More
    KreuLetërsiBibliotekë"Është një hapësirë", poezi nga Demë Topalli

    “Është një hapësirë”, poezi nga Demë Topalli

    ËSHTË NJË HAPËSIRË

    Është një hapësirë,
    Hapësirë ku një vetmi e mirë
    Ujin dhe zjarrin që shëron ka krijuar.

    Është një hapësirë,
    Hapësirë prej një flakërimi të lashtë
    Ku një lule çel edhe në drurin e thatë
    Dhe kurrë të fishkur askush s’e ka parë.

    Është një hapësirë.
    Hapësirë prej një tundimi të mirë
    Ku shpirti i Agustinit digjej, i tëri digjej,
    Me ditë e me rrëfye për veten e për krejt
    Çfarë Shpirti i Shënjtë mbi dhe ka krijuar.

    Është një hapësirë,
    Hapësirë prej librash, mendimi e krijimi
    Që gjithmonë na ruan mos me ra aty
    Ku sundon harresa e merr fund kuptimi.

    Janë këto çaste prej një Zoti të mirë
    Që ma falën sonte këtë dëlirësi mendimi
    Me i kujtue këto e sa e sa gjëra të tjera
    Që mendje e shpirt na i mbajnë të zgjuar.

    Oh, gjëra,
    Gjëra nga të cilat shumë kam dashtë
    Që në agun e parë të këngës me u nis
    Me u nis e deri në fund me shkue.


    KAM MALL

    Kam mall, mall kam,
    Për fushën, malin, lumin, detin
    Dhe për shumë gjëra të tjera, aq të bukura,
    Që prej një vetmie të mirë janë krijuar.

    Kam mall, mall kam,
    Për rrugë, kënde rrugësh, bërë prej dhembjesh,
    Nëpër të cilat dikur, një nur ylli e hane,
    E heshtur, gojëzanë, përditë ka kaluar.

    Kam mall, mall kam,
    Për botë të largëta e tashmë të tretura
    Që prej aq formash, ngjyrash e ndezurish
    Sytë e mi prej kënge, dikur i kanë krijuar.

    Kam mall, mall kam,
    Për rrugët, të ngushta sa për dy këmbë,
    Ku sa herë kaloja i vetëm, gojëzanë,
    Në mendime prej gjelbërimi janë shndërruar.

    Oh sa mall kam
    Për gjthçka që një vetmi e mirë ka krijuar.


    NJË TAKIM ISH-GJIMNAZISTËSH

    Kam adhur sot këtu, ku këta dy sy,
    Për herë të parë kanë mësuar me pa,
    Me pa e nga gëzimi e malli me qa.

    Me pa fushën, kodrën, malin, rrugën,
    Ku kam bërë hapin e parë vetmitar
    Drejt një qielli, ku ka pak hisedarë.

    Me hy në një botë ku një Zot i mirë dikur
    Ka bashkuar tokën, qiellin, ujin e zjarrin
    Dhe ëndrrën time të parë ka krijuar.

    Me pa ndonjë cak që dikur një Perëndi
    Midis një thëllimi, thëlim veriu,
    E bënte të lumnueshme pritjen për ty.

    Oh, kam ardhur,
    Një kopsht të perëndishëm kam ardhur me pa
    Nëse përgjithmonë koha, fishkur s’e ka.


    SHTËPIA E BËRË PREJ HARRESE

    Në një natë të pafund erdhi një kujtim
    Si një kumt i frikshëm parahistorie
    Dhe një mijë rrugë i mbylli si me qenë një.

    Pashë, mbi çdo fillesë historie
    Hije vdekësore atëbotë pashë.

    Pastaj renda, një mijë vjet renda gojëzanë
    Nëpër një rrugë vetmitare, të braktisur,
    Krejt të braktisur nga koha e Zoti.

    Pashë, shumë vonë pashë,
    Koha qenka ndalur në një pikë rruzullimi.

    Në fund të një rruge që këta hapa të rëndë
    Kurrë s’e kanë shkelur
    Një lule të fishkur, krejt vetmitare, e pashë.

    Ka një mijë vjet, ke rënë,
    Një mijë vjet ka, nuk të kam parë.

    Një kumt i lashtë pastaj erdhi nga gjithësia
    E tha, koha është dora që gjithçka ka vrarë
    Duhet me shkrue, me shkrue e me shkue.

    Zot,
    Na ruaj nga mallkimi
    Me harrue me shkrue.


    SHUMË TË FALEM, MNEMOZINA

    Të falem,
    Shumë të falem, Mnemozina,
    Që nga hiri yt i lashtë sonte
    Ngjalle kaq shumë çaste, ditë dhe net
    Në këtë dhomë plot dritë.

    Që pate kurajën të ma falësh dritësinë
    Me dalë tej nate, tej lumit Leta,
    Midis drunjsh, lulesh dhe zogjsh
    Nën një qiell vetmitar me hanë.

    Nën një qiell vetmitar me hanë me dalë,
    Me dalë e sërish me pa botën që dikur,
    Dikur moti, e ka bërë një Zot gojëzanë.

    Që për një çast munda me ikë,
    Me ikë e në hapësira të tjera me shkue
    Dhe aty ku Ti gjithnjë rri e zgjuar
    Fjalët që ka thënë Diotima me i kujtue.

    Të falem,
    Shum të falem, Mnemozina,
    Që sonte munda me pa fort mirë
    Se, mbi të gjitha mrekullitë mbi dhe
    Qenka : Me Dashtë e Me Qenë i Lirë.


    HESHTI

    Në këtë çast,
    Shumë, shumë kisha dashtë,
    Me pa një gjeth, nga degë e tharë
    Në barin e njomë si ka me ra.

    Si ka me ra e ç’ka me i thanë
    Botës që s’ka za, çastit gojëzanë.

    Oh, në ty,
    Në ty me pa edhe një herë
    Fillin e gjithçkaje të bukur
    Që s’është tjetër veçse një Heshti.

    Një Heshti
    E jeratisur nga një perëndi.

    Me vdekë,
    Një mijë herë me vdekë
    E me u ngjallë bashkë me ty
    Përsëri, në Heshti.

    Oh,
    Heshti,
    Heshti,
    Heshti!


    LUTJE

    O zjarr i lashtë, ruana,
    Fshehtësinë e gjërave të bukura
    Përgjithmonë, ruana.

    Ruana,
    Mahnitjen e Parë e të lashtë
    Që në sytë tanë lot malli ka krijuar
    Përgjithmonë, ruana.

    Ruana,
    Forcën për ta mundur ligësinë
    E për të qenë vetvetja
    Pëgjithmonë, ruana.

    Ruana,
    Këtë copë qielli e toke
    Ashtu siç e panë sytë e Naimit
    Përgjithmonë, ruana.

    Ruana,
    Nga Gjëmë e Ekleziastit
    Për pavlerësinë e gjithçkaje mbi dhe
    Përgjithmonë, ruana.

    Ruana,
    Dhuntinë që na fal kurajën me thanë
    Du’ me shkrue e s’kam kohë me shkue
    Pëgjithmonë, ruana.

    Ruana,
    Për të mos rënë aty ku sundon
    Harresa e merr fund kuptimi
    Përgjithmonë, ruana.


    KOHA

    (Për Shën Agustinin)

    Foli, aq shumë foli për kohën,
    Sa krejt i cfilitur nga ky pyll
    I errët dhe i ngatërruar doli .

    Deshi ta maste me saktësi po s’dinte
    Ç’të bënte me shkuarën që kish ikur,
    Të ardhmen që ende s’kish mbërri
    Dhe të tashmen që rridhte e rridhte
    E s’mund ta zinte kurrsesi.

    Atëherë u ndal e tha, Zoti im, më ndihmo
    Të dalë nga ky pyll i errët e i ngatërruar
    Se ç’është koha, unë nuk e di.

    Po ti harrove, o i bekuar,
    Harrove që tërë kohën e shpjegove
    Kur the:” Zoti im, ditët e mia deri në pleqëri
    I çove, por sesi i kalova, nuk e di”.


    SHUMË KISHA DASHTË

    Shumë, shumë kisha dashtë,
    Në ato çaste mbrëmësore prej deliri
    Edhe një herë me u kthye.

    Me pikë, si prej qielli me pikë e me ra
    Nën hijen e një lisi degëshumë,
    Aty ku botën dikur, ashtu në heshti,
    Të plotë, si një hënë të plotë e kam pa.

    Me pikë e në atë breglumi si kristali me ra,
    Aty ku drithërima hane, qiejsh e yjzish
    Këta dy sy prej kënge, i kanë mësuar me pa.

    I kanë mësuar me pa
    Dhe për gjëra të bukura e të tretura
    Mall me pasë, e ndojherë edhe me qa.


    KISHTARI

    Ti the se të gjitha janë thënë në këtë botë
    Dhe gjë të re nuk ka nën Diell.

    E ke thënë, po harrove
    Që vetë ti një poezi vaji e gjëme
    Të bukur e të re, për të gjtha të këqijat
    Dhe kalueshmërinë në këtë botë e krijove.

    Ndoshta i gjithë ky tundim vjen
    Ngase ne kemi me u vdjerrë, me shkue;
    Por ti harrove se në këtë botë
    Kemi ardhur me lanë farën e me ikë
    Që të tjerët të vijnë, të reja me krijue.

    Po s’është çudi, o Kishtar,
    Sepse këtë as Sokrati s’e ka ditur
    Derisa në një ag të lashtë, ndan një ruge,
    Diotima nga Martinea s’ia ka mësuar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË