “Këneta e vdekjes”. Roman historik.

    – Do t’ia japësh babait ta lexojë!- Merr një libër nga rafti dhe shkruan në faqen e parë poshtë emrit tij: “Mustafa Musa Xhepës, mikut tim të dashur, me dashuri Makensen Bungo, Nju-Jork”.

    I telefonoj pas disa ditësh.

    – Romani është drithërues. Megjithëse disa ngjarje i kam dëgjuar nga goja e gjyshit, mënyra e të treguarit tënd më krijoi emocione të forta.

    – Kemi qenë bashkë në kënetën e vdekjes. Pas Bedenit, Maliqi u kthye në varrezën më masive në vend. Dergjen eshtrat e ajkës së kombit në fundin e saj.

    Në unazë dëbora është dendësuar. Pranë daljes 29, trafiku luan ngadalë, ka ndodhur aksident. Kalohet vetëm në njërën linjë, tri të tjerat janë bllokuar me zjarrfikësen, ambulancën, policinë…, pirgjet e dëborës…

    – Cila gojdhënë?- Pyet Otto.

    – Njerzia besojnë se kompozitori Rodrigos u lëndua shpirtërisht pas bombardimeve të Guernicës në vitn 1937.- Otto tund kokën.

    – Kompozitori spanjoll u frymëzua nga bukuria e kopshteve të “Palacio Real de Aranjuez”. Me nota magjike i zhvendos dëgjuesit në vende dhe kohë të tjera…, përmes evokimit të tingujve të natyrës…”- Flet më tepër për veten, sesa të më bindë mua.

    – Më krijon gjendje tjetër, jo pranë luleve e kopshteve, por dhimbjes së popullit tim. Dëbimin me dhunë nga trojet shekullore.

    – E tmerrshme! Mund t’iu pyes nga jeni?

    – Albania.

    – A ha! E njëjta gjë!

    – Ju…

    – Prusia Lindore, qyteti i Osterodes.- përgjigjet pa mbaruar unë pyetjen.

    – Osterode! Qyteti që Ushtria e Kuqe e fshiu nga harta!- them me vete.

    – Pak ditë më parë mbarova së lexuari një libër me kujtime, “Eshtrat e popullit tim”, shkruar nga një e mbijetuar e kampeve të shfarosjes në Gulag. Ajo shkruan:

    “… kufomat e ngrira gur hidheshin në varre masive; kur gropat mbusheshin plot, i mbulonin me llucë … atje në malet e largëta, Uralet, dergjen eshtrat e popullit tim gjerman…”.

    – Parajsën e proletariatit botëror, Bashkimit Sovjetik!- ndërhyn i nervozuar.

    – S’kishte patur lidhje me luftën. Nënë e katër fëmijëve të mitur kishte qenë, vajza; më e vogla katër vjeçe. E kishin rrëmbyer Sovjetikët.

    – Kanë vuajtur shumë në ato anë. Unë humba nënën.- Otto përlotet.

    – Vëreni përsëri diskun! Ju lutem!- Mbështet kokën në mbajtësen prapa. Mbyll sytë.

    – Më thuaj cila pjesë të ka bërë më shumë përshtypje?- Pyet Makenseni në telefon.

    – Tortura ndaj priftit.

    – Josifin e kam patur mësues. Njeri i ditur dhe me besim të thellë në Krisht.

    – I dha fund jetës në mënyrë tragjike.

    – Nuk e duroi dot pushtërimin. Zhytjen në llucë, heqjen e mjekrës, veladonit…

    – Edhe i varuri në shtyllën e korentit për pesë ditë rresht më ka tronditur shumë.

    – Ishte torturë makabër edhe sot kur e sjell ndërmend dridhem i tëri.

    – Në kënetën e vdekjes lanë eshtrat intelektualë si Abdyl Sharra, Aleks Alarupi, Kujtim Beqiri, Llambi Naçe, Mihal Stradobërda, Pandeli Zografi, Vasil Mano me bashkëshorten Zyraken…- Makenseni ndalon për një çast.

    – Nga thellësitë e infernos jehon zëri i Zyrakes, “Do të shihemi në qiell i dashur”!

    – “Do të shiheni në të sëmës”! Ulërima e Nevzat Haznedarit, prokurorit përbindësh–produkt i shkollës Sovjetike.- Makensenit i dridhet zëri.

    Lemë unazën dhe futemi në autostradën 270. Rris shpejtësinë. Otto më vështron në pasqyrë.

    – Nuk më treguat autorin e librit.

    – Gertrut Baltutt.

    – Ajo u kthye gjallë prej andej, nëna ime jo. Sot u luta për shpirtin e saj, ndeza një qiri. Mbushen 74 vjet që e rrëmbyen, ishte shtatzënë.- Fshin lotët.

    Gertrut Baltutt tregon rrëmbimin dhe dërgimin me dhunë të mijëra gjermaneve në Urale. Mbyllur brenda një treni mallrash me javë të tëra. Kampet e punës së detyruar, trajtimin skllavërues… përdhunimin–arti i Ushtrisë Kuqe. Përse? A nuk ishte Stalini që urdhëroi ushtrinë të festonte me plaçkën e zënë?

    “… një adoleshente 15-vjeçe, Hanna”, shkruan Gertrut, “u përdhunua aq brutalisht nga oficerët e Ushtrisë Kuqe, kur shkelën tokën Gjermane, sa kokat e femurit i dolën nga vendi. E mbanin me forcë të shtrirë, ashtu pa lëvizur me orë të tëra, derisa këmbët i bëheshin dru–të pa jeta. Të burgosurat e tjera ia futën në vend më vonë. Por, ajo s’mundi kurrë të ecë në gjendja normale më”.

    Isha duke lexuar librin në pushimin e drekës. Një kolege amerikane, Monika, kur më pa me sy të lagur, kërkoi të shohë çfarë po më prekte aq shumë. I zgjata librin. Sytë i vanë te rreshtat:

    “… njërën nga shoqet tona e përdhunuan kur ishte duke lindur fëmijën, ndërsa një tjetër menjëherë pas lindjes…”.

    U tmerrua. Kërceu në këmbë. Vrapoi drejt e në banjë. Kur u kthye ishte bërë dyll e verdhë në fytyrë. Ende i vinte për të përzier.

    – Dini ndonjë rast që ushtarët gjermanë të kenë kryer akte turpi në Albania?- Otto sikur të ketë lexuar mendimin tim.

    – Jo!

    – Por, ushtria gjermane e shkeli tokën tuaj?

    Ç’t’i them? Se, vetëm atëherë u bashkua atdheu im i coptuar! Apo gëzimin në rrugë kur fitonte Gjermania në kampionatin botëror të futbollit?

    – Nuk di të jetë shënuar ndonjë rast që ushtari gjerman të ketë përdhunuar ndonjë femër. Të paktën në vendin tim.

    – Jo nuk ka. Në të kundërt; francezët u sollën shumë keq me vajzat e tyre që u dashuruan me ushtarët gjermanë.

    – Kam lexuar shënimet e Kolvilles, sekretarit personal të Çurçillit. Në një vend ai shkruan:

    “Në Bayeux pashë një komion të hapur që shoqërohej me të shara dhe fishkëllima nga turmat në rrugë. Në karroceri vajtonin të turpëruara një duzinë grash me koka të qethura. Ndjeva neveri nga sjellja mizore ndaj tyre”.

    Frederiku ka ndezur dritat. Zbresim kodrën e mbuluar me dëborë. Atmosfera festive e Krishtlindjeve të krijon gjendje tjetër–dashurinë për jetën.

    *Vizatimi nga Maks Velo

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË