(Rrëfim në vargje)
I largët m’u duk ai zë,
Sikur vinte nga qiejt pa re të korrikut,
Si zë ëndrre ishte ai zë,
Në ëndërr jam, në ëndërr flas,
Xhaxha Jakupi më tha.
Po trokas, po trokas, po trokas.
Dera e shtëpisë, ku kam lindur,
E kyçur në Spatar është.
Trokas e trokas, po derën askush s’ma hap.
U drodha nga zëri ëndërr i xhaxhait Jakup.
Të fala ke më tha. Të fala.
Më erdhën shpirtrat e tyre këtu,
Edhe gjyshe Hazbua, edhe gjyshi Izet,
Edhe xhaxhallarët e mi këtu janë.
Të fala, të fala,
Nga xhaxhai Beqo Kushi, Kupja, Mania.
Edhe nga hallat e mia të mira,
Saforane dhe Fahro ke.
Trokas e trokas, por dera mbillur është.
Ma hapni derën e shtëpisë ku kam lindur.
Dua të hi e të shoh të parët e mi atje.
Shpirtrat e tyre zgjova këtu në Spatar,
Dhe nuja ime Zelo, m’u shfaq në fik hipur,
Dhe babai im Selman këtu është.
Këtu janë edhe Nesua, Ademi, Izeti,
Edhe Bashkimi, yt vëlla, këtu ka ardhur.
Trokas, trokas, trokas.
Po derën askush s’ma hap.
Spatari im vuv është,
Edhe shtëpia ime e vuvosur është.
Emiljani lotët e mi sheh,
Emiljani lotët e mi fshin.
Më iku zëri. Më iku.
Atje në katin e dytë është mbyllur,
Dhe pastaj penxhereja e katit të dytë u hap.
Dhe m’u shfaq babai im Selman i përgjakur nga plagët.
Dhe zërin ulërimë të hallës Fahro dëgjova,
Po klante ajo për vëllanë e vrarë.
Dhe shaminë me gjak të plagëve të Selmanit,
Më hodhi si re të kuqe mbi kokë.
Kështu më foli xhaxhai im Jakup,
Me zërin që i dridhej,
Dhe lotët çurg i shkonin.
Dhe trokiste e trokiste në portën e mbyllur,
Të shtëpisë në Çamëri ku kishte lindur.
Tiranë, korrik 2024