BUZE DETIT
Buzë detit
Ca njerëz shëtisin
Mbi rërën e errët
Të njomur nga batica
Megjithëse Vermeer-i
E ka pikturuar të trëndafiltë
Siç thotë Proust-i
Kur përshkruan Bergotin,
Shkrimtarin simbol të tij
Që duke soditur tablonë
Pamje nga Delfti
Sheh për herë të parë
Rërë të trëndafiltë
Dhe ca personazhe
Në ngjyrë të kaltër ;
Pastaj i hutuar
I ngul sytë gjatë
Mbi një copëz muri
Të pikturuar brenda tablosë,
Dikur i afrohet shumë asaj
Si të ishte fëmijë
Që dëshiron të kapë
Një flutur të verdhë.
Proust-i shton gjithashtu se Bergoti
Murmurit me zë të ulët :
« Ja kështu duhej të kisha shkruar »
Dhe vdes
I vrarë nga bukuria.
MAGDALENA
Unë e njoha
Dhe predikimi i tij
Më bëri të mençur
Shita gjithçka
Dhe i shkova pas
Deri në Malin e ullinjve
Në gji ruaja
Shishen e parfumit
Që doja t’ia dhuroja
Medet !
Nuk arrita dot
Ju e dini çfarë ndodhi
Por i spërkata
Këmbët e lodhura
Kur ngjiste Golgotanë
Me kryq në krah
Me vdekjen
E paralajmëruar
E di që ky gjest
Për dashurinë
Eshtë fare pak
Por dashuria
Mund të ushqehet
Edhe me kaq « fare pak ».
SHQIPËRIA NË VERË
Vijë e zgjatur bregdetare
Adriatik, Jon
Si një peizash impresionist
I kredhur në kaltëri
Aty qielli dhe toka bashkohen
Në një tablo gjigante
Pa kornizë
Ca fëmijë luajnë në rërë
Buzë ujit
Dhe futen në tablo duke qeshur
Me diellin në sup
Trupat e tyre u ngjajnë
Pranverës në gjelbërim
Dhe pëllumbave të bardhë
Gjithë gugurima
Vështrimet e tyre
Janë flakërima yjsh
Në qiellin pa kufi.
ANTISONET PËR HËNËN
Kënga jote e kaltër nëpër natë
Dëgjohet larg ndër pyje
Dhe ndalet kur ylli i mëngjesit
Vjen pranë teje si zemër e vockël.
Monedhë ari e rrëzuar në det
Nga nxitimi i kohërave
Shqiponjë e artë e vizatuar me një vijë
Që shëtit në fund të qiellit.
Mund të jesh edhe ëndërr
Me ngjyra të shuara
Fytyrë që e ringjall dashuria
Thonë se mbase je engjëll argjendi
Që shpesh shndërrohet në satan
Dhe mbjell llahtari mbi botë.
ERËRAT E HISTORISË
-Unë po jetoj fundin e jetës –
tha ajo duke vështruar ngultas
sikur të mos e kishte parë kurrë atë vend
dhe ata njerëz që kishte përreth.
Në sy i shfaqeshin disa imazhe
me një dritë të shuar.
Kishte qenë dikur partizane
dhe sytë e një ushtari të huaj
nuk mund t’i harronte
kur luteshin për jetë
në minutat e mbrame
i plagosur për vdekje.
Ajo lëvizi dorën e lodhur në ajër
dhe shqiptoi :
-Përse erdhi si pushtues ai
në atë ditë kobzezë ?
Nga dritaret e kohës
frynin erërat e marra të historisë.
Dhe buzagazi i saj
i hidhur
derdhte një shkëlqim të hirtë
në muzgun që afrohej.
DHIMBJE
Në qytetin e vogël
Dëgjoheshin këngë zogjsh
Që vinin nga një korije aty pranë
Dhe valët e lumit
Që kalonte mespërmes tij
Ushtonin me jehona të ëmbla
Duke u bashkuar me këngët e zogjve
Thjesht, lehtësisht
Sepse kështu ndodh gjithnjë
Me gjërat e natyrshme
Një ditë e prenë korijen
Kurse lumit ia ndryshuan rrjedhën
Dhe u zhdukën të dyja
Nga ai gjest i vrazhdë i njeriut.
DASHURIA
Ishte një stinë e mistershme
Vjeshtë e parë
Dhe trëndafilat kuqëlonin së tepërmi
Vitet dhe ditët tona
Nisën të prarojnë
Dhe në një çast
U përndezën
Në një hapësirë abstrakte
Ne heshtnim
Dhe kur flisnim
Thoshim diçka pa lidhje
Që mbi të gjitha nuk e dëgjonim.
Vetëm zemrat
Kishin një gjuhë të kuptueshme
Pataj nisëm të ecnim
Në mes të kozmosit të tmerrshëm
Të hutuar e të mrekulluar
Me fatin tonë përdore.
FËMIJA
Me flokët e derdhur në nënkresë
Si një hierore drite
Ai fle.
Kur zgjohet
Ka në sy një dritë fatlume
Dhe një zë të nartë
Që duhet ta ruajmë
Si ujin e pakët.
Ajo dritë fatlume
Dhe ai zë i nartë
Janë hyjnorë
Si rrezet e diellit mbi botë.
POEZIA
Trup virtual prej fjale
Që të shpie në horizonte të largëta
Në kohë lufte të çmendur
Por edhe në kohë përrallore :
Ku dëgjohen hapat e bebes
Ëndrrat kur udhëtojnë
Vallja e flokëve të borës
Madje dhe muzika e heshtur
E petales së lules
Kur çelet
Por edhe drita e hënës
Yjet që bien
Ndërsa emrat Bodler
Rilke, Eliot, Trakl
Emili Brontë…
Kalojnë aty
Si meteorë.
SIKUR…
Nuk jam më fëmijë
Por dua të bëhem sërish
Të ma prishin lojën
Dhe pa u dëshpëruar
Të nis nga e para.
Gjithçka vjetrohet
Por jo lojërat fëmijërore :
Shrregulla e pranverës
Litari që hidhet
Sa andej-këndej
Pllakat
Me vijat e bardha
Shtëpizat e vogla
Kukullat
Vrapi i lumtur
Për Sylla-mbylla
Apo Ta lashë…
Sikur të bëhem prapë fëmijë
Të gjej atë të qeshur, të dëlirë
E të mos e quaj humbje
Kur nuk jam në krye
Por thjesht provë
Për të filluar e gëzuar
Edhe njëherë…
SFIDA
Atë e kishin veshur me të bardha
Dhe e kishin shtrirë në mes të dhomës
Në gushë i kishin lidhur
Një shall mëndafshi
Bojë qielli
Në gjoksin e saj binin në sy
Me dhjetëra stoli
Për t’u kujtuar njerëzve
Se ajo ishte bërë nuse
Dhe do të ngrihej nga çasti në çast.
Ngjante shumë e hijshme
Mbi flokë kishte një kurorë të bardhë
Sytë i kishte të pulitur sikur ëndërronte
Njerëzit shtyheshin
Për ta shikuar;
U bënte përshtypje
Njëlloj mallëngjimi
Që i ravijëzohej në buzë
Si pas puthjes së parë
Vetëm kryqi i vendosur
Drejt e mbi zemër
Tregonte se kishte vdekur.
KRONIKAT
Ato flasin me gjuhë të ftohtë
Për periudhat e lulëzimit
Të qytetërimeve
Për luftërat
Me vrasje e shkatërrime ;
Për përmbytje
Dhe epidemi ;
Prapë për qytetërime të reja
Për mbretëri
Frone
Dhe aleanca pushtetesh ;
Sërish për luftëra e bombardime
Por nuk flasin për ëndrrat
Shpresat
Dhe dashuritë
As për zhgënjimet
E njerëzve të pafajshëm
Që u vranë heshturazi
Dhe pa u kuptuar.
LIBRI I FËMIJËRISË
Libër imcak
I gdhendur në kujtesë
Me fletëza si mëndafsh
Dhe me vizatime të holla
Askush nuk e di
Sa imazhe zgjoheshin
Kur të mbaja ty në duar
Si të ishe mbushur me ëndrra
Libër i fëmijërisë
Unë të thërras në emër
Që të vish ashtu si dikur
Me mrekullinë e zbulimit.
ELEGJI
Fshat i braktisur
I mbështjellë me pikëllim
Rrugët e tua kanë humbur
Borziloku nuk mbin më
As myshku ;
Trëndafilat janë tharë
Para shtëpive
Lulet e natës japin shpirt ;
Tani nuk ka më
As bagëti dhe as qen
Nuk ka më barinj ;
As zogj që këndojnë ;
Lumi i vogël ka shterrur
Sepse nuk ka më fëmijë
Për t’u larë aty ;
Nuk ka më njerëz
Që kthehen nga puna në muzg ;
As pleq dhe plaka
Që soditin mbrëmjen të harruar ;
Hëna nuk i ndriçon gjethnajat
Ku fshiheshin puthjet e dashurisë ;
Qielli i lartë nuk nxiton
Për ta nderur aty kaltërinë,
Gjithçka është arratisur
Ka mbetur thjesht kujtim.