More
    KreuIntervistaErmir Nika: Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e...

    Ermir Nika: Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia? Romani “Një hero i kohës sonë”, i M. Lermontovit

    Libri që po lexoj ndërkohë

    Aktualisht i jam rikthyer një periudhe të adoleshencës dhe të kohës kur isha student, duke iu përkushtuar veprës së një prej figurave më të spikatur dhe mbizotërues të artit dhe kulturës amerikane të viteve 60-70, të shekullit të kaluar dhe ky është Andy Warhol. Vepra që kam në duar momentalisht është një përmbledhje me vargje dhe aforizma të shkruara prej tij dhe që titullohet “Gjëja më e bukur e Firences është McDonald’s”.

    Libri që më ka ndryshuar jetën

    Nuk mund të jetë vetëm një libër por edhe një libër mund të na josh drejt  ndryshimit të madh, në të gjitha këndet dhe mënyrat perceptimit dhe mendësisë dhe pa hezitim mund të them që libri që shënon një ndryshim në jetën time ka qenë dhe mbetet “Frymë të vdekura”, vepër e një prej autorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave Nikolaj Gogoli.

    Libri që do të doja të kisha shkruar

    Në këtë etapë ku gjendem tashmë, kur kam lexuar një pjesë të konsiderueshme të letërsisë evropiane, asaj amerikane, amerikano – latine etj, mund të them që kërshëria dhe intuita me drejton drejt letërsisë kineze dhe pa kurrfarë hezitimi mund të përzgjedh romanin “Ëndrra në pallatin e kuq”, si një prej veprave që ka luajtur një rol epokal në letërsinë klasike të këtij vendi.

    Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia

    “Një hero i kohës sonë”, një ndër librat më brilantë të letërsisë ruse të të gjitha kohërave, me autor shkrimtarin universal Mihail Lermontov.

    Libri që më ndryshoi mendjen

    Nuk mëndyshem aspak të pohoj se libri që më ka ndryshuar mendjen dhe konceptet mbi mënyrën e të shkruarit është “Pallati i Ëndrrave” e autorit më të lartë të letërsisë shqipe, Ismail Kadare.

    Libri i fundit që më bëri të qaj

    Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje më duhet të bëj jo pak hapa prapa, në kohën kur isha disi me sentimental dhe padyshim i jepesha romaneve dhe filmave ku merrja një dozë më të lartë emotive dhe këtu mund të përmend librin dhe me pas edhe filmin “Histori dashurie” e autorit të mirënjohur amerikan Eric Segal.

    Libri i fundit që më bëri të qesh

    Nëse më duhet të përzgjedh në shportën e librave që më kanë bërë jo pak të qesh, pse jo, i qëndroj diptikut “Tregime nga njëri xhep” – “ Tregime nga xhepi tjetër” të autorit të shquar çek Karel Çapek.

    Libri që më vjen turp që s’e kam lexuar ende

    Ia drejtoj herë pas herë një vetes një pyetje të tillë dhe jo rrallë herë ndalem tek romani “Mbi heronjtë dhe varrezat” të Ernesto Sabatos.

    Librat që kam dhuruar

    Janë të shumtë por mund të përmend Kokoro të Natsume Sosekit, veprat e Dostojevskit, të Ismail Kadaresë, Fatos Kongolit dhe të Gabriel Garsia Markesit.

    Libri me të cilin dua të mbahem mend

    Pyetja nuk është aspak e lehtë për një krijues por në fazën aktuale mund të veçoj përmbledhjen me poezi “Kuarteti bohem”.

    Libri që më bën të ndihem mirë

    Nëse do t’i përmbahem krijimtarisë sime do të ndalesha tek romani im “Robi i lartësive”, ndërsa nëse do të hidhja vështrimin përtej vetës, do të përqendrohesha pikërisht tek romani “Ulku dhe Uilli”, vepër e shkrimtarit tonë të shquar Vath Koreshi.

    Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar

    Mungesa e theksuar e kritikës shpesh herë na bën të mendojmë se ka ende vepra apo procese letrare që përshkohen nga indiferentizmi dhe këtë fat e kanë shumë shkrimtarë dhe vepra dinjitoze të tyre. Në përvojën time mund të them se e kam ndierë më së shumti brenda vendit me vëllimin poetik “Kuarteti bohem”, libër i cili jashtë vendit ka pasur një vlerësim jo të pakët dhe disa nga poezitë e tij janë përfshirë në disa antologji ndërkombëtare. Ndërsa sa i përket letërsisë shqipe, mund të them se deri me tani shoh ende një nënvlerësim dhe mosnjohje sa duhet sa i përket veprës letrare të Mihal Hanxharit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË