More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBegzad Baliu: Diskutimet për gjuhën - Fajtorë dhe mëkatarë

    Begzad Baliu: Diskutimet për gjuhën – Fajtorë dhe mëkatarë

    Në vend të hyrjes

    Një vit më parë “një grup studiuesish, intelektualësh, studentësh e qytetarësh të tjerë”, nga Tirana dhe pjesërisht nga Prishtina, të nxitur nga drejtues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, shpërndanë një Peticion (Shih, Largoni sharlatanët nga ekranet, (https://gazetadita. al/peticion-liri-e-medias-nuk-do-te-thote-mungese-pergjegjesie-ne-media/), te gazeta Dita,  më 18 shkurt 2024., me të cilin shprehnin shqetësimin e tyre “për cilësinë e mediave audiovizive dhe respektimin e informacionit shkencor”. Këtë Peticion, studiuesit, intelektualët dhe qytetarët e shqetësuar ia patën drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit, Agjencisë për Media dhe Informim, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).

    Për shkak se shqetësimet e tilla janë të pandara edhe nga studiues, intelektualë, studentë e qytetarë të tjerë të Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe madje diasporës së vjetër e të re shqiptare në Europë, në Amerikë e në Azi, do të ishte me interes që këtë peticion ta nënshkruanin edhe studiuesit, intelektualët, studentët e qytetarët e tjerë të këtyre hapësirave. Në të vërtetë, në hapësirën etnike shqiptare dhe në diasporë, gjenden shumë shqiptarë dhe madje shumë organizata, të cilat ditë e natë merren me mbrojtjen e gjuhës nga rrëgjimet që i bëhen asaj në shtypin e shkruar dhe elektronik, në portale, në vepra letrare e shkencore e madje në zhargonet e të rinjve të shfaqura në muret e qyteteve tona. Kjo do të thotë se peticioni është përgatitur me urgjencë, prandaj vërehen mjaftë mangësi, nga identifikimi edhe i atyre që do të duhej ta nënshkruanin deri te institucionet të cilave do të duhej t’ju drejtohej. Pa dashur të merremi më tej me nivelin kulturor apo fushat profesionale të dijes së të nënshkruarve dhe përmasën e shtrirjes së institucioneve që ju drejtohet peticioni, përshtypjen e parregullt të ngutjes së dërgimit të tij pa një kriter akademik e dëshmon edhe teksti i pasistemuar teknikisht, i cili është shpërndarë në pdf.

    Niveli i ultë i informacionit

    “Niveli i ulët i informacionit shkencor në një pjesë të mediave tona, – thuhet në reagimin e të nënshkruarve të Peticionit, – promovimi i dijeve amatoreske, i një etimologjie vulgare dhe sharlatanizmi, kanë krijuar një situatë alarmante. Disa studio televizive janë kthyer në platforma për individë të papërgatitur nga ana shkencore, të cilët promovojnë idenë se shqipja është gjuha më e lashtë në botë dhe nëna e të gjitha gjuhëve, se të gjitha gjuhët e botës shpjegohen me anë të shqipes, se ajo është gjuhë e natyrës, se kjo gjuhë nis me fillesat e njerëzimit etj. Formulime të tilla nuk kanë asgjë shkencore dhe, si të tilla, kultivojnë psikoza të sëmura e të rrezikshme në opinionin publik”.

    Do theksuar që në hyrje të këtij teksti se me situata të këtilla janë ndeshur edhe popuj dhe kultura të tjera. Adhuruesit e polemikave dhe madje të filmave satirikë e humoristikë mund të shohin shumë filma grekë apo me motive greke të një periudhe kur gjuhëtarët, etimologët dhe folklorizantët sharlatanë grekë e shihnin botën si trashëgimi gjuhësore, filozofike, qytetare dhe madje hyjnore greke. Po t’i kishin lexuar disa prej këtyre teksteve të kohës dhe sidomos po t’i kishin parë disa nga filmat e xhiruar gjatë kësaj kohe dhe më vonë, patriotët tanë nuk do t’i lejonin vetes të njollosnin me kaq përkushtim arritjet e shkencës greke në fushë të helenistikës në veçanti dhe filologjisë europiane në përgjithësi. Nuk e dinë ata që helenistika ashtu si edhe albanologjia më shumë se sa arritje e studiuesve grekë janë arritje e filologjisë europiane e botërore, që prej më shumë se tre shekujsh merren me përkushtim dhe ndjeshmëri të veçantë, para se gjithash me greqishten dhe latinishten, si trashëgimi e fondit europian. Po të njihnin dhe mësonin këto arritje, sigurisht nuk do ta sillnin studiuesin e përkushtuar të gjuhësisë krahasimtare Profesor Aristotel Spiron, që t’i quante, sigurisht ngutshëm, folklorizantët tanë të gjuhës, shovinistë e fashistë të djathtë, që në të vërtetë as të djathtë e as të majtë nuk janë, për të mos thënë janë të të dy krahëve dhe sulmojnë nga e majta e nga e djathta pa ndonjë ideologji dhe pa formim ideologjik. E para, se kjo “lëvizje foklorizantësh e shovinistësh fashistë” i ka themelet në dy rrafshe: te diskursi antishqiptar, i së majtës e së djathtës së mediave greke e italiane në vitet ‘90, për të cilin nuk kemi ndonjë analizë shkencore, në njërën anë dhe veprat nacional romantike të Nermin Falaskit – Vlora me veprat “Pellazgët, ilirët, etruskët, shqiptarët” (1984) dhe “Etruskishtja gjuhë e gjallë” (1989), në Itali, si dhe Aristidh Kola me veprat “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, (1983), “Gjuha e perëndive” (1989) etj. Në Shqipëri kjo lëvizja i ka rrënjët te e majta nacional-romantike dhe enveriste e viteve ’60, si dhe manifesti i kësaj ideologjie “Shqiptarët dhe pellazgët”, shkruar nga Spiro Kondo, i botuar atëherë me urdhër të Enver Hoxhës dhe ribotuar disa dhjetëra herë pas vitit 1990 në Prishtinë e në Tiranë. Në të vërtetë, arritjet e tyre propagandistike janë rezultat i asaj përmbysjeje të shkollës kombëtare të albanologjisë në Tiranë e Prishtinë, përkatësisht institucioneve albanologjike të saj në tri dekadat e fundit. Prandaj, për këtë gjendje jo pak mbajmë përgjegjësi pikërisht gjenerata jonë, e kjo do të thotë edhe imja dhe Profesor Aristotel Spiros.

    Prej mediave tona televizive, internetike dhe të shkruara, prej të cilave kërkon përgjegjësi Peticioni, qytetarët shqiptarë, kudo që janë, përditë, dhunohen prej ligjërimit të politikanëve, prej gjuhës së panxënë të deputetëve dhe analistëve në Prishtinë dhe prej gjuhës së dhunuar të deputetëve dhe analistëve në Tiranë. Besoj se po të bëhej një analizë e gjendjes dhe perspektivës në këto dy institucione, nuk do të ishte e vështirë të kuptohet se pikërisht gjuha dhunuese (në Kuvendin e Tiranës) dhe gjuha e panxënë (në Kuvendin e Prishtinës) është ajo që po e pengon perspektivën e shoqërisë dhe shteteve tona. Prej dy dekadash ende nuk e dëgjova një deputet të Kuvendit të Kosovës të ketë diskutuar një çështje sociale, politike, ekonomike, diplomatike, a kulturore përtej gjuhës së odës; dhe prej tri dekadash ende nuk e dëgjova një seancë të Kuvendit të Shqipërisë, në të cilën deputetët e përmbyllin diskutimin e një çështjeje pa fyer me diskursin e tyre një a më shumë deputetë të partisë kundërshtare!

    Nga mediat tona televizive, internetike dhe të shkruara qytetarët shqiptarë kudo që janë për çdo ditë dhunohen prej muzikës së pakontrolluar në televizionet e Kosovës dhe madje prej siglës muzikore me të cilën hapen lajmet e disa prej televizioneve në Tiranë. A e keni dëgjuar “himnin” e lajmeve dhe të disa emisioneve televizive të mbrëmjes, të cilat të bëjnë të lëvizësh vendi? Rikthene mendjen njëherë nga historia e luftërave, betejave, heroizmave kombëtare dhe ndërkombëtare dhe nuk do ta keni vështirë të besoni se me atë shkallë të siglës muzikore me të cilën hapin ditarin e lajmeve qendrore të mbrëmjes disa televizione në Tiranë, ushtarët e Napoleon Bonapartës do të lakmonin të marshonin drejt pushtimit të Shën Petërsburgut!

    Në Kosovë shembulli model i gjuhës së folklorizuar të teksteve tona janë edhe ato për Luftën e Kosovës. Madje si pasojë e informimit të rrejshëm dhe diskursit folklorik pas luftës në Kosovë dhe si pasojë e paraqitjes folklorizante të luftës së disa prej komandantëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare, disa nga udhëheqësit e saj janë përballur edhe me Gjykatën e Hagës.

    Një përbërës tjetër i këtij reagimi në këtë “Peticion” besoj mbështetet edhe në gjuhën e rrëgjuar të disa gazetarëve në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilët ia lejojnë vetes të paraqesin një mendim a një ide me një nivel të ulët të kulturës së komunikimit. Televizionet dhe radiot e portalet, të cilat paguhen nga paraja publike, janë të obliguar që të angazhojnë vetëm gazetarë, të cilët zotërojnë shqipen standarde dhe shkallën e lartë të komunikimit në gjuhën zyrtare, e gjuha zyrtare në Shqipëri dhe Kosovë është shqipja standarde. Gjuhë zyrtare në Kosovë, sikur duhet është edhe gjuha serbe e angleze, por provoni ta deformoni gjuhën serbe dhe angleze, sikur veprohet me gjuhën shqipe dhe do të shihni, cili është reagimi i institucioneve akademike dhe shkencore në Beograd. Në të vërtetë, provoni ta nënshkruani një dokument në gjuhën angleze jostandarde ndërmjet institucioneve tona dhe atyre ndërkombëtare dhe do ta shihni reagimin e ambasadave europiane. Angazhimi i gazetarëve me nivel të ulët kulturor në televizionet publike ka bërë që shikuesit e tyre të shohin emisione kryesisht modeste, me nivel të ulët realizimi e komunikimi madje edhe në hapësirën dhe në kohën kur ato emisione janë përcaktuar për familjet.

    Institucioni që ka për detyrë të ruajë publikun nga informacione të gabuara, të dëmshme e të rrezikshme është AMA. Ky institucion e ka të përfshirë në statutin e saj këtë detyrë dhe këtë përgjegjësi, në pikën “Parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive”, përmes “garantimit të së drejtës së informimit” dhe “respektimit të standardit letrar të gjuhës shqipe”, thuhet në këtë peticion.

    E radio dhe televizionet tona, të cilat janë të financuara pjesërisht apo plotësisht me buxhetin shtetëror dhe përkrahjen publike kanë rëndësi gjithashtu kulturore dhe kombëtare, prandaj janë përgjegjëse jo vetëm për etikën e reklamës, po edhe për etikën gjuhës dhe kulturën e gjuhës njëkohësisht. Promovimi e përdorimi i saj është një nga parimet kryesore për të thënë madje edhe thelbi i shërbimit të tyre publik. Përdorimi i standardit më të lartë të gjuhës dhe pasurimi i saj në televizionin kombëtar është një prej obligimeve të tij.

    Për më tej nuk e kuptoj as patriotizmin gjuhësor të tyre, sepse kjo sjellje nuk është tjetër veç se përpjekje për të rrënuar arritjet më të mira të gjuhësisë shqiptare dhe linguistikës së përgjithshme ndërkombëtare për gjuhën shqipe dhe historinë e saj.

    Promovimi i dijeve vulgare

    Që një numër pasionantësh të gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare, pa përgatitjen elementare në fushë të gjuhësisë, me të dhëna fare të varfra trumbetojnë pasurinë, lashtësinë dhe madje epërsinë e shqipes mbi të tjerat, kjo mund të merret me mend, po pse atëherë televizionet tona kërkojnë sharlatanë për të përuruar historinë e gjuhës shqipe, për më tej etimologjinë e fjalësit historik të shqipes, kjo nuk mund të arsyetohet. Që këta pasionantë të gjuhës shqipe, kryesisht ish-mësues, ish-minatorë, inxhinierë etj., e bëjnë këtë prej pasionit e mendjes folklorike, mitike e pse jo edhe nacionaliste, këtë edhe e marrim me mend, po kush mban përgjegjësi që këtë propagandë e zhvillojnë jo vetëm mjekë, juristë, biologë e studiuesit të tjerë të shkencave të natyrës, po edhe filologë të diplomuar, magjistruar e doktoruar në Prishtinë, Tiranë, Tetovë e gjetiu në institucionet universitare të hapësirës shqiptare. Pra, problemi nuk qenka vetëm tek turbologët, po edhe tek akademikët dhe për të tej te institucionet akademike dhe më lartë institucionet e specializuara filologjike.

    Pse mund të thuhet kështu?

    Ka më shumë se dy shekuj që gjuhësia europiane e ka vendosur gjuhën shqipe në rrethin e ngushtë të familjes indoeuropiane, ndërsa, bie fjala, Enciklopedia gjuhësore e Kembrixhit  (Botimi i vitit, 1987), e ka vendosur shqipen në krye të nëntë gjuhëve të familjes indoeuropiane, sigurisht për shkak se gjuhët këtu janë vendosur sipas renditjes alfabetike (ang. albanien). Në këtë rreth të gjuhëve, thuhet veç tjerash, se shqipja dhe rumanishtja janë gjuhët me dokumentet më të reja.

    Qe 40 vjet Andre Martine (André Martinet) në veprën e tij fundamentale Prej stepave në oqeane (Des steppes aux océans, Paris, Payot, 1986), e ka përcaktuar moshën prej 6000 vjetësh të lëvizjes së këtyre popujve. Këtë e thotë edhe revista amerikane Science (Sajns). Asgjë e re apo jo, por e rëndësishme për saktësimin e një të dhëne të vërtetuar në ligjëratën e linguistit Franc Bopp (1854), afër 170 vjet më parë. Sigurisht, koncepti i Martinesë dhe shkollës gjuhësore historike, e cila e ka themeluar albanologjinë si shkencë dhe dija me të cilën kanë shënuar arritjet më të reja autorët e revistës Science dallojnë metodologjikisht, prandaj edhe në disa rrafshe (origjina ilire/shqipja si zhvillim i brendshëm, vendi i shpërndarjes së gjuhëve indoeuropiane, gjuha shqipe në vetvete/albanologjia si korpus i arkeologjisë, historisë, etnologjisë, gjuhës etj.), por mosha është pothuajse e njëjtë dhe vetëm e ridimensionuar. 

    Prandaj pse duhet parë gjuhën shqipe të moshës 6000-vjeçare kur shqipja e familjes së gjuhëve europiane është edhe më e moçme, sepse nëse gjuha shqipe 6000 vjet më parë ka filluar me formësimin e strukturës gramatikore vetjake, para saj si pjesë e bashkuar e strukturës së Familjes indoeuropiane ajo ka korpusin e përbashkët të saj, të identifikuar në Fjalësin e gjuhëve indoeuropiane, duke përfshirë këtu edhe mitet, legjendat dhe veçoritë materiale e shpirtërore të kësaj bashkësie përkatësisht familjeje.    

    Le të kuptohemi drejt. Asnjë dije, prandaj as albanologjia nuk janë dije me kufij të mbyllur, por në shkollat tona janë të obliguar që tekstet të përgatiten në raport me kurrikulat, e kjo do të thotë në raport me dijen më të fundit për fushat e caktuara, të cilat janë pranuar si arritje relevante për tu mësuar nga brezi më i ri. Kjo është arsyeja pse në shkollat tona nuk mund të mësohen tezat, hipotezat apo konceptet e, bie fjala, albanologut Jozef Ritter von Xilander (1835), të cilat kanë marrë përgjigje, madje në shekullin XIX, ndërkohë që pseudoshkencëtarët e popullarizuar të gjuhësisë historike dhe sidomos etimologjisë, i shpallin si zbulime të tyre.

    Kujt i duhet lashtësia hyjnore e shqipes në këtë kohë kur lashtësinë e saj e kanë përcaktuar etërit më të shquar të gjuhësisë europiane, nga Lajbnici e deri tek autorët më të ri të studimit të botuar në revistën Science (Shih, “Language trees with sampled ancestors support a hybrid model for the origin of Indo-European languages” (https://www.science.org /doi/10. 1126/science. abg0818), in Science. 28 Jul 2023. Vol 381, Issue 6656. DOI: 10.1126/science.abg0818). Çfarë ka posaçërisht të re këtu, përveç një qasjeje tjetër, një ridimensionimi tjetër për atë që e kanë dëshmuar etërit tanë të linguistikës në vend dhe në Europë, disa shekuj më parë. Natyrisht edhe kjo e një rëndësie të veçantë, për ata që duan ta komentojnë ndryshe dhe në interes të pikëpamjeve folklorike të “etimologëve” tanë.

    Një përbërës posaçërisht i ndjeshëm dhe posaçërisht i dëmshëm i teksteve të botuara, intervistave në radio, televizione e portale të mediave tona është prirja e disa pseudoshkencëtarëve për të errësuar gjithë arritjet e gjertanishme shkencore të albanologjisë. Autorët e këtyre ndërmarrjeve në tekstet a intervistat e tyre, të cilët kanë arritur të hyjnë në ndonjë bibliotekë të shteteve të Bashkimit Europian, ia lejojnë vetes që gjithë literaturën shkencore të albanologjisë, ballkanologjisë dhe gjuhësisë së përgjithshme të shekujve të mëhershëm ta shpallin zbulim të tyre. E vërteta, këta “shkencëtarë”, po të kishin bërë kërkime më parë në Bibliotekat dhe sektorët e albanologjisë në Prishtinë dhe sidomos në Tiranë e në Shkodër, sigurisht nuk do të befasoheshin me “zbulimet” e tyre dhe po të kishin bërë kërkime në Arkivin e albanologjisë në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë e në Arkivin e Institutit të Historisë dhe Folklorit, sigurisht shumë prej veprave të  tilla do t’i gjenin të përkthyera në gjuhën shqipe, natyrisht në dorëshkrim. Po t’i bënin këto kërkime elementare, sigurisht do të kuptonin që këto vepra të shkruara nga Lajbnici e këtej, dija shkencore e albanologjisë i ka bërë të njohura në institucionet shkollore e universitare që nga gjysma e parë e shekullit XX, madje shumë më heret. Mjafton të keni lexuar vëllimin “Bota shqiptare”, libër leximi për kursin e naltë të shkollavet të mesme, Botim i Ministrisë së Arsimit. Tiranë, 1943, mbledhur e punuar nga Aleksandër Xhuvani, Kolë Kamsi dhe Eqrem Çabej, si dhe tekstet universitare të Profesor Çabejt Albanologjia(1947) dhe Linguistika (1947), të cilat në Kosovë u ribotuan që në vitet ‘60. Nuk po ndalemi këtu për njohjen dhe përdorimin e kësaj literature nga Selman Riza, Jup Kastrati, Mahir Domi, Idriz Ajeti, Shaban Demiraj etj., sintezë e të cilave janë veprat e patejkaluara deri më tash: Studimet etimologjike të shqipes (Çabej), Gramatologjia historike e shqipes (Demiraj), Historia e albanologjisë (Jup Kastrati), Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe (Kolec Topalli) etj.

    Nuk e di nëse, ruana zot, “qortuesit” e Profesor Çabejt e kanë lexuar dhe i kanë kuptuar veprat e tij në fushë të gjuhësisë historike apo vëllimet për Mesharin e Gjon Buzukut. Madje jam shumë i sigurt se shumë prej tyre që e kundërshtojnë, as nuk i kanë lexuar as nuk i kanë kuptuar, vëllimet e Profesor Çabejt, Studimet etimologjike në fushë të shqipes, e megjithatë i ftoj ta lexojnë një tekst të tij, një tekst të shkruar në moshën e re, Kundër pseudofolologëve(1928), për të kuptuar rëndësinë e diskutimit të çështjeve themelore në fushë të kulturës së gjuhës dhe kulmore në fushë të historisë së gjuhës shqipe. Teksti i tij, nuk është thjesht një artikull rasti, jo është një Manifest dhe një protestë, një thirrje dhe një britmë, e krahasueshme me pikturën e Eduard Munch, “Britma”: 

    “Kurrkush nuk ka të drejtë të shkruajë mbi gjuhë pa u pat marrë vite me radhë me studimin e vërtetë të saj! Kurrkush! Se gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli, dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar! Dhe mos e ngani thesarin me duart tuaja, zotërinj diletantë!

    Gjuha është një element i naltë kulture, nuk është një objekt mode! Nuk mundet të “riformohet” aq shpejtas siç mundet secili të vishet a la Perrot për Karnaval!

    Kush ju ka shtyrë të shkruani mbi gjuhë? Kur keni maninë e shkrimit, pse nuk shkruani ç’të doni mbi numismatikë, grafologji, mathematikë, theologji, përmbi fizikë, anatomi, analitikë e histori? E ta lini rehat këtë gjuhë të shkretë, e ta punojnë të tjerë të cilët të merren me të vërtetë me studimin e saj?

    Kush do të shkruajë mbi shqipen, më parë duhet të jetë marrë me studimin e gjuhëve indoevropiane përgjithësisht, e pastaj duhet të ketë studiuar gjithë shkrimtarët shqiptarët e gjithë albanologët e huaj, numri i të cilëve është aq i math, sa studimi i tyre lyp vjet me radhë punë të parreshtur.

    Se filologjia nuk është zbavitje, është larg nga dilettantismi, Është dituri, dhe që të kapesh me dituri, duhet të dish! (Graz, 8-11-1929)”. (Demiraj, 1990, f. 221-222)

    Kjo ndërkaq edhe nuk më shqetëson aq sa më shqetëson fakti se prej njëzetë vjetësh, rrallë, tepër rrallë më ka rënë të lexojë tema magjistrature e doktorate nga fusha e historisë së gjuhës në të cilat janë diskutuar kryeveprat e Eqrem Çabejt, Idriz Ajetit, Selman Rizës, Jup Kastratit, Kolec Topallit, Besim Bokshit, David Lukës, Shefki Sejdiut, Ruzhdi Ushakut, Anila Omarit  apo ndonjë autori tjetër me interes për fushën në të cilat është diskutuar në faqet e Shqyrtimit të literaturës. E të mos flasim për ndonjë problem më të thelluar në fushë të fonetikës, gramatikës historike apo aq më pak të etimologjisë së shqipes.

    A është e rastit prandaj pse është lejuar kështu të përbaltet politikisht, shkencërisht e intelektualisht, fillimisht Androkli Kostallari e pastaj të tjerët me radhë deri te studiuesi më i madh i albanologjisë, Prof. Eqrem Çabej, i njohur ndërkombëtarisht nga shkenca albanologjike! Së fundi, madje, është krijuar përshtypja se mediat dhe disa prej personave të ftuar prej tyre duan të krijojnë një “shkencë shqiptare”, që i kundërvihet asaj botërore, çka na bën me turp në sy të botës. Në disa emisione televizive dhe media të shkruara prej vitesh po sulmohet me një gjuhë antishkencore, gjithçka që është arritur për një kohë shumë të gjatë në studimet albanologjike në institucionet akademike dhe kështu, padija po rrezikon të mbizotërojë mbi dijen edhe me ndihmën e atyre, që në këto institucione kanë hyrë përmes kapixhikut!

    Agresivitetin e disa individëve, të cilëve u mungon çdo lloj ekspertize e profesionalizmi në fushën e gjuhësisë, por që pretendojnë se kanë monopolin e së vërtetës, e tolerojnë dhe e ushqejnë drejtues emisionesh televizivë që i popullarizojnë jo vetëm duke i ftuar vazhdimisht në studiot e tyre, por edhe duke i përkrahur në idetë e tyre haluçinante, si dhe kundërshtarë të margjinalizuar brenda institucioneve akademike, të cilët duke mos pasur guximin intelektual të tyre, përdorin guximin qytetar të individëve dhe grupeve të caktuara për të përmbysur arritje, individë dhe institucione! Ky agresivitet ka sjellë stepjen e përfaqësuesve të mendimit të njëmendtë shkencor në vendin tonë, pasi ndaj këtyre të fundit nuk kursehen shpifje, sharje e madje edhe kërcënime. Ne, sigurisht, të gjithë e dimë se sa e re është shkenca e albanologjisë dhe sa të reja janë institucionet arsimore, shkencore dhe akademike dhe për më tej, ne të gjithë e dimë se sa kohë na është dashur të jemi referencë e besueshme e institucioneve filologjike europiane e botërore, prandaj nuk mund ta tolerojmë këtë gjendje që të bëhet pre e së keqes në mediat informative kombëtare, ndërkohë, e që jo pak ka shtrirë rrënjët edhe brenda institucioneve akademike. Më në fund, studimi i kësaj trashëgime, nga të paktat që kemi vendosur në trungun e identitetit kombëtar, nuk mund t’ju lihet pseudoalbanologëve, etimologëve të improvizuar, pikëpamjet e të cilëve s’do të pranoheshin nga asnjë forum shkencor brenda e jashtë Shqipërisë.

    Përvoja historike e lëvizjeve të tilla

    Në një kohë që televizionet dhe mediat internetike në Kosovë e sidomos në Shqipëri janë të stërmbushur me etimologë fantastikë, nuk është se nuk i njohim disa prej autorëve të këtyre “etimologjive”. Ata janë kryesisht  poetë të fb., gazetarë, mekanikë, tregtarë, letrarë, historianë, biologë, mësues fshati me imagjinatë shumë të pasur, po jo të sistemuar në fushë të gjuhësisë etj., por asnjëri prej tyre nuk janë gjuhëtarë me dije elementare në fushë të gjuhësisë historike, të cilët ndonjëherë dinë të jenë jo vetëm “gjuhëtarë të përmasave planetare (sic!), po edhe kritikë, denoncues publikë, përbuzës dhe fyes e madje kërcënues. Në këtë rrjedhë jemi fajtorë edhe ne: nuk kemi shkruar dhe nuk kemi folur pas teksteve të tyre kundër, bie fjala Profesor Çabejt, po edhe linçimeve publike kundër Profesor Kolec Topallit dhe sidomos profesoreshës së nderuar Anila Omari, studiuesit Ardian Vehbiu etj.

    Pse të mos e bënin këtë?

    Ka më shumë se tri dekada që linçime të një natyre tjetër kanë përjetuar për të gjallë e për së vdekuri nga shkencëtarë e pseudoshkencëtarë, nga institucione akademike e joakademike, Profesor Idriz Ajeti, Androkli Kostallari, Rexhep Qosja, Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Rami Memushaj, Shefkije Islamaj etj., duke i akuzuar për përjashtimin e dialektit të gegërishtes nga shqipja standarde, të fjalësit të tij, të trajtave gramatikore, të mbrojtjes së këtij standardi në vitet ’90, të mbrojtjes së standardit dhe identitetit shqiptar në Kosovë në vitet 2000 etj. Pse të mos vazhdonin të tjerët, pseudoshkencëtarët e organizatat fantome, që këto akuza t’i ngrenë në një shkallë më të lartë. E kjo do të thotë të akuzonin Profesor Çabejn, duke ia ndajmbathur edhe individët e institucionet akademike. Pse të mos akuzoheshin e denigroheshin ato institucione akademike, brenda të cilave prej vitesh, individë dhe grupe të caktuar gërryejnë nga brenda edhe ato pak projekte nacionale e rezultate shkencore, të cilat janë arritur dekada e breza me radhë, në krye të të cilave ishte Profesor Çabej dhe brezi i tij. E ky ishte brezi i shkencëtarëve të formuar në shkollat më të mira europiane.

    Në Kosovë, teza të tilla kishim edhe në tekstet shkollore. Në tekstet e shkollave elementare madje ishin vënë paralelizma të “prejardhjes pellazge dhe ilire” të popullit shqiptar, sepse lavdisë së origjinës sonë nuk i mjaftonte vetëm një paraardhës! Si kemi guxuar të lejojmë që në tekstet e historisë së shkollave ku kanë mësuar fëmijët tanë të paraqiten teza të tilla, të cilat qëndrojnë prapa dijes së shekullit XIX. A i keni parë botimet historike dhe letrare. Ato “dëshmi”, “fakte”, “referenca”, “cilësorë” dhe sidomos “censura e autocensuara”, që i kemi parë e lexuar në tekstet e historisë dhe letërsisë në Kosovë gjatë këtyre dy a tri dekadat e fundit, për origjinën e popullit shqiptar, Skënderbeun, Rilindjen Kombëtare, Luftën e Dytë Botërore, Periudhën Komuniste, Eqrem Çabejn e Idriz Ajetin dhe zhvillimin e shkencës në Shqipëri e në Kosovë; Rexhep Qosjen dhe personalitet shkencore e intelektuale të kohës, Luftën e Ushtrisë Çlirimtare, Ibrahim Rugovën dhe zhvillimet politike në Kosovë etj., nuk kemi mundur t’i gjejmë as në tekstet e  periudhave më të errëta staliniste, titiste e enveriste.

    Nuk kemi reaguar për të parin, Profesor Çabejn, sepse, besoj, kemi menduar të gjithë se atë, Profesorin e madh, Eqrem Çabejin, më parë se ne, e mbron vepra e tij, kulti historik që kemi krijuar për të dhe veprën e tij, personaliteti i tij – monument, përmasa kombëtare e sidomos mosha historike e ndikimit të tij në jetën tonë shkencore dhe në shkollën europiane të dijes së albanologjisë. Por zhvillimet politike, shkencore, kulturore dhe qytetare nuk na kanë dhënë të drejtë. Duke e nxirë portretin përkatësisht besueshmërinë në veprën e tij në jetën tonë të mjegullt kulturore e shkencore dhe duke mos dëgjuar reagimet tona, në të vërtetë duke parë me indiferencë përbuzjet tona dhe zërin tonë të heshtur institucional, ata i kanë dhënë të drejtë vetes dhe kanë fituar gjerësisht “të drejtën qytetare”, që jo vetëm të vënë në pyetje autoritetin tonë shkencor dhe autoritetin e akademive e institucioneve të tjera akademike, po edhe të vazhdojnë përpjekjet për linçimin e personaliteteve të zëshme kundër tyre: Kolec Topallit, Anila Omarit, Ardian Vehbiut e të tjerëve.  

    Trashëgimia shkencore dhe publicistike, mendimi kritik, tekstet polemizuese dhe përgjithësisht përvoja historike, ndërkaq, na dëshmon se me situata të tilla janë ballafaquar edhe paraardhësit tanë akademikë, të cilët këto lëvizje kryesisht folklorike i kanë kundërshtuar me sukses. Shembulli më brilant i këtij kundërshtimi ka qenë dhe ka vazhduar të merret për model  letra e Profesor Çabejt, Kundër pseudofilologëve (1929), ndonëse si i tillë “shkencëtarëve tanë“ më shumë do t’ju shkonte përshtati artikulli i Selman Rizës, po i kësaj kohe “Diletantizmi dhe zanati”(1938).  

    Shembulli më i mirë janë recensionet e Aleksandër Xhuvanit, Eqrem Çabejit, Selman Rizës kundër botimit në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë të veprës së Spiro Kondës, Pellazgët dhe shqiptarët(1962, 1964), në një periudhë që këta studiues të formuar në institucionet më të larta të shkencës europiane, tash, të gjendur në krye të institucioneve shqiptare, po përpiqeshin të kurorëzojnë projektet themelore të kulturës shqiptare (Fjalorin e madh të shqipes, Standardizimin e gjuhës shqipe, Enciklopedinë shqiptare etj.), të lokalizonin qendrat kryesore të hulumtimit të arkeologjisë, të krijonin arkivin e madh të leksikut dialektor e onomastik të gjuhës shqipe, në të vërtetë, të krijonin korpuset materiale e shpirtërore të popullit shqiptar; veshjet, arkitekturën, folklorin etj.). Në këtë rrjedhë ata përpiqeshin të dilnin nga konceptet romantike të shkrimtarëve të Rilindjes, të cilat rrezikonin të bëheshin defilime folklorike të disa nacional-komunistëve në krye me Enver Hoxhen e Spiro Kondën. Ata, pra, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Selman Rizës përpiqeshin të institucionalizonin hipotezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe,  por ajo u botua me vendimin e Enver Hoxhës dhe Komitetit të Partisë në Tiranë.

    Një shembull tjetër janë esetë dhe trajtesat e Profesor Rexhep Qosjes në fillim të viteve ’70, për realizmin socialist si sinonim i romantizmit dhe gjuhës folklorizante të tyre, të filluara me trajtesën Mbi krijimtarinë pa iluzione(1974) dhe përfunduar me dorëshkrimin Tri mënyrat e shkrimit shqip (1980),botuar pjesërisht në vëllimin Nocione të reja albanologjike(1984), kundër teksteve folklorike dhe krijimtarisë kur e kur nostalgjike, romantike dhe realsocialiste. Kundër tyre fillimisht kishte edhe reagime të bashkëkohësve, por shpejt do të fitohet ajo betejë, sepse ishte pikërisht shtypi, radio, televizioni, institucionet arsimore, kulturore e akademike që i dhanë të drejtë dhe ju dhanë hapësirë vlerave më bashkëkohore të dijes, për të cilat angazhohej Profesor Qosja. A po e bënë sot këtë detyrë shtypi elektronik dhe i shtypur i hapësirës shqiptare? Jo!

    A do ta bëjnë këtë sot institucionet tona, mediat tona, a do ta bëjnë të njëmendët këtë institucionet shtetërore, të cilat paguhen me paratë publike edhe strukturat qeveritare në Shqipëri, në Kosovë e Maqedoni.

    Le të shpresojmë.

    A mund të lejohet kështu më, ndërkohë që nuk e kemi as kohën televizive, as hapësirën e portaleve dhe as mundësinë e atyre që asnjë punë tjetër nuk e kanë. Pas botimit të Peticionit po shoh një prirje të televizioneve, radiove, portaleve dhe hapësirave të fb., si dhe analistëve të tyre, që studiuesit t’i tërheqin për gjuhe (për të mos thënë për hunde) në këtë pellg.

    Televizionet, radiot, portalet dhe mediat e ndryshme këtë gjendje po e shohin thjesht si “të drejtë të njeriut” për të dhënë një mendim, por nuk e po e shohin këtë vërshim diskutimesh, propagande e botimesh edhe si një vulgarizim të mendimit tonë në jetën shkencore e kulturore.

    Në vend të përfundimit: porosia e Profesor Selman Rizës

    Megjithëse këtë tekst e kam shkruar pothuajse menjëherë pas shpërndarjes së Peticionit, duke mos qenë njëri prej nënshkruesve të tij, nuk e kam parë të arsyeshme që të përfshihem në diskutim, pavarësisht se çështjet e drejtshkrimit, standardit të gjuhës, identitetit kombëtar, kulturës së gjuhës, të para gjithnjë si njësi integrale kombëtare, pavarësisht ku dhe kur  krijohen, i kam bërë pjesë të kumtesave, diskutimeve, projekteve, aktiviteteve politike, shkencore, historike, gjuhësore dhe kulturore.

    I kam përcjellë edhe diskutimet rreth tij, sidomos përfshirjen e disa prej intelektualëve me mendim të theksuar kritik, të cilët u shfaqen në shtypin e kohës: Profesor Agim Vincën, Profesor Bardhyl Demirajn dhe sidomos luftëtarin e betejave të gjata kohore dhe hapësinore Profesor Muharrem Jakupin.

    Le të thuhet ndërkaq që këtë betejë, pavarësisht Peticionit, e kanë bërë për arsye profesionale e motivuese dhe vazhdojnë ta bëjnë çdo ditë edhe shumë studiues të tjerë, emrat e të cilëve nuk u theksuan më lartë, si: Jani Thomai, Gjovalin Shkurtaj, Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Ali Jashari, Valter Memisha, Bahtijar Kryeziu, Rami Memushaj, Asllan Hamiti, Mustafa Ibrahimi, Shkumbin Munishi, kolegët e koleget e Institutit Albanologjik të Prishtinës, të mbledhur rreth revistës “Gjuha shqipe” etj.

    Pas Peticionit kam pritur që më aktive në këtë temë të jetë revista e Institutit Albanologjik të Prishtinës “Gjuha shqipe” dhe madje kam besuar se do të rifillojë botimin revista autoritative e dikurshme e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë “Gjuha jonë”, por në vend të së parës dhe së dytës këtë detyrë e ka marrë një revistë e tretë autoritative (online) “Peizazhe të fjalës”, drejtuar nga shkrimtari, kritiku dhe studiuesi i gjuhës Ardian Vehbiu. Kjo platformë i priu botimit të dy vëllimeve përfaqësuese: veprës së Ardian Vehbiut, “Përrallëtarët e gjuhës shqipe” (2024) dhe përmbledhjes “Në mbrojtje të arsyes albanologjike – Kundër fallxhorëve të historisë së gjuhës shqipe” Tiranë (2024), me ese dhe studime nga Bardhyl Demiraj, Dhori Qiriazi, Aristotel Spiro, Mimoza Kore, Edon Qesari, Enkeleida Kapia dhe Marek Majer, të cilave ju prinë një tekst i përzgjedhur nga Profesor Çabej.

    Do të doja që fjalën time ta mbylli me një porosi të linguistit Selman Riza, një tekst i shkruar rreth 90 vjet më parë, i cili tingëllon aktual, madje jo vetëm për linguistët, sepse edhe ne nuk diskutuam vetëm për gjuhëtarët, as vetëm për etimologët dhe “etimologët” e fantazmologët, as vetëm për përdoruesit publik të gjuhës dhe institucionet informative, as kulturën e fjalës dhe peshën e mendimit. As vetëm për institucionet arsimore, akademike e shkencore, po për të gjitha këto bashkë:  

    “Edhe ja ku po Jua them, pa dashur që të jap, duke dramatizuar retorikisht një kushtrim të papunë, ja ku po Jua them: Po s’u shtumë brezit të ri durimin shpirtëror edhe qëndresën fiziologjike; po nuk i futmë ata në mësojtoren e seriozitetit edhe t’autokritikës në punë; po i lamë të pandehin edhe ata se e ashtuquajtura zgjuarsi natyrale e bën të tepërtë paragatitjen mjeshtrore; se jo përkatësija profesionale por encyklopedia e përcipte ase dallaveret ase akraballëku janë hapësi magjike q’i çel dyert e pozitavet llokmë-mëdha; po nuk u shkulmë atyrevet prirjen e trashëguar për hec-e-jaket plot gjallëri të dukshme por pa jete të brëndëshme, për bredhritjet gjahëtare nëpër shkenca edhe nëpër mjeshtri; shkurt, po nuk çrrënjosmë atyrevet shpirtin aventurier edhe karrierist mbë nj’anë edhe mb’anë tjetër po nuk i bintmë ata se, ndërsa përpelitjet e ambicjes banale na hanë nervat, na prishin gjaknë; ushtrimi i nji mjeshtrije, përkundra me rythmin monoton por qetësonjës, me frymën e egër por të shëndetëshme, me kurajon e përditëshme, me bekimin e pemëvet… na jep dorë t’a trajtojmë karakterin, të bëhemi burra, dua të them, edhe t’i shvillojmë mungësit mendore e ndjenjake, të bëhemi njerzë, dua të them; me një fjalë, po s’i bintmë brezin e ri së vetëm e vetëm ushtrimi i një mjeshtrije i fal jetës përmbajtje edhe kuptim; atëherë, mbase, – sepse krahun Zoti e ka të gjatë, apo, sepse trillet fati s’i ka të parapashmë – atëherë, mbase, për dhunë të mekanizmit dhe t’industrializmit të luftës, për dhunë, dua të them, të faktit modern së atij që nuk do të jetë i fortë edhe i pasur në veprimtarinë paqësore, nuk do t’i bëjë dot para trimëria në luftë; atëherë, mbase, Arbërija e Lirë do të rrojë prap se prapë: Veçse këjo rrojtje e pamerituar, këjo liri e falur nga qielli apo nga lodra e drejtpeshimit ndërkombëtar, do të jetë vallë e dëshëruarëshme për stërniprit mëndjembëdhenj të fatosavet epikë të dyluftimevet të qëmotit? (Riza, Dilettantismi dhe zanati, (1938). “Fjala”, Prishtinë, 1979, f. 12)

    Prishtinë, mars 2025

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË