Kreu Letërsi Bibliotekë Ditëlindja e Servates/ Introdukta e Nolit për Sojliun e Mançës

Ditëlindja e Servates/ Introdukta e Nolit për Sojliun e Mançës

Migel de Servantes Saavedra, i njohur me emrin e shkurtër Servantes, lindi më 1547, në Alkasa de Henares të Spanjës dhe vdiq në Madrid më 23 prill 1616. Ishte i biri i dytë i një farmacisti – mjek gjysmë-vagabond, i cili shëtiste fshat më fshat e qytet më qytet për të shitur ilaçe e për të shëruar të sëmurë. Më 1570-1575 hyri në shërbimin ushtarak dhe mori pjesë në betejën navale të Lepantos së Greqisë më 7 tetor 1571, midis flotave veneciane dhe turke, ku u plagos rëndë dhe humbi dorën e mëngjër. Më 1575, kur kthehej nga Italia në Spanjë, u zu rob prej piratësh algjerianë nën kryesinë e kapedanit shqiptar Arnaut Mami dhe u mbajt i burgosur gjer më 1580, kur u çlirua, pasi pagoi shumën e caktuar për lëshimin e tij. Shkroi një shumicë të madhe veprash letrare, veçan drama e novela, të cilat s’patën asnjë sukses as në kohën e tij, as pastaj. Në ditët e pleqërisë, kur ishte 58 vjeç botoi veprën e tij me famë Don Kishotin e Mançës, e cila, me të drejtë, ia bëri emrin të pavdekur. Ky libër pati një sukses aq të madh, sa Servantesi shkroi një pjesë të dytë të kësaj vepre, si vazhdim të pjesës së parë. Suksesi i kësaj nuk qe më i vogël se ai i së parës. Bile, gjer më sot kritikët po hahen midis tyre dhe s’kanë arritur të merren dot vesh se cila nga këto pjesë është më e bukur, e para apo e dyta. Shumëve u pëlqen më tepër pjesa e dytë. Gëteja preferonte pjesën e parë. Sidoqoftë, Don Kishoti i Mançës ka qenë, për çdo kohë e për çdo vend, një nga veprat më popullore të botës, popullore edhe për çiliminjtë, edhe për filozofët e vrenjtur, si Kanti dhe Shopenhaueri, Eduard Fitzgeraldi, përkthyesi i dëgjuar i Omar Khajamit, e quan si veprën më të lezetshme të botës.

Servantesi e shkroi Don Kishotin, sikundër na thotë ai vetë, me qëllimin që të diskreditonte librat e kalorësisë. Vepra e tij, pra, ishte doemos revolucionare, se për të diskredituar librat e kalorësisë duhej të diskreditonte tërë Kohën e Mesme me të gjitha përrallat e saj. Për këtë qëllim, Servantesi zgjodhi si heronj të veprës së tij dy nga tipat më reaksionarë dhe medievalë, që kishte e që kemi akoma përpara sysh: bejlurçinën, sojliun e fandaksur të katundit, Don Kishotin e Mançës, dhe laron, sejmenin, fshatarin e varfër e të paditur, Sanço Pançën. Këta të dy marrin përsipër barrën të ringjallin periudhën e kalorësve të arratisur, domethënë ta kthejnë Spanjën edhe tërë botën nja 300 vjet prapa e të hidhen: nga Spanja e madhe e centralizuar, që ka zaptuar gjysmën e Amerikës, në Spanjën e vogël të përçarë dhe të shtypur prej arabëve; nga Koha Moderne në Kohën e Mesme; nga kapitalizmi në feudalizëm; nga dyfeku dhe topat, në shtijëzën dhe çomangën; nga shkenca në magji; nga historia në përrallat; nga përparimi në errësirën.

Me ç’mënyrë ka shpresë Don Kishoti ta mbarojë këtë vepër utopike? Fare lehtë. Duke u bërë ai vetë kalorës i arratisur, sipas librave që kishte kënduar. Pra, merr nga qilari armët e çelikta të ndryshkura e të zgjyrosura të stërgjyshërve të tij, i shkund, i lan e vishet me to; pagëzon gërdallën e tij me emrin Rosinant; zgjedh një të dashur që e riemëron Dylqinjë; dorëzohet kalorës nga një hanxhi dhe nga dy kalltakë; zgjedh Sanço Pançën si shqytar e sejmen dhe niset për të reformuar e për të shpëtuar botën. Është një fantazmë e ikur nga muzeu, që shëtit në Spanjën moderne. Është anakronizmi ambulant. Është vizionari, që nuk sheh realitetin, po ëndërron me sytë hapur. Është utopisti reaksionar, që vete prapa e jo përpara; që përpiqet ta kthejë rrotën e historisë prapa; që i bie me kokë murit të çeliktë modern.

Për të kuptuar Don Kishotin e Sanço Pançën, duhet të kuptojmë mirë klasat shoqërore spanjolle, prej të cilave kanë lindur, domethënë klasën e aristokratit të vogël, nga njëra anë, dhe klasën e fshatarit të varfër e të paditur, nga ana tjetër, në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Në Spanjën e Kohës së Mesme aristokratët e vegjël pajtoheshin si qehajaj pranë feudalëve çiflig – sahibinj e veçanërisht si kapedanë komitaxhinj të çetave që luftonin kundër arabëve. Si u çlirua Spanja prej arabëve dhe si u modernizua përgjysmë, aristokratët e vegjël, që nuk shkuan në Amerikë, mbetën pa punë. U varfëruan, u proletarizuan, u deklasuan, ranë nga dynjallëku, se s’kishin bazë ekonomike, se iu pre irati dhe kështu mbetën në erë. Nga oxhaku dhe nga kultura lidheshin me aristokracinë feudale të lartë, po nga varfëria zbrisnin në shkallën e fshatarëve. S’ishin as tamam aristokratë, as tamam fshatarë, po ca më keq se që të dyja palët. Pra, ishin më reaksionarë se feudalët e lartë dhe më budallenj se fshatarët e varfër e të paditur. Duke mos pasur as punë, as bazë, kërkonin dhe përpiqeshin t’i gjenin këto të dyja jo përpara, se s’kishte të pritme për klasën e tyre të vdekur, po prapa, në kohët e vjetra, kur klasa e tyre kishte një punë dhe një bazë. Kështu, Don Kishoti kërkon e gjen punë si kalorës i arratisur, siç ishin stërgjyshërit e tij. Kështu, Don Kishoti kërkon e gjen bazë në përrallat e klasës së tij, në librat e kalorësisë. Çka se bota ka vajtur përpara. Don Kishoti e merr përsipër ta kthejë botën prapa, ashtu siç e do interesi i klasës së vet.

Si shok natyral në këtë kryqëzatë, Don Kishoti gjen fshatarin e varfër e të paditur, që e ka në prag të derës, Sanço Pançën. Se edhe ky ka mbetur pa punë e pa bazë ekonomike e ndodhet në një gjendje analoge si edhe Don Kishoti. Në Spanjën e Kohës së Mesme, fshatarët e varfër kishin punë si komitaxhinj kundër arabëve, si laro, si mercenarë e si sejmenë të feudalëve. Në Spanjën moderne vdesin urie. Nuk shohin ndonjë avenir përpara, se industria nuk është zhvilluar mjaft në qytet sa t’i mbledhë si punëtorë të fabrikës. Pra, kërkojnë edhe këta punë dhe bazë prapa, në kohët e kaluara. Kështu, Sanço Pança bëhet sejmen i bejlurçinës, siç ishin stërgjyshërit e tij. Ndryshimi i madh midis Don Kishotit e Sanço Pançës është se ky i fundit s’ka kënduar libra kalorësie. Pra, ky s’i beson përrallat e Kohës së Mesme e s’ka iluzionet e Don Kishotit, dhe është shumë më i mençur se ustai i tij, se librat s’ia kanë shtrembëruar mendjen. Megjithëkëtë, ndonëse e sheh në çdo hap e në çdo aventurë që ustai i tij është i marrë, për të lidhur, prapë i vete pas, siç i vete pas çdo katundar bejlurçinës a agait të fshatit, se e ka pasur denbabaden shef, usta e kapedan nga shkaku i oxhakut, i kulturës, i traditës. Kështu, kemi gjendjen paradoksale të katundarit kundrejt bejlurçinës, të Sanço Pançës e të Don Kishotit, që mund të përmblidhet kështu: Sanço Pança është më i mençur nga Don Kishoti, se s’di të këndojë, po i vete pas, se Don Kishoti di të këndojë e se duhet, doemos nga ky shkak, të jetë më i mençur. Kështu, Sanço Pança i mbetet besnik ustait gjer në fund. Bile, kur vdes Don Kishoti, e qan me lotë të hidhur, ndonëse e merr vesh më në fund që ai e gënjeu dhe e mori më qafë me librat e kalorësisë.

Don Kishoti dhe Sanço Pança, ilustrim nga Salvador Dali

Si shpjegohet popullariteti i Don Kishotit? Fare lehtë. Tipi i bejlurçinës, si dhia e zgjebur me bishtin përpjetë, dhe tipi i laros, që i vete bejlurçinës pas e përpiqet të mbajë rëndësi sipas ustait, kanë qenë gjithnjë qesharakë. Këta dy tipa bëhen më qesharakë, kur vishen si kalorës të arratisur dhe shëtitin si në karnavalet. Pastaj bëhen më qesharakë, kur këta të dy gogozhelë pretendojnë se do ta kthejnë rrotën e historisë prapa e do të ringjallin një periudhë që ka vdekur përgjithnjë. Përfundimi ca më qesharak i përpjekjeve të tyre i vë tenxheres kapakun. Çift më qesharak, me rroba më fantastike, me qëllime më absurde e me përfundime më groteske nuk mund të imagjinohej. Këtu kemi në fytyrën e Don Kishotit poezinë e bejlurçinës, dhe në fytyrën e Sanço Pançës prozën e laros. Kur bëhen qesharakë dhe hanë dru, doemos këndonjësit gëzohen, që në fytyrën e tyre bëhen qesharakë dhe hanë dru dy klasat shoqërore më të urryera dhe më prapavajtëse, klasa e bejlurçinës dhe klasa e laros. Se këta i ka pasur mileti mbi kokë si oficerë, si nëpunës, si ushtarë, si zaptie, si komitaxhinj, si hajdutë, si qehajaj, shkurt, si vegla dhe agjentë të feudalëve e të shtetit feudal. Kur rrihen këta, mileti ndien atë gëzim që quajnë gjermanët Schadenfreude, se i ngjan një mjerim armikut.

Po kjo vepër nuk do të ishte aq e bukur, sikur të na bënte vetëm të qeshnim. Na bën edhe të qajmë. Se Don Kishoti është një idealist në tërë kuptimin e fjalës. Të gjitha këto i bën për të mirën e njerëzisë dhe aspak për ndonjë interes vetjak. Ka një optimizëm e një entuziazëm e një durim e një besim e një perseverancë heroike, që meritonin të përdoreshin për një çështje më të mirë. Na vjen keq kur shikojmë që i harxhon më kot për një çështje të humbur e që sakrifikohet për përrallat e reaksionit. Gjithashtu na mallëngjen edhe Sançoja me besnikërinë që tregon kundrejt Don Kishotit. Na këputet shpirti kur shikojmë fshatarin e varfër dhe të paditur të vdesë për bejlurçinën, i cili e merr më qafë dhe e handakos me profka dhe iluzione.

Në Shqipëri kjo vepër do të kuptohet më mirë se kudo gjetkë. Se atje tipat e bejlurçinës dhe të laros i gjejmë në çdo çap. Pothuaj të gjithë aristokratët tanë, me ca përjashtime të paka, janë të deklasuar pa bazë ekonomike, dhe kanë rënë në klasën e bejlurçinave, që kur u shkëput Shqipëria prej Turqisë. Që atëherë aristokratët tanë, që i shërbenin Turqisë si kondotierë dhe shefë bashibozukësh, kanë mbetur pa punë. Gjithashtu, kanë mbetur pa punë dhe pa bukë fshatarët dhe malësorët e varfër, që shkonin në kohët e vjetra me bejlerët si bashibozukë dhe hajdutë për të plaçkitur Evropën, Azinë dhe Afrikën. Këto të dy elementë përpiqen tani të përjetësojnë në Shqipëri një gjendje feudale, mediavale, prapanike dhe reaksionare, si atë të Turqisë së vjetër, të vdekur, përgjithnjë, se ashtu ua do interesi i klasës, se ashtu gjejnë punë dhe bukë. Bejlurçinat e larot e Shqipërisë na bëjnë sot të qeshim e të qajmë me prapavajtjen e tyre, tamam si me Don Kishotin e me sançon. Dhëntë zoti të na bëjnë nesër të qeshim vetëm, se na bënë të qajmë mjaft.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Matteo Mandalà: “Tregtia e madhe e letrave” që Luigji Pirandello i shkroi Zef Skiroit

Sasia e madhe e dokumenteve, më së shumti të pabotuara, që kanë dalë në dritë këto dhjetëvjeçarët e fundit, na lejon të...

Ferid Hudhri: Stefan Çapaliku me “Imago & Verbum”

Midis krijimeve dhe veprimtarive të larmishme (poezi, tregime, romane, drama, regji teatri, regji filmi, ese, ekspozita etj.) me “Imago & Verbum” Stefan...

Enver Kushi: Vikamat e tingujve të Feim Ibrahimit

Dhe do të vijë heshtja Se çdo vikamë fillon Dhe mbaron me heshtje…

Ismet Aliu: Risitë narrative e strukturore të Ridvan Dibrës

Mund të pohojmë se romani “Legjenda e vetmisë” është vepër romanore e shkruar krejtësisht ndryshe, që tregon përkushtimin dhe guximin krijues të...

KATEGORITË