More
    KreuLetërsiShënime mbi libraÇarku i ligjëratës

    Çarku i ligjëratës

    Nga Mimoza Ahmeti

    Nuk është e lehtë për një lexues konvencional të gjejë sens imediat në gjuhën e Lakanit. E megjithatë, gjuha e tij është e paskrupullt dhe imediate, për një lexues të rafinuar. Ajo është një gjuhë që e kërkon pamëshirshëm të vërtetën dhe bën skandal në mes të së vërtetës së tejkaluar.
    Le të mbetet subjektive kjo përshtypje, pra, le të jetë imja dhe ta vlerësojë ai që e di se nga çfarë pike referimi po nisem në këto përcaktime që, megjithëse nuk janë aspak fluide, si ato të Lakanit, nuk kanë për natyrë stigmën dhe as vrazhdësinë e padukshme të gjetjeve të tij lakuriqe. Ato thjesht tentojnë një arsyetim pajtues, midis pohimesh që duken tërësisht të ndryshme, të dy autorëve të ndryshëm, vijues të psikoterapisë.
    Frojdi ishte një nga mendimtarët e mëdhenj, që paraqiti në mënyrë të plotë binarizimin e shoqërisë klasike prej besimit të lidhjes falike (seksuale) dhe shenjtërimin e saj frymor. Megjithatë, ai jo rrallë, në një mënyrë elegante, qeshi me të, bëri shaka falike me falusin social kur nuk funksiononte. Vështirë të takosh një qenie të përkëdhelur nga tymi i duhanit dhe aq të dashur sa Zigi Frojd në mes të një sublimimi të trishtë mizor, që asnjëherë nuk përdori imponimin, vrazhdësinë apo taktikën për impostim të tjetrit. Të paktën këtë kam ndier në gjithë literaturën e tij që kam shfletuar, ai është një fëmijë gjenial që nuk ngre dorë kundër atit dhe jo pse ka frikë, por e njeh në masën e trupit të tij, masën e sakrifikimit njerëzor.
    Lakani i përket një periudhe krejt tjetër nga ajo e Frojdit. Natyrisht, koshienca e tij ishte ajo e një tjetër shoqërie, e cila nuk mbetej kokë e këmbë në binarët falikë, aq më tepër shoqëria franceze që erosin e ka ndërgjegje primare, të paktën kështu i pëlqen të perceptohet. E megjithatë, kur vjen fjala për të identifikuar egon e re me shoqërinë e re, arroganca nuk u ka munguar asnjëherë pasrendësve, për të mohuar pararendësit e tyre, ndërsa shpalosin gjetje, në një tjetër pikë thyerjeje të egos, përgjatë reduktimit të identifikimit falik të saj, social të saj. Dhe kjo vihet re te Lakani, gjë e cila, arroganca e tij, e bën edhe më joshës personalitetin e tij të lirë dhe epifan, për një lexues me kulturë veçanërisht.
    Vetë Frojdi, në fund të jetës së tij, ndjeu shqetësime për jetëgjatësinë e mësimeve teorike të veprës së vet, pasi kuptoi se shoqëria po i devijonte me shpejtësi besimit falik, megjithatë ontologjia e saj themelore ende vazhdon formalisht të mbahet në të njëjtën linjë, saqë mund të them se, pa lexuar Frojdin, askush nuk mund të orientohet qartas në tekstet e Lakanit, pasi Frojdi mbetet platformë e shkëputjes së fluturimeve të tij.
    Kështu, për Lakanin devijimet fizike në lidhje, ato që rëndom i quajmë tradhti midis dy të lidhurve prej besimi fizik dashurie, pra, diskurset penetruese seksuale, hapin një vrimë në mes të së vërtetës. Dhe natyrisht, bota që ndahet prej gjuhës, ligjërimit, ndodhet në grackën e shprehjes këtu, sepse e presupozuara si realitet i projektuar dhe vetë realiteti i saj, nuk përputhen, madje në pikën esenciale të besimit, që është besnikëria.
    Duke kaluar këtë moment, Lakani vë theksin te rëndësia e gjetjes së fjalës së duhur. Fjala e duhur shpreh drejt momentin, por pikërisht arti i gjetjes së fjalës së duhur është edhe shkenca që përputh sjelljen me qëndrimin dhe të vërtetën. Pikë për pikë ai thotë: Kur ti mbërrin te një fjalë e vetme, te kryqëzimi i tri ideve që kanë të bëjnë me subjektin, atëherë e vëren se është pikërisht ajo fjalë, gjëja më e rëndësishme… Kur ti e gjen fjalën që përqendron rreth vetes numrin më të madh të fjalëve në grimcim, ke gjetur qendrën e fshehtë të rëndesës të dëshirës përkatëse. Për këtë e kisha fjalën pak më parë, për pikën nyjëtore ku ligjëratës i hapet një vrimë, thotë ai në leksionet e tij. Lakani është kontrovers në qëndrimin ndaj gjuhës, ai nuk e pranon se e pandërgjegjshmja është fiziologjike, pra pa kuptim, por nga ana tjetër, ai pranon: E vërteta fillon të përcaktohet që në momentin kur ekziston gjuha.
    Me interes është pikëpamja e tij mbi logjikën e dobët, logjikën e papërfillshme kundrejt asaj të determinuar në mënyrë standarde. Një logjikë më e dobët nuk është më pak interesante se një logjikë më e fortë, madje është shumë më interesante, sepse është shumë më e vështirë për ta mbajtur; dhe ajo gjithsesi e bën punën. Kjo logjikë mund të jetë me interes, madje ne, si psikanalistë, mund të fillojmë të interesohemi për të…
    Natyrisht, logjika e dobët është një indikacion i një tjetër sensi, i një pozicionimi tjetër ndaj asaj që është përgjithësuar për t’u bërë ndërgjegje morale. Për këtë arsye, ajo është edhe e vështirë për t’u mbajtur. Në të tilla devijime logjike ai shikon indikacione të një kuantike që bën thirrje fizike drejt një tjetër pike akumulimi dhe ai mbetet i interesuar veçanërisht për to, pasi detyra e psikoterapisë, me sa duket, nuk është thjesht të përshtatë, por të kuptojë dhe komunikojë.
    Me pak sarkazëm ai thotë, i shkreti Frojd, se i ishte përveshur punës si arkeolog, duke gërmuar e duke hapur llagëme e duke mbledhur objekte. Ndoshta nuk ishte shumë i sigurt se çfarë duhet të bënte: a duhej t’i linte gjërat inside apo t’i nxirrte që andej dhe t’i çonte në raftin e vet? Kjo tregon se ka diçka të vërtetë në debatin për një të vërtetë të llojit të ri që filloi me Frojdin.
    Nënteksti i kësaj fraze nuk është i thjeshtë, llagëmet janë standardet historike, mjetet e dallimit që janë mësuar të dallojnë në një mënyrë të vetme dhe formale, dhe nuk e vënë në dyshim vetveten. Por aksioni jetësor i vë në dyshim ato. Është pikërisht tjetri që me mjetet e veta të dallimit e të veprimit të sfidon projeksionin tënd të përgatitur historikisht a semantikisht. Lakani e konsideron tjetrin vendimtar në organizimin e ligjëratës, dëshirës, kuptimit, por gjithashtu edhe në organizimin imediat social. Kështu ai mohon hapësirën e një vetëdijeje totale. Edhe pse vetëdija kolektive nuk ekziston, ne ndoshta mund të vërejmë se funksioni i dëshirës së tjetrit është krejt thelbësor për t’u marrë parasysh, në raport me organizimin e shoqërive, sido-mos ditët e sotme.
    Mohimi nga ana e tij e një vetëdijeje kolektive, i hap rrugë përparësisë dhe lirisë së subjektit. Por, kontroversal dhe i lidhur me hapësirën e gjuhës në lirinë e realitetit, të momentit imediat që kalon, ai thotë, nga ana tjetër, se: Në një vend ku ti mund të thuash çfarë të duash, madje edhe të vërtetën, rezultati është se çfarëdo që të thuash, nuk ka asnjë lloj efekti. Pra, Lakan nuk është thjesht një nihilist, një kaotist, por një kërkues shkencor i së vërtetës të pamistifikuar.
    Këto pak shënime për Lakanin u frymëzuan nga një libërth i vogël me titullin Mësimet e mia, botuar nga Shtëpia Botuese Onufri, 2012, me një përkthim të shëndetshëm nga Ardian Vehbiu.
    Por Lakani është i pafrenueshëm në analizat e veta në vëllimin e tij të mirënjohur Shkrime, ku shpjegon futjen e fëmijës në botën sociale, kastrimin dhe defor-
    mimin e tij, përshtatjen e dhimbshme, terrorin e hesh-tjes së psikanalistit përballë neurozës së tij kur është i rritur, për hir të mbetjes së normës në veprim etj.
    Libri në fjalë, Mësimet e mia, një kurs leksionesh të tij, të mbajtura në universitet, është një bigëzim midis gjetjes së pozicionit të psikoterapistit në shoqëri dhe tjetrit si logjikë tjetër, apo tjetri si selia e ligjërimit, si vendi ku fjala përuron masën e së vërtetës dhe që… regjistri duhet ndërtuar në nivelin e tjetrit, sepse dë-shira jonë është gjithmonë dëshira e tjetrit, që ne ia kërkojmë në dëshirën tonë. Mbetet me shumë interes leximi i këtij libri të vogël të prurë në shqip nga Ardian Vehbiu, pjesëtar i shoqërisë Lakaniane, dhe jo vetëm për studentët e psikologjisë, por për lexues të të gjitha fushave që duan të eksplorojnë ndërgjegjen shoqërore apo të zhvillojnë kapacitete konceptuale, të hapë-sirës vitale të ridimensionimit të mendimit, përtej standardeve klasike të kursit të mjeteve të dallimit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË