More
    KreuLetërsiBotime të rejaArdian Ndreca: Publicistika e Ernest Koliqit si fitore e historisë së tij...

    Ardian Ndreca: Publicistika e Ernest Koliqit si fitore e historisë së tij intelektuale

    Sapo doli nga shtypi përmbledhja publicistike e Ernest Koliqit me titull “Drita e Shêjzave. Publicistikë 1957-1974”. Libri është kujdesuar nga editori i revistës Shêjzat, Ardian Ndreca, dhe është botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët e cila drejtohet nga Diana Kastrati. Botojmë këtu parathanjën e vëllimit që mban firmën e editorit të Shêjzave.


    Jeta e Ernest Koliqit në mërgim asht nji digresion që krijon hapsina lirie për me komunikue me mbasardhësit. Shkrimtar i parakohshëm për atmosferën kulturore të rinisë së tij, ai e ruejti këtë dimension deri në fazën e fundit të krijimtarisë së tij, mbasi siç e tregon edhe kjo përmbledhje, kemi të bajmë me soliloquia ma fort se me dialogje me bashkëkohësit e tij.

    Publicistika e Koliqit, e këtu skaji përdoret në nji sens të gjanë, asht edhe prozë poetike edhe elzevir ku ndihen jonet e nji shpirti të bukur e dora e nji argjendari të gjuhës shqipe, urtësia e poetit dhe poezia e të urtit.

    Shkrimi i tij, në të gjithë regjistrat që ai ka përdorë, ka privilegjin e madh të lirisë, forcën e mendimit dhe delikatesën e ndjenjave.

    Leximi i kësaj përmbledhje të jep ndjesinë nji dige që ka tubue emocione, kujtime, keqardhje dhe herë mbas here portat e saja hapen për me ujitë fushat e djerra të diasporës antikomuniste. Këto editoriale, “mendime të zhgarravituna” siç i quen ai, janë ideogramet e fundit nëpërmjet të cilave bahen të kuptueshme idealet e Rilindjes kombtare.

    Mërgata antikomuniste asokohe ishte nji masë heterogjene, ku gjeje intelektualë e zotni të mirëfilltë, të lodhun e të hutuem, por edhe nji mori enfants gâtés djerraditës të pakuptimtë, pinjoj të familjeve të pasuna që Shqipnisë nuk i kishin vjeftë kurrgja, shihje njerëz të vorfën në xhep e në tru, hujlí, spijuna e mujshar, por s’gjen kurrsesi nji rrymë homogjene e serioze që mund të krijonte idealisht nji alternativë serioze për nji nesërme të atdheut.

    Koliqi e kishte kuptue me kohë këtë gja e prandaj tenton tri rrugë të reja: me aktivizue të rinjt e talentuem, me tërheqë idealisht intelektualët e Kosovës dhe me plazmue botën arbëreshe tue e nxjerrë prej ekzotizmit e tue e drejtue kah moderniteti si dimension shpirtnor dhe urban.

    Me aktivitetin e tij si themelues i Shêjzave, si shkrimtar, përkthyes, pedagog dhe politikan, mendojmë se Koliqi ia ka arritë disi të trija këtyne objektivave.

    Ankthi me komunikue ia rritë tensionin fjalës së tij tue alternue emocionet stenike e ato astenike, shpresën dhe dëshpërimin. Tëhuajzimi i jep shkas me folë, me reague, idhnimi i hapë horizontin dhe i jep tone profetike shkrimit të tij.

    Në fundin e viteve ’50 klima mendore e emigracionit antikomunist kishte sintetizue tashma idenë se kthimi në atdhe s’ishte i afërt. Të ikunit ndërkaq kishin mësue abetaren e travajëve të ekzistencës, simbas asaj profecisë danteske:

    Ti do provosh sa ka përmbrenda krypë

    buka e huej, sa shtegu asht i vështirë

    n’shkallë të hueja me hypë edhe me zdrypë. (Parajsa, XVII, 58-60, përkth. P. Gjeçi)

    Por edhe ata që e kishin sigurue jetesën nuk e kapërdinin të qetë kafshatën tue mendue të afërmit e tyne në kampe përqëndrimi, në burgje apo thjesht në atë burgun e madh që ishte Shqipnia asokohe. Koliqi përthithë me kureshtje çdo lajm që i vjen prej atdheut, lexon gazeta e libra, ndjekë për aq sa mundet propagandën komuniste dhe vëren sesi regjimi krenohet pse në pak vite ka mbërrijtë me e modernizue vorfninë, me krijue nji tabula rasa ku ka zanë fillë nji epokë e re që nuk e njeh veten si projektim të së kaluemes por thjesht si nji shpikje shkencore, parametrat e së cilës duhet me i vu në jetë me dhunë.

    Koliqi në atdhe urrehet si fashist, por urrehet edhe në diasporë si ish fashist. Nuk shkon dot në Kosovën e tij të dashun, pse edhe atje konsiderohet si kriminel lufte prej regjimit të Beogradit, mbasi dikur, kur ishte Ministër Arsimi, ka dërgue atje nji numër të konsiderueshëm arsimtarësh.

    I kanë mbetë vetëm arbëreshët, nji realitet i ruejtun prej mbylljes por i rrezikuem prej kohnave të reja që po shfaqeshin në horizont. Koliqi shkon deri në SHBA tue gjurmue arbëreshet e ikun në fillimet e ‘900, tue mbledhë folklor e visare shpirtnore, tashma të shenjueme me u zhdukë përgjithmonë.

    Vetëm dimensioni i kujtesës e kthen në Shkodrën e rinisë apo tek Tirana e viteve ’30-‘40, tashma sytë e tij janë ngulë tek “gjaku ynë i shprishun”. Prej nji dimensioni tragjik me plagë të hapuna që kullojnë gjak ai kalon tek nji tragjizëm i qetë që e lejon me jetue dyfish të tashmen tue qenë njikohsisht pjesë e së kaluemes.

    Mësimdhanja në Universitetin e Romës dhe politika nuk mjaftojnë. Koliqi ka nevojë edhe për hapsina të tjera, prandaj ai rindërton – përreth Shêjzave – në mënyrë plastike shpirtin si entitet të epërm nëpërmjet artit figurativ të Lin Delisë, erotikes dhe sakrales të mbrujtuna në episode që të çojnë drejt e në atdhe. Nga ana tjetër kundron me interesë dhe dashamirësi horizontet sintetike të Ibrahim Kodrës, ku drita artificiale izolon format gjeometrike dhe u jep atyne dinjitet artistik.

    Afron tek Shêjzat talente të reja si Prenk Ndrevashaj apo Anesti Andrea, inkurajon intelektin skofiar të Fehime Pipës apo entuziazmin poetant të Nermin Falaschi Vlorës. Afron edhe të tjerë që ma vonë kanë tretë rrugë.

    Gjatë rrugtimin të tij Koliqi ka humbë dhe ka gjetë shokë me të cilët ka nda çaste të bukura e të dhimbshme. Gjithçka që ai trajton ka mbrendë nji pietas që dëbon çdo lloj urrejtjet, edhe ndaj kuqalashave, siç i quen ai komunistat, atyne që e lanë pa atdhe.

    E çka mund të bajnë nji shkrimtar pa atdhe? Në vendet e tjera të Lindjes komuniste për me e shkallmue shpirtin e nji artisti mjaftoheshin me e dëbue prej atdheut, pse e dinin se kështu i thaheshin lozet, tek ne i vrisnin për mos i lanë as me shpresue tek liria.

    Për Ernest Koliqin, por edhe për Martin Camajn e shumë të tjerë, ndamja prej atdheut ishte dënimi ma i madh dhe kërcënimi ma serioz për shpirtin e tyne krijues. Xhelatët shpirtmalcuem të Tiranës s’kishin si ta njihnin Ovidit për me e kuptue të keqen që kishin ba, prandaj s’hiqnin dorë nga shpresa e aktit supererogator të nji breshnie plumbash në krahnor, a thue se nji çast vuejtje mund të barazohet me dekada të tana vetmi e lodhje shpirtnore!

    Nostalgjia asht timbri që karakterizon gjithë krijimtarinë e Ernest Koliqit në mërgim. Mjeku zviceran Johannes Hofer në shekullin XVII e kishte diagnostikue nostalgjinë si nji sëmundje neurologjike të trupave mercenare zvicerane që luftonin larg atdheut të tyne: “Heimweh” ka mbrendë dhimbjen therëse për shtëpinë, për rranjët dhe vendin ku njeriu ka pa për herë të parë dritën e diellit.

    Ajo dhimbje e shoqnoi gjithë jetën Ernest Koliqin në mërgim, prandaj dera e shtëpisë së tij – falë edhe bashkëshortes bujare, Vangjelisë, ishte e hapun natë e ditë për çdo shqiptar, verior apo jugor, pa dallim feje apo fryme politike. E ai shêndohej tue ndie tue folë malsorë e katundarë, qytetarë, të shkolluem e të pashkolluem, pse kishte etje për atmen e tij.

    Me këtë përmbledhje Ernest Koliqi rikthehet në atdhe me të vërtetat e tija, prej të cilave ende kanë frikë pinjojt e gënjeshtrës së madhe, ata që bajnë sikur e duen Koliqin por thellë thellë e urrejnë. Komunizmi nuk asht vetëm dhunë, ma së parit asht klimë, po ajo klimë që i ka mbijetue deri sot dhunës së djeshme dhe trajton me nji respekt kallp Ernest Koliqin, Lasgushin, Gjergj Fishtën, Mit’hat Frashërin.

    Kemi në dorë thuejse dy dekada shkrime ku ikja prej atdheut e ka afrue shkrimtarin me vendin e tij; urrejtja me të cilën ai asht rrethue asht kthye në kurë ndaj njerzve të fisit, siç i quen ai bashkëkombësit. E keqja e shqiptarëve tek Koliqi identifikohet me ideologjinë që ka kaplue mendjet dhe jo me njerëz të veçantë.

    Vitet e fundit janë të trishtueshme, vdekja e bashkëshortes së dashun, largimi nga jeta i shumë miqve dhe vetmia që e rrethon i peshojnë. Kanë mbetë drekat me miqtë e tij të ngushtë shkodranë, mbramjet tue ndigjue muzikë klasikë në shoqninë e të birin, paraditet tue punue me ndonji doktorand apo bashkëpuntor të Shêjzave, takimet me miq të ardhun prej përtej oqeanit apo me funksionarë amerikanë, italianë, bisedat me intelektualë të mërguem prej vendeve të Lindjes komuniste, por sidomos mbasditet në lutje në kishën e Shën Piut X në Balduina.

    E ardhmja e dikurshme tashma ka mbërrijtë por shikimi i tij asht ba opak, për vete nuk ka ma shpresë se kthehet në shtëpinë e tij, për të tjerët po.

    Me të në mërgim mbyllet nji epokë e tanë. Në atdhe prej kolegëve që vlejnë të brezit të tij ka mbetë gjallë vetëm Lasgushi, por edhe ky rezulton në jetë vetëm për evidencat e gjendjes civile.

    Koliqi len mbas vetes visarin e Shêjzave, sidomos këto shkrime ku ndihet afshi gjakues dhe tonet e kërthëndezëta e mbi të gjitha, kundër çdo arsyeje logjike, ndihet i pastër nji kumt ndjellamirë, pse për atdheun tand nuk mund ta mendojsh kurrë të zezën si gjendje të përhershme. Poeti rus Osip Mandelshtam në nji poezi të tijën thotë se ka mësue “shkencën e lamtumirave”. Kjo asht shkencë e pazakontë poetësh e nuk ka nji metodë të veten por ushqehet me aktet e pastra të shpirtit e si të tilla duhen trajtue edhe këto shkrime të Ernest Koliqit, ushtrime për shkencën e lamtumirës prej atdheut të tij.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË