acculturation
A series of changes in cultural mores (ideas, words, values, norms, behaviour, institutions) resulting from direct and continuous contact between groups of different cultures, particularly through migratory movements or economic exchanges.
sa herë kam shëtitë kështu
buzë këtij lumi
kam pritë me iu shkri akujt
dhe ia kam ndjekë rrugën
kam luejtë me fëmijët
jam puthë
jam ulë dhe kam lagë kambët
jam përkulë me ia dallu fundin e errët
u jam afru rosave të egra
(me xhepat mbushë me bukë)
dhe pa dashje i kam trembë
ato dhe pleqtë
që u druhen të huejve
kam ecë
kam ecë
dhe ia kam mbërritë derdhjen
ia kam gjetë vendet ma të bukura
dhe jam kthy gjithmonë
po asaj udhë
përpjetë
kam mbledhë
çka ka mbetë
dhe rrjedh
rrjedh gjithmonë
një lum tjetër
përbri
alien
A person who is not a national of a given State. See also foreigner.
unë nuk jam si gratë e këtij vend
por unë nuk jam ma as si gratë e vendit tem
unë jam ai akrobati që pa rrjetë mbrojtëse
me një shkop të gjatë balancon mbi tel
mbahem per vedi e per çfarë kam në duer
si gratë në mërgim
gjithmonë në kapërcyell
gjithkund e huej
border
A line separating land territory or maritime zones of two States or subparts of States. See also green border.
Punë. Shtëpi. Fëmijë që rriten.
Agjendat e mbushura.
Por rreth nesh, në horizont, të njëjtat reliefe
si për breznitë para nesh.
Kam frikë se kemi keqkuptuar gjithçka tmerrshëm.
Nën mua, thellë nën këmbët e mia, i njëjti dhé
i durueshëm si gjithmonë.
Më pret qetësisht ta mbaroj turnin.
Në punë. Në përkëdhelje flokësh të vogla.
Me timon, në kapje ngërçi.
Ti shikon orën. E di, ndihet sikur jemi në zeitnot.
Unë nuk e di si e ballafaqon ti vogëlsinë tënde të paskajshme.
Por unë për vete
tërë jetën kam lidhur nyje me penj të ndryshëm.
Dashuri. Besnikëri. Detyrë.
Kanë qenë turli ngjyrash, për turli njerëz.
Dhe ajo që më shtyn në afërsi lidhëse është kuptesa
shpesh herë e ndërdijshme
se e kemi vetëm njëri-tjetrin: se askush prej nesh
s’do të kthehet më kurrë
në shtëpi.
checkpoint
A location (on the land border or at an airport or seaport) where persons are stopped by border officials for inspection and clearance, in order to enter the State. See also, border crossing.
Tabela orientuese. Doganierë.
Sy që vëzhgojnë 24 orë.
Mure të larta porta të ndryra me shtatë lloza
për njerëz në nevojë.
Por le ta themi- një portë e veçantë hapet
për turistë e tregtarë. Si gjithmonë.
S’ka ndryshuar gjë në kufi që nga zanafilla.
Shtatë qytetet e arta Ur Uruk Troja
të gjithë ngritën mure të larta me shumë porta
para se të firoheshin.
Le ta themi- Ky kufi
do të jetë vrasja e gjithë species.
E pra, mund të dukej krejt ndryshe.
Do të mjaftonte si tabelë një fun buke i drunjtë
me bukë e krypë përmbi.
E një melodi.
Kështu këndojmë ne në këto troje, motër.
Kështu ndihet ahu, vëlla.
A ka të tillë nga ju?
Por jo. Tabela orientuese. Doganierë.
Sy që vëzhgojnë 24 orë.
Ndërsa vijëndarja e vërtetë ndodhet gjithmonë
në trojet e brendshme të origjinës:
një prind me fëmijën mbi supe është
kufiri më i shenjtë.
Sa herë i kemi braktisur ata?
Le ta themi: në luftëra e skamje
nuk shihen kurrë fëmijë mbi supe prindërish.
Le ta themi: prandaj kemi doganierë.
Kamera. Sy që na vëzhgojnë 24 orë.
Me paratë që derdhim për siguri
të gjithë duhej të ndiheshim më të sigurt.
Por nuk jemi.
discrimination
A failure to treat all persons equally where no objective and reasonable distinction can be found between those favoured and those not favoured. See also xenophobia.
fjala jeme
ka tingull të huej
edhe në shkrim
shkon e lidhun për emën
tem
si theks i padukshëm
që thirret ndër germa
mbush armë mosbesimi
që presin me iu shprazë
në rastin ma të parë
dhe fjalës teme
i duhet me buzëqeshë
paqtueshëm
edhe me shkrim
emigrant
A person undertaking an emigration. See also immigrant.
mërgimtari nuk rritet
në kthim asht gjithmonë fëmi
qilimi i kuq e josh njëlloj me u rrokullisë
në thakët e ngrohun
prej diellit
mërgimtari nuk plaket
në kthim asht gjithmonë rini
bregu i liqenit e josh njëlloj me u dashtë
në gurët e ngrohun
prej diellit
mërgimtari nuk ndryshon si të tjerët
koha i ndalet qilimash e gurësh
kërcen hopthi nga viti në vit
ndër javë të ngrohuna
prej kthimit
family members
In the broadest sense, the group of persons descendant from a common ancestor and tied together by marriage or filiations. See also child, dependant, derivative applicant
u rritën fëmijët
çdo darkë diskutojnë politikë
unë ende u kontrolloj mbarimin e pjatave
kurse ata:
qoftet janë shenja të qarta politike të djathtë
sallata manifest i hapun i politikës së majtë
ekstremistët janë ato erëzat që futa pa leje
në patate
ose edhe ma keq
uji në shishe që paskam hedhë
në limonatë
u rritën fëmijët dhe ndiejnë në ajër
se rrita e tyne asht një aksion politik
gjella e gatueme prej tjetërkujt të mban bebe
me u rritë asht me shtru bukën tande
në tavolinë
integration
“Integration” can be defined as the process by which migrants become accepted into society, both as individuals and as groups.
tash buzë rrugës teme
asaj ku shkoj çdo ditë
nuk lypin ma andrrat e rinisë
mbështjellë me letër dhuratash
“nesër bahet mirë
të huejt bahen vendas
vendasit bahen të lumtun”
tash buzë rrugës teme
asaj ku kthej çdo ditë
lypësat lypin bukë dhe ajër
mbështjellë në gazeta
”bota u prish
të huejt po na e lypin vendin
andrrash”
tash buzë rrugës
teme?
asaj ku lyp çdo ditë
Jus soli
The rule that a child’s nationality is determined by its place of birth (although nationality can also be conveyed by the parents). See also jus sanguinis.
ne që i lindëm fëmijët nëpër botë
aty ku nuk ka kuadrate të njohuna
ku nuk përkulesh harrueshëm mbi foshnjë
ku ke guxim me ia kthy shpinën veç djepit
ku qëndron drejt dhe vrojton
ne mësuem të rritemi me ta prej fillimit
ta shohim botën përtej supit tonë
t’i kacavaremi vedit mbi krye mandej
e t’ia lidhim flokët për qiell
ne që i lindëm fëmijët nëpër botë
e dimë se bota nuk ka kande
sillet e përsillet
rrumbullak
green border
Term used to describe a State’s land border between checkpoints. See also checkpoint.
Mërgimi sonte është një plak që shëtit qenushin nëpër një park të ndriçuar nga drita të verdha. Kapele, syze, bastun, këpucë të përshtatshme për moshën. Një shi i imtë mbi dëborë. Mbi kokë mbretëria e errësirës së gjithmonshme.
Bulevardi i parkut ka mështekna në dy anët që tundin degët si flokë të një gruaja në një poezi të cc cummings. Plaku ndalet. I shikon, e në sy i ndizet një shkëlqim i vjetër.
Qenushi ngre këmbën e pasme. Shurra i lag bar të vdekur.
Kur e mbaron, ndalet dhe shikon të zotin.
E di filozofi im, i thotë plaku, e di që është kot ta mendosh atë grua, kaq vite më vonë. Flet në theks të huaj por qenushi e kupton. E di edhe vetë. Por këto degët e mështeknave më hutojnë gjithmonë.
Qenushi kthen kokën nga rruga.
Vazhdojnë shëtitjen ngadalë, pa vërejtur një burrë të mbështetur tek hija e një lisi. Ai pret pak sa të largohen dhe nxjerr celularin, e nis të shkruajë. Mërgimi sonte është një plak që shetit qenushin nëpër një park të ndriçuar nga drita të verdha.
refugee
Persons who flee a country because their lives, security or freedom have been threatened. See also de facto refugee, displaced person.
Ne mbiemrin e kishim muti
Më tha Ismaili çami plak
Ik or çam muti këtej
Ik or çam muti andej
Edhe tash na thonë njësoj
Ja kosovarët e nxuarën me luftë
Pse s’shkoni edhe ju të luftoni
Po kërkoni të na vini flakën neve
Kështu or bir na ndajnë
Në Ne dhe Ju
Edhe fëmijët që na lindën këtu në Shqipëri
Pale më neve pleqve të fishkur
Kur na rripnin ato pak që kishim
Na quanin budallenj
Tash kur rrimë mënjanë na quajnë të pabesë
Askush s’na e shtrin një dorë
E kur ndihmojmë njëri-tjetrin egoistë na thonë
Ne kurrë të mirë nuk bënemi
Çamë muti qemë e çamë muti mbetemi
Për jetë e mot
Për të mbijetuar mpihemi
Shndërrohemi në gurë
Unë ka dy vjet që nuk shoh
Ka tre vjet që nuk dëgjoj
Mbaj mend veç tre orë
Shyqyr ju o bir që patët fat
e u kthyet në trojet e lashta
Guri rëndë peshon vetëm në vend të vet
Kështu më tha Ismaili çami plak
Vajza ime e lindur në ekzil që dëgjoi Ismailin
fshehu fytyrën
në kraharorin tim