KreuArte pamoreDr. Bledar Kurti: Arti është politikë dhe politika është art

Dr. Bledar Kurti: Arti është politikë dhe politika është art

Ekziston një dëshirë e vazhdueshme për ta konceptuar artin si një hapësirë të pastër, të çliruar nga pesha e politikës, një territor ku estetika mbizotëron mbi ideologjinë dhe ku krijimtaria jeton e paprekur nga konfliktet e pushtetit. Por kjo është më shumë një fantazi romantike sesa një realitet historik.

Arti nuk lind në vakum; ai është produkt i kohës së vet, i tensioneve shoqërore dhe i strukturave të pushtetit që e rrethojnë. Në këtë kuptim, arti dhe politika nuk janë thjesht të lidhura por të ndërthurura në mënyrë organike.

Që nga antikiteti, arti ka shërbyer si një formë reflektimi dhe interpretimi të realitetit politik. Tragjeditë e Greqisë së lashtë nuk ishin vetëm rrëfime estetike, por analiza të thella mbi drejtësinë, fatin dhe pushtetin. Arti, pra, nuk është vetëm pasqyrë; ai është një instrument që ndërton kuptim.

Kjo ndërthurje bëhet edhe më e dukshme në artin pamor, veçanërisht në pikturë. “Guernika” e Pablo Picasso mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme të kësaj marrëdhënieje. E krijuar në kontekstin e Luftës Civile Spanjolle, kjo vepër nuk është thjesht një reagim artistik, por një akt akuze ndaj dhunës dhe barbarisë. Fragmentimi i figurave, ankthi i përhapur dhe mungesa e një rendi të qartë vizual krijojnë një gjuhë që tejkalon propagandën dhe depërton në ndërgjegjen kolektive. Këtu arti nuk pasqyron politikën, ai e sfidon atë.

Në të kundërt, piktura “Napoleoni duke kaluar Alpet” e Jacques-Louis David ilustron se si arti mund të instrumentalizohet nga pushteti. Napoleoni paraqitet si figurë heroike, pothuajse mitologjike, i hipur mbi një kalë madhështor dhe realiteti historik transformohet në një narrativë glorifikuese ndërkohë që e vërteta është që ai i kaloi Alpet mbi një gomar. Kjo është estetika në shërbim të politikës, një formë e sofistikuar propagande që synon të ndërtojë legjitimitet përmes imazhit.

Në të njëjtën linjë, “Liria Drejton Popullin” e Eugène Delacroix nuk është vetëm një përshkrim i Revolucionit Francez, por një mitizim i saj. Figura alegorike e Lirisë nuk dokumenton historinë; ajo e transformon atë në një simbol mobilizues. Arti, në këtë rast, bëhet një gjuhë politike që frymëzon dhe orienton ndërgjegjen kolektive.

Një dimension tjetër i kësaj marrëdhënieje shfaqet në veprën “Tre Maji 1808” të Francisco Goya. Kjo pikturë nuk glorifikon luftën, por e çmonton atë. Viktima anonime përballë një makinerie të ftohtë ushtarake shndërrohet në simbol të individit të shtypur nga pushteti. Këtu arti nuk është propagandë; ai është rezistencë.

Në shekullin XX, arti merr një dimension edhe më të vetëdijshëm politik. Shkrimtarë si George Orwell e përdorën krijimtarinë si një mjet për të sfiduar totalitarizmin. “Në kohë mashtrimi universal, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar,” shprehej ai, një thënie që e vendos artin në qendër të betejës për të vërtetën. Në të njëjtën frymë, Bertolt Brecht e përkufizonte artin jo si pasqyrë, por si një çekiç për të formësuar realitetin.

Por arti nuk është vetëm i drejtuar nga jashtë; ai është edhe një eksplorim i brendshëm që shpesh rezulton politik. Veprat e Frida Kahlo janë një shembull i qartë: identiteti, trupi dhe dhimbja personale ndërthuren me kontekstin shoqëror dhe ideologjik. Intimja bëhet politike.

Megjithatë, ndoshta aspekti më i ndërlikuar i kësaj marrëdhënieje është ideja e neutralitetit. A mund të ekzistojë arti apolitik? Edhe kur një vepër përpiqet të shmangë çdo angazhim, ajo në fakt bën një zgjedhje, zgjedhjen për të mos reaguar. Dhe kjo, në vetvete, është një pozicion politik.

Në realitetin bashkëkohor, ku imazhi ka marë një rol dominues në komunikim, arti vazhdon të jetë një fushë beteje për narrativat. Nga piktura klasike te format digjitale, artistët vazhdojnë të sfidojnë pushtetin, të ekspozojnë padrejtësitë dhe të krijojnë hapësira për reflektim kritik.

Në fund, ndarja mes artit dhe politikës nuk është vetëm e pamundur, ajo është edhe e padëshirueshme. Pikërisht në tensionin mes tyre lind arti që ka peshë, që sfidon, që trondit dhe që mbetet. Sepse arti nuk është thjesht një mënyrë për të parë botën; ai është një mënyrë për ta ndryshuar atë. Përmes artit edhe Luledielli të vdekura të Van Gogh përcjellin një mesazh epokal.

Nga ana tjetër, Politika është art, sepse nuk është thjesht një proces mekanik i marrjes së vendimeve, por një aftësi e ndërlikuar që kërkon zgjuarsi, intuitë dhe kreativitet. Ashtu si një artist që përdor ngjyrat për të krijuar një tablo harmonike, politikani përdor fjalën, strategjinë dhe kompromisin për të ndërtuar marrëdhënie dhe për të arritur qëllime në një shoqëri të larmishme.

Në politikë nuk ekziston gjithmonë një përgjigje e saktë apo një rrugë e vetme për zgjidhjen e problemeve. Kjo kërkon aftësi për të kuptuar njerëzit, për të lexuar situatat dhe për të përshtatur veprimet sipas rrethanave. Një politikan i suksesshëm duhet të dijë të balancojë interesa të ndryshme, shpeshherë të kundërta, duke krijuar një “kompozim” që i shërben të mirës së përbashkët, qeverisjes apo kohëzgjatjes së pushtetit.

Gjithashtu, politika është art sepse lidhet ngushtë me komunikimin. Fjalimet, debatet dhe mënyra se si paraqiten idetë janë thelbësore për të fituar besimin e publikut. Një mesazh i formuluar mirë mund të frymëzojë, ndërsa një gabim i vogël mund të dëmtojë besueshmërinë. Një fjalim e prezantim i mirë tregon besuesshmëri ndërsa paaftësia në komunikim shpalos publikisht mungesë karakteri e aftësi drejtuese.

Në fund, politika si art qëndron në aftësinë për të krijuar harmoni në mes të kaosit, për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të formësuar një të ardhme më të mirë për shoqërinë si edhe për të kapërcyer horizonte zhvillimore.

Arti është politikë dhe politika është art, cilido që i ndan nuk është as artist i mirë e as politikan i zotë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË