30 gusht 2019. E premte
Kronikë telefonash:
Thanas Dino më thotë se ka folur me Moikomin. Është e njëjta gjendje.
Në spital ka qenë Bedri Islami. Isha mbrëmë te Moikomi, thotë Ylli Cangonji. Prof. Ksenofon Kristafi gjithashtu e ka parë dje pasdite Moikomin… Me Yllin Xhaferin e lamë për të shkuar të shtunën.
Lexoj librin e Moikomit “Purgatori Shqiptar”. Ose më saktë e rilexoj. Për nga thellësia e mendimit, toni polemik, kultura, idetë që shpalos, më kujton Fan Nolin.
Në lajmet e orës shtatë e tridhjetë dëgjova se pasmesnate do të duket edhe në Tiranë hëna e zezë. Vonë, shumë vonë hedh në letër këto vargje:
Ikën dhe shirat e vjeshtës së vonë,
Ylbere malli lanë në qiej.
Në Jugun tim heshtin varret pa varre.
Ku shkojnë, ku shkojnë
Muzgjeve shpirtërat flutura?
Dhe Parga përcjell vjeshtën e fundit të saj.
Drejt maleve gri të Sulit…
Turbullohet lumi im Kalama.
Lëreni lumin Aheron,
Dhe varkën e plakut Karont, lëreni,
Mbushur me Shpirtrat flutura…
Ikën dhe shirat e vjeshtës së vonë…
Ku mbeti, mbeti shpirti i gluhës së nënës time?
Në varkën e braktisur,
Të plakut Karont do e gjeni…
Ikën, ikën, ikën…
Shirat e vjeshtës së vonë…
Po gluha, gluha e nënës time ku mbeti?
Në fund: kushtuar Moikom Zeqos.
Është vonë. Ka kaluar mesnata. Gjumi nuk më zë… Dal në ballkon dhe vështroj qiellin pa yje të Tiranës. Tutje në horizont, në qiellin pa yje të kryeqytetit shfaqet më në fund hëna e zezë.
31 gusht 2019. E shtunë
Dita e fundit e gushtit. Po shkon edhe ky muaj e bashkë me të, edhe stina e verës. Një gusht përvëlues, që po mbyllet me hënën e zezë. E pyes Ylli Xhaferrin nëse e pa mbrëmë hënën e zezë… Ai ndoshta nuk e dëgjoi pyetjen time, teksa hipa në taksi. Është një taksi ku nuk ndihet fare zhurma e motorit, ose ndihet shumë pak, si të jetë zhurma e lehtë e bletëve. Është taksi ekologjike, që nuk punon me naftë ose benzinë, por me energji elektrike. Ajo karikohet në vende të caktuara, siç karikojmë celularët… Zbresim nga taksia dhe nxitojmë drejt spitalit. Ylli më pyet se në ç’kat është shtruar Moikomi. Teksa i përgjigjem dhe ngjitim shkallët, ndjej frymëmarrjen e rënduar të tij… Ylli ka probleme me zemrën… Vetëtimthi kujtoj Ferdin, djalin e madh të Yllit dhe fundin tragjik të tij në kulmin e rinisë… Ka qenë një humbje e madhe për Yllin dhe Fluturën… E pariparueshme. Arritëm, them unë teksa jemi në katin e tretë, duke ndjerë frymëmarrjen e shpeshuar të Yllit… Takojmë Lidën, që ka dalë në korridor. Sikur sot pasdite duket më mirë, thotë ajo… Moikomi është i shtrirë në krevat, mbuluar me një çarçaf. Ylli përkulet dhe e përqafon… Edhe unë bëj të njëjtën gjë… Faleminderit që erdhët, thotë me zërin e thellë. Do që të ngrihet dhe Ylli e ndihmon, duke i vënë jastëkun që të mbështetet. E pyet Yllin sesi është me shëndet dhe me se merret… Ylli përgjigjet, duke fshirë herë pas here djersët në fytyrë. I them se ke të fala nga Muharremi. Lida pyet se kush është Muharremi. I them xhaxhai im e se ai më pyet shpesh për Moikomin dhe shëndetin e tij… Pastaj të tre bashkë.
Sot paradite kam rilexuar librin “Syri i tretë”, i them Moikomit. Ai buzëqesh lehtë. Është një nga librat më të mirë të Moikomit, i them Yllit, duke nxjerrë nga xhepi një letër. Tani dëgjoni, i them Lidës dhe Yllit.
Naim,
Naim.
një murg lebroz lëngon
në spitalin e përdëllimin tim,
e metaforat murgesha i shërbejnë gjer në fund
era bëhet si rruzull i lëmuar platini.
A mund t’i mbledh zërat e zogjve,
prej tyre
të derdh në bronz
Statujën tënde, o i shenjti im i madh?
Si t’i shndërroj lumenjtë në kuaj,
pa dyshim mbi Drinkalin e Bardhë
dhe Drinkalin e Zi
të na rikthehet eposi i Gentit
dhe eposi i Teutës.
………………………….
E ndërpres leximin e këtyre vargjeve, që i kam marrë nga libri “Syri i tretë”. Portreti i Moikomit ka marrë një dritë tjetër. Edhe sytë e tij… Edhe vështrimi i tyre, sikur depërton në thellësi të kohërave… Forca e poezisë? Apo një dritë tjetër apo ca energji që burojnë prej thellësive të shekujve? Ose ndoshta është fuqia shpirtërore e Naim Frashërit, engjëllit mbrojtës të shqiptarëve.
Edhe engjëlli mbrojtës i Moikomit, mendoj, teksa jam në shtëpi dhe hedh në letër, si çdo herë tjetër, takimet dhe bisedat me Moikomin e sëmurë në spital.
E hënë, 2 shtator 2019
Është fillim jave dhe fillim muaji. Të parët e mi thonin “protovjeshtë e parë”. Asgjë të re nga Moikomi. Telefonata e përditshme me Thanas Dinon. Më pas Lida më thotë se Tovi po fle… Pasdite, rreth orës nëntëmbëdhjetë, më telefonon Vllasova. Isha në spital, thotë ajo. Jam e tronditur Veri… Lida dhe Epidamni ishin në korridor. Më thanë se Moikomi ka porositur që të mos e shqetësojnë më me vizita… Veri. Jam e tronditur, përsërit ajo të njëjtat fjalë. Ndjej që Vllasova ngashërehet e ndoshta loton… Ju luta që të paktën ta shihja Moikomin… Hyra. Ç’të them… I putha duart dhe dola…
Ajo e mbyll telefonin, ndërsa unë dal në ballkon… Po bie muzgu, ndërsa qielli është i ngarkuar me re… Një vetëtimë e largët shfaqet tutje në horizontin e muzgët. Nis të fryjë erë, që trazojnë qetësinë e rrepeve… Një gjethe… Dy gjethe… Tri gjethe… E pastaj shumë gjethe ngjyrë kafe shkëputen me dhimbje dhe parakohe nga degët nënë të rrapeve dhe trungjet gjyshër… Prapë vetëtima e largët dhe bubullima e vonuar… I zymtë qielli i Tiranës këtë natë. Të zymtë dhe të menduar rrapet, që tundin krahët, sikur i luten qiellit t’u dërgojë shiun e shumëpritur… Tashmë muzgu ia ka lënë vendin natës… Moikomi dergjet i sëmurë rëndë në dhomën dhjetë të Pavijonit të Hematologjisë… “Shërbëtoret murgesha i shërbejnë gjer në fund…”, them gati me zë, një nga vargjet e poezisë së tij, kushtuar Naim Frashërit… Tashmë bubullima dëgjohet sikur është më pranë Tiranës, ndërsa qielli në anën veriore, ndriçohet nga vetëtima më të shpeshta.
E martë, 3 shtator 2019
Dita ka gdhirë gri, por në Tiranë gjatë natës, ka rënë shumë pak shi. Në Elbasan dhe Berat përmbytje. I dërgoj sms Moikomit: “Nuk dua ta shqetësoj në telefon Tovin. Të lutem Lida, nëse e lexon këtë sms, më telefono. Enveri”… Në Muzeun e Bektashizmit shoqëroj Margarita Makri, e cila më jep romanin e saj të pabotuar… Ora po i afrohet mesditës… Më në fund, telefonon Moikomi. E ndjej nga zëri që vazhdon të jetë në të njëjtën gjendje. E megjithatë më thotë që të mos mundohem të vij në spital… Fisnik Sina kërkon numrin e telefonit të Moikomit. -Do shkoj me Andon Andonin, thotë Fisniku.