Kreu Letërsi Botime të reja Bashkim Koçi: Dritë për atë që dritësoi Bektashizmin

Bashkim Koçi: Dritë për atë që dritësoi Bektashizmin

Suksesi është biri i guximit. E gjej të udhës të sjell këtë sentencë ndërsa jam njohur me tri veprat voluminoze të Baba Ali Tomorrit, përgatitur  nga studjuesi serioz e punëshumë, i palodhuri Mehmet Gëzhilli me të cilin ka gati gjysëm shekulli që jemi lidhur dhe bashkëudhëtojmë në rrugën sa të bukur e të vështirë të gazetarisë. E kanë ditur shumë studjues e hulumtues të tjerë që Baba Ali Tomorri ka lënë të shkruara e të botuara një mal me dorëshkrime, por asnjë deri tani nuk guxoi t’i kërkonte nëpër arshiva e biblioteka, t’i mblidhte ku ishin e ku s’ishin, t’i sistemonte e t’i botonte në vëllime të veçantë sipas problematikave që trajtoi gjatë gjithë jetës krijuese ky bektashi i madh. Këtë informacion e ka ditur edhe ai, i cili, mesa kemi biseduar, kush e di se sa herë unë si bektashi Prishte dhe ai si bektashi Vrëpckë (Opar – Korçë), për jetën dhe veprën e Baba Ali Tomorit (Turabiu). E ka menduar shumë herët, madje e ka patur “ëndërr në sirtar” që të mundëte ta përmbyllte këtë detyrë paksa hyjnore, ashtu si ai e kishte “projektuar” në mendje e në zemër.

 Sigurisht që pas çdo bëme të bujëshme, siç është përgatitja e veprës së plotë të Baba Ali Tomorrit, u gjend një njeri i letrave, u “çmend” dikush për t’ju futur “detit në këmbë” e për t’u  përballur me një punë të lodhëshme e cfilitëse. Dhe ky njeri që mori këtë vendim të guximshëm  e ka emrin Mehmet Gëzhilli. Por nëse e shohim nga afër, pra të mund të dëgjojmë edhe të rrahurat e zemrës të këtij studjuesi të staxhionuar me punë të mëdha, nuk kemi pse të çuditemi që ai e ka kthyer jeten e tij në sukses. Sepse është ai që nuk ia ndan sytë objektit të dëshiruar dhe e synon atë me vendosmëri, deri sa ta arrijë të materjalizuar në vepra. Të befason një gjë në tërë studimet e botimet e tij: ai gjithmonë ka synuar larg dhe lart.

Një jetë të tërë ia kushtoi studimit dhe botimeve për heronjtë dhe dëshmorët, duke patur parasysh amanetin e tyre: “Mbi hirin e dëshmorëve ngrihet atdheu”.

Vite më parë botoi bibliografinë “Fan Noli – 120 vjet jetë dhe veprimtari”, e vetmja në llojin e saj dhe që ka hyrë e zënë vend denjësisht në Bibliotekën e Universitetit të Harvardit, ku Noli ka qenë student.

Ky botim u pasua nga Bibliografia për Artistin e Popullit Aleksandër Moisi, botuar në Tiranë dhe në Shkup (Maqedonia e Veriut). Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës botoi bibliografinë “Nënë Tereza në shtypin shqiptar” dhe përmbledhjen “Nënë Tereza në sytë e botës”. Dhe vite të tëra i ka kushtuar veprës së Naim Frashërit si dhe vepra për të, duke botuar një çerek shekulli më parë “100 poetë për Naimin”, pasuar me “155 poetë për Naimin”, duke u përpjekur që gjatë këtyre viteve ta mbyllë me një korpus botimesh tërësore për poetin shenjtor, Naim Frashërin.

Kështu që krijimtaria e Baba Ali Tomorrit, e të gjitha gjinive, sikur qe një fat bekimi që ra në dorë, në mendje dhe në zemrën e këtij studiuesi dhe botuesi serioz dhe i kualifikuar.

Vepra e Baba Ali Tomorit ka fuqi mbresëlënëse te lexuesi sepse është “mish e gjak”, absolutisht pa dogma e fjalë që nuk ngjisin te një njeri i formuar intelektualisht. Madje këtu qëndron edhe madhështia dhe lavdia e këtij bektashiu zemërzjarrtë, te botkuptimi i tij paksa i çuditshëm, nëse kemi parasysh që ai mban të veshur harkanë e dervishit bektashi. Në të gjithë krijimet e Baba Ali Tomorrit i mëshohet çështjes kombëtare, atdheut, bashkëjetësës fetare dhe vëllazërisë midis shqiptarëve. Diku në vëllimin e parë të veprës së tij, ku përfshihen poezi, këngë popullore dhe krijime letrare nga më të arrirat, lexuesi ndoshta çuditet kur i shfaqet titulli “Jo për fe, por për atdhe”. Kam përshtypjen se studjuesi dhe botuesi i veprës së këtij kleriku të lartë bektashi është udhëhequr dhe e ka bërë për vete pikërisht këtë moto dhe që ai nuk e ka frikë errësirën, por ama vë në funksion mendjen e tij të ndritur që të mund  të gjejë dritën.

Asgjë nuk ës htë e shenjtë po nuk qe e tillë ndershmëria e mendjes të atij që mer përsipër të ngjizë diçka nga e para. Studjuesi në këtë ndërmarje të vështirë, por punë të nisur me shumë dashuri, ka qënë dëshirë e një lloi tjetër, nga ato që njeriu vendos  për të bërë diçka për tjetrin, që në këtë rast bëhet fjalë për dikë që e vuri jetën e tij në shërbim të njerëzisë, madje edhe të sakrifikohej për të, siç ishte Baba Ali Tomorri. Nuk mund të themi e të pranojmë që ky studjues i nivelit të lartë, hulumtues e zbulues i personaliteteve më me emër, që intelektin e kishin kthyer në hyjni, siç ishte Baba Ali Tomorri, të harxhonte kohë e punë të kualifikuar, dhe në fund të na shërbente diçka bajate e me vlera neveritëse. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të imagjinohej nëse do të vinim në peshore studjuesin dhe krijuesin, të cilët për fat të mirë janë në barazpeshë të admirueshme. Pra vepra dhe e gjithë krijimtaria e Baba Ali Tomorrit gjeti të zotin e punës, atë që kishte zënë radhën prej kaq kohësh për t’i ngritur e bërë me shumë dashuri, as më pak e as më shumë, por një monument të argjendtë.

Përgatitjen dhe botimin e serisë së veprave të Baba Ali Tomorrit, botuesi e ka përjetuar si një kënaqësi të pritur gjatë, me vite e vite. Por kjo pritje e gjatë, siç ndodh shpesh, nuk se iu shit me çmim të lartë. Jo. Ai e “bleu” aq sa vlente edhe për faktin se në pjesmarrjen në “ankandin e shpallur” ishte i vetmi që konkuroi. Pastaj rrallë ndodh në kësi punësh që të të jepet mundësia të ngresh në këmbë “bustin” e një kleriku të lartë bektashi, të Baba Ali Tomorrit, dhe inteligjenca e aftësia për të realizuar si rrallëkush një përmbledhje të të gjithë krijimtarisë në tre vëllime voluminoze e mjaft cilësore.

Njeriu i drejtë e me vlera të çmuara intelektuale shpesh ndërgjegjen e tij e sundon mirësia, ndjenja e të qënit njerëzor dhe i përpjekur për t’ju përkushtuar asaj çka i dikton zemra. Ndaj jam i prirur të them se studjuesi dhe botuesi i kësaj vepre nuk mund të mos ketë marrë fuqi, në vendimin për të sjellë të plotë veprën e Baba Ali Tomorrit, nga amaneti i tij i fundit të shprehur me fjalë përgjëruese “Më ruani dorëshkrimet!”. Këto janë fjalë të thëna  disa çaste përpara se të ikte nga kjo botë, përpara se ta pushkatonin. Dhe ai, ndonëse nuk ishte njeriu i duhur për të mbajtur amanete të deklaruara e të mbetura të kyçura në vite, sa s’mbahej mend, por ama, duke u njohur me kërkesën-amanet, sa njerëzore po aq edhe hyjnore “Më ruani dorëshkrimet”, fill pas 70 vjetësh nga dita e ekzekutimit, s’kish si të mos nxitej për t’ju futur me gjithë shpirt “aventurës”,  e cila në pamje të parë kërkonte guxim disi të tepruar, sepse do të thoshte t’i futeshe detit më këmbë.

Të bëheshe garant për të botuar veprën e plotë të Baba Ali Tomorrit, duhej të kishe një besim në vetvete, duhej ta ktheje atë në mision. E pra, në të gjithë këtë çka na ka sjellë, si dashamirës të letrave, por edhe si bektashi, ka kryer një mision, ka realizuar  atë që rrallëkush mund ta merrte përsipër për ta çuar deri në fund. I kam bërë pyetje vetes: “Si ndodhi, ç’shtysë ka qënë ajo që e gjithë kjo punë e madhe voliminoze të përfundonte, duke na e sjellë Baba Ali Tomorrin të plotë, ashtu si ka qenë, por edhe të pastërt e të qelibartë si ai?” Sigurisht që studjuesi  guxoi por, siç thotë një filozof,  guximi nuk të hyn në punë, nëse inteligjenca nuk e nënshtron. Pra e thënë shkurt, ky punëmadh që ka shok vetë veten, arriti të na sjellë “universin” e klerikut mendjendritur Baba Ali Tomorri, falë formimit të tij të kompletuar.

Vepra e plotë e Baba Ali Tomorrit, e shumëpritur nga lexuesi shqiptar, por sidomos nga ai bektashi, është sistemuar bukur dhe me kompetencë profesionale në tre vëllime. Natyrisht që nuk ka vend për t’u marrë me hollësi rreth kësaj gjëje, pra të shtjellohet në detaj se si e qysh e ka projektuar e ngritur këtë ndërtesë tre-katëshe arkitekti i botimeve, sa serioze, edhe të rralla. Ajo që ka rëndësi të thuhet është se edhe në vendosjen e krijimeve; të poezive, të këngëve popullore, të problemeve për gjuhën, për forklorin, për letërsinë, publicistikën, aforizma bektshinjsh etj., çdo gjë ështrë në vendin e vet, sipas një “protokolli” të pranuar nga ustallarë të këtyre punëve. Dhe në këtë zgjedhje studjuesi është prirë nga formimi i tij intelektual dhe jo nga frika e gabimeve që mund të bëhen nga një punë rutinore. Parë në këtë vështrim edhe këto detyra, në dukje të vogla, janë parë si të shenjta, që edhe ato duhet të trajtohen me shumë kujdes, por edhe me shumë dashuri, si të ishte aty pranë makinërisë të shtypshkrimit autori i tyre, i madhi Baba Ali Tomorri.

Botuesi i veprës së plotë të klerikut mendjendritur Baba Ali Tomorri meriton fjalë nga më lavdërueset sepse ai që u rezistoi pengesave, vështirësive, përplasjeve nga më të rëndomtat gjatë kërkimeve dhe zbulimit të kësaj drite të pashoqe në historinë e krijimtarisë dhe filozofisë bektashiane. Komplimenti në këtë rast është jo vetëm një dhuratë për studjuesin, por edhe një bekim për të, si i dërguari nga “ai  lart” për të realizuar e për të na e sjellë në dorë këtë dhuratë të jashtëzakonëshme.  “Zoti, – ka thënë politikani dhe filozofi Mahatma Gandi, – nganjëherë i vë në prova të mëdha njerëzit që dëshiron të bekojë”. Studjuesi Mehmet Gëzhilli u vu dhe e kaloi këtë provë të madhe ndaj edhe s’ka përse të mos e meritojë këtë bekim.

Dhe së fundi, si përfundim, dua të evidentoj faktin: Kryegjyshata Botërore Bektashiane me në krye Kryegjyshin Botëror Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, krahas shumë veprave madhore, që nga ngritja e Odeonit, Muzeut, Bibliotekës, Arkivës, rregullimi e zbukurimi i gjithë ambjentit të Kryegjyshatës, ringritja e shumë teqeve nga themelet, apo grumbulli i gërmadhave të mbetura nga rrënimi ateist i 1967, si dhe botimi i një sërë veprash të rëndësishme, me botimin e veprës së plotë të Baba Ali Tomorit plotësoi një boshllëk të madh dhe solli një xhevahir letrar e historik jo vetëm për Bibliotekën Bektashiane, por edhe për Bibliotekat Kombëtare në Tiranë, Prishtinë, Shkup. Tetovë, si dhe për çdo bibliotekë albanologjike nëpër botë.

Për realizimin e këtij projekti, sa madhor e dinjitoz, në Vitin e Naimit, si dhe projekte të tjerë më ambiciozë, Baba Mondi meriton urimet më të mira dhe bekimin e të gjithëfuqishmit Zot, që ka për të ardhmen.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Henri Matisse, “Shënimet e një piktori”, 1908

Një piktor i cili i drejtohet publikut jo vetëm që t’i paraqesë veprat e tij, por për t’i shfaqur edhe ca nga...

Anisa Markarian: Disa pikla dëshmi në oqeanin e kujtesës së përbashkët

Bisedoi Andreas Dushi A.D: Tuj rrëmue n’do gjana t’vjetra / gjeta nji fotografi. Këto dy vargje nga një...

Anisa Markarian: Trupat e rinj

fragment nga romani «15 ditë prilli» – Botime Çabej Tavolina e laboratorit të anatomisë, e gjatë dhe e...

Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht (pjesa 5)

Më bën përshtypje se si Fotaq Andrea nuk ngurron para hipotezave dhe ec përpara pa fakte. Pajtohem pjesërisht se Konica nuk...

KATEGORITË