Rubrikë e përdyjavshme mbi letërsinë italofone shqiptare
Episodi i sotëm shënon pikënisjen e një bashkëbisedimi dedikuar letërsisë italofone me origjinë shqiptare mes meje dhe lexuesve të ExLibris. I jam mirënjohës Redaksisë dhe Shtëpisë Botuese Onufri për këtë mundësi: të mund të shprehem në faqet e një reviste kulturore sa prestigjioze aq edhe të përhapur më mbush me krenari. Në të njëjtën kohë, jam i ndërgjegjshëm për përgjegjësitë që kjo mundësi mbart me vete. Nuk duhet të shpërdorohet, përgjatë muajve që do të jemi së bashku, mundësia për të paraqitur, nëpërmjet analizave objektive, një lloj letërsie që – për një sërë arsyesh që do të analizojmë në javët në vazhdim – ende sot mbetet pak e njohur, madje edhe pak e vlerësuar në atdhe. Në fakt, një nga objektivat kryesorë që i kam vënë vetes është trajtimi i dy sintezave të llojit historik që tashmë, në një distancë kohore mjaftueshmërisht të gjatë, mund të çojnë në përfundime të natyrës teoriko-kritike. E para u përket atyre shkrimtarëve të cilët kanë arritur të dallohen nga të tjerët dhe që pikërisht mbi bazën e një gjykimi cilësor, do të vazhdojnë të lexohen në kohë. E dyta ka të bëjë me temat dhe konstantet stilistike që kjo letërsi ka krijuar, shpesh duke i ofruar studiuesit të letërsisë bashkëkohore italiane pikëpamje të reja dhe situata narrative të pahasura më parë.
Dukuria komplekse e italofonisë, e afirmuar në normat e letërsisë italiane prej pesëmbëdhjetë vjetësh tashmë, i ka dhënë mundësinë një numri të konsiderueshëm autorësh shqiptarë të vihen në dukje si zëra outsider.
Nëse dëshirojmë të analizojmë nëpërmjet filtrit të klasifikimeve të zhanreve letrare, duhet t’i referohemi etiketës së letërsisë migratore të zonës ballkanike. Nën këtë ndarje të gjerë – aspak të përcaktuar dhe shumë të paragjykuar – janë mbledhur, në dhjetëvjeçarin e parë të Viteve Zero, dëshmi të panumërta letrare, autentike dhe të dhembshme, që mbërrinin prej një bote në proces shpërbërjeje. Konfliktet etnike dhe gjeopolitike që përshkuan këto troje përgjatë fundit të shekullit të kaluar, së bashku me periudhat depresive post-kapitaliste që pasuan, çliruan zëra që ndienin nevojë urgjente për të rrëfyer, për t’u shprehur, në përpjekjen për të ndërtuar, për veten dhe për brezat e ardhshëm, një identitet të ri më kompleks. Kërkimi i një vendndodhjeje të re në botë bashkoi ideologji të largëta dhe pikëpamje gati të kundërta duke u dhënë jetë disa zgjedhjeve hibride të natyrës gjuhësore e figurative me interes të madh kulturor.
E gjendur në koordinata të tilla, çështja shqiptare paraqitet si një anomali më vete. Ajo përfaqëson, së bashku me tekstet e shkruara në gjuhën frënge nga autorë me origjinë magrebine këto dhjetë vitet e fundit, rastin më të qartë në të cilin një gjuhë e adoptuar, zgjidhet nga një komunitet i madh shkrimtarësh për t’i dhënë zë dëshirës për t’u shprehur. Lista e autorëve italofonë me origjinë shqiptare, ende në ndërtim e sipër, numëron dhjetëra emra dhe një bibliografi të pasur kritike. Rrjedhimisht, përpjekja fillestare e studiuesit duhet të kryhet në drejtim të rindërtimit të dukurisë nga ana historike duke përcaktuar në bazë të disa karakteristikave formale dhe tematike homogjene, një fushë brenda së cilës të vendosë një grup autorësh referimi. Është ajo çka jam përpjekur të bëj në librin Le prime voci dell’italofonia albanese, i botuar në kolanën universitare “Proteo” në shtatorin e vitit 2021, me shtëpinë botuese “Artemide” në Romë. Libri është në proces përkthimi në gjuhën shqipe nën kujdesin e profesoreshë Diana Kastratit. Në atë studim, jam rrekur të periodizoj dukurinë italofone shqiptare me qëllimin për të vënë rregull mbi të gjitha në debatin kritik, i cili, në fillim të viteve dymijë, është zhvilluar në Itali dhe në Shtetet e Bashkuara mbi të ashtuquajturën letteratura dell’altro. Konkretisht, isha përqendruar në fazën fillestare të dukurisë, fazë e cila akoma sot ngelet një nga momentet më të frytshme të kësaj rryme, duke u kushtuar studime të veçanta veprave të tri shkrimtareve: Elvira Dones, Ornela Vorpsi dhe Anilda Ibrahimi. Por, do të ishte reduktuese dhe e padrejtë të ndaleshim vetëm te këta tre emra. Edhe shkrimtarë të tjerë meritojnë pa dyshim lexime dhe reflektime të thella: zëra si Ron Kubati, Darien Levani, Artur Spanjolli, Alketa Vako, Arben Dedja, Durim Taçi e deri te Elvis Malaj dhe të tjerë, që do të kemi mundësi të diskutojmë në vazhdim, përfaqësojnë vazhdimësinë e një fenomeni që, siç përmenda më sipër, ka rezistuar për një periudhë të gjatë kohore.
Kjo rrymë narrative shfaqet si një zhanër i mirëfilltë, po të mbajmë parasysh disa konstante stilistike që pasqyrojnë natyrën shumëkulturore të shoqërive të reja të Europës Perëndimore. Dy janë pikat që mendoj se dallohen nga të tjerat nën profilin e temave dhe të gjuhës së përdorur: shkrirja e dy panoramave evokative tërësisht të ndryshme, ajo e vendit mëmë me atë të vendit pritës; dhe një kontaminim gjuhësor që zgjeron mundësitë shprehëse të gjuhës italiane. Në rastet më të mira, të pajisur me një dozë reale letërsie, nuk kemi të bëjmë thjesht me një tregim të një historie vetjake emigrimi, por me një mbivendosje kuptimesh shumëplanëshe.
Më duket pikërisht ky aspekti vërtet inovativ i kontekstit shqiptar të dy dekadave të fundit. Pavarësisht këtij karakteri të ri spikatës, ekziston në të njëjtën kohë një lloj kundërshtie e cila nuk mund të fshihet. Kur lexojmë tekste të kësaj natyre, përveçse vihemi përballë forcës së imagjinatave hibride, dhe për pasojë interesante, zbulojmë në mënyrë trasfigurale edhe rrënjët kulturore të Shqipërisë, falë teksteve narrative që nuk i shpëtojnë tundimit për t’u kthyer në shtëpi, edhe pse janë maturuar, siç pamë, në një kontekst në dukje të largët nga ai i origjinës së autorit.
Me brezat e shkrimtarëve që dëshiroj të veçoj, tregimtaria bashkohet, herë në mënyrë të fshehur e herë më dukshëm, me letërsinë e mëparshme, atë të Shqipërisë së viteve gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë. Ajo sjell në brendësi të historive të përditësuara elementë që ishin shfaqur që gjatë realizmit socialist ose që kishin përcaktuar zhvillimin e fazës së tij të mëvonshme.
Bëhet fjalë për subjekte që shumë shpesh duket se nuk mund të shkëputen nga atësia adoptuese e autorëve, si Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, edhe në ato raste kur narrativa zhvendoset në kohë dhe hapësirë gjeografike larg Shqipërisë. Është e qartë që brezi i viteve tridhjetë është ai që krijoi një imprinting mbi argumente të cilat do të konsideroheshin akoma aktuale në fillim të viteve dymijë. Mes këtyre, përmendim temën e rezistencës ndaj nazi-fashizmit, shpeshherë e parë në një optikë familjare (e rimarrë së fundmi në romanin e publikuar në Itali të Ermal Meta, Domani e per sempre), rrymën e gjerë të narrativës rurale dhe prirja drejt romanit historik. Ishin arketipa të sigurt në ato kohë, larg rreziqeve të një censure të mundshme, që nën regjimin e Hoxhës nënkuptonte dënim me burg. Gjatë regjimit komunist romani mori në mënyrë të pashmangshme një dimension gjithmonë e më pasiv, duke u përqendruar në tema që duhet t’i shërbenin retorikës së Partisë së Punës si festimi i kolektivitetit dhe i lavdisë të së kaluarës. Silleshin në ndihmë figura të së shkuarës si ato të rezistencës ndaj dominimit turk – Skënderbeu, Ali pashë Tepelena – në gjendje të lartësonin vlerat shqiptare dhe të mbanin narrativën larg politikës së kohës. Tregimi për Shqipërinë paramoderne ishte një tjetër opsion i praktikuar nga kjo gjeneratë autorësh. Supersticioni, parashikimi i së ardhmes, influenca e së keqes dhe mbinatyrales, elemente të marra nga narrativa rurale, tipike e letërsisë ruse së gjysmës së parë të viteve tetëqind, ishin tema të inauguruara nga tregimet e Dhimitër Shuteriqit dhe Mitrush Kutelit që i hasim më vonë edhe në krijimet italofone.
Po të vazhdojmë të hetojmë rrënjët e letërsisë shqiptare të atyre viteve, gjejmë një element të përbashkët që u rimor më tej nga shkrimtarët italofonë: pas vdekjes së shokut-timonier Enver dhe pas tranzicionit epokal të vitit 1991, nevoja kryesore narrative u bë ajo e rrëfimit të traumave të diktaturës nëpërmjet kujtimeve personale të individëve të shkatërruar nga shpronësimet, humbja e të afërmve dhe dënimet e tmerrshme. Këtij reagimi post-komunist në formë tregimi autobiografik – që po ta mendosh, është spekulim i «voglia di raccontare» («dëshirës për të treguar») e përshkruar në mënyrë mjeshtërore nga Italo Calvino në hyrjen e librit të tij Il sentiero dei nidi di ragno (1947) pikërisht në momentin kur merr hov Neorealizmi në letërsinë italiane – me kalimin e viteve iu mbivendos një tjetër dëshirë për të dëshmuar: ajo e brezit të të rinjve të lindur mes fundit të viteve gjashtëdhjetë dhe gjysmës së parë të viteve shtatëdhjetë, që ishin larguar nga Shqipëria dhe ndienin nevojën e ngutshme për të treguar, në një tjetër gjuhë, përvojën vetjake të migrimit, që përkonte me një ndryshim rrënjësor të jetës.
Në këto kushte socio-kulturale, rreth vitit 2005, maturohet dhe fillon të përhapet në Itali dukuria e ashtuquajtur italofone, e cila i jep hapësirë një letërsie me ambicie të reja që, ndërkohë që dukej se kërkonte të çlirohej nga tutela e një rryme që konsiderohej – me të drejtë – e shteruar dhe vjetruar, përfundonte gjithmonë duke e rimarrë, gati pa e vënë re. Rimerrej nën formën e tregimit të nivelit të dytë, si kthim mbrapa në kohë për të ndërtuar të shkuarën e personazhit protagonist, si hapësirë ekzotike e zhytur në misterin e një kohe arkaike, por edhe në rikuperimin e disa praktikave të së drejtës zakonore të Malësive të Veriut dhe si një dimension ku epika dukej se dominonte mbi historinë.
Në këtë ndarje që përfshin dy anë të së njëjtës medalje, veçohet konstantja e një kohe që injorohet vazhdimisht: e tashmja. Pra, mungojnë histori të ambientuara në harkun kronologjik të Shqipërisë post-komuniste (tridhjetëvjeçari 1991-2020), një periudhë që zor se gjen hapësirë në shkrimet e autorëve të cilët tentojnë t’i spostojnë akrepat e orës gjithmonë pak më mbrapa krahasuar me aktualitetin e vërtetë. Është interesante të mendosh se si ndalohet gjithmonë vetëm në vitin 1991, pa shkuar më tej. Janë vërtet të pakta veprat që u referohen viteve afër përvojës së jetës së përditshme të lexuesit. Nëse Aksidenti i Kadare i vitit 2008 është, falë një fabule noir të ndërtuar me ndihmën e veçorive stilistike të zhanrit spy, një ndër titujt e parë në gjuhën shqipe që mund të citohet në një kontekst post 1991, dukuria nuk është e shpeshtë as në hapësirën italofone. Ndoshta romani i fundit i Anilda Ibrahimi, Volevo essere Madame Bovary (2022), mund të përbëjë një përjashtim. Ibrahimi, duke vazhduar në linjën e së njëjtës intuitë të manifestuar më herët në Il tuo nome è una promessa (2017), zhvendos tregimin nga Roma në Tiranë, duke kërkuar t’i largohet këtij rregulli të çuditshëm të pashkruar. Bëhemi dëshmitarë të një loje mes përhumbjes në kujtimet e së shkuarës dhe veprimeve të së tashmes, e gjitha e filtruar nga përshtypjet e protagonistes Hera në lidhje me transformimin e kryeqytetit; por, kapitujt dedikuar aktualitetit të ditëve tona janë të limituar në krahasim me ato që bazohen në përkujtimin e së shkuarës.
Përktheu nga italishtja Kriselda Beqaj