More
    KreuLetërsiBibliotekëDanilo Kish: Legjenda e të përgjumurve

    Danilo Kish: Legjenda e të përgjumurve

    Përktheu: Feride Papleka

    Ata qëndruan në shpellë treqind vjet, të cilëve iu shtuan edhe nëntë vite të tjera.

     Kurani, XVIII, 25

    1

    Ata dergjeshin në shpinë, të mbështjellë me tunikat prej leshi të ashpër e të lagësht, tashmë të mykura e të holluara paksa nga lëvizjet, nga vërtitjet, nga fërkimi i kockave në vendet ku trupat e tyre rëndonin mbi qimet e devesë, nën qafë, poshtë shpatullave, nën bërryla, përfund legenit, poshtë thembrave e nën pulpat e ngrira si furka.

    Dergjeshin me duar të kryqëzuara për lutje si duar të vdekurish, mbi leshin e lagësht e të ashpër që ngjishej poshtë trupave të tyre, të cilët ktheheshin në çaste të rralla, me lëvizje të pavetëdijshme prej të përgjumurish të lodhur, të lodhur për të jetuar e për të ecur, por sidoqoftë prej të përgjumurish; gjymtyrët e tyre zhvendoseshin me të vërtetë, në mënyrë të padukshme për syrin njerëzor dhe leshi hahej poshtë tyre, në vendet ku mbështetej pas shkëmbit të zhveshur të shpellës, nën peshën e gjumit të tyre e të trupave të tyre të ngurosur, në vendet ku u nënshtrohej rrotullimeve të deltinës njerëzore, fërkimit të kockave me lëkurën e devesë së lagësht e të mykur nga shtypja e lëkurës pas shkëmbit të shpellës, të ashpër si diamanti.

    Dergjeshin me qetësinë e tyre prej të përgjumurish të mëdhenj, por lëvizjet e gjymtyrëve në errësirën e kohës, hollonin poshtë tyre leshin e lagësht, brenin qimet e devesë që grisej në mënyrë të padukshme, ashtu si uji, aleat i kohës që gërryen zemrën e sertë të gurit.

    Ata dergjeshin në shpinë, në shpellën e errët të malit Celius, me duart të kryqëzuara për lutje, si duar të vdekurish. Dergjeshin të tre: Dionisi, miku i tij Malhysi dhe pak më larg, Gjoni, bariu fatlum me qenin e vet, të quajtur Qitmir.

    Nën qepallat e tyre të rënduara nga gjumi, nën qepallat e lyera me balsam dhe me helm gjumi, nuk mund të shihej hënëza e gjelbëreme e syve të tyre të vdekur, sepse errësira ishte e thellë, errësira e lagësht e kohës, errësira e shpellës së përjetësisë.

    Përgjatë faqeve lakore të shpellës djersinte uji i përjetshëm, pikë-pikë dhe rridhte nëpër venat e shkëmbit me një murmurimë të heshtur si gjaku në venat e të përgjumurve dhe kohë pas kohe, ndonjë pikë binte mbi trupat e tyre të topitur dhe mbi fytyrat e ngurosura, ndiqte rrudhat e ballit e derdhej në lugun e veshit, ndalej në hullizat rrumbullake të qepallave, rrokullisej mbi kokërdhokun e gjelbëremë të syve si lot akulli dhe rrinte pezull një çast në qerpikët e shtangur.

    Por ata nuk zgjoheshin.

    Të shurdhër, me dëgjimin të vulosur nga gjumi i rëndë dhe rrëshira e errësirës, ata rrinin shtrirë, të shtangur, kredhur në hijen e qenies së tyre, hije e kohës dhe e përjetësisë, që kishte ngurosur zemrat e tyre prej të përgjumurish, që kishte ndalur frymën dhe lëvizjet e mushkërive të tyre, që u kishte ngrirë rrjedhjen e gjakut në vena.

    Vetëm flokët dhe mjekra e tyre rriteshin ende, të ushqyer nga lagështira e guvës dhe nga palëvizshmëria e trupave, të ngacmuar nga hiri i harresës dhe nga furia e ëndrrave, rriteshin gjithashtu pushi i trupave të tyre dhe nga pushi nën sqetulla, në mënyrë të padukshme, ashtu si uji që ndërton e shkatërron në mënyrë të padukshme, rriteshin edhe thonjtë e tyre duke nxjerrë zhurmërime të thata.

    2

    Më i riu, Dionisi, që kishte në zemër një trëndafil dhe ishte shtrirë midis bariut Gjon dhe mikut të tij Malhys, u zgjua i pari, papritur, si i fshikur nga fryma e kohës dhe nga kujtimet. Gjëja e parë që dëgjoi ishte lotimi i murit përgjatë kubesë së guvës, e para gjë që ndjeu ishte një sëmbim në zemër. E përmbytur në heshtje, vetëdija e tij prej të përgjumuri të lodhur, vetëdija e tij e zhytur në errësirën e lagësht të guvës, nuk mund të ftillohej menjëherë, sepse trupi i tij ishte mpirë nga pushimi i gjatë dhe shpirti i ishte turbulluar nga ëndrrat.

    Ai shqiptoi në shpirtin e tij emrin e Senjorit, Zotit të tij dhe emrin e ëmbël Priska, pastaj u kujtua për gjithçka që kishte ndodhur, u kujtua me tmerrin e vdekatarit dhe me lumturinë e të dashuruarit. Sepse, ajo që kishte ndodhur me shpirtin dhe me trupin e tij – tashmë ai nuk e dinte ku -, i ngjante një ëndrre, ndoshta ishte ëndërr, makth i jetës dhe makth i vdekjes, makth i dashurisë së pashuar, makth i kohës e i përjetësisë.

    Ai filloi të ndiente bri tij, në të majtë e në të djathtë, trupat e shtangur në një gjumë të rëndë, trupat e Gjonit, bariut dhe Malhysit, mikut të tij dhe iu bë e qartë, se ata flinin pa nxjerrë dihatjen më të vogël dhe pa më të voglën lëvizje, memecë si mumie, madje pa lëshuar aromë trupash njerëzorë, pa duhmën e kalbësirës njerëzore; ai nuhati praninë imaterialitetit të tyre dhe u ftillua se diku në të majtë, në këmbët e Gjonit ishte trupi i palëndët, i qenit të bariut, që me putrat e përparme, të shtrira drejt, kishte fjetur pranë të zot, rojë e humbur në gjumin e vdekjes.

    3

    Me trup të ngrirë e me gjymtyrë të mpira, në mbulesën e leshtë, të vjetruar, lagështirën e së cilës nuk e kuptonte, Dionisi hapi me vështirësi gishtat e duarve të kryqëzuara, gishtat e mpirë nga gjumi dhe palëvizshmëria, e që dukeshin të ngjitur njëri me tjetrin dhe u kujtua për trupin e vet dhe karakterin lëndor të tij, u kujtua për zemrën që po ngrohej; në të njëjtën kohë i gjallëroheshin rropullitë dhe mushkëritë, sytë që ia kishte platitur gjumi i rëndë, organi i tij seksual, i fjetur dhe i kallkanosur, po aq i largët, sa dhe mëkati që ishte larg tij.

    Dhe atij iu kthjellua vetëdija në mes të guvës, në errësirën e saj të marrtë dhe ngjitëse, zgjati veshin në klepsidrën e përjetshme të kohës, sepse donte të rivendoste vetëdijen dhe trupin në zemër të kohës, të kthehej prapa, në kohët para këtij gjumi e kësaj guve. Dhe kujtoi së pari emrin e dashur Priska, sepse ajo banonte në ëndrrën dhe në zhgjëndrrën e tij, në zemrën e tij dhe në zemrën e kohës, në zemrën e gjumit dhe në zemrën e zgjimit.

    Fillimisht ai nuk diti çfarë të bënte, sepse nuk donte t’i zgjonte shokët e vet të gjumit, bashkëfajtorë të lodhur e të kapitur nga të njëjtat ëndrra, pastaj u zhyt me vetëdije të plotë në lumin e kohës, për të ndarë gjumin nga zgjimi, për të kuptuar me ndihmën e vetëdijes e të kujtimeve dhe me ndihmën e Senjorit, Zotit të tij, të cilit ai i drejtonte lutjen e vet se çfarë kishte ndodhur.

    Por asgjë tjetër s’kishte ai brenda vetes, vetëm kujtimin e gjumit e të zgjimit, kujtimin e kohës përpara dhe të kohës së tanishme; s’kishte ai brenda vetes asgjë tjetër, veç errësirës së plotë si para krijimit, në parajetë, kur Senjori nuk kishte ndarë ende dritën nga errësira dhe ditën nga nata, kur Senjori nuk kishte dalluar ende gjumin nga të qenurit zgjuar dhe të qenurit zgjuar nga gjumi.

    Dhe pa atë trëndafilin në zemrën e tij, pa emrin e ëmbël Priska, pa kujtimin e saj të skalitur në tërë trupin e tij, pa praninë e saj në shpirt, në lëkurë, në vetëdije, në rropullitë e zbrazëta, ai ende nuk do të ishte zgjuar krejtësisht.

    4

    Por nuk ishte më Priska e mëparshme, Priska e ëndrrës që pa atypari, ajo që e kishte gjetur në dyert e gjumit të mëparshëm e në zemër të zgjimit të mëparshëm. Ajmé nuk ishte e njëjta Priskë, të cilës ai i ishte premtuar me përjetësi, nuk ishte më Priska e tij e gjumit të natës së dikurshme dhe e zgjimit që ndodhi më parë, nuk ishte e njëjta grua, që Zoti e faltë, Priska, vajza e mbretit Dec, armik i krishterimit, nuk ishte e njëjta ëndërr e së njëjtës grua, nuk ishte Priska e tij, e cila i ishte premtuar atij me përjetësi, por ishte një grua tjetër që mbante emrin e saj e që i shëmbëllente shumë, por nuk ishte e njëjta Priskë, edhe pse iu duk e ngjashme, por jo, nuk ishte ajo.

    Dhe solli në mend kujtimin e gjallë, dhembshurisht të gjallë, të imazhit të saj, imazhi i Priskës së tij, por tashmë ai shihte imazhin e dy grave të ngatërruara në një të vetme në kohë dhe në kujtim, dhe nuk kishte më aty as kufij e as caqe, sepse ato ishin bërë prej pluhurit dhe prej hirit të dy palë kujtimeve, deltinë e dy krijimeve të njëpasnjëshme, të cilave gjumi u kishte futur një shpirt, të vetin.

    Dhe këto dy figura përziheshin në vetëdije dhe në kujtim. Ai formësonte deltinën, prej të cilës ishin bërë dhe shumë shpejt nuk i dalloi më dy gratë dhe dy ëndrrat, por një të vetme, Priska me sytë si bajame, Priska e tij, ajo e tanishmja dhe e dikurshmja, dhe ky kujtim e mbushi me forcën dhe gëzimin e mjaftueshëm për t’u shkundur nga gjumi, por jo për të vënë në lëvizje gjymtyrët e mpira, sepse e pati pushtuar frika e mendimeve të veta në çastin kur çmbështillte fillin e kujtimeve e ndërmendej për gjithçka që kishte ndodhur para gjumit.

    5

    Dhe ai pa dritën e pishtarëve që ashtu si yjet, ndizeshin sipër kokave të tyre në kubenë e guvës, dhe u kujtua, dhe pikasi zhurmën e turmës së mbledhur rreth tyre, pastaj heshtjen që mbretëroi një çast, e ndjekur nga një klithmë dhe nga arratia e trallisur e popullit të thjeshtë, kur Gjoni, bariu fatlum, ngriti duart drejt qiellit dhe iu lut Senjorit.

    A ishte një ëndërr kjo? A ishte kjo ëndrra e një somnambuli, një ëndërr brenda ëndrrës dhe, pra, më reale se një ëndërr, sepse është e pamundur t’i nënshtrohesh provës së zgjimit, sepse është e pamundur t’i nënshtrohesh provës së vetëdijes, meqë nga kjo ëndërr zgjohesh sërishmi në ëndërr? Në mos qoftë një ëndërr hyjnore, ëndërr e kohës dhe e përjetësisë? Një ëndërr pa iluzione, ëndërr e sigurt, ëndërr jo vetëm e shpirtit, por edhe e trupit, ëndërr me vija të pastra e të sakta, me gjuhën dhe kumbimet e saj, ëndërr që mund ta prekësh, që mund t’ia provosh shijen, aromën, dëgjimin, ëndërr më e fuqishme se gjendja zgjuar, ëndërr që shohin ndoshta të vdekurit dhe gjithçka që bëhet, është provë e gjendjes zgjuar dhe e realitetit. Në atë ëndërr pikon gjak lëkura dhe pikon gjak zemra, trupi gazmohet dhe shpirti gazmohet, ajo nuk përmbyll të tjera mrekulli veç jetës; ëndërr nga e cila dilet për të shkuar drejt vdekjes.

    Ata nuk patën madje kohë t’i thoshin njëri-tjetrit lamtumirë, sepse secili prej tyre i zënë me shpirtin e vet dhe me faljen e mëkateve, dhe secili për vete, pastaj të gjithë në kor, zunë të pëshpëritnin me buzë të thara nga lutjet, ngaqë e dinin se turma do të kthehej, se njerëzit kishin ikur vetëm sa të kërkonin ushtarët e Decit ose të përgatisnin kafaze për egërsira, duke lënë roje në hyrje të shpellës, sa kohë që nuk qe gati gjithçka për plojën, me të cilën vegjëlia, turma e pafe do të kënaqej.

    6

    Pastaj njerëzit u kthyen me pishtarë dhe fenerë që ndriçuan shpellën me një dritë të re e të fuqishme, ata u kthyen duke kënduar këngë e psalme. Disa fëmijë mbanin pishtarë e ikona dhe shpella qe ndriçuar nga këngët e përshpirtshme e nga lutjet e tyre, nga zërat e priftërinjve që jehonin mbi faqet e shkëmbit, ndërkohë që zërat e fëmijëve, të gjithë çuna veshur me të bardha, ngjanin si një kor engjëjsh qiellorë.

    Shpella për një çast u përmbyt nga tymi i pishtarëve dhe kundërmimi i temjanit, të gjithë këndonin me zë të lartë lavdinë e Senjorit, priftërinjtë dhe fëmijët dhe ata të tre Dionisi, Malhysi dhe Gjoni, bariu fatlum, ata këndonin në kor me ta, psalme për lavdinë e Jezuit të Nazaretit, mrekullibërësit dhe shëlbuesit.

    A ishte kjo një ëndërr? A ishte vegim apo ata ishin tashmë në dyert e parajsës? A ishte fundi i makthit e i ëndrrës, apo kjo ishte ngjitja e tyre?

    Ai vështronte me shpirt të turbulluar, ashtu si edhe ata që nga një qoshk i lartë i shihnin të tre. Dhe në dritën e pishtarëve pa fytyrat e tyre dhe veshjet e tyre dhe u shtang; veshjet e tyre ishin ngjyrë alle, lëkurë qengji e ngjyer me të kuqe, qëndisur me ar, me argjend dhe me bronz. Ata kishin para tyre ikona ku vezullonin ari, argjendi dhe gurët e çmuar.

    7

    Pastaj djem të rinj me krahë muskulorë dolën nga turma, u përkulën para tyre dhe bënë shenjën e kryqit, u puthën këmbët e duart, pastaj i ngritën një nga një, fare lehtë, si të ishin fëmijë dhe shkelën truallin e shprishur të shpellës, duke i mbajtur me kujdes si ikona, duke i çikur paksa me duart e tyre të fuqishme, ndërkohë që turma u bënte dritë për hapat dhe rrugën e tyre, duke kënduar çdo çast psalme për lavdinë e Senjorit.

    Në krye të varganit ata mbanin Gjonin, bariun fatlum: ai i kishte duart të kryqëzuara dhe murmuriste lutjen e vet të thjeshtë që Zoti e pëlqen më shumë se të tjerat; pas tij ata mbanin Malhysin me mjekrën e tij të bardhë, të madhe, e kishin veshur edhe atë me rroba të çelëta, zbukuruar me ar, pastaj vinte ai, Dionisi, që lëkundej ngadalë, si në një barkë, në krahët e fuqishëm të atyre që e mbanin.

    Po kjo a ishte ëndërr?

    Dhe ai pa kokat e qethura të djelmoshave, në supet e të cilëve, mbi një shtrojë, pushonte trupi i tij që i ngjante atij vetë, i dobët si trupi i një fëmije apo i një plaku pa fuqi; a ishte ëndërr edhe kjo ngjitje? E ato këngë e ata sy djemsh të rinj që e mbanin, pa guxuar të hidhnin vështrime drejt tij, aq sa ai shihte vetëm vetulla të trasha nën balle të ulëta dhe qepalla gjysmë të mbyllura nën qerpikë; dhe qafa të forta e të zhveshura, të ndriçuara nga një rreze drite, zverkun e atyre që para tij mbanin Malhysin, duke ngjitur të përpjetën, si drejt një qielli dhe parajsës qiellore, ndërkohë që turma ecte në këmbë nga të dyja anët, duke tundur pishtarët e ndezur dhe fenerët, dhe ai nuk guxoi t’i vështronte, qoftë edhe një çast në sy, për të vënë re në qepallat gjysmë të hapura kokërdhokun e gjelbëremë e të zbrazët të atyre somnambulëve të përgjumur, të cilët ecnin syshuar dhe këndonin psalme dhe lutje; që gjumi i tyre i thellë, gjumi i tyre prej somnambuli i kishte mbartur të tre sipër vorbullës prej guri të shpellës, duke kapërcyer përrenj të thellë dhe rrugë të vështira rrëshqitëse, salla të mëdha e të gjera si dhe tempuj me myshk kristalor në kalimet e ngushta, poshtë kubeve të ulëta.

    Dhe prej nga u vinte atyre ai hap i sigurt, ajo qetësi sublime, me të cilën kapërcyen gjithë pengesat e rrezikshme, duke i ngritur me shkathtësi dhe zotësi, duke i çikur paksa me duart e tyre të forta?

    Më kot përpiqej ai të kthjellonte dyshimet e veta, të haste një vështrim, një sy njerëzor, në të cilin do të shihte imazhin e vet, në të cilin do të gjente vështrimin e vet, pasqyrimin e provës që ëndrra kishte pushuar. Po të ishte ashtu, së paku ai do të kishte mundur të kapte një vështrim fëmije, të njërit prej atyre engjëjve me tunikë të bardhë që rrinin në të dyja anët e kalimit, majtas e djathtas, sipër tij, në qoshkun e kristaltë, si në një tempull; por më kot. Atij iu duk sikur njëri prej fëmijëve e shihte me sy njerëzorë dhe prej engjëlli, iu duk atij sikur njëri prej tyre kërkonte vështrimin e tij. Por sa kthente sytë, ai e fshihte vështrimin, ulte perden e qepallave të rënda dhe qerpikët e dendur, gjithë duke vazhduar të këndonte psalmin, tashmë me sy plotësisht të mbyllur, me gojën e rrumbullakët të hapur shumë si të një peshku, dhe ai, Dionisi, ndiente në atë vështrim të fshehur, në atë gojë peshku, hipokrizi, dyshim ose respekt apo edhe plogështi prej somnambuli.

    Sepse kështu mund të ecin buzë humnerës somnambulët e drejtuar nga një dorë e pushtetshme, nga guximi i atyre që nuk shohin gremina poshtë tyre, nga marrëzia e atyre që i shtyn forca e hyjnitetit të tyre të lashtë, forca pagane e trupave të tyre plot me besimin e të parëve, adhurues të hënës: hapi dhe duart e tyre të zgjatura do të thoshin adhurim për hënën, perëndeshën pagane, që e thërrasin shpirtrat e të parëve, sepse ky udhëtim është thirrje e gjakut dhe thirrje e kohës; dhe ai nuk guxon të shqiptojë një fjalë, nga frika se i zgjon këta paganë të përgjumur, këta somnambulë të mbledhur në shpellë për kremtimin e festës së tyre, të perëndeshës së tyre pagane, sepse jashtë në qiell, me siguri shkëlqen hëna e plotë.

    8

    Dhe ai ruhet shumë të mos shqiptojë as fjalën më të vogël, përveç lutjes që murmurit me vete, duke lëvizur me vështirësi buzët, sepse edhe ai ka frikë të zgjohet nga kjo magjepsje prej somnambuli, kur i kërcënonte rreziku të fundoseshin të gjithë në greminat e errësirës, sipër të cilave ata po e mbanin tani, duke shkelur pothuaj në mënyrë të frikshme tokën e lagësht të shpellës së ndriçuar nga pikat e ujit vezullues; zëri i tij dhe zgjimi i tij do t’i tërhiqte të gjithë në fund të greminës së zezë, nga ku po e ngrenë tashmë me forcën e krahëve, duke ngjitur pjerrësinë, dhe të gjithë do të kishin rënë nga tmerri i zgjimit në honin e çarë poshtë tyre, në grykën e errët të shpellës së paarritshme, madje, as nën dritën e pishtarëve, por sigurisht që greminat dhe honet e pafundme peshojnë mbi vetëdijen e tij të zgjuar prej somnambuli: ai dëgjon një gur që rrokulliset nën këmbët e zbathura të atyre që e mbajnë dhe përshkon faqen shkëmbore duke kërcyer nga shkëmbi në shkëmb, një rënie kumbuese dhe marramendëse, pastaj përherë e më tepër e mbytur dhe e ngadalësuar e që shuhet së fundi si jehonë; zhurma nuk ndalet, por shuhet, sepse guri nuk ka shkuar ende në fund, aq më tepër që ajo zhurmë s’mund të arrijë vetëdijen e tij gjysmëfjetur, gjysmëzgjuar.

    A mos është ëndërr apo fanitje somnambulike e vetëdijes gjysmë të përgjumur, një ëndërr e trupit të tij pagan, sepse duke rrjedhur prej stërgjyshërish paganë, adhurues të perëndeshës-hënë, të perëndeshës-hënë e plotë, tashmë e thërrasin të parët e tij. Me siguri jashtë, në qiell shkëlqen hëna e plotë ose hëna e re, shpirtrat e të parëve zgjohen, shpirtrat e të parëve të tij dhe të parët e të parëve, i thërrasin trupit të tij pagan, përpiqen ta përmendin gjakun e tij pagan.

    Ose thjesht, a mos është ngjitje e shpirtit të tij, çasti kur shpirti lë trupin, ku shpirti i krishterë ndahet nga trupi pagan, dhe trupi mëkatar nga shpirti mëkatar, nga shpirti, të cilit iu dha bekimi e iu falën mëkatet?

    A është ëndërr, ai qen që e bartin pranë Gjonit, duke e peshuar në krahët e tyre si Qengjin Hyjnor, dhe ai fëmijë që e shtrëngon në kraharor si qengjin e zgjedhur për blatim apo idhull pagan, që e mban duke kaluar sipër greminave dhe honeve, ngjeshur në trup si Bariu i Mirë, me sy të mbërthyer në tokë, pa guxuar as ai të shohë sytë e kaltër në të gjelbër dhe të turbullt të qenit Qitmir, të mbuluar nga perdja e gjumit, sytë e tij të kaltër e të gjelbër si një aguridhe, sytë e tij gjysmë të hapur, pothuajse të shuar e të verbër? Ai, Dionisi, jo se jo, nuk guxon të tërheqë vështrimin e Qitmirit, ndonëse fëmija me qenin u zmbrapsën anash, që të kalonin nëpër galerinë e ngushtë ata që e bartnin, të përkulur më dysh, duke ecur thuajse me katër duar; dhe ai, Dionisi ka ndjesinë se qëndron pezull mbi gurë, gjithherë në të njëjtin vend, gjysmë i ulur, me kokën paksa të ngritur e i mbështetur në shpinën e njërit prej atyre që e ngrenë dhe dëgjon vetëm gulçimë. S’ka më fëmijë, as Qitmir, sepse fëmija është ndalur para grykës së ngushtë të shpellës për të lënë të kalojnë njerëzit që bartnin ata të tre, Gjonin, Malhysin dhe atë, Dionisin. Fëmija është ndalur me vështrim përtokë, në hyrje të galerisë, pret radhën e vet, duke shtrënguar në krahë Qitmirin me sy të kaltër.

    9

    Nga të dyja anët e kalimit të ngushtë depërtonte një dritë fërgëlluese, që dallohej me vështirësi pas tij, por përpara, atje, në fund të galerisë, ishte përherë e më e fuqishme, futej midis dhëmbëve të mprehtë dhe nofullave të mëdha e të hapura të Polifemit, sepse ishte tamam e tillë, pa asnjë dyshim hyrja e shpellës së dikurshme, që e kujtonte tani, ashtu si kujtohej për ngjarjen që u kishte treguar Gjoni, bariu fatlum, atëherë gjatë gjumit të parë dhe të parit zgjim; kalimi ishte zgjeruar ose së paku ashtu dukej, dhe ai mund të shihte që lart supeve të bartësve të tyre, se faqja e shpellës ishte prerë në atë vend, ai shihte nofullën e hapur me dhëmbët e dalë, të ndritshëm e të thyer, kristalorë e të bardhë në majë, të prerë shtrembër, tani së fundi s’ka shumë kohë, krejt të bardhë e të shkëlqyer si kripa.

    Kjo, a ishte ëndërr?

    Ata të gjymtuar që filluan atëherë të hiqeshin zvarrë te këmbët e tyre, të përdridheshin si krimba e t’u puthnin këmbë e duar, përpara se bartësit e tyre të fuqishëm t’i nxirrnin përfundimisht nga shpella. A ishte ëndërr, kjo hyrje e shpellës që ai e njihte mirë, me faqe anësore të ndragura, me vizatime të gdhendura, kuptohet prej barinjve, me gurë ose me thikë mbi shkëmbin e ashpër, sepse dikur aty kishte idhuj të rremë dhe koka gomarësh të vizatuar nga dora mëkatare e barinjve, dhe kishte atëherë, në faqet shkëmbore një bojë njeriu lartësi, vizatime të pahijshme dhe erë të pëgërash.

    Dhe ja, tashmë ato vizatime të turpshme e ato koka gomarësh janë zhdukur; ende shihen mbi gurë gjurmë të freskëta në vendet ku janë fërkuar e gërryer, dhe, era e keqe e të pëgërave të njerëzve nuk ndihet. Shpella është pastruar dhe fshirë nga duart e këtyre njerëzve; në këndet e shpellës flakërojnë tashmë fenerët dhe pishtarët me rrëshirë kundërmuese që janë ngulur nëpër të çara, kubeja është zbukuruar me lule, me kurora dafine dhe me ikona të lara me ar; edhe trualli po ashtu është mbuluar me një shtrojë lulesh që e shkelin me këmbët e tyre të zhveshura bartësit e tyre, ndërkohë që shumica këndon psalme dhe mërmërit lutje.

    Të verbrit dhe sakatët zvarriten me këmbët e tyre, duke u shtrembëruar si krimba, puthin trupat e tyre dhe luten me fjalë të rënda e të tmerrshme. Ata luten në emër të dashurisë dhe të besimit, të diellit e të hënës, të jetës e të vdekjes, të ferrit e të parajsës, ata luten dhe falen t’u kthehet shikimi, t’u shërohen plagët dhe gjymtyrët e tyre të vdekura, t’u vijë drita e diellit dhe e shpresës.

    A është ëndërr apo makth? Ata të gjymtuar që kërkojnë e luten, ata sakatë që luftojnë me patericat dhe çirren deri në gjak për trupin e tyre, për shërimin e tyre, ëndërr është kjo? Pafuqia e tij për të shqiptuar edhe një fjalë, për të bërë çfarëdo qoftë për ata të mjerë, për ata të gjymtuar që ca djelmosha trupmëdhenj i largojnë nga rruga dhe i shtyjnë tutje, sido qofshin, krejt të verbër a të pafuqishëm, çalamanë e të paralizuar, kjo a është ëndërr? Pamundësia për të kuptuar gjithçka, këtë mrekulli, këtë dhimbje dhe këtë pafuqi që është e tij, këtë paaftësi për të bërë çfarëdo qoftë për ata ditëzinj që kërkojnë e luten, pamundësia për të rrëfyer pazotësinë e tij, për të kërkuar faljen e tyre, për t’iu lutur të thonë një fjalë njerëzore, për t’iu përbetuar se e besojnë, se e besojnë në pafuqinë e tij, që të fitojë nga betimet dhe lutjet dashamirësinë e tyre e t’i thonë më në fund se çfarë i ka ndodhur, nëse gjithë kjo s’është gjë tjetër veç ëndërr. Ata sy të shuar e të verbër që ngrihen drejt tij, të zbrazët e të llahtarshëm në rrokullimën e tyre të përgjakshme dhe të shëmtuar, ata sy të verbër që e kërkojnë dhe e gjejnë, sepse janë të vetmit sy që ka mundur të shohë, të vetmit sy të kthyer drejt tij, që kanë marrë mundimin të kthehen drejt tij, sepse madje edhe të gjymtuarit që zvarriten me cungjet e tyre e që i puthin këmbët me buzët e ngrira, nuk ia kanë pranuar vështrimin, edhe ata e përqafojnë dhe i luten pa e parë e pa e vështruar në sy, duke ngritur drejt tij vetëm krahun e tyre cung, në një gjysmë shtrëngimi, duke bashkuar patericat e tyre në një gjysmë lutjeje të lemerishme, të ndërprerë në bërryl, në palat dhe të qepurat e përbindshme të gjysma-gjymtyrëve të tyre të sakatuara.

    A është makth, kjo ngjitje e tij? A është makthi i purgatorit që duhet të kapërcejë trupi, a është ndëshkimi i mbramë dhe i fundmi qortim për një trup mëkatar kjo skenë tmerri njerëzor, me qëllim që shpirti, para ngjitjes së tij, të mund të sjellë ndër mend ferrin?

    A është makth apo vetëm kalvar i trupit të tij dhe i shpirtit të tij, vetë ferri nga ia kanë sjellë trupin për ta pjekur e për ta çapëlyer, ndërkohë që kjo lutje dhe këto këngë të përshpirtshme, kjo dritë dhe kjo ecje mbi flatra engjëjsh, është vetëm tundimi i fundit që i jepet shpirtit mëkatar, me qëllim që ai të kujtojë parajsën e humbur, kopshtet e parajsës dhe ëmbëlsitë e parajsës që nuk i ka merituar; dhe Senjori e shoqëron mbi flatra engjëjsh të zhgënjyer përgjatë atyre kopshteve, që shpirti i tij të ndiejë ëndjet dhe kënaqësitë, që ai të ndiejë aromën e temjanit e të olibanit,[1]* ëmbëlsinë e lutjes, për t’i pasur edhe më të durueshme vuajtjet e ferrit, sepse në kujtesë i oshtijnë lutjet dhe këngët, sepse në kujtesë i grafullojnë aromat e pishtarëve me rrëshirë erëmuese dhe temjan, sepse në kujtesën e tij jeton drita, dyshimi për dritën qiellore?

    10

    A ishte ëndërr? A ishte ëndërr ajo dritë e ditës, ajo dritë që e përmbyti befas, kur njerëzit u larguan nga hyrja e shpellës, kur u hap një e çarë në murin e turmës së mbledhur rreth e qark, e atëherë qe një dritë e re, pa dyshim një dritë hyjnore, dritë e harruar, njëherësh e largët dhe e afërt, dritë e një dite të diellzuar, dritë e jetës dhe e shikimit të kulluar.

    Në fillim qe vetëm kubeja blu e qiellit, e largët, e larë në shkëlqimin e vet, në kaltërsinë e vet, lart, përsipër kokës, një det i kaltëruar, i qetë dhe i lumtur, i fryrë në baticën e vet; pastaj atij iu duk, gjithashtu, se pa në mes kësaj pafundësie blu e të ëmbël qiellore disa re të bardha, jo qengjat e Zotit, jo tufën, tufën e bardhë qiellore duke kullotur, por vetëm disa fije leshi të bardhë që flatronin në kubenë blu, aq e vërtetë sa për një sy njerëzor, që syri i tij të mos dyshonte për atë ngjyrë qiellore, aq e vërtetë sa shpirti i tij të mos përçartej.

    Sepse, pa asnjë dyshim ishte drita e ditës dhe pa asnjë dyshim ishte drita blu e qiellit të ngjitjes së tij; apo edhe kjo ishte ëndërr? Ky shkëlqim që e bëri të mbyllte sytë, madje, para se ta kishte lënë krejtësisht shpellën, i përkundur si në një varkë, mbi supet e forta të bartësve të tij; dhe ajo dritë e spërkati si me ujë; dhe shpirti i tij u krodh gjer në grykë në këtë valë të kaltër dhe vezulluese si në ujin e bekuar; ai qe përmbytur në një vakësi të ëmbël, të ardhur nga kujtimi i largët i shpirtit të tij, nga një gjumë i largët. Ajo e goditi në sy si një ndriçim dhe si flaka e flatrave të engjëjve, prandaj ai shtrëngoi qepallat, i shtrëngoi dhimbshëm qepallat, jo më nga shkaku i errësirës dhe i vegimeve, por nga shkaku i dritës; dhe ndjeu ndryshimin, dhe e ndjeu atë nën qepallat e shtrënguara, sepse në vetëdijen e tij, diku, në mes të ballit, diku pas kockës ballore, në mes, tamam midis syve, në rrëzë të nervit pamor dhe madje në zemër të shikimit, fërgëlluan shtëllunga të purpurta, të purpurta dhe vjollcë, dhe të kaltra e të verdha e të gjelbra, pastaj sërish të purpurta dhe ishte me siguri dritë e jo vegulli, ose ndoshta vetëm një vegulli e shikimit, por ishte dritë!

    11

    Në mos qoftë edhe kjo ëndërr e lodhur, një vegulli e trupit, vegim i të parit, i një somnambuli që ka kapërcyer kufijtë dhe shtigjet e natës e të hënës, të agsholit e të dritës së hënës, e ka hyrë në ditën dhe në dritën e një dielli që lind, hyjni e përjetshme në luftë të pareshtur me perëndeshën hënë, dhe që vjen tani të ndajë dritën e dukshme që mashtron, të perëndeshës së rrëzuar, armikes së tij. Po, kjo ishte drita! Jo dritë levarashe dhe e brishtë që gërryhet dhe harxhohet vetë, që ndizet dhe shuhet vetë, lodhet dhe mbytet vetë, duke u harxhuar në flakën e në tymin e vet, në fërgëllimën e në vrullin e vet, në prushin e në urën e vet; kjo ishte vërtet drita!

    Jo dritë e ftohtë hëne, por drita e ditës së madhe, drita e diellit që përshkon qepallat e shtrënguara, e cila si flakë e kuqe futet nga thurima e qerpikëve dhe rrëshqet nëpër gavërzat e lëkurës, dritë dite e ndier në çdo pjesë të trupit që ka dalë nga errësira e ftohtë e shpellës, dritë e ngrohtë e çudibërëse, dritë dielli dhe burim jete!

    Në mos qoftë edhe kjo një ëndërr e lodhur?

    Ai purpur që ia përshkon menjëherë gjakun dhe zemra e tij që fillon të regëtijë, gjaku i tij nis të vrapojë në të gjithë trupin, gjak papritmas i ngrohtë e gazmor, gjak papritmas i kuq e i gjallë, ai mantel i ngrohtë dielli me të cilin mbështillet si me lëkurën e vet të butë, mantel i lehtë, bërë me diell që mbështjell trupin e tij, sipër tunikës prej leshi të lagësht e të akullt, trup i mbuluar me atë rrobë madhështore prej mëndafshi.

    Ose edhe kjo, ishte ëndërr, aroma e tokës që i shponte hojëzat e dobësuara nga gjumi i gjatë dhe prehja, ajo aromë e njohur dheu, aromë bari e bimësh, frymë e ëmbël e botës dhe jetës që pas ajrit gjithë lagështirë të shpellës, kundërmonte mollë.

    A ishte ëndërr edhe ajo? Ajo pije e ëmbël e shpirtit dhe e trupit, ai shkëlqim që e pengonte të hapte sytë, sepse i ishte përplasur aq fort në ballë e me një fuqi të tillë, sa drita qe errësuar nga hije të kuqe e të verdha, të kaltra, të purpurta e të blerta dhe atij i duhej t’i mbante sytë mbyllur, sepse nën qepallat e tij mbretëronte një errësirë e kuqe dhe e nxehtë, sikur ta kishte zhytur kryet në gjakun e valë të blatimit.

    […]

    18

    Para se të shikonte, madje, në të djathtë e në të majtë, madje para se të pyeste veten nëse ishte ëndërr gjithë kjo, para se të mundej madje të kuptonte ngjitjen e çuditshme të trupit të tij në banjën plot aromë të kësaj dite, ai kujtoi emrin e ëmbël Priska, dhe trupi iu përmbyt në çast nga një lumturi e pastër dhe ajri u derdh si një parfum trëndafili.

    O gëzim!

    Dhe i vetmi kujtim i trupit e i zemrës së tij në këtë çast lumturie, të shkaktuar nga ky shkulm dehës, atje para portës së pallatit, ndërsa turma kishte heshtur dhe kërcëllitja e rrotave kishte pushuar, dhe, ndërsa ishte skalitur në shpirtin e tij emri Priska, kur kishte ndier kundërmimin e trëndafilave, ai çast, edhe njëherë tani, në errësirën e shpellës, në atë varr përjetësie, zgjoi te ai një turbullim të largët e të lumtur; kujtimi fluturoi nga fryma e tij, trupi i tij u përmbyt nga një dritë e një ngrohtësi e largët, pastaj gjithçka u bë prapë heshtje e shpirtit dhe errësirë e kohës.

    19

    Ai dergjej në errësirën e shpellës dhe orvatej më kot të rrotullonte sytë, më kot thërriste Malhysin, mikun e tij, më kot thërriste Gjonin, bariun fatlum, më kot thërriste Qitmirin, qenin, thërriste më kot Zotin e tij; errësira ishte e dendur si rrëshirë, heshtja ishte heshtje varri dhe përjetësi. Dëgjohej vetëm djersitja e ujit përgjatë kubesë së padukshme, përzierje e përjetësisë në sahatin e kohës.

    Ah, kush do të mundej të ndante ëndrrën nga realiteti, ditën nga nata, kujtimet nga iluzionet?

    Kush do të hiqte një vijë të pastër midis gjumit dhe vdekjes?

    Kush do të mundej, o Zot, të hiqte një vijë të pastër midis të tashmes, të shkuarës e të ardhmes?

    Kush do të mundej, o Zot, të ndante gëzimin nga dashuria dhe trishtimin nga kujtimi?

    Të lumtur qofshin, o Zot, ata që shpresojnë, sepse shpresa e tyre nuk do të humbasë.

    Të lumtur qofshin, o Zot, ata që e dinë se ç’është dita e ç’është nata, sepse ata do ta gëzojnë ditën dhe do ta gëzojnë natën si dhe prehjen natore.

    Të lumtur qofshin, o Zot, ata, për të cilët e kaluara ishte, e tashmja është dhe e ardhmja do të jetë, sepse jeta e tyre do të rrjedhë si uji.

    Të lumtur qofshin ata që shohin ëndrra natën e kujtohen ditën për ëndrrat e tyre, sepse ata do të gëzohen dy herë.

    Të lumtur qofshin, o Zot, ata që ditën e dinë se ku kanë shkuar natën, sepse dita u takon dhe nata u takon.

    Të lumtur qofshin, o Zot, ata që ditën nuk kujtohen për rrugëtimin nator, sepse drita e ditës u përket.

    20

    Ata dergjeshin në shpinë në shpellën e errët të malit Celius, me duart të kryqëzuara për lutje, si duar të vdekurish. Dergjeshin të tre: Dionisi, miku i tij Malhysi dhe pak më larg tyre, Gjoni, bariu fatlum me qenin e vet, të quajtur Qitmir.

    Ishin në gjumin e rëndë të vdekjes.

    Po t’i kishe parë, ti sigurisht që do t’ia merrje vrapit, do të zinte lemeria.

    (Shkëputur nga libri Enciklopedia e të vdekurve, Aleph, 2022


    [1] * Oliban (fr.): lloj temjani.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË