Përktheu: Granit Zela
Ismail Kadare, i cili ka vdekur në moshën 88-vjeçare, ishte shkrimtari më i njohur shqiptar i brezit të tij dhe të gjithë të tjerëve, dhe një nga romancierët më të shquar evropianë të kohës sonë. Ai lë një vepër kaq të madhe sa Komedia Njerëzore e Balzakut, po aq të paepur në kritikën e saj ndaj diktaturës sa ajo e Orwell-it dhe po aq trazuese sa ajo e Kafkës.
Mbi 80 romanet, tregimet, përmbledhjet me poezi dhe esetë e Kadaresë përbëjnë një monument kombëtar, një shpikje si edhe dhe një pasqyrim të asaj që do të thotë të jesh shqiptar, një hulumtim në thellësi të shëmtisë dhe dinjitetit të një kombi të lashtë dhe të shtypur. Ikja e tij është ajo e shkrimtarit të fundit kombëtar të padiskutueshëm të Europës.
Biri i Halit Kadaresë, një zyrtar i mesëm, dhe Hatixhes (e lindur Dobi), Ismaili u lind dhe u rrit në qytetin e rrethuar me mure të Gjirokastrës, i cili ishte edhe vendlindja e Enver Hoxhës, diktatorit të Shqipërisë nga viti 1944 deri më 1985. Qyteti, historia e tij moderne dhe atmosfera e tij e çuditshme është rikrijuar te “Kronikë në gur” (1970) dhe është shtjelluar te “Darka e gabuar” (2008).
Kadare qe një student i shkëlqyer në Universitetin e Tiranës dhe një poet i njohur qysh kur ishte ende adoleshent. Shqipëria ishte shtet satelit sovjetik në atë kohë; rrjedhimisht Kadare u dërgua në Moskë për të ndjekur studimet letrare në Institutin Gorki për Letërsinë Botërore, të cilat i ndoqi në vitet 1958 dhe 1960. Ajo që mësoi atje, siç thoshte shpesh, ishte se si të mos shkruante. Moti i keq në shumicën e romaneve të tij, ku ngjarjet ndodhin në një vend me klimë mesdhetare, u kuptua nga lexuesit shqiptarë si përqeshje e heshtur me fushat e grurit të puthura nga rrezet e diellit të romaneve të realizmit socialist.
Hoxha i ndërpreu marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik në vitin 1960. Kadare kësisoj ishte në gjendje të shkruante pa rrezik një rrëfim letrar të viteve të tij në Moskë. “Muzgu i perëndive të stepës” (1978) megjithatë lë të kuptohet se diçka ishte e kalbur edhe në shtetin e Shqipërisë.
Romani i parë i botuar i Kadaresë merret me misionin e çuditshëm të një gjenerali italian të dërguar në Shqipëri për të mbledhur eshtrat e ushtarëve të rënë gjatë pushtimit italian dhe luftës kundër Greqisë (1938-43). “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) krijoi reputacionin e Kadaresë si romancier. Ai tërhoqi edhe vëmendjen e Jusuf Vrionit, një ish-aristokrat i shkolluar në Itali dhe Francë, i cili u ofrua ta përkthente në frëngjisht. Vrioni vazhdoi të përkthejë të gjithë veprën e Kadaresë derisa vdiq në vitin 2001 dhe emri i tij nuk mund të ndahet nga historia e karrierës së Kadaresë.
Në vitet 1960, Shqipëria komuniste, e cila refuzoi të “de-stalinizohej”, hyri në një aleancë me Kinën e Mao Ce Dunit, në mes të Revolucionit Kulturor, Kadareja dhe mijëra intelektualë të tjerë kaluan muaj në krahina mes punëtorëve dhe fshatarëve. Megjithatë, pozicioni i tij zyrtar ishte ai i gazetarit dhe u lejua të kthehej në Tiranë para fundit të dekadës. Në këto vite të hershme, Kadare shkroi shumë vëllime poetike, dhe pjesa më e madhe e prozës letrare përbëhej nga tregime dhe novela.
Shpesh, një poezi rishkruhej si një rrëfim në prozë; ndonjëherë, historitë zgjeroheshin ose kombinoheshin. Emrat, motivet dhe vendet përsëriten nga një histori në tjetrën, duke i lidhur ato si fragmente të një bote imagjinare.
Referencat midis veprave të ndryshme janë pjesë e arsenalit të mjeteve të fshehura delikate që Kadare përdori për të shprehur kundërshtimin ndaj regjimit autoritar të Hoxhës. Megjithatë, pavarësisht nga fama dhe njohja ndërkombëtare, ai nuk ishte i përjashtuar nga disiplina politike. Në vitin 1975, një poezi që denonconte burokracinë (por që sugjeronte tërthorazi se partia kishte gjak në duart e saj) çoi në një seancë autokritike dhe dërgimin në “gjirin” e fshatit.
Në vitin 1981, “Pallati i Ëndrrave”, një analizë rrëqethëse e paranojës së drejtuar nga shteti, u tërhoq nga shitja dhe më pas Kadare nuk u lejua të botonte romane të gjata. Megjithatë gjatë gjithë këtyre rravgimeve – dhe mendimeve të herëpashershme për ekzil – krijimtaria e Kadaresë nuk pati kurrë rënie.
Kadare ishte një nga të paktët shqiptarë që lejohej të udhëtonte jashtë vendit. Një vizitë në Turqi në vitet ‘70 e vuri në kontakt me një studiues amerikan të epikës gojore ballkanike, Albert Lordin: rezultati ishte një roman për luftën për identitet kombëtar përmes poezisë, “Dosja H” (1981). Kadare vizitoi edhe Kinën dhe përdori disa materiale nga ai udhëtim për fantazinë e tij shekspiriane të intrigës maoiste, “Koncerti” (1988).
Udhëtimet në vende të huaja pak e prekën krijimtarinë e Kadaresë, e cila zhvillohet pothuajse gjithmonë në Shqipëri, ndonjëherë e maskuar (si Egjipti, te “Piramida”, për shembull, ose Turqia Osmane në “Pallati i Ëndrrave”). Por udhëtimi në kohë është thelbësor: romanet e Kadaresë shtrihen në historinë e Shqipërisë që nga pushtimi i turqve në shekullin e 15-të (“Kështjella”, 1970) deri te monarkia e viteve ‘30, fitorja e partizanëve, mbretërimi komunist (1944 – 92) dhe periudha postkomuniste, duke gërshetuar në këto histori mite nga Greqia dhe nga rezervuari i pasur i legjendave ballkanike, së bashku me jehonat e Shekspirit dhe Dantes.
“Prilli i thyer” (1978), ndoshta më i lexuari nga romanet e Kadaresë në anglisht, është një rrëfim rrëqethës i gjakmarrjes, siç përcaktohet në kodin e lashtë të ligjit të Shqipërisë, kanunin. Megjithatë, në mënyrë të tërthortë, nënkupton qëndrueshmërinë e qytetërimit shqiptar përballë përpjekjes së Hoxhës për ta zëvendësuar atë me “njeriun e ri” të ideologjisë staliniste.
Përdorimi i miteve dhe legjendave kombëtare të Kadaresë – në “Kush e solli Doruntinën” (1979), për shembull – ringjall një identitet kombëtar dhe refuzon përpjekjet për të shtypur traditat popullore, duke përfshirë edhe fenë. Kadareja kishte pak interes për letërsinë bashkëkohore; ai ishte më shumë si në shtëpinë e tij me Eskilin dhe Bajronin.
Fakti që Kadare mbijetoi në një mjedis aq armiqësor sa ai i Shqipërisë së Hoxhës, bëri që disa në perëndim ta akuzonin atë për kompromis. Emërimi i tij si deputet në Kuvendin Popullor, në të cilin ai nuk mori pjesë kurrë, i bëri disa që ta interpretonin gabimisht si simpati ndaj regjimit. Tashmë pranohet se këto dyshime ishin të pabaza. Historia e Kadaresë është ajo e guximit, këmbënguljes, zgjuarsisë dhe fatit. Shfaqja e veprës së tij në një vend kaq mizor sa Shqipëria e shekullit të 20-të tregon qëndrueshmërinë e shpirtit njerëzor.
Hoxha vdiq në 1985 dhe u pasua nga Ramiz Alia, i cili mbajti një regjim izolues dhe stalinist. Kadareja nuk mund ta imagjinonte se komunizmi do të shembet gjatë jetës së tij, por ai mund të shihte dobësimin e shtetit dhe kishte frikë nga kaosi që do të sillte. Ai iku në Paris në vitin 1990 për sigurinë personale, por edhe për t’i dhënë një sinjal regjimit shqiptar. Atij iu dha azil politik pothuajse menjëherë dhe më vonë iu dha shtetësia franceze.
Pas rënies së regjimit Alia në vitin 1991, Kadare e ndau jetën mes Parisit, Tiranës dhe një vile në bregdetin shqiptar pranë Durrësit.
Në Paris, ai përdori ndikimin e tij për të promovuar poetë dhe romancierë të tjerë shqiptarë dhe shkroi shkrime kritike dhe ese mbi qasjen e tij ndaj letërsisë. U botuan gjithashtu disa vëllime intervistash. Larg nga ngadalësimi, ritmi i të shkruarit për Kadarenë mbeti i dendur përgjatë viteve ‘90 dhe dy dekadave të para të shekullit të 21-të.
Edhe pse e rishikoi të gjithë opusin e tij në dy gjuhë për një seri të plotë veprash dygjuhëshe për Fayard, të botuara në vëllime paralele me lidhje të forta, ai krijoi një mbushulli veprash të reja.
Romane të ndrydhura të pabotuara në kohën e tyre (“Vajza e Agamemnonit”, shkruar në vitin1986 dhe rishikuar në 2003), romane të reja që portretizojnë Shqipërinë postkomuniste përmes të njëjtave lente të mitit dhe ëndrrës (“Lulet e ftogra të marsit”, 2000) dhe hulumtimi retrospektiv i torturës mendore të jetës nën tirani (“Pasardhësi”, 2003), vazhdimet e romaneve të mëhershme (“Darka e gabuar”) dhe vepra krejtësisht të reja si “Kukulla: (2020) vazhduan të shkisnin nga pena e Kadaresë në vitet 60, 70 dhe 80 të jetës së tij. Me çdo vepër të re, universi Kadarean fitonte qëndrueshmëri dhe vetë-mjaftueshmëri gjithnjë e më të madhe. Ai përplotëson një portret jo të Shqipërisë së vërtetë, por të një toke imagjinare – Kadareanía, siç e kanë quajtur – me një temë të vetme qendrore: si të mbetemi njerëzor në një botë të sunduar nga frika dhe dyshimi.
Kadare fitoi një numër të madh çmimesh letrare, mes tyre Çmimin Ndërkombëtar Man Booker në 2005, çmimin Princ Asturias në vitin 2009, çmimin Jerusalem në vitin 2015 dhe Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për letërsinë në vitin 2020. I mbeti pa marrë vetëm Nobeli.
Gjatë një vizite shtetërore në Shqipëri vitin e kaluar, presidenti francez, Emmanuel Macron, i akordoi Kadaresë titullin “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit”.
Pjesa më e madhe e veprës së Kadaresë është e përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, por disa romane kryesore dhe një sërë tregimesh ende nuk janë botuar në anglisht.
Kadare ka lënë pas gruan e tij, Elenën (e lindur Gushi), vetë ajo një shkrimtare e shquar, me të cilën u martua në vitin 1963, dhe dy vajza.
The Guardian, 1 korrik 2024.