More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAlisa Velaj: Uni lirik mes hutimeve dhe zbulesave

    Alisa Velaj: Uni lirik mes hutimeve dhe zbulesave

    (Përsiatje mbi novelën “Fëmijëria” të F. Arapit)

    Janë 14 proza poetike mrekullore, me datë të papërcaktuar të kohës shkrimore, ndërsa vijnë të pagëzuara nga Fatos Arapi si novela. Trashëgimia antologjike në prozë u botua post mortum në dhjetor 2024 nga botimet “Koha” në Prishtinë me një tirazh prej 500 kopjesh secili vëllim. Vëllimet “Fëmijëria” dhe “Unë vdiqa brigjeve të Jonit” janë dy përmbledhjet e para të serisë së prozës antologjike, të përgatitura nga vetë autori në të gjallë të tij dhe përmbajnë proza të botuara gjatë viteve ose pjesë që e shohin për të parën herë dritën e botimit.

    Vëllimi “Fëmijëria” përmbledh novelat “Fëmijëria”, “Cipa e dëborës”, “Aksinja e Holtës” dhe “Ndihmomë dhe ti, o shpend me zemër”. Ndër të katërta, vetëm novela e parë i jepet lexuesit shqiptar si pjesë e papublikuar. Njëlloj habie në leximin e parë të tekstit se përse etiketohet “novelë”, ndërkohë që është një mozaik prozash poetike.

    Leximi ndjesor pikturon botën ëndërrtare të fëmijës, plot mall, nostalgji e habi foshnjore. Leximi alegorik shenjon një tjetër regjistër shenjuesish e habish. Nuk është thjesht habitja e unit lirik në fëmijërinë e tij. Është fëmijëria e botës në perceptimin foshnjarak të njeriut, që përcakton në mënyrë të përshkallëzuar kuptimin e ekzistencës tokësore në kufijtë mes jetës dhe vdekjes. Secila prej këtyre dy të fundit vjen si habi e soditje filozofike, ku njeriu foshnjë e mandej fëmijë, krah për krah me poezinë e foshnjërisë, imagjinatën, ndërton një botë mitike, e cila mbaron së ndërtuari, kur në kufijtë e pambarimit të habitjes ia beh vdekja. Mbase në këtë kontekst alegorik, etiketimi “novelë” merr kuptimin real, si një lloj udhëtimi i unit lirik mes ndritjeve e zdritjeve ekzistenciale.

    Kritiku rus, Bjelinski, ka shkruar se mitet janë krijuar në foshnjërinë e njerëzimit. Arapi krijon mitin modern të udhëtimit të shpirtit njerëzor nga ditët e para deri në çastin e tronditjes më të thellë, vdekjes. Proza poetike “Një yll u shua” përmbyll odisenë e shpirtit të fëmijës dhe shuarjen e rrëfimeve të njeriut soditës. Te kjo pjesë, njeriu kalon pragun e jetës dhe prek hapësirën e përtej-jetës. Pas këtij rrëfimi s’mund të ketë më një tjetër rrëfim, sepse unit lirik i është ndalur përdhunshëm fëmijërimi. Uni lirik i përngjet spektatorit që për të parën herë sheh në skenën e amfiteatrit tragjedinë e një mbreti që vdes, edhe pse është mbret.

    Fëmija është sunduesi absolut i botës mitike deri në skenën e njëmbëdhjetë, me titullin “Ishulli”. Uni lirik ka përshkruar udhën nga hapja e parë e syve në botë te akti i parë “Djepi”, ka arritur të njëhsojë shpirtin e tij si vijimësi e shpirtit të natyrës e botës në aktin e gjashtë “Nergjizet”, deri sa në aktin e fundit habitja i është kthyer në tronditje me pushtimin e vetëdijes prej një etniteti krejt të panjohur, vdekjes. Në fakt, vdekja ka nisur ta cukisë korracën e pafajësisë që në aktin e nëntë me titullin “Flutura dhe stërkalat”. Ja si e përshkruan poeti rrethin ciklik të fluturës që lodron me valët.

    “Ulet mbi pluskimin e ujërave duke u dridhur, mbytet e mbaron. Po ja ku duket në ajër, fluturon në qiell, humbet. Dhe përsëri shfaqet mes shkumës së përjetshme të detit”.

    Proza poetike “Flutura dhe stërkalat” mbyllet me një lloj “epilogu” të unit lirik nga një largësi kohore që ndan fëmijën nga rrëfimtari i burrëruar, ku ky i fundit qëmton nëpër vetëdijen e tij foshnjore se ku pafajësia ka nisur ta krisë lëvozhgën e saj.

    “Fëmijëria ime mbetet këtu te kjo lodër jetë- a vdekje e kësaj krande të vogël, që përjetësisht loz me rrokullisjen e valëve shkumbuese e zajeve të bardhë në thellësirat e detit” (fq. 15).

    Me tepër se 14 proza poetike, novela “Fëmijëria” paraqet shtatë soditje ekzistenciale, ku secila rrok një habitje të vogël që i paraprin një zbulese të vogël apo të madhe. Soditja e parë përbëhet nga “Djepi” dhe “Bukureza”. Habitja e skenës së parë është krijesa sfiduese që kërkon pamje të tjera. Qenia e mëkuar me liri e këngë. Kjo pjesë vjen në ndërgjegjien e shkrueses së këtyre rradhëve me titullin “Të lindet poeti”. Zbulesa vjen te “Bukureza” në dialogun imagjinar mes cunakut në botën e zgjeruar të tij dhe xixëllonjës.

    “C’mund të bëj unë për ty? – e pyes unë.

    Asgjë, ti shko në udhën tënde, po kur të gjendesh në ndonjë tunel të errët, pa dritë, pa shpresë, thirrmë mua, sepse të duhet përpara një bukurezë, një dritëz e shenjtë që të udhëheq.

    Dhe mos ki frikë nga jeta e pamëshirshme”. (fq. 7)

    A nuk është vrasja e frikës brenda njeriut i pari akt madhor që e tërheq atë prej vuajtjes në shenjtërinë e dritës e gëzimit të shpirtit?

    Soditja e dytë përbëhet prej prozave poetike “Lejleku” dhe “Verorja”. Habitja ka të bëjë me trishtimin për largimin e dikujt të dashur diku larg; lejlekut në këtë rast. Zbulesa ka të bëjë me hapësirën diku përtej. Përtej asaj që fëmija sheh e percepton me sy të hapur. “Verorja” mbyllet me vargun: “Do të vijë dallëndyshja e do ta marrë me sqepin e kaltër duke cicëritur dhe diku…diku do ta shpjerë verojkën e bukur”.

    Prozat poetike “Dallëndyshja” dhe “Nergjizet” përfaqësojnë përkatësisht habitjet e shpirtit poetik (e para) dhe zbulesën se pas cdo dukurie fshihet një krijues (Nergjizet).

    “Një ditë unë i thashë zyshës se kandilat e ndezur të narcisave flasin gjuhën e Zotit të Diellit”. (fq.11)

    Madje fëmija e kupton gjuhën e narcizave. Uni lirik është pjesë e krijimit dhe krijimi (ekzistenca) është kuptimi më i thellë dhe i deshifrueshëm në mënyra të ndryshme nga shpirtra të ndryshëm njerëzorë, ku mes tyre poeti është deshifruesi më i pakompromis.

    Pamjet “Ullinjtë” dhe “Shtatorja” pranëvënë përjetësinë e botës (simboli qindravjecar i ullirit që ndez vajin e ikonës) dhe përjetësinë e lirisë, si më e bukura zbulesë e kuptimit të jetës në tokë.

    “Flutura dhe stërkalat” dhe “Dordoleci”janë pamja tragjike (loja jetë-vdekje) dhe tragjiko-komike e njeriut. Zbulesa vjen përmes pyetjes së nënkuptuar: në karnavalen e jetës ku mbaron kufiri i njeriut dhe ku fillon tjetërsimi i tij në dordolec?

    Pamjet “Ishulli” dhe “Hutim qiellor pulëbardhat” janë alegori tejet të fuqishme të ishullimit të fëmijës për të kuptuar përmes habitjeve tejet të mëdha, të vërtetat po aq të mëdha. Te proza e dytë kemi alegorinë e kufijve që nuk na përkasin, sepse janë kufijtë e dashurisë së të tjerë shpirtrave, të cilët janë të pacënueshëm në sovranitetin e tyre.

    “Kur u ktheva në Ishull ia tregova babait ngjarjen. Ai më tha: Andej pulëbardhat kanë foletë, vezët e zogjtë e tyre…dhe i ruajnë ato. Mos kalo më andej…” (fq. 19)

    Dy prozat e fundit “Guaska e detit” dhe “Një yll u shua” japin paralelizimin mes përjetësisë së natyrës dhe udhëtimit të përkohshëm të njeriut në botë”.

    Novela “Fëmijëria” e Arapit jep përmes një shqipeje të përsosur rravgimin e shpirtit njerëzor mes jetës, vdekjes e pambarimit, ku cdo akt gëzimi a trishtimi tokësor a hyjnor, na ndërton ne si qenie në hapësirat ekzistenciale të lirisë, shenjtërisë dhe dashurisë për veten dhe tjetrin si entitet moral e qytetërimi të ndryshëm.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË