QELQET
Fike dritën, të mbështillemi nën natë:
hëna është syri i një shtaze që ka qërruar tjetrin
dhe s’dua ta gjethojë mbi buzët e tua
atë bebëz prej argjendi,
trokitën, u thyen, u shkërmoqën mijëranjë copërash
qelqet thellë stomakut tim kur
e pëshpërita herës së fundit emrin tënd…
GJYSMA E MUSHKËRISË SIME
Gjysma e mushkërisë sime: një hemisferë me
akuj çehreçuditur!
Një bishë ndjek pas kalërimin e gjurmëve që
fashiten atypëraty.
Nën akuj, lulet nuhasin turinjtë e saj të kuq, të ligur,
ndërsa ajo shpejton si frymë e marrë dhe sa herë nuk
sheh send, pas i lë të bien si thërrime me qindra sy.
Gjysma e mushkërisë sime: një hemisferë me
akuj çehreçuditur!
Bisha me krifë argjendi, pas lodhjes, mbi shtrojet
e syve të vet do të flerë.
TI E SHPURE MELANKOLINË TEK JELET E KALIT
Ti e shpure melankolinë te jelet e kalit
dhe qafa e tij u zgjat,
– si e një mjellme, –
gjer në re…
(melankolia i brumosi një hënë
në kavitetin e gojës,
saqë kur teshtiu sakaq
e rrëzoi përdhé).
Ti e shpure melankolinë tek jelet e kalit:
barbaritë e ndjenjave mësynë rropullitë
e kafshës me sy të trishtë.
DRERË
Brinjët e tij ranë në borë kur qerpikëzinjtë puliti
tek e shihja larg, eshtrat m’i mbërtheu darë një dylqinjë,
prej algave të syve saj, një juntë drerësh doli e mbërriti
në lugthin tim, për drerin pabrirë morën miat brinjë.
FIZARMONIKË
Një borë e bardhë rigon dendur në fund të lugthit tim
majtas tij u lëngën brinjët e rrodhën teposhtë një damari blu,
tashmë bosh, – si gojë shahriari hapur: se t’ikë n’betejë ka përtim, –
me se do më zëvendësohet kjo kanistër brinjësh munguar këtu?
Një fjollë bore ngre ortek e godet qytete në fund të barkut tim
dhe shtazë dhe njerëz rendin çmendur me vetullat plot frikë,
ca peshq rrinë pezull, brinjët e mbetura m’i këqyrin me ngulmim
dhe njëri syresh kollitet, para syve më pështyn një fizarmonikë.
GJUMI I GUGUFTUSË
Një dem i artë fle brenda mëlçisë sate të zezë
o gjel me lafshën e ngjyer thellë në perëndim,
ndërsa pula që ke mbarsur kakaris gjithë përtesë,
brenda vezëve saj bën mot me shi e bubullimë.
Një dem i artë sheh ëndrra brenda mëlçisë sate të zezë
pa ditur se ti viçat e tij brenda secilës vezë ke ngjizur,
po ajo guguftuja që fle mbi tjegulla me përtesë,
vallë po u zgjua, këtë skenë a ka për ta prishur?
PEIZAZH I BELIT DHE I PUTHJES
Beli yt: një serm që hëna e ka thithur si sfungjer
dhe hëna një tegel argjendi në musandrën e sates gojë;
seksi i zërit tënd mbi shaminë e trupit tim thur një dantellë
dy buzët mia (jago dhe otello) n’tënden kërthizë nisin një plojë.
E ARTË
e artë: flokët, gusha, lëkura dhe pushi i saj erotik,
më vjen të fllàdem e si të jetë hoje ta përfund në fyt;
e artë: fryje veten në brinjët e mia si firzamonikë,
të kthehem, ta thyej drurin me cilin është bërë ky kryq.
SHTAMBË
merre këtë shtambë dhe ktheje në baltë
e bashkë me gjepuritjet bartur në grykë, hidhe në bunar;
një shtambë brenda seksit të lules që ka çelur pranë:
aty tjerr në furkë, aty nepërken me gjilpërë fjalët në gjerdef.
merre këtë baltë dhe piq me të një shtambë
shtamba brenda seksit i orgazmon pikësim, lules që ke pranë.