V j o l l c a
Perkëthim nga Goethe “Das Veilchen”
Nji vjollcë e mësheftë në livadh kish dalë,
Perkulë n’urti, prej Zotit falë,
Nji vjollcë per bukuri!
Kur qe po vjen nji blegtoreshë
Me hapa të letë e buzen qeshë
Tuj shkue, tuj shkue,
Neper livadh tuj këndue.
“Ah të jem” – thotë vjollca plot mallngjim –
“Ma-e bukra lule në rruzullim,
Ah vetëm nji grimë herë,
Sa të vjen e dashtna me më këputë letë
E me më shterngue per zemer të vetë,
Ah vall, ah vall,
E të fishkem unë plot mall!”
Por ajo vajzë, ah, erdh e shkoj,
E të hijshmen vjollcë nuk e veshtroj,
E të shkreten vjollcë e shkeli…
U shtyp e vdiq e prap u gëzue:
“E në kjoft se vdes po vdes e shue
Prej sajë, prej sajë,
T’e e bukra kambë e sajë!” –
K ë n d e z i
Kokorrizje origjinale tosknisht
Kikèrikikì e kikèrikikì!
Kushtrim o ju pula se nata u shkri
Dhe dita ja nisi plot er’ e duhi…
Kikèrikikì e kikèrikikì!
Kikèrikikì e kikèrikekè!
Mëngjezi-i egër shi-breshër na bje,
I ruani te vëgjlit se morthi i ze…
Kikèrikikì e kikèrikekè!
Kikèrikikì e kikèrikakà!
Këndezi i frikshëm na hidhet mbi tra,
Andej erdh rrufeja dhe kokës i ra…
Kikèrikikì e kikèrikakà!
Kokòrokokò e kokòrokukù!
Qajn pulat e gjora per hall që i zu,
E humpnë të shoqin dhe mbetën kërcu…
Kokòrokokò e kokòrokukù!
Kikèrikikì e kikèrikikì!
Sa shpejt na u riten këndezat e ri!
Tani tër oborri ushton persëri:
Kikèrikikì e kikèrikikì! –