More
    KreuLetërsiBibliotekëErvina Halili: Mali i qumështit (Fragment nga romani)

    Ervina Halili: Mali i qumështit (Fragment nga romani)

    Ngjante si kurorë karafili e kreshtave alpine dhe reflektimi i diellit lyente me ngjyrë smeraldi tërë sipërfaqen e atij mjedisi të mefshtë guror. Ndihej sikur të kishe hyrë në një sagë muzgu me valëzim zëri të mbytur dhe ngjeshja e ajrit të tkurrte aq fort gjoksin. E po, nuk e di pse u gjenda mu aty. Më kot përpiqesha të kapja përciptazi ndonjë lëvizje të beftë të çfarëdo frymori – eh, sa për të më dhënë një aluzion të vendndodhjes – por jo, asgjë nuk ishte e njohur. Pas pak, erdhën zërat e një tufe shpendësh portokalli që vërtiteshin rreth kurorës së masivit që kishte rrethuar hapësirën si të ishte e rrënjëzuar drejt qiellit. Oh, ç’frikë e përzier me ngazëllim dhe një balonë e fryrë pezullie në fundbark m’i rrëqethi eshtrat dhe mishtë e mpirë në habi.

    Pamja shkonte ngadalë duke u pastruar. Po ndihej një gurgullimë uji që nuk i dihej ana e rrjedhës dhe masivi ia shpërndante jehonën gjithandej, pa skaj. Qielli kishte një ngjyrë të gjelbër neonike që shpërndahej në rritje duke marrë formën e një gjarpri të fjetur qiellor dhe çuditërisht, tërë kjo hapësirë e panjohur nuk të falte vetmi. Hetova ca hapa që po vinin nga mbrapa shpinës sime dhe ktheva kryet me qetësi. As edhe një gjë e gjallë nuk u pa, veçse në trup ndjeva një frymë të vakët si të dikujt që po rrinte pranë meje.

    Hapa sytë. Dhjetë minutat e meditimit më kishin katandisur në një botë që nuk arrija ta çoja më tutje. U ndie një qetim në shpirt e trup në atë natë të mirë që kishte lëshuar tisin mbi frashërishtë dhe pishat ngjyer në terr lironin ngarkesën e ditës në aromë qelibari. Prapa shtëpisë së gurtë zjarri mori ngeshëm hovin e flirtit me erën që sillte në shushuritje halat e dorëzuara përtokë dhe boçat që prisnin t’i përpijë pavërejtshëm dheu e t’i deponojë në bark për një stinë tjetër.

    Zonja e shtëpisë mbaroi së shpëlari enët e mbledhura në kazanin e llamarintë dhe kalimthi, me sy gjysmë të mbyllur, më uroi natën e mirë dhe iku për të thirrur gjumin, që do ta përqafonte deri në lindjen e diellit, atëherë kur për të dita merr hovin e çeljes në drithërima të imëta zanore. Kishte vite që arratisesha skuthazi në këtë shtëpi bjeshke që të më mbante të ikur larg nga ndotjet akustike e ajrore të qytetit, duke më bërë kështu dëshmitare të turli tregimi a ndodhie të kësaj rrethine malore kufitare. Njëherë u fol për gratë e një ambasade që bënin kontrabandë kokaine në kova bojërash, për ta stacionuar tej kufirit. Njëherë tjetër për gratë që nuk bënin dot fëmijë dhe vinin të përbiroheshin në gurinën e shpuar të fshatit, pastaj ktheheshin në shtëpi me një fije shprese. 

    Po, ky fshat i mistershëm dhe i qetuar, sipas banorëve, mbrohej edhe nga zanat e malit, që folezonin në ujëvarën e hovshme poshtë fshatit dhe tërboheshin sa herë që dikush merrte guximin për ta prishur ligjin e harmonisë së asaj zone. Shkëmbinjtë gjigantë në rrjedhën lumore poshtë ujëvarës ishin njerëz të metamorfizuar në gurë nga shitimi i zanave dhe guronin përjetësisht në fshat. Banorët e fshatit, ballësheshtë dhe shtatlartë, me krenari tregonin për respektimin e të gjitha kanuneve për mbrojtjen e kësaj harmonie natyrore dhe kjo ishte arsyeja pse deri vonë nuk mund të bëheshe banor i ri në fshat nëse ishe i ardhur dhe nuk e kishe të trashëguar këtë kanun.

    Burri i zonjës quhej Prenk. Vinin shpesh bjeshkatarë kalimtarë dhe thërrisnin: “Oj zonja e shtëpisë, a është kjo shtëpia e Prenk malësorit?” Por ajo mbeti tek unë, besoj edhe tek ata, përjetësisht pa emër, vetëm zonjë, siç ishin edhe vetë zanat. Prenku dhe zonja, në net si kjo, do të rrinin me mua pranë zjarrit duke më rrëfyer ndodhitë e vitit. Shtëpia e tyre malore ishte një shtëpi guri trekatëshe, me nga tri dhoma secili kat dhe nga një banjë e përbashkët në secilin korridor kati. Korridoret ishin të veshura me dysheme druri kërcëllitës, të mbuluara me qilima të leshtë artizanalë lloj-lloj ngjyrash, për të cilët zonja mburrej se i kishte punuar vetë në vek, si dëshmi e nusërisë sojnike. Secila dhomë kishte nga gjashtë a shtatë shtretër. Sall aty në katin e tretë, buzë shkallëve, ndodhej një dhomë tre me dy, me vetëm një shtrat nën kulmar dhe një tavolinë të vogël buzë dritarezës që shihte qiparisat e oborrit. Prapa dere, një sobë e llamarintë mbushej me dru për t’u ngrohur në netët e lagështa të vjeshtës dhe të acarta e borëplota të dimrit. Muret dhe tavani ishin të veshur me dru pishe, që me rrathët e zinj tek-tuk ende të jepnin ndjesinë e pyllit të gjallë, ndërsa dyshemeja zhurmonte nga bungu sa herë peshoje mbi të.  

    Shtëpia ishte pronë e trashëguar nga babai i Prenkut dhe një pjesë e saj ende ruante konstruktin e moçëm, po ashtu edhe aromën e moçme të akumuluar të lagështisë dhe avullit të një jetese të dikurshme. Mu aty në katin përdhes, ku më parë kishte jetuar bagëtia, tashmë në një modelim krejt modest, jetonte ky çift malësorësh duke pritur e duke përcjellë me dhjetëra bjeshkatarë vizitorë çdo javë.

    Shtëpia ndodhej mu në mes të disa shtigjeve që çonin në një varg të majave kurora të kësaj bjeshke dhe prandaj edhe ishte shpesh e mbushur me bjeshkatarë të lodhur që stacionoheshin për t’i qetësuar muskujt dhe për ta furnizuar trurin me një sy gjumë apo edhe për ta shuar urinë me gatimet ditore plot kalori të zonjës. Kuzhina ishte hapësira më intime e saj – një aneks jashtë shtëpisë ku kishte dy soba druri, një lavaman të gjatë e të llamarintë, një fllanik me deriçkë të vogël druri ku ruante ushqimet e fermentuara të dimrit, një mur të mbushur me enë që rrinin varur, në mesin e të cilave kishte edhe nga ato të moçmet të punuara nga farkëtarët e zonës. Shpesh e shoqëroja me orë të tëra kur ziente mazën dhe e përziente bashkë me një mori kujtimesh nostalgjike të vajzërisë së saj.

    Prenku dhe ajo, pas disa rrëfenjave dhe ndonjë gote rakie ftoi të zier nga vetë duart e tyre, iknin për të marrë energjinë e gjumit që u duhej për ta nisur ditën, me punët rutinore të bagëtisë, bletëve dhe korrjen e arave të mbjella, era e të cilave të bënte shpeshherë të ndieje trazim, nga mundësia e kthimit në mes të zhurmës indus-triale ku ajri i metamorfizuar i makinave të vjetruara, fabrikat dhe ngrohtoret e qymyrit zbehnin dukshëm ngjyrën e qiellit, gjelbërimit dhe fytyrat e njerëzve që sikur reflektonin arkitekturën gri brutaliste jugosllave, ende të mbijetuar në kujtesë gulçuese.

    Ishte rënduar dhe fryrë barku im. Aty brenda, një zemër e vogël insistonte pulsimin me rreth 160 rrahje për minutë. E frikshme më dukej që një njeriu t’i vijë ai çast të mbajë brenda trupit të vet një tjetër njeri dhe ta ushqejë me gjakun e tij, frymën e tij. Aq më e frikshme që ai njeri fillimisht është vetëm një qelizë e padukshme që shkëputet nga trupi yt, një krimb transparent që pluskon diku nëpër hapësirën amniotike të fundbarkut dhe krejt papritmas bëhet njëri nga ne. Fiks ajo kokërr e vogël mund të jetë shkatërruesi i ardhshëm i njerëzimit, ose shpëtimtari vetë. Mu ajo do të ketë një trajektore historike të jetës dhe për të, ajo trajektore do të jetë gjëja më e rëndësishme. Atë kokërr të vogël sa një farë limoni kushedi kah do ta përplasë jeta, kushedi sa të gjatë do ta ketë udhën, prej çfarë gëzimesh do të rritet, prej çfarë dhembjesh, çfarë njerëzish do ta rrethojnë, çfarë detyrash. Mu ajo kokërr që rritet në barkun e një gruaje, e cila ishte e tillë edhe vetë.

    Molusk deti luftarak me mantel qeske si mburojë për të mos lejuar prishjen e terezisë nga kjo botë e panjohur pabesish. As vetë fruta nuk i beson dot trupit në të cilin mbruhet për të marrë më vonë një trajtë njeriu, trupit të cilin për pak do ta thërrasë nënë, që do të thotë prima materia e tij. Ky oksigjen që po zvetënon çdo ditë e më shumë kthjelltësinë e tij dhe këto hormone të shformuara që po tkurren çdo ditë rrugës, do ta detyrojnë zbarkuesin e një të ardhmeje të mbulohet me një qeskë edhe më të trashë se, ku i dihet, materia në tokë çdo ditë ka nga një epidemi të re.  

    E shihja aty diku, si krijesë të vockël, tek vështronte yjtë në barkun tim qiellor, përmes asaj qeske deluzive që të bën të ndiesh se ende je pezull aty mes meteorësh rënës dhe hapësirës së errët ku rri si një objekt magjik që qenëson vetvetiu pa e kuptuar veten, pa e ndier kohën e as hapësirën. U ndjeva për një çast e mashtruar kur kujtova se me sa shumë gra shtatzëna isha shoqëruar pa e empatizuar në sytë e tyre shkëlqyes hamendësimin ekzistencial që mund të kishin pasur qoftë edhe pa e kuptuar.

    Ja tek shkrihet edhe druri i fundit në zjarrin e ndezur të oxhakut të gurtë prapa shtëpisë dhe dëgjohen kërcitjet që herë-herë flakërojnë në erë duke u shuar si xixëllonjat në ajër. Lëshohet si me rënie të lirë lodhja ditore e trupit, e cila është akumuluar pa bërë thuajse asnjë gjë të vetme dhe po, muskujt që falënderojnë në përulje. U ndjeva dy vjeçe. Pashë qiellin, si rrallëherë i kthjellët, punim surreal i ndonjë artisti që sjell në dritë diçka që për botën e tij është krejt realiste, por ngaqë njeriu ka ikur aq larg nga zgjatimi natyror, çdo gjë e rrjedhë nga imagjinata e thelluar duket përrallore dhe metafizike. Prek trupin tim si të ishte një objekt alienik, barkun i cili po fryhej çdo ditë duke zhvendosur me heshtje diplomatike të gjitha organet lart tij, poshtë dhe ato anash. I shtyn për të zënë hapësirën e nevojshme për trupin e ri, si gjënë e parë për një krijesë të re, krijimin e hapësirës personale, territorin. Dhe është inteligjenca e barkut që e zgjeron gradualisht veten duke ndjekur krijimin e avashtë të të gjitha organeve të frutës dhe më pas, duke vënë masë mbi to pa të pyetur fare, dhe ti rri e kundron në mes të habisë e mrekullisë pa ndier keqardhje për veten.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË