More
    KreuOpinionArdian Ndreca: Arti i bindjes – kur flitej për fenë, kanunin e...

    Ardian Ndreca: Arti i bindjes – kur flitej për fenë, kanunin e sheriatin si një trup të vetëm

    Nga Fatmira Nikolli

    “…Ndihet qartë arti i bindjes, madje ka edhe efekt. Ndër skenat e para që shfaqet në dokumentar, është mitingu. Dhe ne e dimë se mitingu është vendi tipik ku avullon personaliteti i njeriut. Njeriu humb personalitetin dhe përgjegjësinë. Në taktikën e komunikimit ka një konfuzion të vazhdueshëm. Konfuzioni është i dëshiruar nga personat që duan të mashtrojnë. Konfuzioni bën që të pranohet diçka jo e vërtetë si diçka e vërtetë. Flitet për fenë, kanunin, sheriatin, patriarkalizmin, frikërat, supersticionet, zakone prapanike që janë gjëra krejtësisht heterogjene. Nuk mund të trajtohen të gjitha sikur të ishin një trup i vetëm. Ka dhunë të vazhdueshme. Feja trajtohet si ideologji, por nuk është ideologji…” – Ardian Ndreca analizon kështu imazhin që përcjell një film për të treguar truket e përdorura gjatë regjimit komunist. Shkas bëhet filmi dokumentar i realizuar në vitin 1967, Në flakët e revolucionit. Ai tregon se si Shqipëria e mbyllur nga bota shpallet vend ateist, duke u veshur feve gjithfarë epitetesh që do të justifikonin ndalimin e besimit, shembjen e objekteve të kultit dhe eliminimin e klerit, që ishte ndër kundërshtarët e parë të komunizmit. Gjithë kjo do të forconte kultin e individit dhe do të shquante më shumë qoftë edhe në pavetëdije imazhin i diktatorit, si “zoti” i ri, tanimë kur të vjetrin e vranë.
    Duke krijuar një zot të ri që i veshën tiparet e të plotfuqishmit në tokë, si një njeri të prekshëm që kishte çliruar vendin, ata i drejtuan turmat kundër besimit. E vranë ndërgjegjen e një besimtari, vranë njeriun që besonte në të mirën dhe në të keqen, për të krijuar njeriun që besonte në komunizmin dhe ateizmin. Ata e vranë njeriun dhe krijuan armikun, vranë njeriun dhe krijuan kundërshtarin që mund të ishte kudo, ndaj sekush ishte në luftë me këdo – duke treguar vigjilencë.
    Por si u arrit të bëhej Shqipëria vendi i parë ateist në botë? Ardian Ndreca tha se “fryma revolucionare nis me celulat dhe mbaron te celuloidi. Fitoret e propagandës komuniste janë fitore celuloze, jo fitore që ndodhin në të vërtetë… Vetë zëri i folësit është i njëtrajtshëm, nuk ka emocion dhe nuk shihet, por nuk ka asnjë lloj problemi. Filtri është folësi”. Për Ndrecën, “ligjërimi është i përsosur, por ne nuk e dimë atë që thonë në të vërtetë ata… Një formulë pagëzimi e re, një zë, një identikit i ri që mundohet të krijohet”.

    Studiuesi Ndreca ndalet edhe te mistifikimi që në këtë film paraqitet në mënyrë të pastër.
    “Është e pamundur që të bësh një film të tillë dhe të mos mistifikosh. Nuk mund të ketë një të vërtetë që paraqitet në formë kaq të pastër. Manastiret. Frika e xhindeve në manastir. Traktatet e para kundër magjive janë shkruar nga njerëzit e fesë. Feja e krishterë e trajton si armikun e vet supersticionin ose magjinë. Thuhet se Pal Doda, Gjon Shllaku, kanë pasur qëllime terroriste. Françeskanët në mënyrë të veçantë kanë qenë antifashistë dhe antiitalianë”.
    Sipas tij, realiteti, nëse nuk u bindet parimeve të ideologjisë, do të shkatërrohet. “Në këtë rast ideologjia komuniste përballet me fenë që trajtohet si opium. Duhet gjetur një drogë më e fortë, që të fitojë vetëm njëra. Këtu ka një injeksion të fortë droge. Mos kujtoni se ka mbaruar aty lufta e vitit 1967, vazhdon edhe sot, njerëzit i kemi edhe sot në politikë e në të gjitha fushat e jetës, ata njerëz që janë formuar me atë lloj ideologjie”, – tha Ndreca duke kujtuar se aksioni i 6 shkurtit në vitin 1967 ka qenë i paligjshëm. “Aksioni i 6 shkurtit 1967 nga pikëpamja ligjore është i paligjshëm. Flas nga pikëpamja ligjore, në atë kohë ata janë huliganë që hyjnë ashtu, nuk ka një bazë ligjore. Vetëm në vitin 1976 me kushtetutën e re do të legalizohet gjithçka. Ligji, durimi, bindja janë fjalë boshe”, – shtypi ai. Studiuesi Ardian Ndreca analizoi se si e përcillte propaganda komuniste fenë, kanunin, frikërat, supersticionet dhe zakonet prapanike në këtë film.

    Drejtuesja e AQSHF-së, Iris Elezi, së bashku me profesor Ardian Ndrecën, folën në detaje punën e bërë, që ideologjia komuniste të injektohej në çdo qelizë të njeriut të ri. Dokumentari tregoi se si vendi ynë kopjoi revolucionin kinez, të rinjtë nga zonat urbane shkuan në zonat rurale për të bindur njerëzit që të hiqnin dorë nga besimi i tyre. Ata vunë re se përmes artit të bindjes, propaganda jepte efekt e kjo bëhej edhe më e lehtë nëpërmjet konfuzionit. Ndërsa në fund të referimit profesor Ndreca tha se ai që humbi, ishte njeriu, dhe fjalën njeri duhet që të dimë ta theksojmë mirë. Ndryshe i humbasim sensin, humbasim edhe sensin e ekzistencës sonë.
    SHFAQJA: Viti 1967 ishte ndër më vendimtarët për diktaturën komuniste. Udhëheqësi Enver Hoxha shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë dhe ndaloi të gjitha praktikat fetare. Pasi vuajtën për dy dekada, edhe ato pak kisha, xhami dhe teqe të mbetura u mbyllën ose u shndërruan në kinema apo qendra sportive. Priftërinjtë dhe imamët u vunë përballë gjyqeve publike. Duke kopjuar Revolucionin Kulturor Kinez, komunistët e rinj shkuan në të gjithë Shqipërinë që të shkatërronin ndërtesat fetare dhe të bindnin njerëzit të hiqnin dorë nga besimi i tyre. Gjatë kësaj fushate të dhunshme, katër murgj të moshuar vdiqën kur u dogj Kuvendi Françeskan i Shkodrës. Për këto ngjarje të rëndësishme u prodhua një dokumentar kontroversal i titulluar NË FLAKËT E REVOLUCIONIT (1967), me regjisor kamera operatorin e talentuar, Endri Keko. I xhiruar nga mjeshtrit Ilia Terpini dhe Niko Theodhosi, ky dokumentar bardhezi, i shfaqur shumë rrallë, sjell në vëmendje këtë moment kyç të historisë së vendit tonë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË