More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBesnik Mustafaj: Kush do të isha unë pa fjalët e mia? (Rreth...

    Besnik Mustafaj: Kush do të isha unë pa fjalët e mia? (Rreth përmbledhjes me poezi “Është një vend që quhet këngë” të Najwan Darwish)

    Palestinezi Nexhvan Dervishi (Najwan Derwish) është sot një nga zërat më të spikatur të poezisë botërore. Me botimin e tij të fundit në anglisht “Exhausted on the cross” ai ishte finalist për çmimin kryesor, që jepet në SHBA për poezine e përkthyer, atë të American PEN Centre, i cili u shpall para një jave.

    I lindur në vitin 1978, palestinez që jeton brenda shtetit të Izraelit, në Haifa, ai ka botuar deri tani shtatë libra me poezi dhe është përkthyer në afro 20 gjuhë. Jo vetëm identiteti i tij formal, por edhe mbiemri i tij sjell vetvetiu në  vëmendje njërin nga poetët më të mëdhenj të shekullit XX, Mahmud Dervishin. Nexhvan Dervishi u shfaq me librin e tij të parë “Ai trokiste në derën e fundit” pikërisht në vitin 2000, si për të shënuar kështu edhe në kalendar se do të ishte poeti i shekullit XXI, sado që nuk do të mund t’i shpëtojë kurrë lidhjes semantike me paraardhësin e vet të lavdishëm, të cilin nuk e evokon asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë me sa kam parë në përmbledhjen e zgjedhur “Është një vend që quhet këngë”, përgatitur dhe përkthyer mjeshtërisht në shqip nga Muhamed Mufaku, botuar nga Instituti për Studime Orientale në Prishtinë, ndërkohë që evokon në poezi të veçanta shumë emra të ndritur të filozofisë, letërsisë dhe kulturës arabe të traditës apo edhe bashkëkohorë. Por, trashëgimia e Mahmud Dervishit është e shpërndarë gjithandej si limfë në poezinë e Nexhvan Dervishit, më konkretisht si estetikë e revoltës, diçka e ngjashme me përcjelljen e ADN-së të paraardhësve te njeriu.

    Pikërisht kjo “estetikë e revoltës”, guximi poetik dhe njerëzor për ta kundërshtuar hapur dhe pa kompromis të keqen përbën gjithashtu një farë kurthi kur është fjala për të folur mbi poezinë e tij. Duke njohur dramën e Palestinës në histori dhe aktualitet, duke parë edhe vullnetin e poetit për t’u identifikuar me këtë dramë, vjen vetvetiu një shtysë për t’u përqendruar te poezitë me këtë  temë, gjë që do ta reduktonte tej mase zbulimin e hapësirës imagjinative të Nexhvan Dervishit. Ky është kurthi i lehtësisë. Nën një vështrim të tillë, kjo vepër poetike do të shqyrtohej për mesazhet e saj politike e morale, por që në fjalë të fundit, sado të pasura e të fuqishme të jenë, ato e ndriçojnë veprën vetëm pjesërisht, duke dhënë një përshtypje krejt të pamjaftueshme për vizionin e poetit mbi botën dhe njeriun. Për shkak të zgjedhjes së kësaj lehtësie, Nexhvan Dervishi e ka parë me siguri shumë shpesh veten të lavdëruar nëpër faqe gazetash anembanë botës si qytetar palestinez me integritet të lartë. Poezitë e cituara në këso rastesh sillen kryesisht si  “provë” e virtuteve të poetit. Pra, poeti, me jetën e tij, paraqitet dashje pa dashje si më i rëndësishëm se vepra e tij letrare. Në vlerësimin tim, kjo do të ishte një padrejtësi në dëm të poezisë. Pavarësisht qëllimit të mirë nga ana e autorëve të recensioneve të tilla, ngushtohet rruga e poezisë për të shkuar te lexuesit e vërtetë, me të cilët poeti dëshiron natyrshëm të vendosë një lidhje besnikërie afatgjatë. Shembulli i Nexhvan Dervishit më ndihmon për të tërhequr vëmendjen drejt një problemi që e kanë në  përgjithësi poetët dhe shkrimtarët e ardhur nga vende të vogla, por me histori dramash të mëdha politike apo sociale. Qasja ndaj veprës së një poeti amerikan apo francez nuk ndikohet në përgjithësi për mirë e as për keq nga jeta qytetare apo politike e  autorit.

    Për ndërtimin e kësaj antologjie, Muhamed Mufaku ka zgjedhur kriterin kronologjik duke sjellë një tufë me poezi nga secili prej librave. Sigurisht që edhe në këtë rast, si në hartimin e çdo antologjie, subjektiviteti i nismëtarit ka patur ndikimin e tij. Gjatë përzgjedhjes, Muhamed Mufaku është udhëhequr natyrshëm nga pëlqimet e veta për poezinë. Por jo vetëm. Ai ka mbajtur gjithnjë mirë parasysh qëllimin e lartë për ta paraqitur poetin para lexuesit shqiptar sa më denjësisht. Nexhvan Dervishi pranohet sot botërisht si njëri nga poetët më të rëndësishëm bashkëkohorë. Rrjedhimisht, hartuesi i antologjisë është mbështetur edhe në vlerësimet e kritikës më serioze letrare botërore, përfshirë prestigjiozen “Neë York Book Rivieë”, e cila, përveç vështrimeve rast pas rasti mbi poezinë e Nexhvan Dervishit, ka nxjerrë edhe vetë si botues në vitin 2014 një përmbledhje të zgjedhur me titull “Nothing more to lose” si dhe një tjetër në vitin 2021 me titull “Exhausted on the cross”. Duke i besuar shijes së vet, por edhe vlerësimeve të kritikës letrare, Muhamed Mufaku na ka sjellë në shqip një antologji mjaftueshëm përfaqësuese për poetin në kuptimin që ne, lexuesit shqiptarë, arrijmë të shohim aty një poet të madh dhe ndjejmë dëshirën ta zbulojmë më tej veprën e tij. Nga ana tjetër, duke zbatuar kriterin kronologjik në hartimin e antologjisë, Muhamed Mufaku na e ka thjeshtuar ndjekjen e rritjes së tij si poet nga libri i parë “Ai trokiste në portën e fundit” në vitin 2000, kur ishte 22 vjeç, deri te libri i shtatë “Kur u zgjuam një herë në parajsë” në vitin 2020. Është një rritje e pandalshme, që ka sjellë zgjerimin e vazhdueshëm të vizionit të tij poetik ashtu edhe pasurimin e gjuhës. Nisur nga mosha e tij do të thosha me gëzim të veçantë se poeti Nexhvan Dervishi, për fatin e mirë, është ende vetëm në mesin e rrugës. Nëse do të bënim një skicë të kësaj rruge, ajo do të fillonte si një përrua malor, që vjen duke u zgjeruar e mbushur me ujë për t’u qetësuar në fushë, ku bëhet lum i ngjashëm me Nilin në udhëtimin e vet të pakthyeshëm drejt detit.

    Nuk është vendi këtu për shqyrtime të thelluara mbi poezinë e Nexhvan Dervishit. Shumë shkurtimisht po i lejoj vetes të tërheq vëmendjen e lexuesit vetëm te gjuha e tij. Mbështetur te kjo përmbledhje, do të kisha thënë se Nexhvan Dervishi duket të jetë një poet aristotelian, sipas të cilit poezia është arti i gjuhës. Në përpjekje për një përcaktim i përshtatshëm për këtë gjuhë do të kisha thënë se ajo është “thelbësore”. Gjuha poetike e Nexhvan Dervishit është, pra, thelbësore. Ai zotëron një mjeshtri të lartë për ta bërë gjuhën në vetvete të padukshme. Domethënë, vëmendjen e lexuesit nuk e tërheq bukuria e fjalëve si të tilla apo tingëllima e tyre, ai nuk bën lojëra metaforash dhe as akrobacira gjuhësore. Ai nuk është një poet eksperimentalist e as formalist. Mundimi i Nexhvan Dervishit, – do thënë një mundim i shpërblyer mirë -, shkon në gjetjen e fjalës së saktë për të shprehur pa humbje mendimin dhe përfytyrimin e tij origjinal të shkrirë në njëri – tjetrin.

    Kësisoj, gjuha e tij është skajmërisht e kursyer, aspak aproksimative dhe, më së shpeshti, shumëkuptimëshe. Pikërisht kjo shumëkuptimësi e vendos lexuesin në atë rrethanë, kur ai nuk kujtohet për gjuhën në vetvete, por për përmbajtjen e tekstit poetik si unitet koherent, njësoj siç ai nuk kujtohet për dritën e diellit, por për botën e shfaqur para syve të tij, edhe pse kjo botë është e  prekshme për shqisat e tij vetëm në sajë të dritës së diellit. Kësaj vepre do t’i shkonte përcaktimi i një tjetër poeti të madh, Oktavio Paz, i cili thotë diku se poezia nuk është e pakuptueshme. Ajo është e pashpjegueshme. Si e kuptueshme, por e pashpjegueshme, poezia e Nexhvan Dervishit mishëron një hermetizëm të shëndetshëm, modern dhe larg çdo spekulimi. Nuk më duket se poeti ka arritur te një rezultat i tillë në mënyrë thjesht intuitive apo spontane, sado që intuita ka me siguri vendin e vet të rëndësishëm në procesin e tij krijues. Por ai shfaqet krejt i vetëdijshëm për identitetin si poet, që ia jep pikërisht gjuha. Madje, ka dëshirë edhe t’ia pohojë lexuesit, kur në një poezi, pyet: “Kush do të isha pa fjalët e mia?” Nuk është një pyetje, përgjigja e të cilës do të përmblidhej në një fjali. Domethënë se ai (poeti) është gjuha, stili i tij. Aristoteli do t’i thoshte se stili është vetë poeti. Ndaj gjuha e tij është kaq thelbësore.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË