Fragment romani, BUZUKU, 2024
Nuk jam i sigurt nëse jam lindur gjatë stinës së një vjeshte të stërkequr ose gjatë një dimri të matufosur, po e di se në mëngjesin ose mesditën që erdha në këtë botë më ka mbështjellë një ftohtësi e çuditshme sa në një çast kam pasur bindje sikur trupi im ka filluar të ngrihet me shpejtësi të rrufeshme. Brenda pak minutash më ka kapluar dyshimi sikur trupi im ishte shndërruar në një statujë prej akulli, i cili nuk do të mund të shkrihet pa u ndërruar stinët katër e ndoshta më shumë herë. Një mendje më thoshte sikur kisha lindur i vdekur, po nuk isha në gjendje ta kuptoja një gjë të këtillë. E di se disa çaste trupi im ka qëndruar në një hapësirë të zbrazët dhe gjatë asaj kohe nuk isha në gjendje të mendoja për asgjë, edhe pse dëshiroja ta dija ku gjendesha dhe pse askush nuk brengosej për lindjen të dështuar. Pas pak jam orvatur t’i nxjerrë nga goja do klithma të çjerra, përmes të cilave dëshiroja të njoftoja njerëzit për ardhjen time në këtë botë, po nuk isha në gjendje të nxirrja asnjë klithmë të vetme…
Derisa qëndroja i shtangur në mes të jetës e vdekjes, me sytë e mendjes e pashë një hije që herë më dukej e gjallë herë e vdekur, si e ka zgjatur një dorë të gjymtë e pastaj më ka rrëmbyer ngadalë e disi me një frikë të paqartë sikur unë të mos isha qenie e zakonshëm, po një qenie me trajtë të çuditshme. Kur më mori para duarvev që i dridheshin, u mundua të më përqafonte, po nuk ishte në gjendje ta bënte një gjë të këtillë. Ndoshta pas një kohe të gjatë më përqafoi, edhe pse nuk dëshironte të më përqafonte, kurse nga sytë si lumë i rridhte një neveri e tmerrshme. Pas pak ka vjellë disa çaste nga neveria që ndjeu. Gjatë asaj kohe mundohej t’i nxirrte jashtë të gjitha zorrët. Me shpejtësi të madhe më ka hudhur nga duart që i dridheshin nga një dhembje e stërkequr, e cila e mbështillte si të ishte një qefin i leckosur… A është e mundur që kjo të jetë nëna ime, e cila më solli në jetë me njëqind sakrifica, më ka thënë një zë që jehonte nga një largësi që nuk arrija ta përcaktoja…
Me sytë e mendjes (pasi sytë e ballit nuk isha në gjendje t’i hapja ende sa fillova të dyshoj sikur nuk do të jem në gjendje t’i hapi kurrë) e shihja një grua me moshë mesatare, me fytyrë të zbehtë si hëna pas perëndimit, me flokë të shpupurisura, si qëndronte afër meje e humbur në mendime dhe e kredhur në një pikëllim të paanë, nga i cili nuk ishte në gjendje të dilte. Gruaja që qëndronte afër meje sikur të gjendej në një hapësirë të mbushur me hije të vdekura, sytë i kishte të mbështjellë me një mërzi të tmerrshëm, e cila ia kishte pushtuar edhe shpirtin që po i ngurtësohej. Derisa e vështroja, edhe pse nuk dëshiroja ta vështroja, më kaploi bindja sikur ajo duhej të ishte nëna ime. Një zë që nuk kishte tinguj dhe i cili e mbushte hapësirën me një fëshfërimë të thekshme më pëshpëriste në veshin e majtë: sikur të ishte nëna jote nuk do të pikëllohej pse të solli në këtë botë pasi të mbajti në bark për nëntë muaj…
Sa më shumë që e vështroja atë fytyrë të zbehtë, e cila i shëmbëllente një kufome që qëndron mbi dhé shtatë e ndoshta më shumë ditë, më kaplonte bindja sikur gruaja që më kishte sjellë në botë pa dëshirën e saj, kishte një kohë të gjatë që qante me ngashërim, mbase edhe më mallkonte që kisha lindur i gjallë e nuk kisha lindur i vdekur. E gjora grua kishte bindje sikur zemra do t’i pëlciste nga pesha e rëndë e pikëllimit nëpër të cilën notonte si një peshk i ngordhur. Sa shumë dëshiroja ta dija pse lindja ime, në vend të gëzimit, i kishte sjellë pikëllim të madh në shpirt, i cili i ishte përzier edhe me gjakun e saj…
Pasi stinët janë ndërruar shtatë e ndoshta më shumë herë mendja zuri të më këndellet ngadalë, edhe pse shikimi vazhdonte të më mbështillej me një vello të tejduskhme përtej së cilës gjërat kishin trajtë amorfe. Atëherë kuptova se dhimbjet e lindjes nënën e kishin kapluar një muaj para kohe. Sapo i kishte ndjerë dhimbjet e lindjes nuk kishte dashur të shkonte në spital, ngase ishte plotësisht e bindur se nuk do të kishte kurrfarë problemi gjatë lindjes sime. Mirëpo, disa orë para se të më sillte në këtë botë, dhimbjet e saja ishin bërë tepër të mundimshme se ishte detyruar të shtrohej në spial. Pas një ore që ishte shtrirë në spital dhimbjet e saj ishin bërë edhe më të mundimshme saqë e kishte humbur vetëdijen. Mjeku që kujdesej për të i kishte thënë babait tim, i cili priste në ethe:
– Diçka është ngatërruar në mitrën e gruas tënde… ka mundësi që ajo të mos jetojë edhe gjatë kohë… po fëmija ndoshta ka mundësi të vijë në jetë… po për asgjë nuk jemi të sigurt…Fëmijën duhet nxjerrë nga barku përmes operacionit, i cili është i rrezikshëm pasi fëmija është në muajin e shtatë…
Babai nga frika se do të hapte një varr nesër për nënën time ose për mua, kishte lëshuar klithma të lemeritshme… Në një çast nëna i kishte hapur qepallat e pastaj me zë të mekur i kishte thënë babait: nëse unë vdes e fëmija mbijeton, të lutem kujdesu për të… Nardi dhe Annika janë të rritur dhe nuk kanë nevojë për kujdesin tënd… Babai e ka përqafuar me mallëngjim të madh e pastaj me zë të përvajshëm i ka thënë: mos u brengos se nuk do të vdesësh, sepse edhe gjatë lindjes së dytë ke pasur komplikime të këtilla… do të vazhdojmë të jetojmë të lumtur siç kemi jetuar deri më tash… Ai do të kishte folur edhe një kohë të gjatë, po në atë çast kishte filluar lindja ime, po gjatë këtij procesi diçka kishte shkuar keq. Duket sikur gjërat ishin komplikuar aq shumë sa mjekët ishin habitur si ishte e mundur të ndodhnin gjëra të këtilla…
Gjatë kohës sa dy gjinekologë e katër mami mundoheshin të më nxirrnin nga mitra e nënës, ajo nuk kishte mundur t’u bënte ballë dhimbjeve të lemeritshme sa fryma i ishte ndalur. Një mjek kishte thënë se zemra e saj ishte aq e dobët sa në çdo çast mund të vdiste… Kryemjekja kishte thënë e pikëlluar: gruan e gjorë jemi duke e humbur, me rëndësi është ta shpëtojmë fëmijën, i cili më duket sikur më vështron me një shikim të çuditshëm… Nëna duhej të kishte luftuar disa orë të mira me vdekjen, të cilën e shihte me sytë e mendjes si ia shtërngonte ballin me duar të ftohta akull. Ajo ftohtësi e tmerrshme i kishte depërtuar nëpër trup e pastaj ishte munduar ta ngrinte të tërën…
Procesi i lindjes sime duhej të kishte zgjatur tepër, ndoshta gjashtë e më shumë orë. Mjekët ishin të bindur se nëna kurrë nuk do të më shihte të gjallë, ngase njëri prej nesh do të vdiste patjetër… Shtatë ditë pasi kisha ardhur në këtë botë, nëna kishte qëndruar në agoni as e gjallë, as e vdekur. Gjatë gjithë kësaj kohe ishte shoqëruar me trajtën e vekjes, e cila i kishte folur me një gjuhë që ajo nuk e kuptonte. Derisa e shihte veten si qëndronte në një skaj të qiellit, vdekja i thoshte me zë të plogështë: duhet të jesh e lumtur që sakrifikove jetën për lindjen e fëmijës tënd… Në një çast nëna i kishte thënë vdekjes: më e lumtur do të isha sikur ta kishe marrë fëmijën e mua të më lejoje të jetoja edhe më tutje… i kam edhe dy fëmijë të tjerë të cilët gjatë gjithë jetës do t’i djeg malli për mua…
Vdekja ishte zgërdhirë me fjalët e nënës një kohë të gjatë…
Pas shtatë ditësh kur babai, vëllai Nardi dhe motra Annika kishin pritur në ankth vdekjen e nënës, ajo kishte filluar të këndellej ngadalë. Sa më shumë që rikthehej në jetë i dukej sikur ecte nëpër një rrugë të panjohur, e cila e shpinte në një skaj të amshimit. Në një çast i ka thënë vetes me një zë që nuk ekzistonte fare: sa shumë do të gëzohesha sikur ta shihja fytyrën e fëmijës tim të tretë, sikur t’ia dëgjoja së paku njëherë zërin… Nuk e kuptoj pse jeta u tregua kaq e pamëshirshëm ndaj meje… Mirëpo ajo i ka tekat e saja, të cilat ne nuk i kuptojmë…
Derisa mendja e nënës po rikthej në gjendje normale, e kishte të vështirë ta bindte veten se nuk kishte vdekur, se nuk ishte kthyer nga amshimi, në të cilin kishte qëndruar shumë ditë. Ishte munduar të përfytyronte çfarë pamje kishte amshimi, po dikur ishte bindur se një gjë e këtillë është e kotë…
Kur e kishte parë veten të shtrirë në spial me barkun e prerë, i ishte dukur sikur sapo kishte lindur për herë të dytë. Me sytë që i dukeshin të huaj kishte zënë të vështronte hapësirën në të cilën më shumë kishte bindje sikur gjendej e vdekur sesa e gjallë. Hapësira i ishte dukur e mbushur me një zbrazëtirë të bardhë, e cila ia verbonte sytë e ballit…
Sapo e kishte parë babain e pastaj Nardin dhe Annikën, e kishte rrëmbyer kokën me duart që i dridheshin e pastaj kishte filluar të qante me zë të ngazëllyer…
– Ju lutem më zgjoni nga kjo ëndërr para se të çmendem! – kishte thënë me zërin që i dukej i huaj dhe i cili e mbushte hapësirën me do tinguj të kumbueshëm…
Një kohë babai i kishte thënë me zë të fuqishëm:
– Sa shumë jam i lumtur që arrite të mbijetosh nga dhimbjet e lindjes së fëmijës së tretë…
Teksa i kishte përqafuar Nardin dhe Annikën e kishte të vështirë ta bindte veten se nuk gjendej në një ëndërr nga e cila nuk ishte në gjendje të dilte.
Në një çast kur e kishte hetuar barkun e prerë edhe më shumë i ishte shtuar dyshimi sikur një kohë të gjatë kishte qenë e vdekur e pastaj ishte rilindur për të dytën herë…
Kur më kishte marrë në duart që i dridheshin nga emocionet e shfrenuara, sytë i ishin mbushur me një errësirë të njëtrajshme. Kishte dashur të më pëqafonte, po në shpirt kishte ndjerë një sëmbim të fuqishëm, nga i cili koka i ishte mbushur me gjëra të neveritshme. E tmerruar më kishte hudhur në një skaj të shtratit sikur të isha një krijesë e padobishme… Një mendje e marrë i kishte thënë se kishte parë një ëndërr të llahtarshme, gjatë së cilës ishte përballur me trajtën e vdekjes, të cilën e kishte vrarë me një thikë të ndryshkur… O zot, i kishte thënë vetes, mos lejo që atë ëndërr të llahtarshme ta shoh edhe një herë… Nuk kishte ndjenjë më të tmerrshme se sa të takohesh me trajtën e vdekjes, e cila gjithnjë zgërdhihej me mua…
Derisa përgatitej të dilte nga spitali, pasi e ndjente veten sikur të kishte rilindur, një mjeke i kishte thënë me zë të mllefosur:
– Çfarë nënë e pashpirt je ti që nuk vjen ta shikosh fëmijën tënd, të cilit nuk ke pranuar as gji t’i japësh… Ndoshta ai fëmijë nuk është fryt i dashurisë, po i urrejtjes… Ndoshta është dobiq… Ndoshta ke ndërmend të largohesh nga spitali pa e marrë me vete fëmijën e gjorë, i cili kurrë nuk do ta njeh nënën biologjike… Është hera e shtatë që të lus ta shikosh fëmijën tënd që e solle në jetë me vështirësi të madhe, po ti refuzon një gjë të këtillë…