More
    KreuLetërsiBibliotekë“Ahmal Agmali”, tregim nga Shazim Mehmeti

    “Ahmal Agmali”, tregim nga Shazim Mehmeti

    Plakut Ahmal Agmali, kishte mote që i kish vdekur gruaja. Dhe, meqë me atë të ndjerën nuk kishte patur fëmijë, mbi krye i kishte rënë gjithë fatkeqësia, që vite të tëra të jetës t’i kalonte i vetëm. Por, plaku, duke qenë në takat të mirë e duke i bërë me përpikmëri punët e fushës dhe punët e shtëpisë, i kishte kaluar disi ato vite vetmie.

    Por, jeta në vetvete është një “pooor” i madh, që e ka edhe rënien të pashmangshme, rënie kjo, që, sa vjen e afron me kalimin e viteve.

    Plakun, gjithnjë e më egër e hante vetmia, ndaj një natë prej netësh, e bëri mendjen pykë, sy e duar i ngriti përpjetë, e u lut me zemër:

    – Më jep, o Perëndi, një krijesë të vogël, që të mund ta gënjej mendjen, sa s’më ka lënë viran’ja. Më jep një dalldi, që të mund të merrem me te: ta ushqej, ta përkëdhel, e të flas me te, në vend se të flas me këtë vetmi rrënuese. Veç le të jetë e gjallë ajo krijesë, dhe në paç urdhëruar Ti, le të jetë dhe monstër.

    Dhe çuditërisht, po atë çast, nga përtej tavanit kah i kishte ngritur duart e i kish drejtuar sytë e lutej, Ahmal Agmalit i erdhi një zë:

    – O biri im! Lëre fatin të ecë rrugës së vet! Mos më bë të të dal krah! S’ta ndryshoj dot, paracaktimin, që është i shkruar dyzetë vjet para lindjes sate.

    – Aman, më jep një krijesë, imZot!… – u lut sërish Ahmal Agmali, dhe lotët i rrodhën curg.

    Atë natë, Ahmal Agmali bëri një gjumë të lehtë si gjumë fëmije. Dhe, nuk fjeti pak: fjeti aq gjatë, sa, kur u zgjua, dielli i së Premtes i ishte ngjitur kupës së qiellit, shtatë-tetë shkopij mbi majën e Malthatit. Tashmë, qe afruar edhe koha e faljes së namazit të xhumasë, ndaj Ahmal Agmali u ngut: hëngri ca bukë, mori abdes, dhe shkoi në xhami ku e fali xhumanë.

    Vetëkuptohet, punët e fushës krahët e tij i prisnin…

    Pas xhumaje, ai ia mveshi hamat kalit dhe e vuri mes okësh. Dhe e mori rrugën duke i rënë kalit me kamxhik, e me diii, diii, diii, u drejtua kah Katër Udhët, atje ku e kishte tokën. Për rruge, gjithë fusha i dukej e vyshkur, gjithçka i dukej mplakje.

    Kur mbërrijti te Katër Udhët, shikimi i plakut davaritej në përhumbje, por një si e qarë fëmije e bëri të përmendet. Ai ia tërhoqi frerët kalit, e ndali. Kërceu nga qerrja, dhe me hapa të mëdhenj, shkoi drejt therës nga vinte e qara. Të pamët e plakut u hap, zemra e plakut vetëtiu, kur pa pas there një trup të vogël të lakuriqtë që përpëlitej pafajshëm.

    Plaku u përkul e ra në gjunjë, si përpara Zotit. Duart e tij u zgjatën drejt krijesës, e prekën e e ngritën, dhe ashtu të ngritur e shikoi gjatë atë krijesë të vogël, deri sa sytë e tij u bindën se krijesa e vogël ishte me dy koka.

    Me foshnjën ndër duar, ai, sa qe i gjatë u ngrit, dhe i foli qiellit:

    – Është me dy koka, o Perëndi, megjithatë të falemnderit. Do ta ruaj, do ta ushqej, do ta laj e mbaj, si loçkën e zemrës…

    Atë çast, qielli që ngurroi pak, i lëshoi zë plakut:

    – Është  shenja e parë e fatit, që t’është parashkruar. Tash e tutje, ndiqe vetë, o bir!…

    Gjithsesi, u desh të mbështillej pafajësia e vogël. Plaku e hoqi pallton e arnuar, e zhveshi këmishën e trupit, e mbështolli foshnjën me atë këmishë, dhe e vuri lehtas mbi dy duj jonxhe, në qerren e vet. Krahët e zhveshur ia futi palltos, dhe kërceu në qerre.

    – Diiii.., o Çil!.. – gjëmoi zëri i plakut që i ra kalit me kamxhik mbi shpinë, dhe u nis për në shtëpi.

    Teksa kthehej, në sytë e plakut, përreth rruge çelën gjithë llojet e luleve, gjithfarë zogjsh këndonin, dhe në mendjen e tij fekste vetëm një mendim:

    – Do ta ushqej, do ta dua e do ta rris, pa e parë kurrë sytë e botës!…

    E mbështetur mirë në dy dujt e jonxhës, dhe e mbështjellur kujdesshëm në këmishën e plakut, përgjatë rruge, foshnja fjeti për merak. Edhe kur plaku e futi në shtëpi, foshnja ishte në gjumë.

    Gëzueshëm, për disa ditë, plaku ndërmori gjithë ç’duhej për mirëqenien e foshnjës, dhe foshnja pinte qumësht me ngëk e ngëk. Kishte dy lopë të mira, plaku i gëzuar, dhe kujdesej për foshnjën, pa ndarë. Por, qe dhe ai mendim i zi për dy kokat, ai mendim që e torturonte, me një shtytje të çuditshme, për t’ia fshehur botës krijesën me dy koka. Kishte frikë se mos bota do ta tallnin vogëlushin e tij të vonuar, ndaj u vu në një gjendje largimi nga fqinjësia e nga të tjerët, aq sa, edhe jetën e vet e ndau nga përrethja, si me mur. Askund nuk shkonte, askush si vinte. Edhe kur i ndodhte, në të rrallë, t’i vinte a t’i afrohej ndonjë fqi, plaku gjente ndonjë shkak a ndonjë punë, për të mos e futur brenda. Punët e fushës i la përfare, por e la edhe namazin që bënte në xhaminë e katundit.

    Ndërkohë foshnja rritej, hante e pinte më shumë se zakonisht, dhe, nga meraku i madh që plaku kishte për te, i jepte të hante e të pinte me sa mundej.

    Kaloi edhe ca kohë, dhe foshnja mori shtat. U bë, tashmë, një çunak me dy koka, që edhe mund të fliste.

    – Baba, – i tha, një ditë, plakut, ai, – a mund të dal n’oborr?…

    Plaku e shikoi dhimbshëm. Zemra e plakut u mpak.

    – Nuk mundesh, – i tha, dhe u përlot njëherësh.

    Pastaj vazhdoi t’i flasë me atë zë të ngjirur që i lidhej në fyt:

    –  Dielli i fatit tënd është tepër i nxehtë, o bir. Ai djeg. Mund të t’i djegë flokët, mund të t’i djegë fytyrat, mund të t’i djegë krahët…

    – Por, baba… – foli djali, dhe të dy fytyrat iu mrrolën njëkohësisht. Sytë, faqet, veshët…, gjithë tiparet e djalit morën një pamje prej të rrituri.

    Plaku e vërejti ndryshimin e madh e të atypëratyshëm, por jo vetëm atë. Ai e njohu edhe faktin, se në atë çast refuzimi, trupi i djalit u fry e mori një madhësi të çuditshme. Përpara plakut, tashmë, qëndronte një burrë i madh e me dy koka, që nuk do të mund ta nxenin as dyert as dritaret e shtëpisë, një burrë me ca krahë të mbushur, gjithë muskuj, që e urdhëronte: – Sillmë të ha, o baba!…

    Plaku u dridh e u ngrit, i solli vorbën e madhe të mbushur përplot me groshë të zier, dhe katër bukë, dhe burri me dy koka i hëngri me vrik.

    Tashti më sill të pi!… – urdhëroi dykrerëshi, – kam shumë etje, o babë…

    Plaku i solli tri kofa me ujë të ftohtë bunari, dhe burri i piu, gjithnjë me vrik.

    Pas ca ditësh, tmerrësisht shumë iu shtua oreksi burrit me dy koka, ndaj plaku e theri njërën lopë, dhe e rrjepi e e poqi të tërën. Për pak kohë, burri me dy koka, sa me njërën, sa me tjetrën gojë, e hëngri gjithë lopën, dhe piu shumë ujë.

    S’kaloi edhe një javë, dhe e hëngri lopën tjetër. Plaku therte e piqte, ai hante. Pas një jave tjetër e hëngri edhe kalin. Ahuri i plakut mbeti zbrazur. Mbeti zbrazur edhe koteci i pulave, dhe burri me dy koka vazhdonte të rritej.

    Një ditë prej ditësh, si e shikoi ndrojtur, por edhe duke ia dashur shumë të dy palë sytë, plaku e pyeti atë:

    – Ç’ke, që ha kaq shumë, o biri im?…

    – Sepse kam shumë uri… – u përgjigj dykokëshi me të dy gojët, por veshët e plakut dëgjuan tjetër gjë: “sepse kam shumë vetmi…”

    – Vetmia është fati yt, o biri im! Ti vet e di qëëë… – këtu plaku mezi foli, – Kam frikë se mos dëshpërohesh, o bir… Nuk di, nëse ti e di se…

    – E di, e di… – folën dëshpërueshëm dy gojët, – më sill të pi!…

    Atë ditë, plaku mbushi e i dha aq shumë kofa me ujë, sa nuk mund të numëroheshin, ndaj u këput i tëri.

    Në mbrëmje, nga që hëngri sërish shumë, dykokshi kërkoi edhe më ujë. Dhe, vetëkuptohet, plaku i solli, deri sa i mundën duart edhe këmbët. Por, s’ngihej as shuhej dykokëshi, ndaj, plaku i tmerruar, me t’u futur brenda  me dy kofat e fundit, derën e hyrjes së shtëpisë e mbylli me çelës, dhe nga fundpragu e shtyu çelësin përjashta. Dy hapat që bëri më pastaj, qenë vetë fatkeqësia: i stërlodhur, plaku u ngatërrua në hapa, dhe u këput në ije. Fillimthi, mbeti për ca kohë në kllapi të thellë, dhe kur u zgjua pas ca kohësh, s’lëvizte dot as dorë as këmbë.

    Atë  natë, dy burrat, e fjetën disi natën, por të nesërmern, sa u shfaq drita e diellit në dritaret e vogla të shtëpisë, dykokëshi urdhëroi:

    – Më sill të ha…!, më sill të pi…!

    Zemra e plakut, bëri të lëvizë që ta ushqejë të birin, por trupi s’i mundej: duar e këmbë i rrinin lëvarur përtokë. Por, qe goja ajo që mbodhi forcë:

    – S’kam duar as këmbë…- i tha, –  o biri im i dashur. – dhe lotët i rrodhën curg.

    Burri me dy koka (që tashmë ishte bërë një monstër), u turr drejt derës që ishte e mbyllur. Iu tur edhe dritareve që qenë tepër të vogla për trupin e tij gjigand.

    Vetmia është tmerruese. Uria është torturuese, etja edhe më torturuese. Monstra iu turr plakut dhe e shkundi fort, por plakut s’i lëvizte gjë. Duar e këmbë i rrinin lëmashkur, dhe veç sytë e tij përpëliteshin akoma. Monstra, nën pushtetin e urisë, u ndesh, sakaq, me sytë e përhumbur të plakut që përpëliteshin akoma, dhe iu ndezën sytë. Gojët e monstrës, u hapën njëherësh, dhe i ngulën dhëmbët në krahët e plakut, ku pinë gjak sa mundën…

    Rrafsh shtatë ditë nga ajo natë, nga brendia e shtëpisë së plakut, u dëgjua pandalur një ulërimë e tmerrshme. Në ditën e tetë ulërima pushoi, pas një “bbaaammm”-i të madh që buçoi nga brendia shtëpisë.

    Dy ditë më pas, si pushoi ai “bbaaaammm” i madh dhe ulërima e tmerrrshme, pra në ditën e dhjetë, fqinjësia morën guximin, dhe në shumësi sa ishin, u futën në oborrin e shtëpisë së plakut Ahmal Agmali, ku fiks jashtë pragut të derës së shtëpisë, gjetën një çelës. Ashtu frikueshëm dhe në masë, e çelën derën dhe u futën brenda. Dhe gjetën, atje brenda, një skelet të vogël njeriu, të bardhë e të paqmë, por, edhe një kërmë të mishtë, të stërmadhe, që e hanin krimbat me lëvrimë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË